Nuk duhet të lejojmë që “të fortët” të kenë një rol publik

Fundjavën e shkuar, në mes të trafikut në rrugën nga Tirana për në Durrës, më zunë sytë dy pamje. Njëra ish një makinë, në xhamin e pasmë të së cilës ishte vizatuar apo ngjitur një poster elektoral. Në të, siç mund ta shihni nga fotoja që munda ta shkrepja në ecje e sipër (është fotoja që shoqëron këtë shkrim), ishte shkruar: “Safet Gjici, Drejtimi i duhur për Kamzën”. Dy djem që ishin brenda makinës kishin pamje të fortësh, por kjo merret me mend. E kush tjetër s’do ta kish për gjë të bënte këtë spektakël nëpër rrugët e Shqipërisë me një poster elektoral të ngjitur pas makinës? I kam kërkuar redaksisë ta mbulojnë targën, ngaqë qëllimi nuk është të denoncoj rastin, por dukurinë. Dhe këtë dukuri e përfaqëson po njësoj dhe një rast tjetër, që e hasa po atë ditë teksa kthehesha në Tiranë në orët e pasdites. Në mes të një trafiku edhe më të madh, syri të kapte (jo vetëm mua, në fakt) një makinë që hidhej sa nga një korsi në tjetrën pa mundur të shtyhej përpara. Makina ishte me të katër xhamat e hapur, dhe nga brenda, tok me ulërimat që lëshoheshin prej katër a pesë djemve, dilte dhe një flamur i PD-së. Dukej që ata djem ishin të dehur. Dhe afërmendsh, të fortë. Ndryshe, nuk do t’i bënin ato skena, sado çakërrqejf të ishin.
Nuk pashë që këto makina t’i ndalonte ndonjë patrullë policore, për sa kohë që ato ishin në rrezen e shikimit tim. Edhe mund t’i kenë ndaluar, pasi rruga ishte e mbushur me grupe policësh që tentonin të mbanin rregull nëpër rrugët e rrëmujshme, por sidoqoftë, nuk është kjo gjëja, tek e cila dua të ndalem. Për më tepër, unë vetë bëj pjesë tek ata njerëz që i shohin me simpati disa zhvillime cilësore në veprimtarinë e policisë shqiptare. Duket qartë se ka ikur koha e policëve që bënin ç’ua kish ënda rrugëve të Shqipërisë. Deri para ca kohësh, polici mujshar e bashibozuk ishte një rregull, ndërsa tani nuk duket se është kështu. Mund të bëhen plot vërejtje për policinë, një nga të cilat ka të bëjë me emërimet e natyrës politike, në ndonjë rast edhe tribale, që janë bërë në krye të komisariateve e të departamenteve të ministrisë (nuk përjashtohet që këta njerëz të jenë policë të zotë, dhe një pjesë syresh ia bën mú që janë, por logjika politike e rekrutimit e komprometon në një masë a në një tjetër vullnetin e tyre për të qenë profesionistë), por shenjat e një ndryshimi për mirë janë të qarta për të gjithë.
Në dukurinë që nënvizova më shqetëson diçka tjetër. Siç ju thashë, ata veprimtarë/agjentë të çuditshëm elektoralë, që vinin vërdallë me makina duke dhunuar rregullat e qarkullimit rrugor e duke ua nxirë jetën udhëtarëve të tjerë, ishin të kategorisë së të fortëve, të kategorisë së atyre që, ndonëse janë të inkriminuar, madje pikërisht ngaqë janë të inkriminuar, kanë një pushtet e ndikim të jashtëzakonshëm në hapësirën tonë publike. Ka 25 vjet që ndodh kjo. Fushatë pas fushate.
