Planet që duhet të bëjmë

Postuar në 16 Janar, 2014 04:36
Dritan Hila

Biologjikisht nuk jemi kafsha më e madhe e planetit. Njeriu peshon rreth 70 kile, me gjatësi diku tek 170 centimetrat. Luani, rinoceronti, lopa, kali, për të mos shkuar tek elefanti, janë kafshë me parametra fizikë sipërorë ndaj nesh, por janë vartësit tanë në hierarkinë e natyrës. Disa si burim proteinash, të tjerat si zbavitës në cirk apo zoo. Titullin mbret, e kemi ne. Luanit, ia kemi lënë si regjencë, kur nuk jemi prezentë.Truri ynë, nuk është më i madhi ndër gjitarë. Lloje majmunësh, e kanë sistemin qendror nervor më të madh në peshë se ai njerëzor. Por ata që zotërojnë planetin janë njerëzit, për shkak të një faktori specifik: truri ynë prodhon mendim. Nëpërmjet tij, ne njohim botën dhe planifikojmë veprime. Pastaj, organizohemi. Ndryshe nga lukunitë e kafshëve që bazohen tek instinkti, ne kemi organizime që fillojnë nga ai ushtarak, e deri më sipërori që është shteti. Kur nuk kishim më kundërshtarë në botën e gjallë, iu kthyem njëri-tjetrit. Disa shtete zotëruan mbi të tjerët me periudha kohe. Fituesit, kanë qenë gjithmonë ata që i kanë dhënë prioritet produktit të trurit. Sa kohë shteti mbështetej tek elitat intelektuale, aq zgjaste supremacia e tij. Ishin artet e rafinuara që e bënë Greqinë, Romën, Prusinë, Francën, Britaninë. Fuqia e armëve, vinte e fundit. Roma sundoi deri kur në korridoret e saj lëviznin filozofët dhe poetët. Ra, kur u zëvendësuan nga intrigantët dhe pretorianët. Bizanti, Perandoria e Mesit, Osmanët, po ashtu. Britania, Franca, Gjermania, në katër shekujt e fundit, kanë qenë në konkurrencë për mbizotërim. Në segmente kohe, ka prevaluar ai vend që kishte elitën më të mirë intelektuale. Shtetet e Bashkuara, janë lider i Perëndimit, pasi universitetet e saj, janë më të mirët e botës; shoqëria amerikane, më e hapura e planetit; mendimi filozofik, arti, kënga, piktura, filmi, mendimi avanguard, kanë në tokën amerikane, humusin e tyre më bujar dhe mikpritës. Duke ia shpërblyer me majën e produktit të mendjes njerëzore, dhe bërë SHBA-të, vendin më të fuqishëm ushtarak të planetit, më produktivin në shkencë dhe arte dhe liderin moral të botës.Edhe kombe të vegjël si yni, apo të ngjashëm me ne, kanë kujdes të veçantë ndaj prodhimit intelektual. Secili prej tyre, brenda mundësive, përpiqet të bëjë më të mirën, duke subvencionuar me fonde kërkimin dhe krijimin.Prej pothuajse çerek shekulli, Shqipëria nuk po formëson shkencëtarë, shkrimtarë, poetë apo kërkues, përveç atyre të para viteve ’90 të shekullit të shkuar. Bëjnë përjashtim këngëtarët e tallavasë. Ndërkohë sfidat vijnë e bëhen më të mëdha, ndërsa zgjidhjet vijnë gjithmonë nga inteligjenca. Përgatitja e kësaj inteligjence duhet të jetë objekt i universiteteve, të cilat deri më sot, janë lënë në dorë të fatit. Qendrat kërkimore janë inekzistente, ndërsa ato që quhen universitete, nuk e ushtrojnë. Klima po ndryshon. Ultësira jonë perëndimore, po tërhiqet përpara detit, pasi shtratet e lumenjve nuk e furnizojnë më me inerte. Tokat dikur të bonifikuara, po mbushen nga uji; ato të shkripëzuara, po kripëzohen rishtas. Sipërfaqja bujqësore për shkak të mosshfrytëzimit apo përdorimit si truall ndërtimi, po zvogëlohet. Planifikimi urban, i është lënë në dorë anarkisë. Betejat e këtij shekulli, do të jenë për ujërat. Jordani, Mekongu, Tigri, Eufrati, janë disa lumenj për të cilët janë bërë luftëra. Ndërkohë, megjithëse vend i pasur me lumenj, nuk kemi asnjë me burim të tyre brenda kufijve shtetërorë. Duhet një strategji për të ardhmen. Deri më sot, krenohemi me popullsinë e re në moshë. Nuk ka për të zgjatur shumë. Pa kaluar një gjeneratë, do të ndryshojë raporti i popullsisë së re me atë të plakur, në favor të kësaj të fundit. Që tani, ndihet ngërçi në skemën e pensioneve. Ka ardhur koha për zgjidhje se kush do të mbushë arkën e shtetit dhe radhët e ushtrisë.Për herë të parë në vitin 2004, Shqipëria formësoi strategjinë kombëtare. Nga ajo kohë, pak është bërë për implementimin e saj, për shkak të indiferencës burokratike, e ndoshta sterilitetit të saj. Për herë të dytë, Qeveria Shqiptare po ndërmerr një hap konkret për ta riformësuar strategjinë. Këtë radhë, nën shembullin e skemës që përdoret në SHBA, e quajtur “Global Trends”, e cila është një produkt i diskutimeve të institucioneve shtetërore dhe faktorëve të tjerë që nga universitete e korporata, deri në individë, e që në fund i jepet Presidentit të SHBA-ve. Edhe ajo shqiptare, është e bazuar në përfshirjen e institucioneve shtetërore, në koordinim me institute dhe mendimtarë nga fusha të ndryshme. Qëllimi i qeverisë shqiptare, është mbështetja e individëve dhe krijimi i politikave që stimulojnë shkencën, artin, kërkimin dhe institucionet që duhen për t’i mbështetur. Me vetëdijen se një komb mund të modernizohet, para së gjithash duke planifikuar hapat e tij në të ardhmen.

 

Nga "Gazeta Shqiptare" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.