Para se ta gozhdoni Gjergjin…

Postuar në 04 Mars, 2014 12:04
Dashnor Kokonozi

Gazetat më patën njohur me arrestimin e Gjergji Thimos dhe akuzat që ngrihen ndaj tij si grabitës e trafikant ikonash. Një gjë e tillë nuk mund të mos më sillte ndërmend takimet me këtë person plot 20 vjet më parë, kur bashkë me projektin që kishte për të hapur muzeun e parë privat që sillte në Ministrinë e Kulturës, fliste edhe për ikonat dhe një numër objektesh me vlerë, të cilat i siguronte tek individë të ndryshëm.

Nuk jam i prirur të besoj në manipulimin e një procesi që synon të rrisë artificialisht kuotën e besueshmërisë të një drejtësie që sot gjendet me nivelin më të ulët se kurrë, por shpresoj që të mos jetë as komedia politike e radhës, versioni ikonografik.

Mbledhja e ikonave nga Gjergji Thimo duhet parë në një kontekst realist, të cilin kanë prirje ta harrojnë të gjithë. Logjika fillestare juridike, ‘të kapa me presh në dorë dhe ti je fajtori’, nuk mund ta ndriçojë të vërtetën. Mjafton të them se po të mos kishim një “fajtor” të tillë kombëtar, sot asnjë nga ato ikona nuk do të ishin në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas informacioneve që vinin çdo ditë, në atë kohë fshatrave të Jugut e Juglindjes së Shqipërisë silleshin tregtarë të shumtë objektesh arti, që blinin edhe gurët e puseve, sepetet e vjetra të grave, kostume, ikona etj. Dhe do të qe gabim po të mendohet se qe fjala për persona që vinin vetëm nga Greqia. Të tillë kishte edhe nga Bullgaria, por edhe nga Maqedonia e më tutje. Sipërmarrës të ndryshëm italianë ishin gati të paguanin miliona për ndonjë ikonë të vjetër, për të cilat kishin dëgjuar por nuk dinin shumë se për çfarë ishte fjala, nuk mungonin as antikuaristë anglezë dhe francezë. Pra shanset që këto objekte të niseshin jashtë kufijve ishin njëqind herë më të mëdha se të qëndronin brenda tyre.

Por për çfarë ikonash bëhet fjalë, cili është fondi që u trafikua më shumë?

Gjithsesi, në asnjë rast nuk kanë qenë kryeveprat e artit ikonografik shqiptar. Edhe pse në plan juridik veprohej në një terren të paqartë, me ligj qe vendosur që muzeumet të shpalleshin pasuri kombëtare dhe të siguroheshin me masa sigurie të veçanta. Kjo do të thotë se në kushtet kur komunitetet fetare dora-dorës bëheshin zot të objekteve të kultit, me të drejtë a pa të drejtë, strukturat shtetërore nuk dorëzuan asnjë nga veprat e artit që ato kërkonin. Kujtoj fare mirë se në takimet me përfaqësues të kultit, ata kërkonin fondin ikonografik dhe të gjithë fondin mobiliar kishtar, por nuk ndjenin asnjë detyrim të investonin e të na siguronin për ruajtjen e tyre.

Megjithëse nuk ishte e nevojshme të ruhej gjithçka nën etiketën “pasuri kombëtare”, përsëri para se disa objekte të liheshin në duart e komuniteteve fetare u pa e arsyeshme që të verifikohej gjithçka kishte mbetur nëpër kisha dhe me këtë rast u bë edhe një vjelje tjetër objektesh. Për publikun e gjerë është i panjohur fakti se përveç fondit të Beratit dhe Korçës, në një sallë të veçantë të Institutit të Monumenteve mblidheshin dhe ruheshin edhe një numër i madh ikonash me vlera, që për arsye të ndryshme nuk hynin në fondin e muzeve.

Para se të ktheheshin një numër ikonash relativisht jo shumë të vjetra, komuniteteve fetare u bëmë një propozim të fundit, vendosjen nëpër kisha jo të origjinaleve por të fotografive apo riprodhimeve të tyre me cilësi të lartë. Të paktën deri në stabilizimin e rendit. Nxorëm fonde nga qeveria dhe ngritëm një laborator të fuqishëm fotografik pranë Muzeut Kombëtar, qëllimi i të cilit ishte riprodhimi i ikonave, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve. Megjithatë, ky propozim nuk u pranua dhe komunitetet fetare morën në dorëzim një numër veprash, por asnjë ikonë që gjykohej se kishte vlera të jashtëzakonshme nuk u la në dorë të tyre, sa kohë që deri në fund ato nuk merrnin përsipër t’i mbronin. Por pati edhe gabime vlerësimi. Në mos gaboj, në një kishë në jug të Gjirokastrës u la një ikonë e O. Qipriotit, nisur nga mendimi se autori nuk ishte shqiptar. Asnjëherë nuk e kam kuptuar përse specialistët e Institutit u nisën vetëm nga origjina e autorit dhe jo nga vlerat e saj. Më pas, ikona në fjalë u vodh. Duket për atë ikonë ishin interesuar qarqe të tjera dhe ajo do të ketë kapërcyer kufirin. Nganjëherë them se po qe se vjedhësit do t’ia kishin shitur Gj. Thimos, ikona do të mbetej në Shqipëri, por vetë Gjergji sot do të dënohej edhe për të.

