Një emër më pak në “listën e zezë” të Nobelit

Postuar në 12 Tetor, 2013 09:57
Ruben Avxhiu

Shkrimtarja kanadeze Alice Munro fitoi çmimin Nobel në Letërsi për këtë vit, siç u deklarua sot në mesditë me orën e kontinentit europian.
Akademia Suedeze, e cila ka fatin dhe përgjegjësinë të zgjedhë Nobelistët në këtë fushë, e shpalli zonjën Munro “mjeshtre të tregimit të shkurtër bashkëkohor”.
Në fakt, mjeshtërisë së të treguarit shkurtas iu desh të gërshetohej me aftësinë për të jetuar gjatë, përndryshe, Munro do të kishte përfunduar tashmë në listën e ndritur të shkrimtarëve të shquar e të ndjerë, të cilëve akademikët suedezë ua mohuan çmimin më të njohur të letërsisë botërore.
Kanadezja, tashmë në moshën 82-vjeçare pothuajse e kishte humbur çdo shpresë për të marrë Nobelin. Ajo ishte pjesë e një tjetre liste të ndritur, asaj të shkrimtarëve të shquar të ditëve tona, që duket sikur janë “syrgjynosur” në një “listë të zezë” kur vjen puna për këtë çmim. Mes tyre është edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, ai amerikan Phillip Roth, izraeliti Amos Oz etj.
Munro iu bashkua në fillim të këtij viti edhe një liste tjetër ku bëjnë pjesë Kadare dhe Roth, asaj të shkrimtarëve që kanë vendosur të mos shkruajnë më letërsi pas dekadash të tëra, kontributi të jashtëzakonshëm në artin botëror.
Arsyet e futjes në “listën e zezë” janë më shumë subjektive sesa objektive dhe ndonëse është diçka e natyrshme, sepse ndryshe nga fushat shkencore, vlerësimi i artit mbetet një çështje pikëvështrimi, adhuruesit e letërsisë së vërtetë kanë arsye të zhgënjehen.
Çdo të enjte në mëngjez, në javën e dytë të tetorit, ashtu si në ditët paraprake, shpresa nxjerr kokë vjedhurazi, se të paktën kësaj here çmimi do të jepet për hir të vlerave në letërsi dhe jo për mesazhe që kanë të bëjnë më shumë me artin e jo me politikën, edukimin, ideologjitë, interesat e industrisë së librit dhe lidhjet personale.
Ka një lloj ironie të lehtë në faktin që çmimi iu dha zonjës Munro, pasi kishte hequr dorë në pranverë nga e shkruara. Kur jeton 82 pranevra, ka shanse që edhe juria më e pavëmendshme apo edhe ajo më shpërfillëse të detyrohet ta kthejë kokën nga ty. Ndonëse gjithnjë e më rrallë po ndodh një gjë e tillë për arsyet e duhura.
Një tjetër mjeshtër, shumë më kontroversial, Harold Pinter, u la në harresë megjithë kontributin e tij të jashtëzakonshëm si dramaturg, për t’ia blatuar Nobelin në vitet e fundit, kur në kuadrin e një lloj senilizimi total, ishte bërë mbrojtës publik i Sllobodan Millosheviçit e ishte gati të mbronte çdo diktator e akt brutal mjafton që të sulmonte Shtetet e Bashkuara.
Fjalimi i tij në ceremoninë ku mori Çmimin Nobel iu kushtua totalisht Luftës në Irak. Ajo luftë tashmë është harruar, por veprat e tij janë ende një kënaqësi t’i shohësh të luajtura në skenat teatrale. Po po të ishte për ato vepra, Pinteri mund të ishte lënë përjetë në “listën e zezë”. Nobeli në Letërsi nuk duhet të jetë për ngjarje të ditës, e për pozicione politike. As duhet të jepet duke i gjykuar veprat me syrin e këndvështrimit edukues të një ministri arsimi. Letërsia e madhe provokon dhe trondit. Nuk bën paqe e nuk merr me të mirë. Nuk shkruhet për ata që preken lehtë e as për ata që nuk zgjidhin dot tjetërsoj problemet e natyrave të ndryshme. Nobeli për letërsinë duhet të kapërcejë kufijtë gjeografikë, po edhe ato epokalë e politikë. Letërsia e madhe është e tillë sepse që nga Homeri e deri në kohët tona, lexohet po njësoj, pavarësisht se nga cila kohë e në cilin vend jetojmë, pavarësisht se cili regjim na edukon e kufizon.
Nëse Kadare do të kishte dalë në 1999 me një deklaratë kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, mbase do të ishte shfaqur në radarin e aletrar të përzgjedhësve të Nobelit të letërsisë. Po ai nuk do të kishte qenë një çmim për letërsinë apo për veprat e tij. Ashtu si nuk ishte për veprat letrare të Orhan Pamukut, kur ia dhanë Nobelin në mënyrë aq flagrante pasi deklaroi se Turqia kishte bërë në fakt gjenocid kundër armenëve dhe u sulmua nga mbarë establishmenti kulturor e politik turk. Sjellja e Turqisë ndaj birit të saj të talentuar ishte e turpshme, por përdorimi i Akademisë Suedeze e çmimit të njohur për të hyrë në një debat kombëtar të një vendi tjetër ishte keqkuptimi më i madh i detyrës së saj ndaj artit botëror.
