Makth!

Postuar në 13 Tetor, 2012 03:45
Bilal Kola

Ankth, dhimbje, trishtim! Ashtu i përhumbur mendja më rri tek të burgosurit politikë shqiptarë, të gjakosur nga diktatura komuniste për 50 vjet dhe të poshtëruar nga demokratura pluraliste për 22 vjet, që prej tre javësh janë në grevë urie në kërkim të së drejtave që iu njihen me ligj por thjesht nuk zbatohen se ka maliq…. I kam parë dhe kam biseduar thuajse përditë me ta…. Kam parë edhe ndonjë moment se si janë përmallur me fëmijët e të tyre të mitur …. Di plot për vuajtet e tyre…. Ata janë personifikimi i njeriut që padrejtësia i ka lënduar trupin por forcuar karakterin….

Historia ka provuar se pseudo-demokracitë, demokraturat, gjysëm-tiranitë dhe të gjitha sistemet hibride (për lehtësi përkufizimi “palo sistemet”) të cilat emërues të përbashkët kanë një element – fasadën e ligjit ose ligjin fasadë, kur i kundërvihen kërkesave legjitime të shtetasve të tyre, llogarinë eventuale natyrshëm nuk e bëjnë me forcën e arsyes për drejtësi sociale dhe kohezion shoqëror por me “arsyen” e forcës qe buron nga ligji fasadë që pjell padrejtësi dhe përcarje shoqërore.

Historia gjithashtu ka provuar se palo sistemet, në antagonizëm permanent me kërkesat për drejtësi nga grupe të ndryshme shoqërore, duke përdorur “arsyen” e forcës që buron nga ligji fasade ndoshta kanë fituar po aq beteja sa edhe kanë humbur …, por në afatgjatë palo sistemet kanë humbur gjithmonë luftën. Palo sistemet kanë humbur luftën se e vetmja llogore që ato (dinë të) luftojnë është lufta kundër qënies fizike të individit, bash kundër mishit të “armikut” duke harruar se nga ajo llogore ato kurrsesi nuk mund të mposhtin “frymën” për drejtësi qoftë edhe të një individi të vetëm e aq më pak të një grupi shoqëror.       

Duke provokuar së fundmi edhe bastisjen e ujit nga “greva e vdekjes” së një grupi shqiptarësh, të cilët janë bij shqiptarësh, prindër shqiptarësh, të afërm shqiptarësh, miq shqiptarësh… por gjithsesi të etiketuar parreshturi nga qeveria shqiptare si “kundërshtarë politikë”, për pasojë të “papërfillshëm dhe të padenjë” për t’i dëgjuar e për të negociuar me ta, palo sistemi e dha goditjen tij fundore bash ndaj mishit të tyre…. Por një shprehje thotë: Ҫfarë nuk të vret të bën më të fortë! Fryma e tyre për drejtësi nuk u vra nga diktatura më gjakatare në Europë dhe nuk ka si të vritet nga një palo sistem.

Zhurma e fishekzjarreve (jo sirenat e ambulancave të padëgjueshme që transportojne trupat e vetëdjegur të Gjergjit dhe Lirakut) më ç’tulasin…. Në një kanal televiziv spikerja e parlamentit rrezaton lumturi, në një tjetër kanal kryeministri valvit krenar një farë blloku te zi. Ҫ’ka ndodhur vallë?! Paskemi marrë statusin! Nëse ky lajm fantastik është i vërtetë atëherë sigurisht që të burgosurit politikë që u martirizuan për kauzën e lirisë nuk mund të jenë në grevë urie! Ata tashmë janë të integruar…. Ne kurrsesi nuk mund të kemi një palo sistem. Ne kemi një qeveri që respekton demokracinë dhe shtetin e së drejtës e cila vetëm kontigjentin e të burgosurve politikë që u martirizuan për këtë kauzë nuk mund t’i ketë kundërshtarë…. Ҫ’fat, paska qenë i gjithi një makth!    

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.