Mbi manipulimin me “idenë e së mirës”
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/5622_tufa-agron-210x300.jpg?itok=n5bD-zW6)
Mund të përcaktosh dhe tashmë e kanë përcaktuar gjenezën intelektuale të dy prej ideologjemave që kanë përshkuar në këtë shekull pjesën më të madhe të njerëzimit. Megjithatë, ende na kanoset rreziku, a thua se në to, prapëseprapë, paskan gjalluar dofarë idesh të thella e të mëdha, prej të cilave edhe sot të ketë mbetur ndonjë grimcë e vlefshme. Është fjala për komunizmin dhe nazizmin. Praktika tragjike e tyre na la një përvojë të padenjë për respekt. Ata nuk meritojnë më (pavarësisht përpjekjeve për të na i rikthyer) asnjë rehabilitim. Është e papranueshme gjithaq edhe demagogjia e fisnikërimit të tyre, pasi secili në llojin e vet ka falsifikuar dhe manipuluar me idenë e së Mirës. Marksizëm-leninizmi e shiste veten si trashëgimtar të traditës me zanafillë Heraklitin dhe Demokritin. Ai e nxjerr prejardhjen e vet nga Lukreci, epoka e Iluminizmit, Hegeli dhe gjithë zhvillimi i shkencës së Pozitivizmit. Ndryshe me nazizmin, që pretendon, sidoqoftë, të mos e ketë dhe aq vulgare gjenezën, duke e konstruktuar atë në zanafillë, me tragjedinë greke, Herderin, Novalisin, Hegelin e interpretuar ndryshe, Niçen dhe, ta pret mendja, e bazonte të drejtën e tij me zhvillimet e shkencave që nga koha e Darvinit. Ky është një iluzion, i cili sjell një rrezik shtesë: komprometimin e të gjithë emrave që ata përmendin. Do të rrezikonim nëse do të fajësonim Hegelin dhe çdo filozof apo shkencëtar tjetër nga sa përmendëm, për faktin se na kanë lënë të tillë pasardhës. Megjithatë, janë pikërisht këto manipulime dhe falsifikime, më saktë, monopolizime mbi idenë e së Mirës-shkaku tragjik që ka përcaktuar fatin e veprës së shumë shkrimtarëve e mendimtarëve, të cilëve u ra të krijojnë brenda këtyre dy sistemeve politike. Ne kemi përvojën tonë shqiptare, e cila duhet përcaktuar si “e turpshme dhe tragjike”, produkti pesëdhjetëvjeçar i së cilës, kur e sheh të shpërndarë nga bukinistët trotuareve apo brigjeve të Lanës, të trishton jo më pak se muranat e ngritura ndanë rrugëve automobilistike, në përkujtim të të aksidentuarit. Në të dyja rastet, asociacioni të shpie në atmosferën e përzishme, mortore. Në sisteme të tilla vlerash, kjo atmosferë ishte e pashmangshme. Gjendja shpirtërore e aktivistit të Partisë dallon për nga besnikëria fanatike ndaj sistemit. Direktiva “nga lart” rindërton të gjitha polet e mendjes dhe perceptimit gjer në periferi. Si rezultat, gjuha shndërrohet, metamorfozon: ajo nuk i shërben më komunikimit, përshkrimit apo sqarimit, por krijimit të lidhjes ndërmjet sistemit dhe realitetit. Kësaj gjuhe i përket një rol magjik: t’ia nënshtrojë realitetin botëkuptimit. Kjo është një “gjuhë liturgjike” dhe çdo formulim i saj shenjon përkatësinë e folësit ndaj sistemit, kërkon nga bashkëbiseduesi që edhe ai të jetë i përfshirë në të. Fjalët e tij më me rëndësi janë kanosja dhe simbolet e pushtetit. Kjo më së shumti i shkon për shtat “traditës” së sistemit komunist, që në vendin tonë edhe sot e kësaj dite e ndiejnë veten si peshku në ujë (mjafton t’u hedhësh një sy gazetave dhe liderëve të spektrit politik ose fakturës së ligjërimit gjuhësor të politikanëve). Nën pushtetin e ideologjisë është e pamundur të mbetesh i mençur apo mendjekthjellët. Nazizmi ka tunduar e më pas kompromentuar disa mendimtarë të mëdhenj: Hajdegeri apo Karl Shmiti etj., janë, megjithatë, raste specifike. Ata më së shumti projektuan te nazizmi idetë e tyre dhe për nazizmin vetë këto ide ishin të huaja: antimodernizmi i thellë, antidemokratizmi i thellë, nacionalizmi, kthimi në metafizikë, të gjitha këto nazizmi sikur i përvetësoi, por i përvetësoi me atë rezervë, për çka ato përbënin vlerë idesh në jetën intelektuale të filozofëve: me rezervën e mendimit, thellësisë, metafizikës. Këta filozofë ranë pre e iluzionit të gjenezës. Sidoqoftë, marksizëm-leninizmi nuk ia doli t’i qorrollepsë disa nga mendimtarët e mëdhenj të dorës së dytë, si p.sh., Llukaçin, Brehtin, Aragonin, anipse edhe këta nuk vonuan ta humbnin talentin e tyre sapo ngjëruan çorbën komuniste. Partitë komuniste