Nuk mund të mos dyshohet se individë të veçantë pranë komuniteteve fetare ishin të interesuar për zhdukjen e fondit shqiptar të ikonave. E them këtë sepse vëreja se ato që zhdukeshin nëpër kisha zëvendësoheshin me shumë lehtësi nga vepra ikonografike që prodhoheshin në Greqi. Kam respektin më të madh për ikonografët grekë, por këtu qe fjala për objekte të prodhuara në seri.

Jam i shtrënguar të them se në atë kohë rreziku vinte edhe nga papërgjegjshmëria e strukturave dhe funksionarëve shtetërorë. Stafi i ri që mori funksionet më 1992, krejt rastësisht mësoi se ikonostasi madhështor i Shën Pjetrit të Vithkuqit ishte nisur në një drejtim krejt të panjohur në Itali, gjoja për t’u restauruar. Kjo ishte bërë me këmbënguljen e drejtorisë së atëhershëm të Institutit të Monumenteve, por edhe me nxitjen, miratimin dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Kulturës, të personaliteteve të saj më të larta, që në atë kuadër vepronin në mënyrë të paligjshme se askush nuk kishte të drejt të firmoste për të nxjerrë jashtë vendit një vepër të tillë. Askush nuk qe në gjendje të më jepte informacion se ku ndodhej ai objekt. Duke kërkuar ndihmën e gazetarëve italianë, në anën tjetër të Adriatikut, mësuam se edhe vetë personi që kishte marrë ikonostasin, një “restaurator privat” nuk kishte një adresë fikse dhe me emrin e tij nuk figuronte asnjë atelie restaurimi në të gjithë Italinë. Dikur, tërthorazi morëm vesh se ai ikonostas kishte filluar të shitej pjesë- pjesë. Ishte krimi më i madh që ishte bërë në atë fushë të kulturës.

Pas procedurave të panumërta që na u desh të bëjmë për ta gjetur dhe sjellë në Shqipëri, përfshi edhe një proces gjyqësor, që do të na jepte mundësi të kërkonim ndihmën e Interpolit, qemë të detyruar të vazhdojmë të bashkëpunojmë vetëm me policinë italiane dhe t’i rrimë shumë larg policisë shqiptare. Kishim njoftime të sigurta se deri në doganë ikonostasi ishte shoqëruar nga policia vendase, që në njëfarë mënyre edhe bënte presion mbi doganierët që kërkonin të dinin se çfarë po nxirrej jashtë. Sjellja e tij në Shqipëri pas përpjekjesh të gjata, ishte një lehtësim i madh për ne, ndërkohë që na qartësoi më shumë rrezikun që kanoste një fond të tillë, por tregonte se edhe në këtë fushë e drejta e shtetit për monopolin ekskluziv të vlerave nuk ishte e mjaftueshme.

Nëse sot flitet se në fondin e Gjergj Thimos figuron edhe një ikonë e Onufrit dhe një tjetër e Shpatarakut (këtë e them me rezervën e njohjes së gazetarëve të Tiranës, që në shkrime të tilla përdorin edhe terma si “bazilika” që vetëm ata e dinë se çfarë do të thotë), pra nëse vërtet ka vepra të këtyre autorëve, ky është një problem serioz që duhet parë me kujdes. Dua të besoj se përjashtohet rasti që ato të jenë vjedhur në muzetë tona. Është fjala për autorë, fondi i të cilëve është aq i njohur dhe është regjistruar e fotografuar aq herë, sa duhet të ketë një amnezi të rëndë kolektive që specialistët të mos e kuptojnë përse është fjala, të mos gjejnë se ku janë marrë.

