Nacionalizmi i drone-it

Postuar në 31 Tetor, 2014 04:10
Fadil Sahiti

Raporti me fqinjët është temë që në kontekstin ballkanik nuk është e lehtë për t’u trajtuar, së paku jo pa një dozë mbarsjeje emocionale. Historikisht raportet mes fqinjëve ne ballkan kanë qenë të tensionuara dhe, siç e dimë të gjithë, shpesh herë këto raporte kanë degraduar në luftë. Fatkeqësisht edhe modelet e përdoruara për zgjidhjen e këtyre tensioneve nuk kanë dhënë çdo herë rezultate pozitive. Edhe atëherë kur është shpresuar që më në fund ballkani do të paqësohet, ka mjaftuar vetëm një ekces banal për të konstatuar të kundërtën. Shembulli më tipik është ekcesi i fundit me drone-in. Ka të drejt një mik i imi irlandez që tallet me mua lidhur me këto budallalleqet ballkanike, pjesë e së cilës, here-pas-here, e ndjejë  që jam edhe vet. Natyrisht, unë nuk mbaj pergjegjësi për konstruktin e nacionalizmit serb. Në fakt, nga këndvështrimi individual, edhe për nacionalizmin shqiptar nuk do duhet të mbaja asnjë pikë pergjegjësie. Mirëpo, do gënjeja nëse do thoja që fluturimi i drone-it nuk më kishte ngacmuar instinktin tim nacionalist, që e kisha menduar të kontrolluar brenda vetes. Për një çast edhe unë fillova të ndjejë krenarinë, mos të them superioritetin tone si komb karshi fqinjit tonë që historikisht nuk ka lënë gjë pa bërë kundër qenies sonë kombëtare. Gjatë këtyre viteve që jetoj jashtë Kosovës, shpesh më ka rënë të debatoj lidhur me rezistencën dhe luftën tonë të drejtë. Sigurisht që asnjëherë nuk jam ndjerë ne siklet të mbroj luftën dhe atë me shumë, shumë argumente. Argument të fortë kam pasur pozicionin e viktimës, sepse në të vërtetë edhe ashtu ishte. Tani, pas 15 viteve në liri, nuk është e lehtë të justifikohet gjendja në të cilën është katandisur vendi. Konteksti është krejtësisht i ri dhe se është absurd të vazhdohet të operohet me pozicionin e viktimës, ashtu sic kemi bërë në të kaluarën. Nuk e kemi më pozicionin e engjujve që trajtohen mizorisht nga keqbërësit, kriminelët. Nuk duket shumë e logjikshme dhe e arsyeshme, se paku nga kendvështrimi evropian, që për gjendjen ku janë katandisur të dy shtetet shqiptare, të vazhdohet të fajësohet historia, fqinjët, e vecanërisht Evropa dinake. Tani konteksti është krejtësisht tjetër dhe e ardhmja jonë nuk varet shumë nga të tjerët. Të gjithë themi, së paku në mënyrë deklarative, se jemi popull evropian dhe se e ardhmja jonë është Evropa. Por, a mundemi të jemi pjesë e strukturës evropiane me mendësi nacionaliste të shekullit XIX, që në thelb ka pasur mosdurimin e atij/asaj që ka origjinë nacionale, kulturore, dhe religjioze tjetër nga e jona?  Thelbi i civilizimit evropian qëndron në të kundërtën e kësaj, pikërisht në pranimin e këtij diversiteti. Për më tepër ky civilizim bazohet në të menduarit racional, logjik, dhe shkencor. Këto janë premisat kryesore të një shoqërie të hapur, shoqeri e cila është plurale, tolerante, që respekton dhe mundëson shfaqjen e pikëpamjeve të kunderta. Shoqëri në të cilën individi është kategori kryesore politike dhe shoqërore, i cili lirshëm ndjek realizimin e qëllimeve të jetës së tij, qëllime që shpesh mund të jenë inkompatibile me qëllimet e tjetrit. Shoqëri e lirë dhe e hapur do të thotë krijim i një konteksti social ku në qendër ka individin i cili ndjehet i lirë të kritikoj racionalisht të gjitha fenomenet dhe dukuritë shoqërore. Natyrisht që këto elemente të shoqërisë së hapur janë të strukturuara brenda një sistemi kushtetues dhe ligjor të qartë, e mbi te gjitha ekzekutimi i tyre në jetë bëhet përmes një sistemi shoqëror dhe një teknologjie institucionale shume funksionale. Euforia nacionaliste iracionale e shpërfaqur këto 10 ditët e fundit tregon në mënyrë të frikshme se shoqëria shqiptare është akoma larg ndërtimit të një ambienti social që i përngjan shoqërisë së sipërpërmendur. Shpërthimi i këtij ultra-nacinalizmi, e në mënyrë të vecantë demonstrimi i jotolerancës ndaj atyre që kundërshtojnë këtë nacionalizëm, janë shenja që tregojnë që ne akoma jemi shoqëri e mbyllur, me elemente të qarta tribale. Por, në fakt, kujt mund t’i shërbejë më shumë krijimi i kësaj histerie nacionaliste që ka kapluar pothuajse të gjitha kategoritë e shoqërisë shqiptare, politikanë, shkrimtarë, fillozofë, gazetarë, sportistë, e kë jo tjetër? Cili është qëllimi i saj? Pa dashur të futem në debatin e shumëpërfolur se kush doli fitues dhe kush humbës nga dueli sportiv në mes ekipit tonë dhe atij serb, duel ku vetëm gola nuk kishte, kam