PD-ja e re midis Bashës e Berishës
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/9351_kggiurgdrh.jpg?itok=032tRfhR)
Që do të jetë një Parti Demokratike e re, me drejtues të rinj, kjo s’ka dyshim. Udhëzimi që ka nxjerrë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, përjashton nga gara për drejtues të partisë, gjithë grupin parlamentar dhe të zgjedhurit demokratë në pushtetitn vendor.
Që Lulzim Basha do të donte ta ekzekutonte të gjithë pushtetin e tij, pa infulencën e Berishës në këtë parti, s’ka dyshim. Është e natyrshme. Beteja më e rëndësishme e Lulzim Bashës është shmangia e influencës së Berishës në riorganizimin e PD-së.
Procesi i riorganizimit të PD-së ka nisur që me anëtarësimet e reja dhe po vazhdon me zgjedhjet në strukturat drejtuese të partisë nëpër rrethe, një proces, që po monitorohet nga të deleguar në rrethe, të cilët janë quajtur kordinatorë. Shumica e listës së përbërë prej 40 kordinatorësh përbëhet nga njerëz të besuar të Berishës dhe ky ndoshta mbetet një problem, që e pengon disi Bashën për të shmangur totalisht ndikimin e Berishës në ndërtimin e një Partie Demokratike të re. Me drejtues dhe deputetë të tjerë, që hezitojnë të përkrahin hapur liderin e dorëhequr, apo kryetarin e ri, u vërtetua se e ka më të lehtë, pasi sapo u publikua udhëzimi për zgjedhjet në PD, nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga ata që preken direkt nga ky udhëzim. Asnjë prej tyre nuk pyeti nga vjen ky udhëzim dhe cili forum e ka miratuar. Shkelja e statutit në PD është një precedent i zakonshëm dhe nuk përbën problem si procedurë, pasi është një përvojë e legjitimuar nga Berisha që nga themelimi i PD-së. Mungesa e reagimit është e justifikueshme.
Momenti në të cilin po ndodh riorganizimi i PD-së është i favorshëm për kryetarin Basha në aspektin e spastrimit të partisë, kjo për shkak se lidhja e tij me grupin parlamentar nuk është e kushtëzuar. Deputetët e PD-së nuk kanë mundësi t’i bëjnë presion Bashës në ndonjë mënyrë, pasi ky i fundit mund të ndërmarrë çdo lloj vendimi që lidhet me riorganizimin e partisë pa miratimin e tyre, siç po ndodh. Beteja parlamentare për Bashën nuk duket se ka shumë rëndësi, pasi numri i deputetëve të PD-së është aq i kufizuar sa nuk mund të hapë një betejë frontale me mazhorancën për asnjë çështje që mund të lidhet me interesat e opozitës. Për pasojë, grupi parlamentar i PD-së bëhet më pak i vlefshëm.
Nga ana tjetër, deputetët e opozitës janë të detyruar të luajnë rolin e tyre opozitar sipas një rutine në kuvend, pasi është i vetmi vend ku ata mund të spikatin dhe të shprehen si politikanë. Çdo presion që mund të vijë nga individë të caktuar brenda grupit parlamentar për largimin nga PD-ja dhe afrimit të tyre të mundshëm me ndonjë forcë tjetër politike si LSI, për Bashën nuk përbën problem. Sado që të zvogëlohet numri i deputetëve demokratë në kuvend nuk prish dhe nuk ndreq asgjë në këtë raport mandatesh me mazhorancën. Mazhoranca e majtë ka 85 vota dhe ato i mjaftojnë për të miratuar çdo lloj ligji.
Të zgjedhurit vendorë, gjithashtu nuk mund ta kushtëzojnë kryetarin Basha, edhe për shkak se zgjedhjet vendore janë afër dhe secili prej tyre mund të jetë duke ëndërruar rikandidimin, pra për pasojë, nuk ka asnjë interes të krijojë konfrontime me kryetarin. Kësaj i shtohen edhe kostot e mbajtjes së karriges së tyre në krye të komunave apo bashkive.