Një rast i tillë na shërben për të paraqitur një pamje tjetër të këtij problemi, atë të fondit të madh ikonografik që ka qarkulluar nëpër familje të ndryshme, apo që është marrë nga kishat e ndryshme dhe janë ruajtur nga individë të ndryshëm kur nisi vala shkatërruese e luftës së regjimit të kohës kundër institucioneve fetare. Gjithnjë ka ekzistuar edhe një fond ikonografik që ruhej fshehurazi nga familje të ndryshme. Gjatë viteve ‘80 nëpër familjet e vjetra beratase e korçare kam parë me dhjetëra ikona që ishin trashëguar brez pas brezi, që ruheshin fshehurazi e trashëgoheshin si pasuri familjare. Një pjesë e tyre do të ushqejë trafikun e nëndheshëm në fillim të viteve ‘90. Nuk kishte dhe nuk mund të ketë asnjë ligj që të ndalojë ndokënd të shesë sendet me vlerë e që ruheshin nëpër sepetet e gjysheve, kostumin e saj, por edhe ndonjë një ikonë të mbajtur fshehur.

Në kushte të tilla, të drejtën e shtetit për të blerë i pari veprën e një privati u përpoqëm ta fusim në ligj e ta cilësonim si të mirëqenë, por një shtet psikorigjid nuk mund të dilte jashtë natyrës së tij dhe e kishte të vështirë të blinte atë që deri pak më parë e kishte marrë me forcë. Por edhe kur donte të blinte, tarifat e tij ishin të pandryshuara prej vjetësh e që nuk t’i pranonte askush, njerëzit që shisnin nuk donin të kishin shtetin si klient.

Kujtoj se në një kontekst të tillë, ministri i kohës, z. Dh. Anagnosti këmbëngulte që edhe ekspozimi i fondit ikonografik të ishte sa më minimal (kishte kërkesa të mëdha për ekspozita) dhe të gjitha përpjekjet të përqendroheshin në blerjen e pajisjeve elektronike dhe në marrjen e masave të tjera që do të ndikonin në ruajtjen e kësaj trashëgimie.

Nuk ishte punë e thjeshtë. Gjatë inspektimeve na qëllonte të gjenim institucione të rëndësisë kombëtare krejt të braktisur, me ndonjë polic që shkonte të flinte në shtëpinë e tij dhe me drejtorin që kishte shkuar të punonte si refugjat në Greqi, ndërkohë që punën e ciceronit dhe çelësat i mbante pastruesja e muzeut. Por duket se asgjë nuk ka ndryshuar edhe sot e kësaj dite. Disa javë më parë, kur në të njëjtin muze vura këmbët pas njëzet vjetësh, bashkë me disa miq të mi francezë, ishte e njëjta pastruese, që në mungesë të shoqëruesve (njëri prej tyre mbronte me pasion çmimet e disa ikonave që shiste në hyrje të muzeut), mori përsipër “vullnetarisht” të na shpjegojë diçka për Onufrin dhe ikonografinë shqiptare. E bënte një gjë të tillë duke kthyer shpesh kokën nga unë e duke më thënë herë pas here: “ty se ku të kam parë”. Dikur u mërzit e na la krejt vetëm në sallë…

Mjafton kaq për të kuptuar se këtu jemi në një fushë të minuar, ku nuk ka vend të flitet për “sukseset e njëqind ditëve të para të qeverisë”.

Në këto kushte gjithnjë kam menduar se edhe po të mos kishim një Gjergj Thimo, ai duhej krijuar, duhej gjetur ndokush që t’i jepeshin para fshehurazi dhe ai me besimin që kishte krijuar tek ata që donin të shisnin, të vazhdonte punën e tij të nëndheshme e të konkurronte blerësit e shumtë që vinin nga jashtë e të bridhnin fshat më fshat e skanonin gjithë vendin. Në rrethanat që i njohin të gjithë, kalimi i objekteve të tilla matanë kufijve nuk do të ketë qenë ndonjë punë e komplikuar. Di që jo vetëm nuk jemi njoftuar ndonjëherë nga doganieret shqiptarë për zbulimin e veprave të tilla (me përjashtim të një rasti kur disa doganierë të rinj të Rinasit erdhën dhe kërkuan të dinin se çfarë kriteresh duheshin mbajtur parasysh për kalimin jashtë kufirit të veprave bashkëkohore që i kishin shitur vetë autorët e tyre), por edhe kur qëllonte që pala greke njoftonte për kapje të tilla (se ndodhte edhe kështu), ishte problem dhe konfuzion i madh se si do të bëhej për të vërtetuar që objektet ishin tonat, se një gjë e tillë kërkohej. Bëhet fjalë për shumë kohë para krijimit të Qendrës Kombëtare të Inventarizimit, që u propozua të ngrihej në rrethana urgjente për të mbuluar këtë boshllëk. Ekzistenca e një Gjergji Thimo vetëm se shtonte shanset që në kushtet e një policie që ishte krejt jashtë loje, vepra të tilla të mbeteshin brenda kufijve.

