Për trashëgiminë kulturore, puna fillon që nga ligji i vet

Ndërsa ekspozita “I tesori del patrimonio culturale albanese”, urdhëruar nga Ministria e Kulturës, vizitohej në javët e fundit të vitit 2012 në Itali, po ato ditë, disa vandalë i ishin qepur afreskut të Onufrit në Valsh të Elbasanit. Përfundimi: E shkatërruan në atë gradë, saqë grupi i anëtarëve të Forumit të Trashëgimisë, që e hasi rastësisht u shokua. Edhe më shumë opinioni publik. Po ndërsa vlonin debatet, ekspozita udhëtonte qetazi në Torino. Pas një “vakance’ të gjatë italiane (qëndroi atje deri më 7 Prill 2013!!!), fondi i ekspozitës do shpërngulej në Prishtinë!!! Apelet publike për masat e sigurisë, kohën e gjatë të udhëtimit, për mungesën e transparencës, qëlluan të kota. Kjo kohë kujtoi zbatimin e Ligjit të Trashëgimisë, por ai qëndronte i druajtur diku. Zyrtarët e kulturës së shtetit shqiptar me artikulimin e të fortit, jo vetëm e mohuan ‘kundravajtjen’ por e quajtën si një gjë normale udhëtimin e gjatë të objekteve! Si për ironi, pak muaj më parë, ardhja e armëve të Skënderbeut i kujtoi publikut sesi veprohet në raste të tilla: Koeficiente të larta sigurie, kërkuar nga austriakët dhe garanci të pafundme nga shteti shqiptar.
Problemi i objekteve kaloi ‘shpejt’, pasi Shqipëria iu fut zgjedhjeve dhe madje disa nga anëtarët e Forumit, që ishin nga më aktivët për trashëgiminë, shpejt do shkonin me varkën e pushtetit, duke e zbehur luftën dhe postimet integrale në rrjetet sociale për katrahurën e kulturës. Ajo që mbeti si shqetësim ndër personat që i intereson trashëgimia kulturore ishte fakti sesi do të silleshin këtej e tutje, ata që e kishin atakuar sistemin e Trashëgimisë dhe më shumë se kaq, zyrtarët e rinj që do e menaxhonin atë. Më thjesht, çfarë do bëhej këtej e tutje me Ligjin e Trashëgimisë, që nuk i përgjigjet dot më as vetes së vet në kushtet e sotme.
Qendrat
Krisjet kanë kohë që kanë filluar: Ligji aktual i Trashëgimisë jo vetëm ka nevojë të përmirësohet rrënjësisht, por duhet edhe të bëhet më efikas. Ashtu si mund të merret me mënd, gjithçka na e përcjell rasti i Beratit dhe Gjirokastrës, dy strukturat tona qytetare, të cilat janë nën mbrojtjen e UNESCO. Ligji ekzistues për “Trashëgiminë kulturore” është i përgjithshëm dhe i pamjaftueshëm për mbrojtjen e duhur të këtyre dy qendrave historike, u cilësua në raportin e fundit të UNESCO-s. Një fakt, që konfirmon jo vetëm punën e dobët në hartimin e tyre prej Ministrisë së Kulturës dhe strukturave të saj, por ndërkohë edhe punën e pushtetit lokal, që administrohet nga maxhoranca aktuale. Ndërsa Instituti i Monumenteve jepte leje dhe flinte para ndërtimeve, pushteti lokal nuk asistonte asfare në ndalimin e tyre. Specialistët e UNESCO-s e bënë përgjegjës institucionin për “mosndërhyrjen në dhënien e lejeve të ndërtimit pa kriter, ndërsa specialistët shqiptarë janë parë si të paspecializuar për të bërë ndërhyrjet e duhura në trashëgiminë kulturore”. Nëse do flasësh me gjuhën e statistikave problemi bëhet i frikshëm në çdo gjë: “pala shqiptare ofroi 244 ndërtime pa leje, nga të cilat 68 ishin krejtësisht të reja.... Ndërtimet pa leje, në mënyrë të konsiderueshme kanë degraduar imazhin e rrugëve dhe pengojnë lëvizjet kryesore në rrjetin rrugor. Misioni ynë i vëzhguesve në Gjirokastër ka identifikuar një numër të madh rastesh të tilla kritike”, thuhej në raportin e UNESCO-s. Kurse Berati e kishte raportin me një listë prej 38 ndërtimesh të reja të aprovuar, bashkë me një listë të re ndërtimesh që duhej të aprovohet për tre vitet e ardhshme.