Përjashtimi nga gara për drejtuesit e rinj të PD-së të këtyre dy kategorive, grupit parlamentar dhe të zgjedhurve vendorë, i jep mundësi Lulzim Bashës të strukturojë një parti të re, mundësisht me sa më pak kundërshtarë brenda saj.
Bazuar në këto argument, duket e se Basha po përpiqet të shkëputet nga influenca e Berishës. Nëse lexohet me kujdes deklarata e tij lidhur me rritjen e anëtarësimeve në PD, vërehet një tendencë e kryetarit Basha për t’u shfaqur me infulencë të madhe në parti, madje më të madhe se ajo e ish-kryetarit Sali Berisha. Edhe sikur deklarata, nëpërmjet të cilës Basha pretendon se PD-ja ka sot numrin më të madh të anëtarësisë në historinë e saj, të jetë vetëm demagogji, përsëri është domethënëse. Në rastin kur kjo deklaratë do të ishte e vertëte, atëherë duket se largimi i Berishës nga posti i kryetarit, ka kthyer në këtë parti një pjesë të konsiderueshme të elektoratit blu, që gjatë kësaj periudhe të gjatë tranzicioni nuk kanë qenë dakord me mënyrën e drejtimit të demokratëve nga Berisha. Pra, Lulzim Basha ka marrë guximin të thotë se PD-ja e drejtuar prej tij është më e madhe dhe më solide se ajo e drejtuar nga Berisha.
Analiza e humbjes
Si pikë e dytë e rëndësishme e udhëzimit të Bashës është analiza e humbjes në zgjedhjet e 23 qershorit, ç’ka mund të kthehet në një arsyetim të fortë për spastrimin e partisë. Por çështja është, se nëse bëhet realisht kjo analizë, atëherë pjesë e penalizimit duhet të jetë edhe vetë Basha, ndërkohë që Berisha u vetpenalizua, duke dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë.
Zgjedhja me votë në krye të PD-së i jep Bashës imunitet nga ky penalizim, por moralisht edhe ai vetë duhet të përgjgijet për këtë humbje, pasi Tirana ku ai është kryetar bashkie humbi gjashtë deputetë në 23 qershor krahasuar me 2009, madje në qendrën e votimit ku votoi ai, humbja ishte dramatike.
Rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit penalizon të gjithë drejtuesit aktualë të PD-së, grupin parlamentar dhe të zgjedhurit vendorë, por nëse do të përdoren kritere lehtësuese për disa, ato mund do të bëjnë diferencën në penalizimin që vjen nga analiza e humbjes. Mbetet të shohim se për kë dhe nga kush mund të përdoren këto kritere, nga kryetari Basha apo ish-kryetari Berisha.
Pavarësisht spastrimeve që pritet të ndodhin në strukturat e PD, kryetari aktual i kësaj partie është i detyruar të riciklojë një pjesë të figurave politike tradicionale të kësaj partie, pasi kjo do t’i shërbejë atij për të ruajtur kohezionin brenda partisë. Largimi i të gjithë elitës politike të PD-së me një të rënë të lapsit nuk i shërben pozitave të tij në krye të partisë, edhe nëse Berisha e bekon një lëvizje të tillë. Një zgjidhje e mundshme mund të jetë riciklimi në strukturat e larta drejtuese të partisë të disa deputetëve aktualë apo edhe anëtar të forumeve ekzistuese, të cilët nuk kanë në CV-të e tyre arrogancën e pushtetit, kanë kontribute në PD dhe besueshmëri në elektorat. Kjo kategori do të ishte një vlerë e shtuar më shumë në krahun e Bashës, në një betejë të pashmangshme mes tij dhe Berishës në të ardhmen
Add new comment