Ne, populli më përgjithësues
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/3470_timthumb_122.jpg?itok=TeGYPpww)
Me kalimin e kohës, sa më shumë që konsolidohen kombet dhe sidomos njohuritë e të tjerëve, atyre që nuk janë bashkëkombës me ta, aq më shumë kristalizohen me tendencën për të jetuar gjatë disa veçanësi, të cilat zakonisht pranohen në mënyrë të përbotshme pa u diskutuar shumë. Kështu, për shembull, anglezët njihen si një popull i fuqishëm detar, pikërisht prandaj ata janë aq flegmatikë në stere sa janë heroikë në det. Të afërmit e tyre, holandezët, edhe këta krijues të një fuqie të dikurshme koloniale, kanë një tjetër lloj lidhjeje me detin. Atyre, për të mbijetuar, u është dashur t’u vënë gjoksin stuhive të tij. Digat e dikurshme, të ndërtuara me aq mund për të shpëtuar atdheun, kanë hyrë tashmë në zemrat e tyre, në karakterin e tyre të paepur. Italianët dallohen nga të gjithë prej gjeniut të tyre krijues dhe nga shpirti delikat artistik. Francezët e kanë ende në zemër revolucionin e madh të 1789-s. Liria me çdo kusht i bën që të jenë më të çliruar nga komplekset se shumë fqinjë të tyre edhe më të vjetër. Spanjollët janë një grumbull i stërmadh njerëzish me toreadorin në gji. Përballja burrërore me sfidat që sjell jeta është tipari i tyre më i shquar. Qenkan pra disa tipare etnokulturore, që burojnë nga historia dhe gjeografia e veçantë e secilit komb, që i bën ata të jenë ndryshe nga njëri-tjetri, veç gjuhës që flasin sigurisht. Këto tipare etnokulturore çojnë në ndryshime etnopsikologjike, madje për disa studiues të sotëm edhe etnopsikike.
Në këtë sfond kombesh ngjyra-ngjyra, ne shqiptarët një herë na kanë dalluar për kokëfortësinë apo për krenarinë proverbiale, për gjakmarrjen, pastaj, për mikpritjen, pastaj për fjalën e dhënë apo besnikërinë, hera-herës edhe për mercenarizmin. Ndokujt mund t’i lindë pyetja: po sot përse dallohemi nga të tjerët? Kjo pyetje mund të ketë me qindra përgjigje, por ato çka po na shohin sytë e po na dëgjojnë veshët në këto kohët e fundit, na bëjnë të besojmë se një nga tiparet tona dalluese etnopsikologjike është mania e pafund, deri në përsosmëri, e përgjithësimit të gjërave, edhe atje ku nuk ka fare vend për përgjithësim. Gjithnjë e më shumë ne kemi parasysh grupin, dhe jo individin. Gjithnjë e më shumë krijojmë grupime edhe atëherë kur ato nuk ekzistojnë realisht, pastaj këtyre u ngjisim vlera dhe antivlera sipas interesave të ndryshme.
Përgjithësimi, sipas mënyrës alla shqiptarçe, ka disa forma. Ai mund të jetë:
Përgjithësimi lokal-krahinor
Ky lloj përgjithësimi ka rrënjë të thella, krahinore, ekonomike, fetare, dialektore. Është një lloj përgjithësimi që del në pah nga një përvojë e gjatë e krijuar brez pas brezi në kushtet e një Shqipërie të kohës së karvanëve. Në shumicën e rasteve, ky përgjithësim ka të bëjë me aktivitetin kryesor dhe me mënyrën e jetesës në x apo y krahinë, gjë e cila e bënte të dallohej atë nga pjesa tjetër e vendit. Të gjithë themi për shembull se shkodranët janë hokatarë të mëdhenj ani se në Shkodër ka edhe plot njerëz që nuk i qesh fytyra. Autori i këtyre radhëve më kot është munduar të njohë në Gjirokastër qoftë edhe një kurnac të vetëm teksa e ka të mbushur kokën plot me barsoleta mbi gjirokastritin saraf. Jo vetëm në Gjirokastër, por edhe gjetiu kam njohur vetëm gjirokastritë bujarë. Të bëhet fjalë për një përjashtim?! Po të vazhdojmë kështu mund të shkojmë gjatë. Për shembull ka edhe korçarë të pakulturuar ose ka edhe vlonjatë frikacakë ose dibranë të pisët. Gjithnjë e më shumë miniglobalizmi dhe qarkullimi i popullsisë që ka përfshirë shoqërinë shqiptare të viteve të fundit ka nisur t’i kthejë në histori humori veçanësitë e mëparshme mes krahinave, vetëm se të keqpërdorura në një sfond të karshillëkut të kamotshëm mes vendasve dhe të ardhurve rishtas, ato mund të shndërrohen në një burim konfliktesh sociale tepër të dëmshme. Kësaj situate i duhen shtuar patjetër edhe injoranca apo mosnjohja, shkalla e varfërisë dhe e punësimit të përbashkët dhe ndërhyrja e politikës. Të gjithë i dimë epitetet që u janë vendosur të ardhurve rishtas ndër qytete të mëdha në këto dy dekadat e fundit. Si popull përgjithësues që jemi, të gjithë kemi rënë dakord me përgjithësimin me thikë në “ne”, pra ne qytetarët relativisht të vjetër, dhe “ata”, pra aspirantët për qytetarë. Nga kjo ndarje ka buruar një tjetër përgjithësim i pranuar nga shumica: “ata” janë problemi, ndërsa “ne” jemi vetë zgjidhja, gjë që jo gjithnjë është e vërtetë.
