Mëngët e Arvizusë

Postuar në 24 Qershor, 2013 02:24
Alqi Koçiko

 

“Dua ta shoh me sytë e mi katrahurën”, thotë plaku Parondil, alias Kadri Roshi, në filmin “Gjeneral gramafoni”. Katrahura shqiptare ka kohë që po gatuhet, dhe ndryshe nga filmi, do ishte “luks” sikur të plaste vetëm në Kuçovë. Do ishte arritje e madhe, nga ana tjetër, sikur të mos plaste asgjëkundi. Por për të mirë e për të keq, një trupë e madhe vëzhguesish të huaj e vendas, përfshirë ambasadorë e përfaqësues diplomatikë nga vende e organizata që interesohen për Shqipërinë, janë gati ta shohin me sytë e tyre, ta ndjekin e të mbajnë shënime për procesin zgjedhor shqiptar. Ja shifrat: Veç tetë mijë vëzhguesve nga organizatat shqiptare, janë akredituar 564 vëzhgues të huaj, pjesa më e madhe nga OSBE-ODIHR, ata të delegacionit të BE-së, dhe tërheqin sidomos vëmendjen, 68 vëzhguesit afatshkurtër amerikanë, të kryesuar nga ambasadori Arvizu dhe zëvendësi i tij Zhardin. Nëse do të kërkonim një “Kuçovë” në këto zgjedhje, ajo do të ishte qarku i Fierit, ku zgjedhjet dhe numërimi do të ndiqen me interes të posaçëm.  

Zoti Arvizu la të kuptohet se edhe këtë herë do të përveshë mëngët, njësoj si në zgjedhjet lokale të Tiranës dy vite më parë. Por shumë ujëra kanë rrjedhur që atëherë. Mund të thuhet se 8 maji 2011 ishte momenti i mbarimit të mjaltit në kavanozin e marrëdhënieve të tij me kryeministrin Berisha. Sot kemi një ambasador amerikan që na kujton paraardhësin e tij Xhon Uidhërs në qëndrimet dhe sinjalet kritike ndaj kryeministrit. Por kemi gjithashtu një raport Qeveri shqiptare-SHBA, jo më bardhezi si në pjesën e parë të drejtimit të këtij vendi nga Berisha.

Nëse kreu i Partisë Demokratike ka nxjerrë një mësim nga periudha qeverisëse 1992-97, ai është: “Asnjëherë mos i prish urat me Amerikën”. Dhe Amerika e sotme ka shumë ngjyra, që Berisha i ka zbuluar, duhet thënë jo pa sukses. Është SHBA-ja e departamentit të Shtetit, por është edhe ajo e kompanive të fuqishme lobuese, e mandej edhe e lobistëve ish qeveritarë, si Donald Ramsfeld, të cilët pasi largohen nga posti administrativ, i hyjnë biznesit, marketingut politik dhe konsulencave në sajë të kontakteve dhe ndikimit që kanë akumuluar. Dhe vijnë të vizitojnë rastësisht Tiranën pak para ditës së zgjedhjeve, për t’u mrekulluar me transformimin e hatashëm të vendit të vogël ballkanik. Janë mandej, edhe disa vendime taktike që kryeministrat e vendeve të vogla mike e kanë të sigurtë se do t’u sjellin veç duartrokitje e lëvdata nga Uashingtoni, si pranimi i disa muxhahedinëve iranianë në territorin tonë.

Padyshim që ambasadori Aleksandër Arvizu i ka të qarta të gjitha këto. Ashtu siç e ka të qartë se çfarë ndodh realisht në vendin ku ka ardhur si diplomat i lartë, në të gjitha fushat, politikë, ekonomi, të drejtat e njeriut, drejtësi etj. Nuk është e rastësishme që për zgjedhjet shqiptare, është angazhuar staf amerikan nga të gjitha ambasadat fqinje me ne; Mali i Zi, Kosovë e Maqedoni.  E po ashtu, që zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Riker, bëri thirrje që klasa politike dhe partitë kryesore të bëjnë kujdes me procesin e numërimit. Një demokraci ku ende gjen jehonë deklarata cinike e Stalinit, “le të votojë kush të dojë, rëndësi ka kush numëron”, nuk mund ta meritojë këtë emër. Dhe se ç’ide ka SHBA-ja zyrtare për ecurinë e Shqipërisë, mjafton raporti i freskët i DASH-it ku theksohet se lufta ndaj trafikimit të qenieve njerëzore është e mangët. Domethënëse është po ashtu mungesa e ambasadores gjermane Holtkemper, në inaugurimin e një nënstacioni elektrik të financuar nga qeveria e saj.

Me pak fjalë, me apo pa lobingje, duket se ndërkombëtarisht pozita e kryeministrit aktual është e pakëndshme. Vëzhgimi masiv mbi këto zgjedhje e tregon shqetësimin e tyre; merakun mbi demokracinë shqiptare e tradhtojnë po ashtu thirrjet e vazhdueshme drejtuar zgjedhësve, që të dalin për të votuar; ta shfrytëzojnë ditën e votimit si një moment verdikti mbi fatin e tyre, që duhet ta vendosin vetë.

Por miqtë e jashtëm, simpatizues ose jo të ndonjë kahu politik, por me një zë sa i përket dëshirës për ta parë këtë popull të përparojë, nuk mund të bëjnë më shumë se kaq. Mëngët e përveshura të ambasadorit Arvizu afërmendsh që nuk e ndryshuan kahun që mori numërimi i bashkisë së Tiranës. Kam bindjen se do të ishte shumë më keq për ne nëse do ndikonte, pavarësisht perceptimit se nga anonte e drejta. Shprehja “ka ardhur koha që”, është shumë e vonuar; por sado vonë, duhet që votën ta hedhim, ruajmë e numërojmë vetë; qoftë ajo votë simpatie apo votë proteste. Qoftë dhe me pamjen inkurajuese të mëngëve të përveshura të zotit Arvizu.

 

Revista Klan

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.