Panariti si fenomen

Postuar në 17 Prill, 2014 04:01

Fatos Hakorja 

Edmond Panariti ka zgjedhur rrugën e gabuar për t’u përballur me një prej skandaleve më të mëdha në historinë e Ministrisë së Bujqësisë. Skandali ka të bëjë me faktin se ai ka gënjyer publikisht shqiptarët duke vënë në lojë shëndetin e tyre. Një muaj më parë ai doli garant se asnjë prodhim bujqësor i ndotur nga kimikatet nuk do të dalë në treg.

I gjendur nën presionin e tregtarëve të perimeve të freskëta të Myzeqesë, të cilët ngritën dyshime të forta se malli nuk po u shitej për shkak se fermerët përdornin pesticide në nivele më të larta sesa lejohej, vrapoi për në Lushnje, ku lajmëroi me pompozitet ngritjen e të parit laborator rajonal, i cili do të analizonte dhe do të certifikonte këto prodhime.

Shkurt, ky laborator nuk do të lejonte më daljen në tregun shqiptar të perimeve të freskëta me prani të lartë të pesticideve, fitohormoneve apo ngjyruesve e kimikateve të tjera që janë të rrezikshme kur përdoren në sasi të pakontrolluara.

Por në pak ditë, rezultoi se fryma e turravrapit të tij drejt Lushnjës kishte shërbyer vetëm për të fryrë një tullumbace.

Laboratori i Lushnjës nuk ka asnjë kapacitet për të bërë të tilla analiza. Nuk ka materialet e nevojshme dhe as njerëzit e aftë që dinë ta kryejnë këtë proces. E pranoi këtë drejtori i ISUV, Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, teksa shkoi për të nisur trajnimin e punonjëses së vetme të këtij laboratori. Kur ky skandal shpërtheu, u detyrua ta pranonte edhe vetë se analizat në Laboratorin e Lushnjës do të bëhen në të ardhmen.

Ky pohim i Ministrit, jo domosdoshmërisht i bën perimet e freskëta të Myzeqesë më të ndotura me kimikate. Por, sigurisht, i bën më të pasigurta, sepse rrit dozën e dyshimit, meqë hallka e kontrollit dhe garancisë që u ngrit nga vetë ai nuk funksionon.

Askush nuk e ka drejtuar gishtin ndaj tij si përgjegjës të situatës në të cilën ndodhet bujqësia apo laboratorët. Ajo që i kërkohet, është që të paktën të mos na gënjejë e të mos na vërë në lojë, nëse është i paaftë për të ndryshuar realitetin në sektorin e bujqësisë dhe të sigurisë ushqimore.

Nuk ka skandal më të madh për një ministër sesa të luajë me sigurinë e ushqimeve që konsumojnë qytetarët e tij.

Ai merr përmasa të paimagjinueshme kur ministri është edhe ekspert i fushës përkatëse. Panariti është diplomuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe është “Doktor i Shkencave” dhe ka një karrierë të gjatë profesionale në Institutin e Kërkimeve dhe Fakultetin e Mjekësisë Veterinare (Wikipedia).

Ai nuk është emëruar Ministër i Bujqësisë për shkak të profesionit. Më parë ka qenë Ministër i Jashtëm. Por ky pozicion i ri në qeverinë Rama e ka dyzuar në zgjedhjen e rrugës së veprimit mes politikanit dhe ekspertit. Si ministër dhe politikan, ai vazhdon t’i garantojë qytetarët se perimet janë të freskëta dhe aludon përmes një shkrimi në gazetën Mapo, se ata që ngrenë zërin për sigurinë ushqimore mbështesin interesat e importuesve. (citoj: Këto spekulime të cilat mbështetin interesa të importuesve të këtyre perimeve nga jashtë, synojnë ta zëvendësojnë ofertën e prodhuesve vendas me importe analoge me çmime të paktën dyfish më të larta).

Kjo sigurisht nuk është rruga e duhur për të rregulluar skandalin që gatoi. Sepse qytetarët as që duan t’ia dinë kush merret me import–eksport perimesh. Ata i tremben pasigurisë që u krijon ai institucion që duhet t’u japë garanci.

Ministri Panariti nuk mund të na sigurojë më me fjalë se “perimet e freskëta shqiptare janë të garantuara nga ferma në tavolinë”. Sepse nuk jemi në kohën e Skënderbeut, ku garancia vinte nga “besa e burrit”.

Ai duhet të na e kishte garantuar me anë të ngritjes së mekanizmave që kontrollojnë sigurinë ushqimore. Sot është vonë për ta bërë, sepse e ka bërë veten të pabesueshëm.

Edmond Panariti ka qenë një prej ministrave më të papërfolur të LSI-së në qeverinë Berisha e deri para pak ditësh edhe në qeverinë Rama. Kjo ndoshta për faktin se ai nuk është shquar si njeri i aksionit. Ai nuk mbahet mend për ndonjë iniciativë apo reformë, nga ato që zakonisht mbajnë emrat e personave që i iniciojnë.

Sot, pavarësisht se përmes një skandali, ka në dorë që të mbetet në memorien e shqiptarëve për një akt të përgjegjshëm: të dorëhiqet! Sepse i ka humbur besimin institucionit që drejton. Në të kundërt, do të tregojë thjesht se edhe ai është pjesë e fenomenit që ka kapluar prej kohësh qeveritarët shqiptarë, të cilët, edhe pse protagonistë skandalesh, nuk marrin përgjegjësitë, por kërkojnë për ‘grupe armiqësore’.

*Kryeredaktor lajmesh-TV Klan.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.