Ishte e çuditshme për mua kur mësova se me rastin e arrestimit të Gj. Thimos, pala maqedonase ishte ftuar të vinte e të merrte në tavë nja njëzet ikona nga ato që ishin gjetur tek ai, ndërkohë që përkatësia e tyre maqedonase duhet vërtetuar nëpërmjet një dokumentacioni të plotë. Është shqetësuese të mendosh se çdo gjë që nuk njohin specialistët shqiptarë është automatikisht e maqedonasve apo e grekëve. Në tregun “e brendshëm” shqiptar, siç thashë më sipër, kanë qarkulluar me qindra ikona që nuk kanë qenë pjesë e muzeve dhe kishave. Detyrimisht specialistët nuk kanë si t’i njohin ato, ndërkohë që sot fakti që ata nuk i njohin, shihet si prova më e mirë se u duhen dhënë të huajve!

Policia në rastin e Gj. Thimos vetëm se theu një derë të hapur dhe e ka dorëzuar të gjykohet për një numër ikonash, të cilat po të mos i blinte ai do të niseshin drejt vendeve fqinje e më larg, nga individë që vinin i blinin duke bredhur fshatrave, shpesh të shoqëruar me përkthyes.

Vetiu, e gjithë kjo histori akuzash ndaj Gjergj Thimos shtyn të pyesësh se çfarë paska pritur tjetër ky njeri që për njëzet vjet me radhë nuk ka qenë i zoti t’i nxjerrë këto vepra arti tutje kufijve të shthurur e pothuaj inekzistues të Shqipërisë, të atyre kufijve nga ku vajzat dhe fëmijët edhe sot nxirren të futur në thes apo në bagazhet e makinave? Çfarë e ka penguar që të rrezikojë e t’i mbajë kaq gjatë këto objekte në shtëpinë e tij, kur parimet e trafikut kërkojnë para së gjithash një “qarkullim” të shpejtë e nganjëherë nën vlerë të objekteve që e ushqejnë?

Është e tepërt të themi se në atë kohë kërkesa e tij për një muze privat ndeshej me mendësinë e shtetit si depozitues i vetëm i vlerave kombëtare.

Dikur mendonim se me përfundimin e regjistrimeve nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit, hapja e muzeve private do të qe më e thjeshtë. Por duke mos e miratuar ende një gjë të tillë, shteti ka pjesën e tij të fajit që objekte të tilla të ruhen ende në apartamente privatësh. Dhe vjen një çast që të gjithë nisin e luajnë të paditurin e të hiqen të çuditur.

Sot drejtësia po përgatitet t’i japë Gjergji Thimos të njëjtin ndëshkim që mori personazhi që gjendet në qendër të atyre ikonave që ai mblodhi gjatë jetës së tij. Është e drejta e saj ta gozhdojë, por para se ta bëjë një gjë të tillë, nuk është e tepërt që ta dekoroni e t’i jepni një shenjë mirënjohjeje, në mos në emër të shtetit, të paktën në emër të ikonave.

Më shumë se fajtori ideal, Gjergj Thimo është fajtori i munguar, mbi kurrizin e të cilit një shoqëri e tërë hipokrite shpreson të riparojë  disa prej frustracioneve të saj.

 

Gazeta Mapo

Comments

Submitted by Vaska (not verified) on

<p>Mbrojte më se realiste dhe krejt e mirëpritur. Është shurdhuese heshtja e gjithsekujt që e njeh mirë këtë realitet e nuk dëshiron ta cilësojë me emrin e tij të vërtetë.&nbsp;</p><p>&nbsp;</p>

Submitted by Olsi (not verified) on

<p>Ne kurriz te Gjergjit u shiten gazetat 2 jave, per te paren here u artikulua &quot;bravo çuna&quot;! Gjeja e erret dhe e trishtushme eshte se vete Drejttori Policise se Tiranes u emerua me zbulimin e &quot;bazilikatave&quot; qe kerkonte te blinte Kokedhima. Punonjesit e policise qe ndiqnin ceshtjen jane shkarkuar te gjithe! Per kete duhet te falenderojme Mustafa Nanon qe na hapi syte &quot;te mire e te keqinj kundra Saliut&quot; Ne 5 TV ka dale Gjergji duke i kerkuar shtetit ti marre ne mbrojtje, asnje emision nuk gjendet pervec nje filmimi te ABC news pa sigel!</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.