Mëshira është Diskriminim

Këtë javë zhvillohet në Tiranë Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut. Nëse ka një eveniment që duhet të promovohet gjerësisht dhe për të cilin duhet të inkurajohet pjesëmarrja është pikërisht ky. Diskriminimi i minoriteteve në vend është kaq i përhapur sa dhe të paktët intelektualë të pavaruar janë të verbër apo të pa-interesuar ndaj përdorimit të këtyre minoriteteve thjesht si objekte skene për të vënë në pah virtytet e munguara të politikanëve. Këto dy fenomene – diskriminimi i minoriteteve, sidomos atij rom, si dhe përdorimi i tyre si top futbolli për interesa personale nga politikanë të ndryshëm – kanë kaluar pa shumë kritika nga media në vend. Por le t'i kthehemi më konkretisht aktit të fundit të bamirësisë së ministrit Veliaj – por jo të parit të këtij lloji – dhe të shohim nëpërmjet një analize të shkurtër se çfarë nënkupton kjo sjellje e tij për vetë atë, për politikën në vend, si dhe shoqërinë në përgjithësi.
Për ata që nuk e kanë parë – urime, duhet te keni qenë në ndonjë vend të këndshëm, pa televizor, internet apo gazetë, pasi ndryshe s'kishit si ta evitonit – Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ndihmoi (u fotografua) në datën 18 shtator me një fëmijë rom. Në fakt, një ndër aktet e para të ministrit të ri ishte të vizitonte familjet e shpërngulura rome. Gjatë kësaj vizite, nje grua u ankua për fëmijën e saj të vogël të aksidentuar pak ditë më parë dhe të cilit i ishte mohuar shërbimi mjekësor. I revoltuar dhe i prekur, ministri premton se do të kthehet dhe do të ndihmojë fëmijën në fjalë. Dy ditë më vonë, ai e mbajti premtimin. Dhe, siç shkruan Gazeta Tema, "jo pak njerëz janë shtangur sot në oborrin e Spitalit Ushtarak, kur nga makina e ministrit… u shfaq një djalë i vogël rom." Jo vetëm: por në krahët e ministrit! Patjetër që kjo është një pamje jo-tipike. Javët e fundit sapo ishim mësuar me "vaditjen" e familjeve rome nga kryebashkiaku Basha në parkun e sheshit përpara bashkisë. Relativisht, kjo sjellje – me të cilën pa dyshim që zoti Veliaj donte të linte të kuptohej se sa ndryshe do të jetë qeveria e re ku çdo shqiptar do të trajtohet si i barabartë – duket një përmirësim i ndjeshëm nga qeveria e kaluar apo ajo e Tiranës. Ndërkohë që disa gazeta të ashtu-quajtura të pavarura (në shërbim të opozitës) nuk kanë interes mbi këtë temë, disa të tjera të ashtu-quajtura të pavarura (në mbështetje të “rilindjes”) kanë lavdëruar në një mënyrë apo tjetër këtë akt, si dhe kanë botuar foto të prekshme nga momentet kyçe kur ministri jo vetëm që e merr fëmijen në krah, por qendron pranë mjekut duke vëzhguar me interes grafitë e fëmijës.
Do të kisha dashur që ky përshkrim i thjeshtë i fakteve të situatës të mos kishte nevojë për asnjë analizë të mëtejshme, pasi akti diskriminues, reklamues dhe plotësisht hipokrit dhe në interesin e vetë ministrit duhej të ishte tepër transparent. Fatkeqësisht, mënyra se si kjo çështje është paraqitur nëpër media – apo se si këta artikuj dhe foto janë shpërndarë nëpër rrjetet sociale duke marrë jo pak "pëlqime" – tregon se sa e nevojshme është ta shohim me vëmendje këtë situatë e cila jo vetëm që çnjerëzon komunitetin rom duke e kthyer në mëshirë dicka që duhet ta kishin të drejtë të tyren (shërbimin mjekësor) por na çnjerëzon edhe ne që jo vetëm nuk e shohim menjëherë si të tillë, por duartrokasim këtë vetë-reklamim të zotit Veliaj.
Në një film të Hollivudit, "Një kohë për të vrarë", një vajzë e vogël zezake perdhunohet barbarisht nga tre djem të bardhë. Pasi ata lihen te lirë nga gjykata – dukshëm për arsye plotësisht raciste – babai i vajzës i vret të tre. Duke ditur që edhe në gjyqin ndaj të atit gjykata ishte po aq e prirur për të gjykuar në bazë race, avokati mbrojtës i kërkon juristëve të mbyllin sytë dhe të imagjinojnë skenën e përdhunimit të vajzës: nga momenti kur ajo del nga autobuzi i shkollës me libra në duar, deri në atë të perdhunimit disa orësh dhe torturave të tjera për qëllime argëtimi. Edhe pse këto skena duhej të ishin mëse të mjaftueshme për të tundur në thelb çdo person, avokati e ndjen të nevojshme të shtojë: "tani imagjinoni sikur ajo vajzë të ishte e bardhë." Dhe kjo ndryshon gjithcka në sytë e jurisë. Nuk është aspak ekzagjerim të themi se kur bëhet fjalë për diskutime race në Shqipëri është e domosdoshme të imagjinojmë viktimën e mundshme si të ishte "i/e bardhë" në mënyrë që të krijohet simpati apo të kuptohet drejtë diskriminimi ndaj tyre.
