A po gënjen INSTAT-i për rritjen ekonomike 3.3%?
Sot INSTAT-i publikoi vlerësimin statistikor për rritjen e ekonomisë shqiptare në tremujorin e tretë të vitit 2014 (korrik-shtator). Sipas INSTAT-it, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit në vëllim 3.30% në tremujorin e tretë, krahasuar me vitin e kaluar. Në pamje të parë, kjo shifër duket sikur e zbukuron realitetin, duke patur parasysh se në tremujorin paraardhës u regjistrua një tkurrje e PBB-së prej 0.61%, krahasuar me vitin e kaluar. A mos ekonomia i ndezi shumë fort motorat në tremujorin e tretë, krahasimisht me të dytin?
Në fakt, rritja e vëllimit të PBB-së nga tremujori i dytë në të tretin ishte vetëm 0.68%. Por kur krahason tremujorin e tretë të 2014-ës me të tretin e 2013-ës, diferenca është shumë e madhe (3.30%). Sepse tremujori i tretë i 2013-ës (periudha pas zgjedhjeve të qershorit deri në ndërrimin e qeverisë) regjistroi gropën më të madhe të PBB-së në dy vjetët e fundit – PBB-ja u tkurr 2.26% në atë tremujor, krahasuar me një vit më parë (Grafiku shoqerues paraqet ndryshimin e desezonalizuar ne perqindje te PBB-se nga tremujori ne tremujor, duke marre per baze tremujorin e dyte te vitit 2013 - tremujorin para zgjedjeve te 23 qershorit).
Po të mesatarizojmë shifrat e publikuara nga INSTAT-i për 12 muajt e parë të qeverisë së re, rezulton se rritja mesatare e PBB-së ka qenë 1.36%, krahasuar me një vit më parë (mesatarja e 1.10%, 1.65%, -0.61% dhe 3.30%).
Ky nivel rritjeje është më i ulët se 2-përqindëshi që ka parashikuar FMN-ja për vitin 2014. Që të arrihet 2-përqindëshi i parashikuar nga FMN-ja, do të duhet që rritja në tremujorin e fundit të 2014-ës të ketë qenë 3.64%, krahasuar me një vit më parë. Por se sa ka qene realisht, do ta marrim vesh pas tre muajsh.
Add new comment