kanë mundur të lavdërohen me zell kapadaiu e karagjozi me figura shkrimtarësh të mëdhenj në radhët e tyre: me Aragonin, Bretonin, Elyarin, Gorkin, Majakovskin, Pikason, Lanxhevenin, Nerudën, Hikmetin, porse kujdeseshin gjithnjë që t’i mbanin ata të shtëmëngur, anash, duke u lënë vetëm mundësinë e përfshirjes me raste, sipas gjendjes shpirtërore, sipas leverdisë, sipas rrethanave. Sidoqoftë, pa marrë parasysh karakterin sipërfaqësor të partishmërisë së tyre, dhe piktura e Pikasos (shih. “Lufta në Kore”), dhe poezia e Nerudës, Hikmetit, Majakovskit dhe Aragonit, veçse kanë humbur e degraduar nga kjo gjë. Për realitetin shqiptar mund të thuhet, si për çdo realitet tjetër komunist, se edhe shkrimtarët tanë, madje me dëme më katastrofale, patën të njëjtin fat, anipse çdocilit sot, nga gjithë krijimtaria në prozë e poezi, mund t’u nxjerrësh me rafinerim nga një libërth-fletorkë në përkujtim të grimëçastit kur Shkrimtari hapi gojën të flasë, porse s’arriti të nxjerrë veçse një gogësimë të zgjatur. Natyrisht, çështja e sasisë është e diskutueshme dhe përjashtime bëjnë një, dy, tek e shumta tre shkrimtarë. ë diskutime të ndryshme është naivitet e pikëllim njëherësh të shohësh se si fryhen si kaposhë shumë nga shkrimtarët tanë kur thonë se “të gjithë shkrimtarët e mëdhenj kanë qenë të majtë”. Unë them se mendimtarët e mëdhenj dhe shkrimtarët e talentuar përcaktohen nga karakteri dhe niveli i neverisë që kanë prej çdo përcaktimi ideologjik. Arti mund të mbijetojë vetëm se estetikisht, qoftë dhe brenda regjistrave të provokimit. Mendimtarët e mëdhenj përmbyllen në sisteme ideologjike vetëm përsa i përket rrjedhës së rastësishme të pasioneve, natyra e të cilëve gjendet jashtë ideologjisë. Por, duke iu avitur bërthamës së saj, pasionet ftohen dhe shpesh mbeten vetëm precipitate derdimenomanie. E, meqë jemi te precipitatet, a mundet vallë, në kulturën tonë të të gjitha sferave, të ngjitet kjo tipologji deri te brezi i “Pepsi-Cola”-s? Sa herë mundohem t’u shpjegoj studentëve të mi logjikën e gjërave që përbënin ankthin e përditshmërisë komuniste para viteve 1990, ndesh një sforcim për ta rrokur me mend vështirësinë e tyre. Dhe e di se kurrë s’ka për të ndodhur përjetimi as i një historie të vetme, as i të gjitha historive që përbëjnë sfondin psikologjik kolektiv të kësaj epoke. Ata nuk mund ta rrokin me mend aktivitetin psikik dhe pulsimin e ankthit të njeriut në diktaturë, gjendjen e tij të përhershme të të qenit “i arrestuar” në këtë botë, njëlloj siç ndodh me personazhet e Franc Kafkës, prandaj brezat e rinj priren ose t’i totalizojnë skematikisht gjërat në bardhë e zi, ose të jenë krejt indiferentë ndaj realeve që nuk i kanë prekur dhe ndier në lëkurën e tyre. E shumta, ata që s’e kanë përjetuar epokën e diktaturës dhe mekanizmat e funksionimit të saj, e shohin atë si një roman jo shumë tërheqës, ndërsa mua, si një tip që po u rrëfen sagën kronikale të një sëmundjeje, të një lëngate të gjatë, e cila dikë e mori e dikë, falë Zotit, e la për të dëshmuar, me gjysmë goje, të fiksuar, të zymtë e konfuz. Brezi “Pepsi-Cola” është një qytetërim radikalisht i ndryshëm; jeton në koordinata radikalisht të ndryshme kohore, sociale dhe metafizike. Dhe janë këta breza formacioni i recipientit të ri, që kurrën e kurrës nuk do të marrë fare mundimin t’i përjetojë, t’i marrë seriozisht, pa le më të vrasë mendjen për socrealistët. A është mirë kjo? Edhe mirë, edhe keq. Gjithsesi, e keqja e tyre, pra mosinteresimi për ekzistencën e socrealizmit, ka përsëri një të mirë të madhe. Thjesht ata s’do të kenë punë fare me komprometimin e kujtesës. E di se do të më kundërshtojnë. Sepse nuk është çështje erudicioni, formimi, refleksioni a ku di unë. Është çështje vetëdijeje tjetër, ndjeshmërie të re. Dhe pamundësia ka të bëjë me faktin që vetëdija nuk ndryshohet si “Njeriu i ri”. Ajo nuk është më një fëmijë që mund të birësohet. Socrealizmi është i jeratisun prej Zotit më të pamëshirë, Zotit të Historisë, të linçohet me harrimin më përjashtues nga brezi më i ri që po vjen, generation “Pepsi-Cola”. Në asnjë epokë kulturore s’gjen një përjashtim kaq kategorik sa ky.
"Panorama"
Add new comment