Imagjinojmë tani sikur ky fëmijë rom të ishte “i bardhë”. Imagjinojmë sikur ministri takon një nënë e cila ankohet se mjekët nuk kishin pranuar të mjekonin fëmijën e saj të aksidentuar. Imagjinojmë sikur ai premton se do të vijë vetë ta ndihmojë këtë fëmijë; ndërkohë, le të qendrojë me dhembje edhe disa ditë në mënyrë që të jetë pikërisht ministri-hero ai që merr lëvdatat për këtë gjest heroik. Ministri e ka axhendën e mbushur (apo s'kishte mjaftueshëm kameramanë dhe gazetarë në atë moment? Një diçka tjetër që na duhet t'ia lëmë imagjinatës.) Imagjinojmë sikur në vend që të kërkojë të shqyrtohet se kush janë këta mjekë që kanë refuzuar trajtimin e fëmijës, në vend që të bëjë të qartë se këta persona do të ndiqen penalisht, ai e përdor këtë si një mundësi reklame për zemërgjerësinë dhe parimet e tij (të mos harrojmë: ai ka firmosur kodin e ri të etikës.)
Imagjinojmë sikur ky fëmijë të ishte “i bardhë” dhe ministri, duke marrë këtë fëmijë në krahë dhe duke përqendruar vëmendjen tek bamirësia e tij dhe jo tek ndjekja penale e këtij krimi, legjitimon kështu sjelljen dhe diskriminimin që mjekët treguan ndaj fëmijës dhe familjes së tij. Imagjinojmë sikur ky fëmijë të ishte “i bardhë” dhe ta dinim me siguri se diskriminime të tilla do të vazhdonin edhe më pas, pasi ministri e ka axhendën e zënë dhe s'mund te marrë të gjithë fëmijët në nevojë në krahë në makinën e tij lluksoze, duke ia bërë të qartë atij, familjes dhe të gjithë ne të tjerëve se ato çfarë ata meritojnë me ligj, u jepen falë bamirësisë së tij. Kjo mëshirë është – pa pikë dyshimi – diskriminim. Do ta kishim duartrokitur, sikur ky fëmijë të ishte “i bardhë”? Apo do kishim pritur që ai të bënte detyrën e vetë si ministër dhe të kërkonte dënimin e merituar ndaj thyerjes së ligjit? Do kishim kritikuar egoizmin e tij, apo do na ishte dukur njësoj heroizëm përdorimi i njerëzve të pambrojtur?
Këto janë pyetje të rëndësishme për të gjithë ne, pasi edhe pse ministri Veliaj e ka metodë këtë ndihmë simbolike dhe shfrytëzimin e njërezve për axhendën e tij personale – e bëri këtë edhe gjatë fushatës me fëmijët jetimë në Gjirokastër – ai është thjesht një përfaqësues i denjë i një shoqërie të padenjë ku ky lloj diskriminimi bën të mundur që një akt kaq banal të shihet si një heroizëm i vërtetë. Ashtu si gjithë politikanët, zoti Veliaj është një shitës imazhi dhe fakti që ky imazh konsumohet kaq lehtë ka të bëjë me faktin se ai është i kërkuar: se jemi, si shoqëri, bashkëfajtorë për faktin që një fëmijë mjekohet me vonesë, pasi nuk na pëlqen të merremi me disa shtresa të shoqërisë dhe se, kur shtyhemi ta bejmë këtë, preferojmë ta bëjmë në mënyrë të bujshme. Në këtë mënyrë nuk kemi dyshime se sa të moralshëm jemi dhe ndihma e një fëmije të vetëm rom na heq përgjegjësinë ndaj mijëra të tjerëve të cilët i diskriminojmë rregullisht.
Të jemi të qartë – si dhe të paraprij një kritikë të pritshme – nuk është se qeveria e mëparshme u soll më mirë në këtë pikë. Përkundrazi. Edhe sot, kryebashkiaku Basha nuk ka asnjë interes ndaj situatës kritike të komunitetit rom, biles është shkak i gjendjes së shumë prej tyre. Ai ka qenë mjaft transparent mbi këtë dhe s’presim më tepër (sado e papranueshme). Ajo çfarë është më problematike me sjelljen e zotit Veliaj është se si përfaqësues i së majtës, ai duhej të ishte realisht i interesuar për të ndryshuar situatën me ligj. Por deri tani ai ka zgjedhur lavdinë personale mbi mundësinë për të adresuar situatën dhe për të ndjekur penalisht diskriminimin.
Këto akte simbolike drejtësie që maskojnë një etje personale nuk kufizohen vetëm me të, fatkeqësisht. Që në ditët e para të qeverisë së re (por në fakt që në javët përpara zgjedhjeve, me videon vetë-lavdëruese të zotit Rama) kjo politikë e rilindjes është mbushur me gjeste simbolike dhe me zero substance: me mburrje mbi pallatet e pikturuar nga kryebashkiaku Rama si simbol i arritjeve dhe shenjë e aftësisë së tij, edhe pse ai shkatërroi urbanistikën duke lejuar ndërtime pa leje; me një firmosje të kodit të etikës kundër nepotizmit, ndërkohë që vendoset Ilir Meta si kryetar parlamenti; me ministra të rinj, me imazh te kuruar pseudo-kozmopolitan dhe prezencë konstante nëpër rrjetet sociale, ndërkohë që nuk e kanë idenë se si do përmbushin qoftë edhe një pjesë të vogël të premtimeve të fushatës…
Të gjitha këto janë të ditura: distanca midis akteve, imazheve dhe qëllimit real të politikanëve është tepër e largët. Ajo që është më tronditëse në bamirësinë e Erion Veliajt krahasuar me gjithë këto hipokrizira me të cilat hasemi çdo ditë është se përdorimi i një fëmije si reklamë nuk është vetëm një gjest personal i ulët – sic janë shembujt e mësipërm – pasi suksesi i këtij akti vjen si rezultat i pranimit të diskriminimit dhe shfrytëzimit të komunitetit rom nga shoqëria në përgjithësi. Kështu që ta shijojmë Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Një Zot e di se sa na duhet.
Comments
E nderuar zonje autore, Me