Përgjithësimi moral
Ky lloj përgjithësimi ka gjasë që të jetë shumë i përhapur anekënd globit, por te ne ka gjasë që të jetë shndërruar gati-gati në perfeksion. Për ne ka ose të bardhë, ose të zezë. Për ne, grija, ngjyrë e ndërmjetme, nuk ekziston ose edhe nëse është, nuk na pëlqen ta përdorim. Për shumicën je ose i mirë ose i keq dhe pikë. Rrugë të mesme nuk ka. Për ta ilustruar këtë, le të merremi me një histori që ka ndodhur vetëm para pak ditësh.
Mes atyre që u dehën nga era e lirisë ishte edhe Olsi Iliazi nga Korça. Edhe ky doli nga burgu i Drenovës bashkë me të dënuar të tjerë që u falën nga amnistia e fundit. Ishte dënuar, sepse në gjendje të dehur kishte rrahur rëndë nusen e tij shtatzënë. Nga ajo natë fatale nusja e dështoi fëmijën. Olsi përfundoi në burg dhe me të u morën gjatë, me të drejtë, shoqatat feministe, ato kundër dhunës dhe shtypi. Pastaj Olsi u harrua mes telave me gjemba. Por, me sa duket, ka qenë i destinuar që të jetë gjithnjë lajm. Vetëm pak ditë pasi ishte liruar, ai fluturoi drejt vdekjes, duke u hedhur nga kati i pestë i një pallati në Korçë. Liria dhe jo burgu kishte qenë dënimi i tij. Një njeri që e përjeton kaq thellësisht e tragjikisht ndjenjën e tij të fajit assesi nuk mund të jetë i keq në thelbin e tij. Brenda vetes ai duhet të ketë qenë shumë herë më i mirë se shumë prej nesh që nuk e kanë parë burgun me sy. I shëruar nga plaga e tij, ai do të ishte bërë një njeri që i hyn në punë shoqërisë. Por, për të, tashmë vula ishte vënë. Ishte përfundimisht te të këqijtë. Liria, të cilën i falën “të mirët”, atij nuk i hynte më në punë. Ishte vetëm 34 vjeç. Vetëm pakkush u mor seriozisht me historinë e tij. Mbase vetë njerëzit e tij të afërt.
Përgjithësimi inkriminues
“Hë mo se ju njohim ju gazetarëve, ju ia këpusni kot fare!”. Autori i këtyre radhëve i ka dëgjuar këto fjalë nga një çoban në Kurvelesh në një ditë të vaposur qershori këtu e ca vjet më parë. Çobani nuk kishte televizor në stan. Gazeta kishte lexuar rrallë e për mall, por ama përgjithësimin e vet e kishte bërë: gazetarët ia mbushin kot! Kush e di se ku e kishte dëgjuar këtë fjali, me siguri nga njerëz te të cilët kishte besim. Ishte e kotë sigurisht që t’i shpjegonim çobanit se gazetarë ka shumë, se ka nga ata që ia fusin kot, por këta janë shumë të paktë, se profesioni ynë, se lajmi, se e vërteta… Ishte shumë vapë për t’u marrë me këto punë të ndërlikuara. Ishte më mirë të pinim atë dhallë të bekuar në heshtje.
Histori të ngjashme ka kudo. Mjafton të dalë një mjek që merr para nën dorë dhe me këtë ngjarje inkriminohet e tërë kategoria e mjekëve. Mjafton që të dëgjosh se një shoku yt i ka dhënë kaq lekë policit nën dorë dhe është gati përgjithësimi i pashmangshëm: Policët duan lekë! Kulmi ka arritur me figurën e shkretë të mësuesit. Sipas një përgjithësimi shumë të përhapur edhe këta merrkan para nën dorë. Thuajse të gjithë pa përjashtim. Ata që nuk marrin me siguri që nuk janë për këtë punë. Zakonisht përgjithësime të këtij lloji i bën ai soj që është gatuar vetë t’i zgjidhë punët, duke dhënë para nën dorë. Këtij soji i interesojnë përgjithësimet e tilla, përndryshe ai e humbet aftësinë e tij krijuese, vetë thelbin e tij përgjithësues.
Kulmet e fundit në përgjithësimet inkriminuese janë arritur nga politika. Sipas disa akuzave, që vijnë nga njerëz të caktuar prej opozitës, ushtria shqiptare ose makina të ushtrisë apo avionë të ushtrisë na qenkan përfshirë në një trafik misterioz droge. Nëse vazhdojmë shkollën tonë shqiptare të përgjithësimit atëherë këtu kemi të bëjmë me një ushtri që merret me drogë. Atëherë ushtria jonë është pjesë e NATO-s, kështu që i bie që NATO të merret me drogë!!! Goxha përgjithësim dhe goxha lajm njëkohësisht.
Mbase përgjithësimi pa kufi e pa bazë nuk është bërë ende tipari ynë etnopsikologjik dallues. Do të uronim me shpirt të ishte kështu. Vetëm se kjo mënyrë të menduari e të vepruari, ku përzihen bashkë interesa të vogla, mbeturina të kohëve të shkuara, mëri e zili meskine, injoranca dhe, sidomos, mungesa e respektit për individin ndryshe, në mos duhet të na frikësojë, të paktën të na bëjë të vrasim mendjen me aq sa kemi në dorë.
"Shqip"
Comments
pergjithsimi eshte baza e

