Në vështrimin e një psikanalisti

I njohur në qarqet parisianë si një psikanalist i suksesshëm, është e vështirë të kuptosh menjëherë se cila ka qenë trajektorja e Jean Luc Tourenne, për të mbërritur te një nga faqet më të veçanta të historisë së Shqipërisë dhe te jeta e Ahmet Zogut, një personazh që me sa duket, në çdo kohë do të gjejë përkrahës dhe kundërshtarë.
Ai nuk jep shumë hollësi për romanin e tij Një mbret në Shqipëri, por kujton se ndihej aq i intriguar nga mbreti i shqiptarëve sa që në moshë të re fare nisi t’u dërgojë letra bibliotekave të ndryshme nëpër botë për të mësuar diçka më shumë për monarkun shqiptar. Pastaj do t’i bashkëngjitet një shoqate miqësie dhe do të bëjë një udhëtim një javor në Shqipëri, nga i cili ruan kujtime të veçantë, të cilat miku dhe përkthyesi i tij D. Kokonozi i ka bërë të njohura në shtypin dhe blogosferën shqiptare.
Ajo që kupton duke kaluar nëpër kapitujt e këtij romani tërheqës, i cili rrëfehet nga një oficer i ri i perandorisë Austro-Hungareze, Kurt Jozef Otkesi, është se edhe pse autori ka shmangur të shtrijë një mbret në divanin e psikanalistit dhe ta lërë të rrëfejë gjithçka që në kushte normale njerëzit ia fshehin deri dhe vetes, ai megjithatë zhytet thellë si në psikologjinë e monarkut shqiptarë si edhe të njerëzve dhe mjedisit ku ai vepron. Edhe njohësit më të mirë të jetës së A. Zogut, do të mbesin të çuditur për dritën që hedh në anët e tij të panjohura ose pak të njohura, për rindërtimin me nivel të lartë artistik të skenave që në faqet e historisë kalojnë më një rresht të vetëm ose fare në heshtje, të karaktereve brilantë që krijon.
Që në faqet e para lexuesi e ndjen se duhet të harrojë ngjyrat me të cilat e kanë ndërtuar portretin e tij kundërshtarët apo përkrahësit dhe përpara nesh nis e i shfaqet një njeri tjetër, një personazh te cilit ia kemi vështruar konturet vetëm në lidhje me rolin e tij në histori, pa vrarë mendjen shumë të kuptojmë se ai ka edhe një jetë të tijën, ka një nënë që nuk do t’ia dijë shumë për mbretin, por i gatuan vetë të birit për ta ruajtur nga helmimi, ka një personalitet të papërsëritshëm, por edhe një maskë që detyrohet ta vërë për të tjerët, ka një vetëdije të mprehtë të rolit të vet, një vështrim personal për botën dhe ambicie të forta për të mos i lënë gjërat ashtu siç janë, ka synime për të shenjur kohën me personalitetin e tij...
Do të qe ëndrra e shumë monarkëve që dikush të ulej e të shkruante një roman për jetën e tyre. E megjithatë, nuk janë të shumtë ata që e kanë patur një fat të tillë. Po qe se si kriter në këtë mes do të shërbente roli i tyre në ngjarjet botërore të shekullit që jetuan, Ahmet Zogu mbase nuk do të shpresonte shumë për një gjë të tillë. Për shumë arsye as ai dhe as vendi i tij nuk mund të ndikonte në Evropën e turbulluar të kohës. Por me sa duket ka diçka tjetër që e shtyn një autor drejt një ndërmarrjeje të tillë artistike, diçka që qëndron midis misterit dhe tërheqjes së parezistueshme që ushtron personaliteti tyre kontradiktor, nga mënyra se si iu imponuan kohës së tyre.
Këtu duhet kërkuar edhe fillesa e romanit Një mbret në Shqipëri që shtëpia botuese Uegen ia ka paraqitur lexuesit shqiptar këto ditë. Por ky pasion i veçantë nuk e ka penguar autorin e tij J.L. Tourenne që ta vështrojë heroin e tij të ngërthyer në kontradiktat midis të kaluarës së vendit dhe projekteve të tij për të ardhmen, midis zgjidhjeve demokratike dhe atyre autoritare. Autori nuk mungon të jetë kritik ndaj tij, por edhe t’i njohë përpjekjet dhe vështirësitë e pazakonshme në mesin e të cilave do të duhej të bënte edhe zgjidhje dramatike. Ai kuptoi mirë nevojat imediate të vendit të tij, problemet e jashtëzakonshme që shtroheshin për të zgjidhur, këmbënguli të kthejë vështrimin nga Perëndimi, por e pikasi me vonesë nga do të vinte e keqja.
Për shumë arsye, këndvështrimi i autorit mund t’i pëlqejë një pjese,skundër mund të ndeshë edhe në kundërshtarë, por ai nuk do të lërë askënd indiferent.
Në faqet e fundit të këtij libri lexuesi e ka të vështirë të besojë se autori nuk ka jetuar gjatë në Shqipëri, aq befasuese janë karakteret dhe rrethanat e vizatuara prej tij. Është e vërtetë, siç thamë, se ai ka qëndruar vetëm një javë në vendin tonë, diku në mesin e viteve ’80, por kjo nuk e ka penguar atë të na japë një vepër që lexohet me pasion e interes deri në rreshtin e fundit.
Comments
Të kishte qenë trim e i fisëm

Të kishte qenë trim e i fisëm nuk do të ishte arratisur mbreti. Shumë po lodheni ta rehabilitoni por prapë nuk ngjit.

Nuk mbulohet dielli me shoshë.

Perse ky shkrim ketu?

Perse ky shkrim ketu?

Letersi ,kaq i vecante eshte ky autor,roman i madh,stil modern,...??

Apo politike ,ne vazhden e rehabilitimit te Zogut, ne fushate e siper?

Apo, mos o zot, Muçi eshte bere legalist...

Kot fare...

Anonim, nuk mund te

Anonim, nuk mund te politizohet çdo gje. Nuk çan kryet francezi te rehabilitoje njeri, por ka gjera te tjera qe kane vlere me shume. Te pakten origjinalitetin tone nuk na e mohon kush, me sa duket.

Tani ka ardhur nje brez qe

Tani ka ardhur nje brez qe kujton se romani eshte artikull gazete, pak me i gjate dhe flasin per rehabilitim.

Cdo ky shkrim ketu, pyet

Cdo ky shkrim ketu, pyet njeri duke lene te kuptoje se respublika eshte e gerxhove te vjeter qe duam te sjllim kohen e Dulles, ku gjithe qene te detyruar te mendonin njelloj. Gabohet, Respublika me eshte dukur nje hapsire opinonesh nga me te ndryshmet. Dhe eshte kultura ajo qe do te na sjelle mende e kohes dhe jo politika e çakejve qe na cane kryet nate e dite. Pra, Muçi, sa me shume KULTURE!

shiko une nuk iu drejtova

shiko une nuk iu drejtova legalisteve, te cilet tashme jane nje atavizem politik, por Respublikes per te kuptuar

se per cfare arsye ky roman meriton te vecohet e te zere vend publik . Rralle ndodh , me duket se kurre qe nje roman i huaj te promovohet ketu. Por me sa duket s'ka pergjigje pervec ketyre komentuesve , interesi i vetem kulturor i te cileve eshte politika..

Add new comment