Një prehistori e raportit të DASH-it

Postuar në 26 Maj, 2012 04:20
Fatos Baxhaku

Vetëm këtu e pak ditë më parë mbërriti në Tiranë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Si shumë herë në këto vitet e fundit, raporti është i mbushur me kritika e shqetësime. Zgjedhjet, 21 janari, korrupsioni janë tri shtyllat e trishta mbi të cilat njerëzit e Hillari Klintonit kanë mbështetur shpjegimin e tyre për Shqipërinë. Është detyrë e politikës që të vlerësojë realizmin e këtyre shqetësimeve amerikane, por meqë jemi tashmë në mes të atmosferës së kremtimit të 100–vjetorit të Pavarësisë mbase është e udhës, jo thjesht për kuriozitet dhe vetëm, që të kthehemi pas në histori, në vitet kur ishte vënë në diskutim vetë ekzistenca e shtetit shqiptar. Do të na ndihmojnë copëza kujtimesh të mbetura nga dëshmitarët e kohës. Mbase kështu do të kuptojmë më mirë se sa kemi ndryshuar vetë, si e sa kemi ndryshuar në marrëdhëniet me të tjerët dhe se si kemi kaluar nga të drejtat e kombeve në të drejtat e njeriut.

Në fillim të 1919-s, Shqipëria ndodhej në gjendje katastrofike. Qeveria e Durrësit ishte nën influencën e italianëve, të cilët kishin nën protektoratin e tyre dhe një pjesë të madhe të Jugut të Shqipërisë. Territore të tëra në veri dhe në jug synoheshin nga fqinjët. Serbia, Italia dhe Greqia po bënin përpjekje të ethshme që ta mbysnin që në embrion shtetin e brishtë shqiptar. I gjithë problemi ishte se si do të mund të mbijetonte Shqipëria në Europën e re të kombeve që lindi pas Luftës së Parë Botërore. Nga “Lufta e madhe” SHBA-ja doli me një influencë edhe më të madhe në arenën ndërkombëtare. Të mësuar tashmë me rolin e fuqive të mëdha europiane, me një Austro-Hungari që nuk ekzistonte më, patriotët shqiptarë menduan t’i mbështesnin shpresat në një fuqi të painteresuar direkt në territore ballkanike. Kjo ishte SHBA-ja. Delegacioni amerikan në Konferencën e Paqes në Versajë emëroi një person të posaçëm për të kryer një udhëtim studimor nëpër Shqipëri. Del në skenë një emër fare pak i njohur ndër ne, konsulli amerikan në Torino, Josef Haven.

I nisur nga Brindisi me një torperdinier italian, Haven mbërriti në Vlorë, zyrtarisht si mysafir i gjeneral Piaçentinit, kryekomandant i forcave që mbanin të pushtuar një pjesë të mirë të Jugut. Në udhëtimin e tij ai do të shoqërohej nga Tefik Mborja, asokohe sekretar i Këshillit të Ministrave. Ishte pikërisht ky i fundit që e lidhi Havenin me patriotët vlonjatë Qazim Kokoshi e Ali Asllani. Këta, të shoqëruar edhe nga gratë e veshura me kostume kombëtare, ia bënë të qartë që në fillim konsullit amerikan: Vlora do t’i mbetej Shqipërisë, ose përndryshe lufta e përgjakshme ishte e pashmangshme. Ndërsa Haven qëndronte në Vlorë, Mborja tashmë kishte lajmëruar të gjithë Jugun për vizitën e tij.

Në Tepelenë amerikani u prit nga një tufë entuziaste kurveleshasish të drejtuar nga nënprefekti i atëhershëm Qazim Koculi. Gjirokastritët madje bënë edhe një “lëshim” në traditën e tyre të famshme të kursimit. Në emër të tyre, kryetari i Bashkisë, Javer Hurshiti, i shoqëruar edhe nga patriotët Thoma Papapano e Jorgji Meksi, i dhuruan konsullit kostume të shtrenjta kombëtare. Në Gjirokastër, Haven priti edhe një delegacion vorioepirotësh, të cilët kërkuan bashkim me Greqinë për popullsinë ortodokse, por, sikurse shkruhet në kujtimet e kohës “demonstrata e gjirokastritëve e paralizoi anën e grekomanëve”.

