O Jerusalem, izraelitët të kanë harruar

Postuar në 03 Nëntor, 2014 06:22
Gideon Levi

Mua nuk më pëlqen Jerusalemi. Në fakt, unë e urrej atë. Përpiqem të shkoj atje sa më rrallë e të iki sa më parë. Në pjesën më të madhe të tij, ai është një qytet i shëmtuar dhe i egërsuar.

Pjesa çifute ka ca vende tërheqëse, që të gjitha në lagjet e vjetra. Qyteti i Vjetër, i cili është në pjesën palestineze, është sigurisht spektakolar për nga bukuria dhe historia e tij. Gjithçka tjetër: shëmti!   

Lagjet e vendbanimeve të reja janë të shëmtuara, ashtu siç janë lagjet palestineze, të cilat janë të pista dhe të lëna pas dore, ashtu si qendra e qytetit. Madje edhe bukuria e Qytetit të Vjetër ka kohë që është fshirë – një qytet i pushtuar është gjithmonë aq i shëmtuar sa të fut frikën.

Por nuk është e thënë që një qytet të jetë i bukur që njerëzit ta duan. Tel Avivi nuk është i bukur, por njerëzit e duan. Një izraelit laik, liberal dhe humanist nuk mund ta dojë Jerusalemin – nuk mund të duash një qytet që është i pamoralshëm. Shenjtëria e tij nuk mund t’i flasë një laiku; një laik nuk mund të pranojë kushtet politike falco që rrjedhin nga ky shenjtërim.

Këta izraelitë duhet të çohen kundër fushatës trushplarëse fetare dhe nacionaliste që ka pushtuar gjithë Jerusalemin. Kjo nuk është fushata e tyre.   

Kjo fushatë filloi mëngjesin pas pushtimit të qytetit dhe që atëherë, ka ardhur duke u bërë gjithmonë e më e fortë. Në fund të luftës së 1967-ës, kur isha ende djalë i ri, edhe unë rashë preh e orgjisë së kthimit në Sionin e shenjtë, siç ra i gjithë brezi i asaj kohe. Emocionohesha aq sa më mbusheshin sytë me lot kur shihja Murin Perëndimor kur shkova në Varrin e Rakelës dhe në Varrezën e Patriarkëve vetëm disa ditë pas pushtimit. Nuk shihnim ç’ndodhte rreth e rrotull tyre.

Pastaj erdhën vitet e romancës, jo më pak të verbër e të zhytur në mohim: turet e natës në Qytetin e Vjetër, toka, studentet me fustanet e qëndisura të dyqaneve tona, vera nga Manastiri Kremizan aty afër, tavolinat prej bakri në çdo dhomë ndenjeje.

E donim Jerusalemin. E donim, sepse një udhëtim atje ishte si një udhëtim në një tjetër vend, dhe udhëtimet asokohe ishin të rralla. Më dukej sikur në Jerusalem ishim si jashtë shtetit; nuk ndjenim ndonjë lloj shenjtërimi apo judaizmi.   

Ca miq lëshonin dhoma me qira në një manastir në pjesën lindore të qytetit. Ne ishim laikë, ishim ëndërrimtarë. Ne e donim Jerusalemin dhe mendonim se meqenëse Knesset-i kishte miratuar një ligj, Jerusalemi do të mbetej i pushtuar — “i bashkuar përgjithmonë” sipas terminologjisë së zbukuruar të pushtimit.

Na dukej sikur mjaftonte që Jerusalemi kishte një kryetar bashkie me theks vjenez, e konsideronim liberal evropian të qendrës dhe mik të figurave ndërkombëtare. Na dukej sikur kaq mjaftonte për të fshehur krimet e pushtimit dhe vendbanimet për të cilat ai, Teddy Kollek, ishte përgjegjës që nga dita e parë.   

Zgjimi, sigurisht, erdhi vetëm pas revoltave, intifada e parë i kujtoi Izraelit se kjo situatë nuk mund të zgjaste përgjithmonë, as në Bregun Perëndimor, as në Rripin e Gazës dhe as në kryeqytet për gjithë jetën. Pushtimi reagoi si zakonisht -  ai shtrëngoi kontrollin e tij të dhunshëm.

Në intifadën e dytë, pushtimi i shtoi edhe një tjetër mur qytetit, i cili e ndau copa-copa pjesën e tij lindore. Të paktën, u hoq maska: izraelitët laikë nuk udhëtonin më në mes të natës për të ngrënë nga ato bukët e kripura rrumbullake në Qytetin e Vjetër. Shenjtërimi mbeti provinca e besimtarëve dhe e të zellshmëve.

Po ja edhe e çuditshmja: Jerusalemi “i bashkuar” mbeti në konsensus, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Sikur izraelitët laikë të mos kishin reshtur prek kohësh së shkuari në Qytetin e Vjetër, sikur shumë laikë të mos e kishin braktisur pjesën perëndimore, sikur të mos ishte thënë se pjesa lindore ishte territor i pushtuar, fiks njësoj si Qalqilyah dhe Tul Karm.

Por që të tregojmë të vërtetën për Jerusalemin, na duhen liderë kurajozë, të cilët sigurisht që mungojnë. E vërteta është se asnjë vend i botës nuk e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Ai është shkatërruar nga pushtimi. Është ndarë, është copëtuar e plagosur.   

Shenjtërimi i tij është një çështje që u përket vetëm besimtarëve – por, sidoqoftë, nuk ka asnjë lidhje midis kësaj çështjeje dhe sovranitetit. Ndarja e tij në dy kryeqytete apo shndërrimi i tij i ngadaltë dhe artificial në kryeqytetin e njërit shtet ka për të qenë një katastrofë shumë më e vogël sesa  vazhdimi i pushtimit të tij.

E ndërkohë, ajo çka ne mund të bëjmë, është që t’i qëndrojmë sa më larg që të mundemi. 

Marrë nga Haaretz

Comments

Submitted by a (not verified) on

<p>Flm Respublica per kete perkthim dhe sensibilizim per Jeruzalemin qe e duan besimtaret e te gjitha feve Abrahamike.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.