pergjithsimi eshte baza e paragjykimeve dhe baza e cdo diskriminimi "ne grup", qe do te thote baza e racizmit. nese vertet kjo eshte bere tipari yne dallues nacional, nuk ka ku te shkoje me keq se kaq. psikologu Jung, nxenesi i Frojdit ka folur per prototipat dhe profilet psikologjike qe sherbejne pashmangshmerisht si modele qe imitohen gjithashtu instiktivisht nga te gjithe individet e nje shoqerie.

personalisht nuk e shikoj te keqen tek pergjithsimi, qe eshte nje proces i pashmangshem psikologjik, por tek dyshimi, tek dashaligesia dhe tek fryma hileqare dhe madje denigruese qe e frymezon kete lloj pergjithsimi negativ, sic e argumenton edhe autori ne kete artikull.

na duhet shume me teper dashamiresi dhe zemergjeresi dhe me pak shpirt gjykatesi zemerlig kur "gjykojme" te "tjeret". ne konceptin modern te lirise nuk lejohet as edhe te gjykosh, mundesh vetem te shprehesh nje opinion personal, i cili gjithsesi mbetet subjektiv. forma e mendimit gjykues s'eshte vecse tranformimi i formes totalitariste te mendimit ne ne forme gjoja individualiste ne epoken e demokracise.

per nje koincidence perverse, relativizmi i gjykimeve subjektive ka marre tek ne formen e shpalljes se denimeve kapitale moraliste dhe punitive, madje edhe formen e fataliste te perbuzjes: "kete fat ke pasur, sepse kete fat ke merituar!".

Përgjithësimi nuk është nje

Përgjithësimi nuk është nje nocion negativ,përkundrazi është shkallë e njohjes dhe interpretimit të një ose disa dukurive që burojnë nga shumë shkaqe ose nëndukuri të tjera,është lidhja e tyre me thelbin e përbashkët të këtyre dukurive dhe nëndukurive. Përgjithësimi nuk mund të jetë rezultat i episodeve apo shfaqieve të veçuara apo sporadike.Lumenjt nuk formohen nga një rrëke apo një përrua i vetëm.Elementët e ndryshëm kimikë nuk mund të renditeshin në tabelën e Mendelejevit pa gjetjen e thelbit të përbashkët të tyre që ishte struktura e brëndëashme e reflektuar në dukuritë apo vetitë fiziko-kimike të tyre,përgjithësimi i të cilave i shpuri në kohë të ndryshme Lavuazjerin, Mejerin dhe Mendelejevin në zbulimin e ligjit të famshëm të Sistemir Periodik të elementëve kimikë.Pa përgjithësim nuk ka zhvillim shkencor dhe shoqëror.Në këtë kontekst,gjallesat bimore,shtazore dhe njerëzore grupohen në popullata,rende,klasa,familje, specie e subspecie duke përgjithësuar dukuritë biologjike dhe prejardhjen gjenetike të tyre.Popullatat e mëdha me përbërje gjenetike homogjene të konsoliduara në shekuj janë më të standardizuara në sjelljen përgjithësuese,ndërsa gjenotipet heterogjene me prejardhje gjenetike kaotike të minipopullatave janë me diversitet të theksuar edhe në sjelljen përgjithësuese heterogjene.

Add new comment