bindjen që kjo eufori iracionale nacinaliste më së shumti u shkon për shtati pseudo-intelektualëve, fillozofëve puthadorë, politikanëve të pandershëm dhe profiterë, gazetarëve të paaftë, hipokritëve të të gjitha ngjyrave. E them këtë sepse ky nacionalizëm anakronik atakon instinktet e njeriut të thjeshtë, pasionet dhe paragjykimet e tij. Duke qenë kështu, ky njeri lirohet nga “tendosja e pergjegjësisë individuale”, përgjegjësi e cila zevendesohet me pergjegjësinë kolektive. Duke gjetur strehim në pergjegjësinë kolektive, kapaciteti për të reflektuar për shkaqet e katandisjes individuale dhe kolektive minimizohet. Andaj është me lehtë të dalldisemi dhe t’u shpallim luftë të gjithë fqinjëve tanë se sa të ngrisim pyetje ezistenciale lidhur me atë se kush ështe fajtor për katandisjen tonë individuale dhe kolektive. A mund të duket racionale që edhe pas 15 viteve të fajësojmë fqinjët tonë sepse ne kemi dështuar të ndërtojmë një system të përbashkët ekonomik? A kanë faj serbët, maqedonët, malazezët, grekët që ne nuk po arrijmë të krijojmë një system të përbashkët arsimor dhe kulturor? Kush është duke na penguar t’i realizojmë këto që janë relativisht lehtë të realizueshme? Në vend që kritika intelektuale të fokusohet në gjetjen e shkaqeve të gjendjes sonë nacionale, ne jetën tonë publike dhe mediale bëhet luftë se kush dimensionohet më fuqishëm si patriot dhe kush më shumë shan fqinjët tanë, UEFA-në, apo Platinin. Në mënyrë të vecantë është për të ardhur keq reagimi i intelektualëve lidhur me këto ngjarje. Kjo edhe njëherë vuri në pah se në hapësirën shqiptare, fatkeqesisht edhe sot e kesaj dite, model mbizotërues është farsa e intelektualit kloun, i pandershëm, i pasinqertë, pretencioz, dhe anakronik. Mendoj që një pjesë e madhe e intelektualëve ne hapsirën shqiptare kanë tradhtuar misionin e tyre të vërtet, e që do të duhej të ishte kritika e pakompromis kundrejt qëllimeve johistorike të kombit, e vecanërisht kundrejt fenomeneve negative në shoqëri. Si duket kjo është gjëja e fundit që këta intelektual kanë në mendjen e tyre. Dija, që është arma e vetme e tyre, keqpërdoret ose më mirë të thuhet, shfrytëzohet nga pushtetarët me qëllim të ruajtjes së pushtetit, ndërkaq është e qartë se si kundërshpërblim këta intelektualë kanë pasurimin material. Duket sheshazi që klasa politike në hapësirën shqiptare në mënyrë shembullore e shfrytëzon dijen akademike për interesa të veta, nderkaq “akademiket”, me vetëdije pranojnë të komercializojnë armën e vetme që posedojnë, dijën e tyre. Natyrisht, nuk mund të thuhet se të gjithë janë të tillë. Por pa faj nuk janë as ajo pjesa tjetër që hesht dhe nuk e ngrit zërin. Ndoshta është e vërtet ajo thënia e famshme e Ajnshtajnit se “bota është vend i rrezikshëm jo për shkak të atyre që bëjnë gjëra të pështira, por për shkak të atyre që janë dëshmitarë të këtyre gjërave, që kanë në dorë të bëjnë dicka për parandalimin e tyre, por që nuk bejnë asgje”. Është koha e fundit që gjeneratat e reja të bëjnë përpjekje të lirohet nga ky model intelektuali. Të lirohen nga ndikimi i këtyre intelektualëve mashtrues dhe të paskrupulltë. Thuhet që zhvillimi dhe civilizimi përendimor i dedikohet dijes shkencore. Ështe i padiskutueshme që vlerë e këtij civilizimi është edhe bashkëjetesa, të jetuarit në paqe me fqinjët. Baba im, që nuk ishte akademik, më thoshte “biro, të kesh fqinjin e mirë është njësoj sikur me të pa zoti”. Historia na mëson që fqinjët tanë nuk kanë qenë shumë të mirë me neve. Mirëpo, a kemi ne fuqi ta ndyshojmë historinë? Sigurisht që jo. Ajo që mund dhe duhet bërë është të bëjmë përpjekje për ta ndryshuar të ardhmën tonë, qasjen në raport me fqinjët tanë. Ndoshta ka ardhur koha të kuptojmë që ndërtimi i raporteve paqësore me fqinjët tanë nuk është tradhëti, por vlerë. Për më tepër, ndoshta koha është të hëqim dorë nga  stereotipi i patriotit ballkanik që vret fqinjin me sopatë dhe pastaj ngritet në nivelin e kreshnikut. Patriot i vërtet, nacionalist i vërtet duhet konsideruar atë intelektual, politikan, gazetar që përpiqet të ndryshojë këtë klimë armiqsore mes popujve të ballkanit. Duhet kuptuar që, atë që e duam për veten tonë duhet njohur edhe fqinjit. Kështu sic e shoh unë, sa më herët që do fillonim ta kuptojmë këtë, aq më të bazuar do ta kemi shpresën që një ditë edhe ne do bëhemi pjesë e civilizimit përendimor jo vetëm gjeografikisht, por edhe me mendësi, me vlera.

Londer, 23 tetor, 2014.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.