E nderuar zonje autore,

Me duket se jeni treguar e ashper mbi masen e duhur dhe llogjike ne shkrimin tuaj. Madje shkrimi juaj eshte aq i gjate sa ne gjithe ate kohe qe keni shpenzuar duke e shkruar do kishiut bere ju dicka te mire per romet. Te them te drejten jemi velur boll nga penat uber-kritike qe vine nga ndonje karrige e rehatshme me tenure nga pertej oqeanit. Shpresoj te mos jete rasti juaj. Duke pranuar qendrimin tuaj mbi mbi-mediatizimin e gjestit ndaj femijes rom me duhet te them qe ky fakt nuk e zhben dhe nuk e shumezon me zero vete gjestin. Sikur dhe vetem per mesazh ai gjest ishte nje mesazh i mire, qofte dhe per ata pak veta qe kane lene menjane cinizmin allafrenga, qofte dhe per disa mjeke qe mbase ju sherben si kujtese. Pervec kesaj paragjykoni ne menyre te cuditshme e krejt te parakohshme qe Veliaj do ta leri punen te ky gjest dhe nuk do ndermari zgjidhje ligjore apo strukturore afatgjata. E ku e dini ju? Behet fjale per dike qe ska mbushur dy jave ne pune. Ne nje pune ku Kosta dhe xhahilet e tjere paraardhes nuk jane kujtuar qofte dhe njehere te bejne qofte dhe nje gjest mediatik, nje gjest qe gjithsesi ndihmoi nje femije. Ju lutem te mos kontribuoni ne betejen e mohimit te vlerave pasi pak kane ngelur ne kete vend, Duke i uruar dhe une nga zemra sa me shume shikues festivalit, ju uroj pune te mbare. Me respekt.

