Më në fund, një zyrtar denoncon ‘mafian në apo me pushtet’.

Drejtori i policisë së qarkut Dibër, Shemsi Prençi, ka dhënë dorëheqjen. Dy ditë më parë, ai është pezulluar nga kjo detyrë me urdhër të ministrit të brendshëm, Bujar Nishani, me motivacionin se “ka bërë luftë selektive ndaj bizneseve të kromit, dhe se ka tejkaluar kompetencat, duke u bërë pengesë në eksportimin e këtij malli made in Albania në tregjet e huaja”. Frazën në thonjëza e kam marrë nga raportimi i djeshëm në versionin online të shqiptares.com, ku lihej të kuptohej se ka pasur ankesa e protesta nga njerëz që merren me biznesin e kromit, dhe se ministri i ndodhur sandwich mes këtyre protestave të njerëzve me ndikim e pará nga njëra anë dhe vartësit të tij nga ana tjetër, ka zgjedhur të mbajë anën e të parëve dhe të pezullojë të dytin.
Shemsi Prençi ka dalë dje në një konferencë për shtypin, dhe ka dhënë versionin e vet të ngjarjes. Nuk ka dhënë detaje, por ka lënë të kuptohen dy gjëra: 1. Ai di shumë gjëra; dhe 2. Askush nuk i është bërë krah në betejën që ai po bën me “mafian e kromit”, që ai herë pas here i quan “shpellat e mafias”. Saktësisht ai tha se “nuk gjeta mbështetjen në shtet; denoncimi im ka rënë në vesh të shurdhër; është koha që qytetarët të dëgjojnë; [duhet] ta harrojnë se duke më kërcënuar me bukën e gojës apo me jetën unë do të hesht; do denoncoj në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në publik, pasi [këto] nuk [duket se] janë të lidhura me shpellat e mafias; do luftoj dhëmbë për dhëmbë me mafian e shpellave të Bulqizës që i ka rrënjët në Tiranë; nuk do të hesht më.” Dhe me shprehjen e fundit (“nuk do të hesht më”), lë të kuptohet se ka kohë që di e që sheh gjëra.
Është nga të paktat raste, ku një zyrtar i lartë i administratës së qeverisë Berisha distancohet haptazi nga praktika të paligjshme, korruptive e mafioze, që ndodhin e bëhen para hundës së të gjithëve. Duhet ta marrim Shemsi Prençin si modelin e zyrtarit me integritet moral, e si modelin e policit që po bën një denoncim bazuar në një shqetësim të vetin gjenuin përballë grupeve të korruptuara me pushtet, apo të lidhura me pushtetin? Personalisht, nuk kam ide. Prençi si personazh, ashtu si shumë zyrtarë e policë të tjerë që mbulojnë poste të rëndësishme, nuk është shumë i ndriçuar nga mass-media. Nuk dihet ndonjë gjë e madhe. Për saktësi raportimi, mund të themi se ai u bë i gjallë pak ditë para zgjedhjeve të fundit lokale, kur nga pozitat e kreut të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë denoncoi zv.ministrin Avenir Peka, atë kohë ministër de facto (pasi ministri Basha i ish futur garës për kreun e bashkisë së Tiranës), se i kish dhënë urdhër “të shtypte një tubim të opozitës në Bathore”, ku ish verifikuar një lloj tensioni mes palëve, dhe se më pas, pas refuzimit që i kish bërë këtij urdhëri, kish marrë të shara, fyerje e kërcënime me jetën nga ana e Pekës. Çështja u mbyll shpejt e shpejt, dhe Prençi një ditë prej ditësh e pa veten të emëruar si drejtor të policisë në qarkun Dibër, ku ishte deri para dy ditësh.
Ripërsëris pyetjen: Duhet të besojmë në motivimin e mirë të Prençit në këtë denoncim? E ripërsëris për të thënë se nuk është përgjigja e kësaj pyetjeje që më intereson (njerëz që e njohin më mirë mund t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje). Më intereson fakti që një zyrtar merr guximin të denoncojë ‘mafian në apo me pushtet’, apo thënë në përgjithësi, lidhjen e shkurtër korruptive mes bizneseve që punojnë në shpërfillje të ligjeve e rregullave dhe strukturave të pushtetit apo shtetit. Është një gjë që ndodh shumë rrallë këtyre anëve, ku njerëzit nuk e kanë bërë të udhës të ngrejnë zërin kundër atyre që cënojnë të mirën publike apo dhunojnë ligjet e shtetit, për sa kohë që nuk është dëmtuar interesi i tyre i ngushtë. Njerëzit e administratës publike shqiptare, pothuaj që të gjithë, kanë treguar gjithë këto kohë, por sidomos vitet e fundit, se vendi i punës që kanë, tok me të mirat legale e ilegale që prodhon, është ku e ku më i rëndësishëm se sa interesi më sublime publik apo nacional.
Po marr një rrethanë që më duket shumë ilustruese. E kam fjalën për procesin e negocjimit të marrëveshjes së përcaktimit të kufirit detar mes Shqipërisë e Greqisë. Si qëndron realisht çështja? Është e vërtetë pra që kjo marrëveshje i shkon pas volles interesave të Greqisë, dhe është krejt në dëm të interesave të Shqipërisë? Që të fitoj pak besueshëmri në arsyetimet që po bëj, e në përfundimet ku do të arrij, po heq dorë nga bindja që kam e po mbetem tek një version minimal, ose thënë ndryshe, tek një vëzhgim me pahir ‘objektiv’: “Ajo marrëveshje ishte shumë e diskutueshme”. Dhe në këto rrethana, kur qeveria shqiptare po hartonte pra një marrëveshje që ha diskutim të bën përtshtypje, madje të lë pa gojë, fakti që asnjë prej shqiptarëve të administratës sonë të përfshirë në një mënyrë a në një tjetër në hartimin, përgatitjen e negocjimin e kësaj marrëveshjeje nuk i bëri publike ca dyshime të vetat. Duhet të kenë qenë të paktën mbi 100 shqiptarë të paguar nga buxheti i shtetit, nëpunës, ekspertë, diplomatë, drejtorë, sekretarë, këshilltarë, zv.ministra, ministra të ministrive e dikastereve të ndryshme (në kryeministri, ministrinë e mbrojtjes, ministrinë e jashtme, etj), që e kanë ndjekur në vijimësi këtë çështje, që e kanë diskutuar e shqyrtuar mes tyre, dhe të vjen të plasësh që asnjë syresh nuk u ndie deri në fund, kur Gjykata Kushtetuese i tha ‘stop’ marrëveshjes (sikur të mos ishin 5-6 anëtarë të GJK-së, vendi i punës të të cilëve është i mbrojtur dhe i blinduar në mënyrë kushtetuese, ajo marrëveshje do ish tani një fakt i kryer).
Si është e mundur që të gjithë këta njerëz kanë jetuar fare pa të keq me një dyshim të tillë (vini re: po flas gjithë kohën për dyshime; e jo për bindje)? Si është e mundur që thjesht e vetëm për një rrogë e për një palo status që u vjen prej të qënit zyrtar i administratës publike t’mos i kenë dhënë zë këtij dyshimi mbi shitjen e interesave kombëtare? Qofshin ata që janë! Por kjo është Shqipëria. Të njëjtën gjë mund të thoshim dhe për 21 janarin. Janë me dhjetra vetë që e dinë atë që ka ndodhur, që e dinë se kush ka urdhëruar të qëllohet me armë mbi protestuesit, që dinë gjithçka që ka ndodhur atë ditë, dhe është skandaloz fakti që asnjë prej tyre nuk guxon të bëjë një denoncim. Apo të distancohet nga banda e vrasësve, duke u thënë “ju kam bërë naftën mú në rrogën që më jepni!”
Në këtë kontekst pra të bën përshtypje sa të duash që më në fund del një zyrtar i lartë i shtetit, në këtë rrethanë një drejtor policie, dhe thotë: “Unë denoncoj mafien me dhe në pushtet”. Kjo është një ngjarje e rëndësishme. Shumë e rëndësishme.
Shqip
Comments
Eshte nje klike, eshte nje