Me pak fjalë, këto treguan se Ligji ekzistues për “Trashëgiminë kulturore” është i përgjithshëm dhe i pamjaftueshëm për mbrojtjen e duhur të këtyre dy qendrave historike. Nuk po futemi në hollësi të ligjit, por shtojmë shqetësimin: sa mund të bëhet ndryshimi i tij nga ekipi i ri? Praktikisht, edhe sot, do jetë e mundimshme pasi shteti e ka të vështirë të ndërhyjë si duhet, me problemin e pronave të pazgjidhur (në këtë tollovi që merr deri jetë njerëzish) dhe problemin e madh të strehimit. E kur në raport bëhet thirrje që të rregullohet menjëherë legjislacioni i pronave, kjo e kalon luftën e Davidit me Goliatin për Ministrinë e re të Kulturës, pasi të shkon ndërmend se janë qindra e qindra dosje pronash të pazgjidhura, që varen nga institucione të tjera.
Dhe të tjerat
Kjo ishte për qendrat e mëdha por problemi shkon edhe më tej. Dihet se Shqipëria e ka pasur shpesh të kërcënuar në historinë e vet Trashëgiminë Kulturore. Veç grabitësve të rëndomtë mos harrojmë ushtritë e huaja. Apo sesi shumë nga udhëtarët, studiuesit, konsujt që na kanë lënë kujtime të bukura, nuk kanë qenë aq miqësorë me objektet e Trashëgimisë, madje syresh s’kanë lë gjë pa prekur deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore, me logjikën se trashëgimia e këtyre barinjve të egër do ishte më mirë të ekspozohej në koleksione private e muze të huaja sesa t’i mbetej këtij vendi barbar. Dy liderët e vërtetë shqiptarë, Zogu dhe Enveri në fraksione kohe, bënë një ndërprerje të hemorragjisë së trashëgimisë, që ka rimarrë sot udhë të frikshme. Gërmime pa fre arkeologjike, ndërtime pa leje, vjedhje pafund dhe dëmtime kudo. Ende janë të regjistruara mbi 2000 objekte të paidentikuara të grabitura, madje edhe ato 250 syresh, që janë nxjerrë në site emergjence, kanë foto identifikimi të tilla, që e bëjnë të pamundur riatdhesimin. Apo shifra e monedhave antike që përdorte specialisti Gjergj Frashëri, sipas të cilës Shqipërisë i kishin fluturuar mbi dy milion syresh. Në këto kushte, puna e re e strukturave të ministrisë ka lidhje më së pari me Ligjin. Ai, jo vetëm duhet amenduar nga zyrtarët e rinj të saj, sipas përvojave më moderne dhe kushteve të Shqipërisë me një debat të gjithëpërfshirës aktorësh të interesuar, por ka ardhur koha që duhen detyruar vetë institucionet shtetërore, që nuk i referohen fare. Të kujtojmë p.sh. zyrtarët e shtetit shqiptar, që zhvendosin gati pa dokumente, vepra të artit pamor dhe nuk respektojnë asnjë lloj rregulli në mbajtjen e tyre.
Trashëgimia Kulturore kap një hapësirë të madhe, e cila nuk mbulohet dot me retorikën boshe që vazhdon prej vitesh, dhe që kalon në Ditën e Trashëgimisë nga ministri përkatës me apoteozë numra turistësh në vend dhe përmendje patetike sitesh historike. Të shpresojmë se ekipi i ri nuk do e përsërisë këtë ritual të neveritshëm, por të fillojë përpjekjet, që ndër gjërat e para të jenë edhe amendimet e këtij ligji. Detyrë e vështirë por vërtetë sfiduese.
Vetëm kështu, kryeministri i ri shqiptar mund ta mbajë kokën lart me homologët e huaj, dhe jo si në rastet e tjera kur i duhet të struket i vogël, e i vogël pa fund, duke kërkuar si të gjithë kryeministrat shqiptar... ndihmë. Edhe, ata specialistët që janë ankuar deri më sot, duhet t’ia thonë duke e ndihur në kujtesë me ligjin e ri të Trashëgimisë, që Shqipëria të vlerësohet ashtu si duhet, dhe të mos kujtohen rastësisht, si në rastet kur i nxorën sytë afreskeve Onufrit... thjesht për qejf.
Add new comment