Për “autokritikën” e parë pas 23 Qershorit

Postuar në 18 Qershor, 2015 14:29
Mero Baze

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u bëri thirrje mbështetësve të tij të 23 Qershorit, të mos jenë indiferentë ndaj zgjedhjeve të 21 Qershorit, edhe pse shumë prej pritshmërive së tyre nuk janë bërë realitet. Në një fjalim, që u fokusua tek një reflektim i thellë mbi atë çfarë njerëzit mund t’i ketë mërzitur pas 23 Qershorit 2013, Edi Rama pranoi se qeveria është ende larg pritshmërisë për punësimin, luftës kundër varfërisë, shtetit ligjor etj. Ai pranoi se qeveria e tij është fokusuar në një çështje më madhore, që ka të bëjë me modernizimin e shtetit shqiptar, një çështje, e cila kërkon të mbajë të bashkuar mbështetësit e tij drejt një objektivi final.

I vetëdijshëm se disa nisma të qeverisë si pagesa e dritave, kontrolli mbi territorin, reformat në arsim dhe reformat e pensioneve, reforma administrative dhe ai i sistemit të taksave, kanë shkaktuar një pështjellim në shoqëri dhe kanë prodhuar vota proteste. E shoqëruar kjo me një qasje të re jopolitike ndaj punësimit dhe mosvëmendja e duhur ndaj militantëve të partisë së tij, është në të vërtetë një votë potenciale ndëshkimi për qeverinë.

Edi Rama pranoi se e njeh këtë realitet. Duke marrë përgjegjësi për këtë bilanc të qeverisjes dy vjeçare, Edi Rama në të vërtetë ka bërë në sfidë serioze ndaj fushatës së opozitës, e cila u fokusua tek bilanci i qeverisjes dy vjeçare. Ndërsa kandidatët e shumicës kanë bërë fushatë lokale, kundërshtarët e tyre në opozitë janë foksuar tek një betejë politike kundër qeverisë, duke u kujtuar qytetarëve ato që ata mendojnë se i prekin, siç janë dritat, taksat apo probleme të tjera të kontrollit mbi territorin.

Fjalimi i sotëm i Edi Ramës është fjalimi më politik i kësaj fushate elektorale dhe dëshmia më e qartë se ai ka prekur votën e dëshpëruar të pas 23 Qershorit në gjithë vendin.

Thirrja e tij për të vazhduar mbështetjen për koalicionin e majtë, ishte politikisht korrekte dhe një pranim i problemve që kanë prodhuar përpjekjet për reforma. Por në situata të tilla, udhëheqësit politik për të siguruar vazhdimin e mbështetjes, duhet jo vetëm të luten për këtë mbështetje, por dhe të bëjnë gjeste ndëshkimi.

Që Edi Rama ta ketë të sigurtë vazhdimin e mbështetjes në vitin 2017, ai duhet të bëjë dy beteja, të cilat deri tani po i justifikon me mungesën e vullnetit të drejtësisë. Ai duhet të çojë para drejtësisë Sali Berishën dhe rrethin e tij të korruptuar familjaro-politik dhe tashmë bashkë me të, duhet të çojë para drejtësisë dhe disa prej figurave të tij politike në qeverisje, që po lënë shije të hidhur për korrupsion.

Arsyeja pse Sali Berishës nuk i është prekur asnjë fije floku deri tani është e kuptueshme, që ka të bëjë me drejtësinë e emëruar prej tij. Por ky nuk është një justifikim final. Institucionet e varura prej qeverisë, agjensitë e zbulimit të krimit ekonomik dhe financiar, ato të pastrimit të parave dhe administrata e lartë në tërësi, kanë plot mundësi të bëjnë betejë dhe të shkojnë deri tek muri që i pengon për të dënuar Sali Berishën. Problemi që ka sot Edi Rama nuk është vetëm Gjin Gjoni apo ndonjë shok i tij kamikaz si Bujar Nishani, që nuk lejojnë të preket Sali Berisha, por zyrtarët e tij të lartë, që as kanë marrë mundimin pasi kanë siguruar postet, të gërmojnë çfarë ka bërë Sali Berisha, gruaja e tij, djali i tij, rrethi i biznesmenëve të tij etj. Është aq e lehtë dhe e kollajtë, së paku për të nisur betejën, sa vetëm një administratë klienteliste si kjo e Edi Ramës nuk e bën. Edhe unë si gazetar, e kam pasur më lehtë në kohë të Sali Berishës të gjeja materiale në administratë, qoftë dhe duke paguar, për korrupsionin e familjes Berisha, sesa sot. Sot administrata e lartë e Edi Ramës nuk është politike, por nuk është as e përkushtuar për politikat e një qeverie që e ka detyrim ndëshkimin e korruspionit të djeshëm. Nuk e bën këtë, se ndërkohë pas dy vjetësh ka ngjyer dhe vet gishtat në atë kazan. Dhe kjo do të jetë një sfidë reale e Edi Ramës.

Hapi i tij i parë i madh është fjalimi i sotëm politik i tij, pranimi i kostove politike që ka sjellë dy vjet pas 23 Qershorit. Këto kosto kanë ardhur nga qeverisja dhe ekipi i tij dhe natyrisht në mënyrë të pashmangshme dhe nga reformat. Por, për të vazhduar aleancën me ata që e votuan më 23 Qershor, ai duhet të zgjedhë të bëjë avokatin e administratës së tij para popullit apo aleatin me popullin edhe kundër administratës së tij, e cila pak nga pak ka po aq shanse të jetë e korruptuar sa dhe ata që u larguan. Edi Rama ka fatin dhe shansin që nuk ka prodhuar ndonjë pol korrupsioni rreth tij dhe as është peng i ndonjë projekti zhvatje kombëtare, siç ishte Familja në pushtet e Sali Berishës. Mjafton kaq, që ai të bëhet kalorës i një beteje për të ndëshkuar të djeshmen e korruptuar dhe të sotmen e kompromentuar jo në pak vende, që të mos i humbasë ata që votuan më 23 Qershor. Të mos i humbasë, jo pas dy ditësh, por as pas dy vjetësh.

 

Tema.al

Comments

Submitted by ResPublica...e ... (not verified) on

O Mero...

A e pe Edi Ramen me Ilva Taren?!
Njeriu kur eshte i Lodhur nuk del te jap interviste...
Aq me teper me nje zonje te ekranit tv...
turp turp prej kesaj dhune te pafsheshme dot...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.