Eshte nje klike, eshte nje bande dhe nuk ka te beje fare me institucione shteterore, eshte nje infrastrukture mafioze. Eshte nje ndertese qe shkelqen nga muskujt e fryre tullumbace. eshte nje fasade dhe vetem nje fasade, dhe brenda saj jane burracaket qe qelben si nje kadaver dhe mustafa Nano i ve pasqyren perpara ketyre burracakeve dhe, i jep mundesine te shohin deformimin e tyre spurdhjake dhe i ben apel ndergjegjes se tyre. I ben qe te degjojne britma e voltaxhe ngacmimesh nga erresira e shpirtit te tyre. Nenpunesi shqiptar eshte nje nenpunes i frikesuar dhe i marre peng ne emer te solidaritetit e besnikerise pa kushte te klikes/bandes ku nuk ka kurajo civile per asgje.

Opozita duhet ta mbeshtese

Opozita duhet ta mbeshtese moralisht kete ze te shkeputur, por kurajoz!

Premci doli dje dhe mbajti

Premci doli dje dhe mbajti nje deklarate te dobet politike. Nje nga ato deklarata qe ndoshta ne nje dite me diell do te refuzonte per ti bere dhe Taulant Balla. A degjoi kush ndonje fakt apo te dhene konkrete ? Ndonje emer ? Ndonje indicie konkrete qe jep shkas per investigim apo hetim ?? Asgje pervec disa fyerjeve dhe nje hartimi te dobet qe Shemsi Premcit i ishte vene perpara ta lexonte.

Nese do qe ta marrim seriozisht ai duhet te jape fakte dhe prova, perndryshe na ngel te besojme se ai nuk eshte vecse nje i papune, qe u kujtua pas 8 vjetesh qe i sherben krimit, vetem kur e pushuan nga puna me sh gjasa sepse ishte kapur prej tij.

Thashetheme: Shemsi Prenci do

Thashetheme: Shemsi Prenci do te kaloje me partine 'Topi'...

Njerezit nuk dalin te

Njerezit nuk dalin te denoncojne sepse e dine se me cfare mafie kane te bejne. Nuk flitet vetem per nje rroge, po te vrasin fare nqs ngre koken. Ta bejne si aksidenti me Kosta Trebicken. Sidomos kur je nje peshk i vogel e nuk te vlereson askush.

Duhet te jesh pak hero ta besh kete gje qe thote M. Nano e te mos kesh familje se mund t'i lesh rruges. Jo cdo kush eshte hero

Nuk eshte fjala vetem per

Nuk eshte fjala vetem per denoncimet dhe as vetem per heronjte. Ketu njerezit kane frike te pipetijne dhe nuk kane kurajo te mbrojne as te drejtat e tyre.

Nje fije shprese ... nga

Nje fije shprese ... nga vrima e zeze Shqiperi ku po humb cdo vlere morale dhe njerezore. Ky njeri duhet mbrojtur dhe Prokuroria e Pergjithshme ka per detyre tani te filloje hetimet ne baze te deklaratave qe ai ka bere... por cfare te presesh nga sistemi? Jam pesimiste. Sistemi eshte i kalbur. Te gjithe kane frike. Nuk e kuptojne se te heshtesh sot, do te thote vdekje e sigurt neser.

Add new comment