Një mungues i pranishëm i çmimit “Nobel”

Postuar në 12 Tetor, 2013 06:45
Rudolf Marku

1.

Vizita për herë të parë në Suedi është një ëndërr për çdo banor të këtij planeti…Suedia është vendi joshës i gadishullit Skandinav, i Veriut të Europës, e cila më tepër se Norvegjia dhe shumë më tepër se Finlanda, është e rrethuar me mitin e qetësisë, me mitin e veçorisë së banorëve të saj, me bukurinë e qetë nordike të natyrës, me vajzat dhe gratë e bukura, ndër më të bukurat në botë, me mitin e lirisë seksuale, me mirëqenien e saj të stërfolur, me politikën e saj të matur dhe paqësore, me filmat e Bergman-it dhe me çmimin “Nobel”. …Ashtu si të gjitha mitet, edhe miti suedez jeton sa kohë që ti nuk e ke vizituar atë vend. Për fatin tim të mirë, ende nuk e kisha parë Suedinë, kështu që miti i saj më ishte një realitet i besueshëm.  (“Në vendin tim, – thotë Ingrid, vajza e bukur suedeze e tregimit të John Updike-t, – stinët e verës janë të shkurtra, kështu që ne flemë lakuriq. Por është absurd miti që vendet e tjera kanë për paganizmin tonë dhe për jetën tonë të lumtur seksuale. Suedezët janë popull i ashpër. Im at ka qenë një njeri si karakteret e filmave të Bergman-it. Derisa jam rritur, nuk më lejohej asgjë, nuk më lejohej të luaja letra, të përdorja të kuqtë e buzëve ose të vallëzoja”…). Kur në vitin 1992, i ftuar nga Instituti i Kulturës Suedeze, një lloj Ministrie e Kulturës së vendit, arrita në Stokholm, ajo që më ra në sy qe qielli nordik teatralisht blu (ishte verë), dhe flamujt e shumtë në ngjyrat kombëtare blu dhe të verdhë (më vonë do mësoja për pasionin e madh që kanë suedezët për flamurët) përreth Opera House, rrethuar me restorante dhe kafe. Vajza të bukura, madje shumë të bukura, të qeta dhe të sigurta në veten  e tyre, që dukeshin sikur vetëm gjysmë ore më parë kishin qenë duke modeluar flokët në Beauty Shop. Më vonë, në restorant, në tavolinën përballë meje është e ulur një grua shumë e bukur, bionde, e qetë, very cool, me sy blu të hapur; është e vetme, por duket se e zotëron mjaft mirë vetminë e saj. Ka përballë një shishe vere të bardhë gjermane. Pi e qetë, me gllënjka të vogla, aq sa duket sikur i numëron gllënjkat që pi për arsye statistikore. Më vonë flasim së bashku. Më thotë, me një anglishte korrekte, se punon “social worker”. Nuk mund të mendosh një profesion më tipik  për një shtetas të vendit më social në botë. Ja dhe Ingrid tipike suedeze, mendoj. Jam me fat që e takova që në fillim të mbërritjes sime.

Vizita e parë qe Akademia Mbretërore. Dhe natyrisht, pjesa më eksituese e vizitës – salla ku Komiteti i dhënies së Çmimit “Nobel” për Letërsinë mblidhet për të vendosur për kandidatin vjetor. Një sallë e stilit barok nordik, me faqet e mureve të mbushura me portrete akademikësh dhe shkrimtarësh të mëdhenj. Sekretari i Akademisë më shpjegon rregullat e ngatërruara të procedurave të përzgjedhjes së kandidatëve. Fituesi potencial i çmimit në Letërsi është tepër vështirë që të parashikohet, ngase përzgjedhja e kandidatëve bëhet në një sekret të madh, dhe askush nuk mund ta thotë me siguri fituesin e vitit deri ditën e shpalljes…Kjo ndodhte në vitin 1992.

Por këtë vit duket se rregulli i sekretit, për herë të parë në historinë e dhënies së çmimit “Nobel”, nuk do të funksionojë.

2. 