E dashur Silvana! Eshte akt

E dashur Silvana! Eshte akt me makaber vuajerizmi intelektual i diskriminimit dhe fatkeqsise te njerezve neper bote ne instanca si "Festivali Nderkombetar i te Drejtave te Njeriut". Ju befte mire nihilizmi ...

Titulli me dha nje

Titulli me dha nje pershtypje me te mire se sa shkrimi, pasi vertete qe meshira me duket nje "lubrifikant" i keq ne shoqeri. Tema e konceptit shtetformues, ne lidhje me rrolet e individit apo institucionit, me duken mjaft te rendesishme. Ajo qe me eshte dukur si nje nga difektet me demprurese te administrates Berisha ka qene pikerisht koncepti se punet i zgjidh drejteperdrejt "i madhi", apo qe po nuk njohe njeri, nuk mbaron pune, etj; pra funksionet i visheshin parametrave te pushtetmbajtesit, dhe nuk mendohej se sherbimi ofrohet prej strukturave...shteti duhet te jete anonim!

Nga shkrimi me teper pashe nje fokusim vetem tek nje detaj, edhe ky i pare vetem ne njeren nga kendveshtrimet qe ka zgjedhur subjektivisht autorja (kendveshtrime ka shume). Eshte e vertete qe per shume njerez qe i kuptojne marrdheniet e drejta/detyrimi, dhe konceptin institucional, ky xhest nuk linte ndonje shije per tu admiruar, por edhe mesazhet (duke pare situaten e komunikimit ku jemi katandisur) nuk mungonin.

Paragjykimi ishte i dukshem; pershkruhej puna e administrimit Rama vetem si nje ngjyrosje, nderkohe qe ajo qe terhoqi opinionin kryeqytetas, e qe e ktheu kete personazh ne njeriun me te votuar (me vota qe tejkalonin forcat politike qe e mbeshtesnin) per 10 vjet, ishin me teper se kaq (duhen permendur edhe risite institucionale ne Bashki). Lidhja Rama-ndertimet pa leje, qe behet ne shkrim, eshte krejt e kundert me realitetin. Keto pasaktesi me teper e dobesojne forcen e mesazhit qe do te percjelle shkrimi, sesa ta mbeshtesin ate. Megjithate eshte nje perpjekje e vlefshme per nje problematike te prekshme; do ishte me e frytshme per shoqerine qe te diskutohet me optimizem (sidomos ne fazat e fillimit te puneve) e pa paragjykim te ndjeshem.

p.s. ironia qe veren anonimi, per situaten e "Festivalit Nderkombetar te te Drejtave te Njeriut", eshte ngacmuese.

meshira: koncept religoz

meshira: koncept religoz kristian qe ka zvogeluar vuajtjen njerezore gjate shekujve dhe ka ngulitur ne shpirtin e njeriut ndjenjen e drejtesise.

diskriminimi: koncept i marksismit modern (majtizmit) qe lehteson avancimin e karrieres te shume profesoreve ne te gjitha universitetet e USA si edhe pasurimin e shpejte te shume aktivisteve pjese te ORGANIZATAVE JO FITIMPRURESE pa ndryshuar realisht gjendjen e personave ne nevoje ( termi ne anglisht oppressed)

romet : nje komuniet njerezish te talentuar qe nuk i kane bezdisur kurre te tjeret dhe qe ja kane dale te mbijetojne per mijera vjet pa pasur kurre nevojen e ndonje nderhyrje te specializuar shteterore.

Tirana eshte qendra e mos

Tirana eshte qendra e mos respektimit te te drejtave te njeriut.

Add new comment