Tani, nuk ka dyshim që kjo fushatë, në planin stilistik dhe etik, shënon një risi të padiskutueshme në jetën politike shqiptare. Gara elektorale është duke u zhvilluar me tone të qeta e të paqta, aq sa dikujt që është mësuar me gjuhën e dhunshme e rrugaçërore mund të mos i shijojë. Fjala vjen, A. Galdini kish zgjedhur te “Panorama” e djeshme termat “fushatë pa gjuhë” e “konvaleshencë elektorale” për ta përkufizuar në mënyrë ironike këtë fushatë vuve. Ç’është e vërteta, ai nuk harronte të denonconte “zezonën e fëlligështinë” etike të fushatave të shkuara, por dukej nga shkrimi i tij se kjo fushatë më shumë ia shpif me mungesën e substancës sesa e kënaq me elegancën e bon ton-in. Shqetësimi lidhur me substancën është me vend, por puna është se substanca na ka munguar gjithë kohën. Madje, histeria e sharjeve, britmave, akuzave e fyerjeve që ka dominuar lojën elektorale për 25 vjet me radhë thjesht nuk na linte kohë të kërkonim pak substancë. Ndërsa momentalisht na shkon mendja edhe tek idetë, vizioni, programi i kandidatëve. E prandaj, nuk do të ishte keq t’i gëzoheshim kësaj risie. E ta merrnim në mbrojtje.
Është meritë e të gjithëve kjo gjë. Është meritë e dy kandidateve të Shkodrës që, me gjithë trysninë që rreket t’i detyrojë të zbresin në nivele banale të ballafaqimit elektoral, ato nuk e kanë komprometuar staturën e tyre; është meritë e kandidatëve të Tiranës, Bojaxhiut, Kosovës e Veliajt që, me gjithë ndonjë cicmic që rreket ta “esencializojë” fushatën, nuk i kanë tradhtuar pritmëritë; është meritë e krerëve të partive të mëdha, të cilët duket se nuk e kanë në ADN-në e tyre sjelljen prej destruktivi e gojëprishuri; është më në fund rrjedhojë e debatit për dekriminalizimin e politikës, që bëri të mundur në një masë të madhe që të fortët e njerëzit me kredenciale të dobëta publike të mbaheshin larg procesit të seleksionimit të kandidatëve për kreun e bashkive të ndryshme.
Por këta të fortë, rrugaçë, banditë, ndoshta kriminelë, janë ende në rolin e protagonistit në fushatën elektorale. Nuk dua që “dy rastet e mia” t’ia shes publikut për raste përfaqësuese, por nga ana tjetër, jam i bindur që kjo kategori shqiptarësh ka ende njëvoce in capitolo në kohët që jetojmë. Ata kanë para, pasuri, prona, lidhje me njerëz apo struktura të pushtetshme, ata i sheh që kontrollojnë territorin e vendimmarrjen, ata dinë t’u imponohen atyre që nuk pajtohen me këtë status e fuqi të tyren publike, ata kanë ende lidhje me krerët e rëndësishëm të politikës e të shtetit. E prandaj, janë këta krerë / udhëheqës që duhet të distancohen të parët nga bandat e të fortëve (ky është një apel për ata që mund të distancohen; ndonjëri syresh është i burgosur i të shkuarës së vet e nuk mund të distancohet; dhe në dreq shkoftë tok me të fortët!).
Ky proces që ka nisur është dhe një mënyrë / rrugë për t’i thënë “stop” pushtetit të të fortëve në Shqipëri. Këtyre të fundit duhet t’u bëhet e qartë se të gjitha gjërat mund t’i bëjnë në këtë vend, por ata nuk mund të kenë / kërkojnë një rol publik, nuk mund të jenë protagonistë të jetës publike shqiptare, e nuk mund të na mbajnë ne të tjerëve peng të banditizmit të tyre, qoftë edhe të banditizmit të manifestuar rrugëve me postera, britma e flamuj elektoralë. Këta duhet të na qërohen nga ajo që quhet Res Publica. Kjo e fundit na përket ne të tjerëve.
"Shqip"
Add new comment