Është folur dhe stërfolur me kohë për kontraversinë që e ka ndjekur dhe vazhdon ta ndjekë deri në ditët tona çmimin “Nobel”- edhe pse ai pranohet si çmimi më prestigjioz i Letërsisë në botë. Lënia mënjanë e shumë shkrimtarëve të shquar botërorë jashtë vëmendjes së Akademisë Suedeze ka bërë që balanca e shkrimtarëve të shquar që nuk e kanë marrë çmimin të peshojë shumë më tepër nga shkrimtarët shpesh mesatarë, madje ndonjëherë edhe të panjohur, që janë nderuar me këtë çmim. Për mendimin tim, të paktën në poezi, zgjedhja më e mirë kanë qenë W.B.Yeatsi në vitin 1923 dhe T.S. Elioti në vitin 1948. Por çfarë të thuash për shkrimtarë që kanë marrë çmimin “Nobel” dhe nuk kanë marrë as dhe vëmendjen më të vogël të lexuesve? Shumë pak e di se një shkrimtar finlandez i quajtur Frans Eemil Sillanpää apo një shkrimtare amerikane e quajtur Pearl Buck, janë fitues të çmimit “Nobel”. Në vitin 1917 “Nobel”-i iu dha madje dy shkrimtarëve njëherësh, sikur Akademia të qe e vetëdijshme se asnjëri prej tyre veçmas nuk përbënte një shkrimtar me aq dinjitet sa të meritonte çmimin prestigjioz (Karl Adolp Gjellerup, poet dhe Henrik Pontoppidan, prozator danez). Kritikët e çmimit “Nobel” kanë folur për konjukturat politike në përzgjedhjen e fituesve të “Nobel”-it. Akademia suedeze, e cila shpeshherë është një refleks i psikës socialdemokrate suedeze të “political correctness”, ka refuzuar të përkrahë shkrimtarin e shquar Salman Rushdie në vitin 1989, pasi Ayatollah Khomeini lëshoi fatwa-në famëkeqe për vrasjen e  shkrimtarit. Dy anëtarë të Akademisë, në shenjë proteste, patën dhënë dorëheqjen. Zgjedhja e vitit 2005 ndoshta mund të ketë qenë njëra ndër zgjedhjet më të këqija, së bashku me zgjedhjen e italianit Dario Fo. Harold Pinter është një dramaturg pa origjinalitet dhe pa forcë, një shkrimtar që, për nga format shprehëse, endet mes S.Becket-it dhe E. Jonescos, por pa patur imagjinatën dhe forcën e sarkazmës së asnjërit prej tyre. Shumëkush e shpjegoi zgjedhjen e tij për arsyen e kundërshtisë skenike që Pinter i pat bërë pushtimit të Irakut dhe politikës së jashtme amerikane. Ndërsa zgjedhja e artistit performativ italian, Dario Fo vetëm e vetëm pse ai është kundër katolicizmit, është shpërblimi më i dyshimtë i mediokritetit artistik. Dhe po kështu përzgjedhja e Doris Lessing në vitin 2007, me motivacionin e prurjes në letërsi të eksperiencës feministe!!!
Vitin e kaluar çmimi iu dha shkrimtarit kinez Mo Yan. Është në nderin e shkrimtares gjermane, Herta Muller (edhe ajo fituese e “Nobel”-it) që në mënyrën më jo political correctness të tallej për këtë zgjedhje. Shkrimtari argjentinas Jorge Luis Borges ka qenë i nominuar disa herë për çmimin “Nobel”, por Akademia ia ka refuzuar dhënien e çmimit për shkak të përkrahjes që ai i paska dhënë të djathtës kiliane (e pavërtetuar kurrë), në një kohë që po kjo Akademi ka nominuar shkrimtarë që haptazi kanë përkrahur Stalinin dhe diktatura të majta (rasti i Sartre, Nerudës dhe Shollohovit).

3. 

Ashtu siç ndodh që kriteri i vlerësimit të një antologjie bëhet jo nëpërmjet autorëve që janë përfshirë në Antologji, sesa nga autorët që nuk janë përfshirë, po ashtu dhe çmimi “Nobel” do të duhej të gjykohej nga munguesit e mëdhenj të saj.
Në vitin e hershëm 1901, për herën e parë çmimi “Nobel” i jepet Sully Prudhomme-it, një poet dhe eseist francez. Dhe të mos harrojmë që asokohe dy gjigantë të letërsisë botërore, që peshojnë sa 1000 Prudhomme të marrë së bashku- Lev Tolstoj dhe Anton Checkov- janë të gjallë dhe u mohohet çmimi.
Jashtë çmimit “Nobel” kanë mbetur po ashtu dhe Henrik Ibsen, Mark Twain, August Strindberg (të cilit iu dha ironikisht një çmim anti-Nobel nga admiruesit e tij të shumtë), Marcel Proust, Franc Kafka, Cavafy, Ezra Pound, James Joyce,W.H. Auden, R.M.Rilke, L.F. Cèline, Pessoa, E. Waugh, Salinger, John Updike,R. Bolâno, Ismail Kadare…

