Përsëri “rrezik anglo-amerikan”?

Postuar në 19 Tetor, 2012 17:46
Eduard Zaloshnja

Nga fundi i jetës së vet, Enver Hoxha (ose dikush tjetër në emër të tij) shkruajti një libër me titullin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. Ky libër u harrua fare pas vitit 1990 -- sidomos pas vizitës së Xhejms Bejkerit në Tiranë, i cili u prit me entuziazëm nga qindra mijra shqiptarë sikur të qe Mesia, dora vetë.

Por kur dukej se termi “rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” ishte varrosur përfundimisht, u ringjall përsëri bash në Kuvendin e Shqipërisë – u përdor me plot gojë nga një deputet i PD-së në fillim të vitit 1997. Arsyeja? Mardhëniet mes Uashingtonit dhe Berishës ishin përkeqësuar aq shumë, sa ky i fundit nuk pranoi të takonte në Tiranë zv.Sekretarin e Shtetit Amerikan. E njëjta gjë nuk ndodhi me ndonjë zyrtar të lartë anglez, por deputeti i PD-së, i mësuar me titullin e librit të Enver Hoxhës, e riprodhoi atë të plotë…

Dhe duket se “rreziku anglo-amerikan” po i afrohet përsëri Berishës. Përsëri “rreziku” po i vjen vetëm nga Uashingtoni e jo nga Londra, por nuk duhet të çuditemi kur ndonjë deputet PD-ist që ka qenë “Pioner i Enverit”, nga nostalgjia, ta riprodhojë të plotë titullin e librit të Hoxhës…

Ndryshe nga 1997-ta, “rreziku anglo-amerikan” nuk duket se do të jetë aq i madh, por sidoqoftë, ndoshta do të jetë i mjaftueshëm për të ndikuar në humbjen e zgjedhjeve nga Berisha pas 8 muajve. Dhe ja përse.

Me apo pa të drejtë, duket se shumë votues të thjeshtë, kryesisht të djathtë, kanë krijuar bindjen se, pa përkrahjen e Uashingtonit, nuk fitohen dot zgjedhjet në Shqipëri. Duke e njohur këtë psikologji të votuesve të thjeshtë, Berisha, lejtnantët e tij, dhe mediat që e përkrahin atë, para 2009-ës, u munduan t’i portretizojnë disa kritika të Ambasadorit Uidhers si të motivuara personalisht. Ata përhapën insinuata se amabasadori ishte përzjerë me Kosta Trebickën në trafikun e fishekëve të vjetër kinezë drejt Afganistanit, dhe u inatos me Berishën ngaqë Trebicka u nxorr jashtë atij biznesi.

Bazë për këto insinuata u bë një seancë hetimore në Kongresin Amerikan, në të cilin Ambasadori Uidhers u mor në pyetje në lidhje me aferën e fishekëve. Dhe pavarsisht se ai doli krejtësisht i larë pas përfundimit të hetimit kongresual, insinuatat që shpërndanë Berisha & Co. duket se ngjitën të votuesit e thjeshtë të djathtë.

Vijmë tani në ditët e sotme. Para tre ditësh, në një nga mediat që përkrahin hapur Berishën (ABC News), Ambasadori Arvizu, duke folur për domosdoshmërinë e dialogut të qeverisë me të ngujuarit në grevën e urisë së të burgosurve politikë, lëshoi këtë bombë ndaj Berishës: “Në një shoqëri demokratike, një prej detyrimeve, një barrë është që duhet të qeverisësh, të marrësh vendime të vështira, të bësh dialog me dikë që mund të doje edhe ta mbysje fare, por prapë e ke detyrim [të dialogosh], je zgjedhur për këtë – nëse vihesh kaq shumë në siklet, atëhere hiq dorë nga pozicioni që mban, atëherë ik, lëre ta bëjë dikush tjetër”.

Deklaratë më të ashpër dhe të drejtpërdrejtë zor se ka bërë deri më sot ndonjë diplomat i huaj ndaj Berishës. Dhe pa i lënë kohë këtij të fundit të ndërtojë ndonjë fabul që do ta shpërndante për të shpieguar “arsyet personale” që e bënë Ambasadorin Arvizu të lëshonte këtë bombë, Uashingtoni i dërgoi një mesazh publik se është në rezonancë të plotë me ambasadorin amerikan në Tiranë.

Në një konference shtypi në Uashington mbi Ballkanin Perëndimor, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Euroazinë, Philp Reeker, u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të hyjnë në dialog për të gjetur një kompromis për të zgjidhur me qetësi çështjen e grevës së urisë së të përndjekurve politikë.

Ndërkohë, disa muaj më parë, Sekretarja e Shtetit Klinton i paraqiti Kongresit të SHBA-së raportin vjetor mbi praktikat e të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës dhe, në përmbledhjen ekzekutive të raportit (e cila ka të koncentruar qendrimin politik të Departamenit të Shtetit), thuhet për Shqipërinë se “një ambjent i polarizuar zgjedhor, i karakterizuar nga incidente manipulimi dhe numërim të kundërshtueshëm votash, minuan të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar qeverinë e tyre në mënyrë të lirë”.

Pa dyshim, kjo frazë ka kaluar në duart e Arvizu-së dhe Reeker-it, para se të siglohej nga Sekretarja e Shtetit Klinton. Pra, siç kanë ardhur punët, mbetet që Berisha të sajojë një fabul vigane, sipas të cilës, t’i bierë që treshja Arvizu-Reeker-Klinton të kenë një “armiqësi personale” me të, por jo Presidenti Obama. Përndryshe, Berisha mund t’i mbajë të tijët me shpresë se Obama do t’i humbasë zgjedhjet dhe se administrata e re do të jetë miqësore me të.

Dhe çfarë mund të ndodhë në qoftë se Obama i fiton zgjedhjet? Ndoshta ndonjë deputet PD-ist që ka qenë “Pioner i Enverit”, do të përmendë në Kuvend frazën e famshme “rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”…

Comments

Submitted by Dep Koja (not verified) on

<p>Zaloshnja, ju e keni qëndisur shumë bukur shkrimin, vetëm një gjë nuk na e thoni: cilat janë këto tezat e &quot;Rrezikut anglo-amerikan për Shqipërinë&quot;? Çfarë nuk shkon me to? Mos jeni bërë edhe ju si ato gazetat, që merren për muaj me radhë me Nazime Vishën dhe më pas me Fiqiriun? KLM</p>

Submitted by matiani (not verified) on

<p>Me vjen keq kur z.Zaloshnja shprehet se sjellja e Saliut ndaj amerikaneve do ta coje ne humbjen e zgjedhjeve te vitit 2013.</p><p>Vetem staticieni Zaloshnja duket nuk e ka kuptuar ende se Saliu nuk i fiton zgjedhjet, por i vjedh. I vjedh sistematikisht, madje me te njejten frenkuence si kur eshte ne pushtet edhe edhe kur eshte ne opozit. Ka per ti vjedh edhe keto te radhes z. Zaloshnja, pavaresisht &quot;rrezikut amerikan&quot;, pavaresisht sondazheve.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.