Brenda pak ditëve Haven pati rast të shikonte dëshirën e zjarrtë të shqiptarëve për pavarësi nga Përmeti e deri në Kolonjë. Teksa udhëtonin për në Korçë, Haven i thotë Mborjes, për kënaqësinë e madhe të këtij të fundit: “Pretendimet e grekëve janë krejt të kota”.

Në Korçë kishin mbetur ende autoritetet ushtarake franceze. Këtu Haven qëndroi tri ditë në shtëpinë e Kenedit, një misionar protestant amerikan, njohës i mirë i Shqipërisë e shqiptarëve. Francezët nuk lejuan demonstrime të gjera. Haven mund të dëgjonte palët vetëm në takime të veçanta. Pasi dëgjoi patriotët shqiptarë, Havenit iu desh të merrej sërish me grekomanët. Një takim të ofruar në Metropoli nga dhespoti Jakov ai e refuzoi menjëherë, sikurse nuk ua vuri veshin delegacionit grekoman të drejtuar nga Efrem Gjini.

Haven udhëtoi edhe disa ditë të tjera nga Delvina deri në Vlorë. Kudo nga shkoi ideja e përgjithshme ishte ruajtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Raportin e tij mbi udhëtimin në Shqipërinë e Jugut, Tefik Mborja e dorëzoi në ambasadën amerikane në Romë.

Në mesin e prillit 1919, Haven udhëtoi edhe nga Durrësi deri në Shkodër e Krujë. Mbi bazën e këtij udhëtimi ai hartoi një raport të dytë, krejt realist mbi çështjen shqiptare. Vetëm në Durrës, zyrtarët e qeverisë së Turhan Pashës, mes të cilëve edhe Mehdi Frashëri, u shprehën për protektoratin italian. Sërish raporti u dorëzua në Romë nga Tefik Mborja. Në ditët e para të muajit maj mori fund udhëtimi gati-gati epik i Havenit në Shqipëri. Emri i tij nuk u kujtua më, porse tezat e të dhënat e tij u bënë dokumenti kryesor që udhëzoi delegacionin amerikan në Versajë që të bënte të pamundurën për shpëtimin e Shqipërisë. Shtetit shqiptar iu kthyen kufijtë e 1913-s. Më e keqja ishte shmangur. Ndonëse e cunguar thellësisht, Shqipëria kishte shpëtuar.

Është e çuditshme nëse rri e vret mendjen se sa shumë gjëra mund të ndryshojnë në gati një shekull. Personazhet shqiptarë të këtij udhëtimi patën fate të ndryshme. Tefik Mborja, shoqëruesi i pandarë i konsullit amerikan, u dënua më 1945-n me 30 vjet burg nga Gjyqi Special kundër Kriminelëve të Luftës. Gjatë pushtimit italian kishte qenë prefekt i Korçës. I njëjti gjyq dënoi me pushkatim ish-kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, Javer Hurshiti. Në kohën e pushtimit italian, Hurshiti kishte qenë prefekt në Shkodër dhe ministër i Drejtësisë e Kulturës. Qazim Koculi, dikur kundërshtar i rreptë i Italisë, u emërua po nga italianët e Musolinit si prefekt i Vlorës. Ai u vra më 1943-shin nga mercenarët e Halil Alisë, të cilët ishin të bindur se ai i kishte tradhtuar te komunistët. Mehdi Frashëri, ish-ministri i Brendshëm proitalian në qeverinë e Durrësit, ish-kryeministër në kohën e Mbretit Zog I, u shpreh kundër pushtimit të Shqipërisë nga Musolini. Bash për këtë u mbajt i izoluar në Romë deri në tetor të 1943-shit, kur gjermanët e kthyen në Tiranë në postin fort pak të lakmueshëm të kryetarit të Këshillit të Lartë të Regjencës. Pas 1944-s emigroi sërish në Romë, ku vdiq në 1963-shin. Ishte 89 vjeç. Vetëm mësuesit Thoma Papapano e Jorgji Meksi patën një pleqëri normale. Për Haven nuk dihet më gjë tjetër. Mbase ka ardhur koha që shqiptarët ta sjellin edhe një herë në kujtesë këtë figurë të mbarë e të ndershme, pa të cilin kush e di se si do të na kishin vajtur punët.