Më e drejtë se këta shkrimtarë të shquar kanë mbetur jashtë çmimit “Nobel”, do ishte të thuhej se në të vërtetë është çmimi “Nobel” që ka mbetur jashtë tyre.

Rasti i shkrimtarit Ismail Kadare nuk është nëse ai e meriton çmimin “Nobel”.
Krijimtaria e tij e ka merituar prej vitesh çmimin “Nobel”, dhe kjo nuk përbën më asnjë sekret për njohësitë e mirë të letërsisë. Padyshim Ismail Kadare është shkrimtari më autoritar ndër të gjallët në botë. Vepra e tij i ka folur dhe vazhdon t’i flasë me një zë sa origjinal aq dhe të fuqishëm njeriut të sotëm modern, i cili shpeshherë ndodhet përballë udhëkryqesh të vështira dhe çoroditëse zgjedhjesh. Dhe i ka folur dhe vazhdon t’i flasë nga një vend dhe nga një gadishull të mbushur me tragjedi njerëzore, që shpeshherë paraqiten jo si vendet më të zhvilluara të Europës, dhe u ka folur sidomos nga një vend që paragjykohet- me dashje dhe padashje- në mediat e botës, duke u bërë pre e ca stereotipeve të mendësisë së klasit të katërt. Dhe në krijimin e këtyre stereotipeve kemi kontribuar dhe vazhdojmë të kontribuojmë me një zell të frikshëm dhe ne shqiptarët, me snobizmin tonë provincial, tek besojmë se të gjitha fatkeqësitë ndodhin vetëm në shtëpinë tonë, dhe se vetëm shkrimtarët që kanë emra të huaj janë shkrimtarë të mëdhenj, dhe me xhelozitë tona të verbra që ngurrojmë të lavdërojmë vlerat e kulturës sonë. Nuk është e rastit që vetë Ismail Kadare kohët e fundit u ka folur bashkatdhetarëve të vet me mençurinë e dikurshme të Erazmit të Roterdamit përmes një libri të titulluar Mosmarrëveshja…Ai ka ditur dhe vazhdon të dijë që t’i flasë lexuesit në botë dhe lexuesit të vendit të vet me të njëjtin autoritet shpirtëror dhe moral.
E vërteta  është që Akademia Suedeze, duke nderuar shkrimtarin Ismail Kadare me çmimin “Nobel”, do të dijë të korrigjojë disa nga hijet e veta të së shkuarës që nuk e kanë nderuar dhe aq shumë në sytë e botës. Dhe ai çmim do të nderojë me të drejtë jo vetëm Akademinë Suedeze, jo vetëm shkrimtarin Kadare, por dhe gjuhën e një populli për të cilin është heshtur shpeshherë në mënyrë jo dinjitoze, kur ka qenë rasti për ta ftuar në tryezën e vlerave të qytetërimit botëror.

Puna është që çmimi “Nobel” të mos mbesë jashtë Kadaresë.

*MAPO

Comments

Submitted by RP (not verified) on

<p>edhe Papa i tanishem nuk ishte me i kuotuari,por sapo u zgjodh,te gjithe e duartrokiten.Une kam besim se Kadare do ta fitoje kete çmim(qe e meriton ka tjeter rendesi,sepse duhet ta fitoje qe te quhet),por Zoti i dhente shendet dhe jete qe t&#39;ia arrije asaj dite.Te diskutosh se i takonte atij,ketij,etj etj,eshte debat i pabuke,sepse edhe autorja kanadeze-si ia thone emrin-ka dhene kontribute dhe ka merita gjersa arrin te perfshihet ne kete çmim.Per mua,akademia suedeze ka lene jashte Jacques Prèvert,por ja qe atij iu rrit fama me shume pas vdekjes.Ndersa nuk e dija qe suedezet flene pa veshje fare,e kane per gjynah te flene veshur apo si?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.