Qysh nga viti 1993, asnjë amerikan nuk e ka fituar Nobelin në Letërsi. E fundit ka qenë Toni Morrison. Dashamirët e shkrimtares afrikano-amerikane ishin ankuar prej vitesh se në SHBA nuk po i jepnin çmime për shkak të ngjyrës së lëkurës. Ndonëse shumë shkrimtarë amerikanë kanë qenë pionerë të luftës kundër racizmit në SHBA, tani po akuzoheshin për të kundërtën. Këtu hyn Akademia Suedeze që edhe njëherë përdor Çmimin mbarëbotëror për t’i dhënë mësime një vendi të vetëm se kush është shkrimtari më i mirë i tij.
Kam respektin më të madh për Toni Morrison, e cila ndryshe nga disa mbështetësit e saj është një nga figurat më civilizuese të jetës publike e kulturore amerikane. Por ajo ka shkruar në gjithë jetën apo aq libra sa Phillip Roth ka shkruar vetëm një nga pesë dekadat e tij si shkrimtar. Dhe nëse ka dy libra të zonjës Morrison që mund t’i pëmend, nga Roth kam mbi dhjetë të tilla në majë të gjuhës.
Si gjithmonë letërsia është çështje shijeje.
Mirëpo, pak vite më parë, i pyetur për Rothin e shkrimtarët amerikanë, sekretari i Akademisë Suedeze shpërtheu në një deklaratë se mbase kishte ardhur koha që duhej kuptuar se superfuqi në letërsi ishte Europa dhe jo SHBA. Ai shtoi edhe se SHBA po izolohet nga letërsia botërore duke mos përkthyer sa duhet e duke humbur vetë letërsinë e saj në këtë proces.
Deklarata ishte shokuese dhe sigurisht erdhi më vonë sqarimi se Akademia Suedeze nuk paragjykon. Po sa çudi për këto deklarata padashje të sinqerta. Shkrimtarët duhet të vlerësohen në bazë të veprave të tyre e jo të kombësisë që kanë. SHBA mund të mos jetë superfuqi e letërsise dhe përsëri të ketë një gjigand letrar brenda saj. A konkurrojnë shkrimtarët apo shtetet në Stokholm?
Dhe çfarë ironi që për politikën e jashtme amerikane jopopullore në Stokholm ata që ndëshkohen janë shkrimtarë si Phillip Roth që në kohën e intervistës ishte një nga kritikët më të fortë të presidentit George W Bush, njeriu që ka meritën kryesore por jo të vetme për Nobelin e Pinterit.
Çfarë mendjengushtësie dhe arrogance e sekretarit të Akademisë që kur e pyesin për Rothin flet për izolimin e letërsisë amerikane, a thua se është faji i shkrimtarëve amerikanë nëse industria e librit dhe politika derdhin pak fonde në përkthimin e veprave joamerikane. Një akuzë edhe kjo jo e bazuar në fakte e shifra. E mbi të gjitha, Roth ka qenë vetë një nga intelektualët që është angazhuar personalisht për të sjellë te lexuesi amerikan shkrimtarë nga Europa Lindore, duke lidhur në këtë rast një miqësi të jashtëzakonshme me një emër të njohur nga kjo hapësirë, Milan Kundera.
Akademia Suedeze bën mirë që ruan fshehtësi të plotë për mënyrën sesi përgjidhen emrat e laureatëve të Nobelit në Letërsi. Po ashtu bën mirë që e izolon veten nga presioni i medias, siç pretendon se bën. Po nuk do të ishte keq që për hir të rëndësisë së besimit tonë te ky insitutcion të sqarojë herë pas here keqkuptimet e ngritura në vite për të. Disa prej të cilave janë vërtet zhgënjyese.
Në fund, ajo që precipiton është realiteti esëll që tregon se sado i famshëm dhe i kërkuar të jetë Çmimi Nobel, letërsia e madhe është sërish më e fuqishmja. Ivan Bunin ishte rusi i parë që e fitoi, pasi ishin harruar Çehovi dhe Tolstoi e më vonë Nabokovi etj. Po emrat e veprat e tyre janë ende në vitrinat e librarive dhe në rreshtin e parë të bibliotekave. Bunin, padyshim një talent i një rangu e kohe tjetër, është zhytur në harresë bashkë me Nobelin e tij.
Çmimi Nobel do të mbetet gjithnjë i privilegjuar, mbi të gjitha për shkak të emrave të jashtëzakonshëm letërsisë që e kanë marrë atë në vite. Po pikërisht për hir të vetë vlerës së çmimit që ndajnë, akademikët e superpolitizuar suedezë duhet të kujdesen që “lista e zezë” të mos bëhet në fund më e çmuar dhe më e famshme se “lista e bardhë”. Përndryshe shkrimtarët e vërtetë do të fillojnë të mburren me rreshtimin në të parën dhe e vetmja arsye për ta lakmuar Nobelin do të mbetet “thesi” me një million dollarë.