 

(Për më shumë shih: Sejfi Vllamasi: Ballafaqime Politike në Shqipëri (1897-1942; Përgatitja për botim dhe ilustrimet Prof.Assoc.Dr. Marenglen Verli; Neraida; Tiranë 2000).

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

<p>Si mund te pretendohet, qe ne nji vend si Shqipnia, antar i Konferences se Vendeve Islamik te flitet o aqe ma shume te respektohen te Drejtat e Njeriut ?!</p>

Submitted by Agron Luka (not verified) on

<p>Komenti im Agron Luka: Se sa respektohen, ose se sa nuk respektohen &quot;te drejtat e njeriut&quot; ne Republiken e Shqiperise qysh nga vendosja e Demokracise, eshte nje teme jashtzakonisht e gjere dhe qe kerkon analiza nga grupe ekspertesh te kualifikuar. Besoj se me ndonje farë verejtje kalimthi nuk mundet kurrsesi ta analizojme kete teme. Sigurisht ka me dyzina verejtje nga persona te ndryshem, por ato duhen analizuar nje per nje, per te arritur ne nje&nbsp;konkluzion sa me te drejte. Nuk mendoj se ne kete teme duhet te kthehemi e te krahasohemi me kohen e -273 grade kelvin/me zeron absolute te kohes se Enver Hoxhes. Por edhe te biem ne nivelin e disa vendeve orjentale, gjithsesi kjo eshte nje gje mjaft e rende dhe e tepert per vendin tone mbas 55o vjetesh diktature e kulture orjentale!&nbsp;Aktualisht ka shkelje te medha sidomos,&nbsp;ne kthimin e disa pronave jetike si shtepia te zena me &quot;Status pa Strehe&quot; te cilet i mbajne te zaptuara ato shtepi edhe sot&nbsp;me 2012, pa paguar asnje lloj qeraje, pa asnje lloj kontrate me afat kohor etj; ka shkelje te renda ne kthimin e ish pronesive industriale; ka diskriminime banale midis popullsive malore e fshatare ne raport me qytetaret; ka diskriminim e dallime fetare te renda, ku nen rrogoz Shqiperia ka nje pozicion&nbsp;antievropian; etj, etj! Mbi te gjitha nuk funksionin drejtesia, nuk funksionon avokati i popullit, nuk funksionojne shume e shume organe. Pershembull nje rinovim pronesie (Tapie) shtyhet e shtyhet pa mbarim permbi tre vjet dhe askush nuk te pergjigjet per demin kolosal qe te shkaktojne keto shtyrje me Buletine te mbrendeshme! Ne Shqiperi nuk funksionon as liria e mendimit dhe e shprehjes se lire, sepse disa gojeleshuar te baterdisin me kercenime sharje dhe fyerje banale, dhe vetekuptohet se keta dikush i inkurajon... &nbsp;Do te duhej nje ndryshim dhe vendosje e sanksionuar me ligje e te drejtave te njeriut ne Republiken e Shqiperise, ku mjaft çeshtje duhet te hapen duke vendosur pikat mbi i dhe jo me te ashtuquajturen &quot;tolerance&quot; qe bota orjentale na e lejoka neve te tjereve...</p><p>&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.