Meqë ra fjala te CV-të
Kryeministri Edi Rama u tall sot me disa kandidatë të opozitës për CV-të që ata vetë kanë publikuar, duke argumentuar se njëri prej tyre shënon si aftësi përdorimin e Internet Explorer ndërsa një tjetër ka marrë diplomë te Universiteti Kristal. Kjo është një rrëfejë thellësisht e njëanshme e situatës. Rama bën mirë të shohë edhe CV-të e kandidatëve të vet në mënyrë që panorama që i jepet opinionit publik mbi kandidatët/deputetët apo ministrat të jetë e plotë.
Nga ta nisim?
Për shembull mund të vërejmë se ndërsa kandidati i PD për Vlorën Deromemaj ka diplomë bachelor te Universiteti Kristal, ministrja e Arsimit në qeverinë Rama ka diplomë master te Universiteti Ufo.
Pastaj kemi kandidatin e PS për bashkinë Krujë Artur Bushi, i cili deklaron se është diplomuar në drejtësi (universiteti mungon) në vitin 2010, pikërisht në vitin kur policia italiane e arrestoi si të dyshuar për trafik droge. Ose të shohim CV-në e kandidatit Artur Bardhi. Edhe ai ka mbaruar studimet në drejtësi në vitin 2009, pa thënë se në cilin universitet. Ose mund të shohim CV-në më të shkurtër të këtyre zgjedhjeve, atë të Floriana Kokës, e cila do të duhet të qeverisë mbi 20 mijë qytetarë. Dhe kur vjen puna te aftësitë kompjuterike, kandidati i Ramës për bashkinë Librazhd, Kastriot Gurra, shkruan në CV-në e tij nën titullin: Aftësi kompjuterike dhe kompetenca, të dhënat e mëposhtme “Paketa Microsoft office, internet. Exxel, Power Point .etj”.
CV-të e kandidatëve këto zgjedhje janë të larmishme. Ato tregojnë shumë më tepër se sa thjesht aftësitë kompjuterike dhe arsimimit apo mosarsimimit të tyre.
Elementi kryesor i kandidatëve të këtyre zgjedhjeve më ngjan se është vënia në dukje e figurave që krerët e partive si Rama dhe Basha i vënë shqiptarëve për të votuar. Më pak kandidatë, më shumë mundësi për të dalluar njërin nga tjetri. Dhe ajo që dallohet nga të gjitha llojet e kandidatëve është numri i lartë i kandidatëve me të shkuar të dyfishtë biznes privat plus punësim në shtet, ku në rastet e punësimit, dallojnë punë në agjenci ligjzbatuese si Aluizni, dogana, policia tatimore, policia ndërtimore dhe ajo e rendit. Kandidatë të tillë i ke në të gjithë Shqipërinë.
Duket se punonjësit e agjencive ligjzbatuese, të cilat janë përdorur shpesh nga zyrtarët e 25 viteve të fundit si organizata shvatjeje dhe shantazhi ndaj qytetarëve, kanë më shumë shanse për karrierë politike se sa profesionet e tjera. Këto poste punësh njihen në popull si vende ku priten para.
Ndokush ka të drejtë të pyesë se si ndodh që ky apo ai biznesmen është i interesuar njëkohësisht të drejtojë biznesin e vet dhe të drejtojë bashkinë. Për çfarë arsyeje këta “biznesmenë” nuk zgjedhin të jenë vetëm biznesmenë dhe të kontribuojnë te komunitetet e tyre duke bërë punë vullnetare në vend që të jenë zyrtarë shteti? Përgjigjja, gjithmonë spekulative, mund të jetë te fakti që në Shqipëri, për fat të keq, politika është i vetmi biznes që krijon shumë para. Dhe ky është një biznes i pistë, pavarësisht nëse di apo jo të përdorësh Internet Explorer.
"BIRN"
Add new comment