illyriapress.com

Comments

Submitted by Socius (not verified) on

<p>Pra lufta ne Irak tashme eshte harruar. Pergezime autorit per driteshkurtesine historike, e lere me ate humanitare.&nbsp;</p>

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Shkrim i mire. Me pelqen. Po audienca shqiptare nuk do ta kuptoje dot thelbin. Shqiptareve u jane errur syte nga miti i Ismail Kadarese. Akademia suedeze nuk ja dha Pinterit Nobelin per shkak te luftes ne Jugosllavi po sepse ne ate vit akademia kerkonte vemendjen te fokusohej tek karakteri i erret i qeverive te cilen Pinteri e kapte me mjeshteri. Domethene nuk mund te thuash qe akademia suedeze nuk ka axhende politike dhe cmimet nuk kane karakter politik<span style="font-size: 17px; line-height: 29.375px;">. Megjithate nuk mund te thuash gjithashtu se ata qe e kane fituar nuk jane shkrimtare te mire dhe ata qe jane ne pritje nuk e marrin sepse akademia i ka &quot;inat&quot;. Ismail Kadare nuk do ta fitoje kurre Nobelin ne letersi megjithe deshirat tona sepse ne letersine e tij individi nuk ka hapesiren qe meriton dhe perballja e tij me realitetin eshte teper pasive. Letersia e Ismail Kadarese pa dashur ti ul vlerat artistike nuk perfaqeson trendin e ri, po ate te vjetrin ku individi eshte thjesht spektator i ngjarjeve te medha te cilat prezantohen nga autori te mbytura me ngjyra nacionaliste dhe duke vjedhur pak nga stili latin in meta fiksionit. Pa dashur te bej kritikun letrar mendoj se zgjedhjet e akademise suedeze ndonese shume here lene per te deshiruar, percaktojne nje trend per letersine duke mos e lene ate te endet ne bataqe letrare.</span></p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.