Pesëmbëdhjetë muaj më vonë

Mund të mos ju kujtohet tash, por, më 25 nëntor 2010, kur Partia Demokratike e Kosovës mbajti në Pallatin e Rinisë në Prishtinë konventën solemne dhe kur nominoi kryetarin e saj, Hashim Thaçi, për postin e kryeministrit, Thaçi tha: “Brenda pesëmbëdhjetë muajve të parë të mandatit të dytë, kosovarët do të lëvizin pa viza në Evropë”.
E, me kalimin e kohës, filluan të ndryshojnë deklaratat: “Shumë shpejt, lëvizje pa viza”, “Dita e liberalizimit të vizave së shpejti bëhet realitet”, “Viti 2012 është vit i procesit të liberalizimit të vizave”...
Dhe, në kohën kur u mbushën pesëmbëdhjetë muaj të premtimit se Evropa do të jetë jona, nga Brukseli erdhi një lajm që lidhet me liberalizimin e vizave dhe dita e mërkurë u quajt nga Evropa “Ditë e madhe për Kosovën”.
Jo, jo!
Nuk u mor vendim për udhëtimin e kosovarëve pa viza në Evropë...
Në takimin e ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të mbajtur në Bruksel, u finalizua përfundimisht lista e kushteve të BE-së për Kosovën, plotësimi i të cilave do të krijonte mundësinë e udhëtimit pa viza në vendet e zonës Schengen.
Këtë listë me kushte do ta marrë po në Bruksel, më 14 qershor, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.
Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka thënë se janë plotësuar shumica e kushteve në mënyrën më të mirë të mundshme. Prandaj, në dukje të parë, nuk ka arsye për brengë.
Por, Qeveria e Kosovës, vetëm kur t’i marrë detyrat do të shohë se sa janë plotësuar ato dhe edhe sa kohë duhet të kalojë për t’u plotësuar të gjitha.
Do ta shohim edhe ne. Do ta ndjejmë këtë në lëkurën tonë.
Ashtu siç e kemi ndier këtë deri më tash...
A thua, sa mund të zgjasë monitorimi i ndikimit të migracionit të pritshëm dhe rreziqet ndaj sigurisë së brendshme të BE-së që mund të shkaktohen nga liberalizimi i regjimit të vizave me Kosovën?
A thua, në cilën periudhë të Kosovës mund të thuhet: “Në Kosovë mbretëron rendi dhe ligji”?
A thua, në cilën kohë mund të konstatohet: “Në Kosovë u fitua lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”?...
Nëse dikush i di përgjigjet në këto pyetje, por edhe në shumë e shumë të tjera, le të tregojë.
Nostradamusin do ta zinim ngushtë me këto pyetje!
Prognozat më të mira për ne kanë qenë ato të ekspertëve që i njohin këto çështje: procesi për liberalizimin e vizave për kosovarët do të zgjasë mesatarisht deri në dy vjet.
Dashtë Zoti e ndodh kështu!...
Për ne, momentalisht, është me rëndësi se diçka ndodhi pas pesëmbëdhjetë muajsh, kur na u premtua lëvizja e lirë nëpër Evropë...
Por, veç një punë më mundon: a thua, kryeministri Thaçi nuk i kuptoi para pesëmbëdhjetë muajsh datat që ia dha Evropa, apo ne nuk e kuptuam kryeministrin Thaçi?
“Jemi optimistë, sepse s’kemi nga të shkojmë!”, më tingëllojnë në vesh fjalët e një qytetari të Kosovës, të dëgjuara në radio...
Zëri
Add new comment