Lufta e civilëve

U rikthyem, më në fund, në gjendjen tonë natyrale post-zgjedhore: Mazhoranca dhe opozita, edhe një herë rezultojnë në kurs përplasjeje të plotë me të gjitha kriteret e plotësuara sipas zakonit: Bojkotim të seancave parlamentare, ashpërsim i gjuhës dhe akuzave dhe profetizime të mjegullta për “ngjarje të paparashikueshme”. Arsyeja e sherrit është shtyrja e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil nga qeveria Rama, dhe zbërthimi i kësaj arsyeje është i thjeshtë: nëse ligji hynte normalisht në fuqi, në administratë do të mbeteshin punonjësit aktualë me këtë status, që në shumicë janë të punësuar nga Partia Demokratike nëpërmjet “konkursit”. Opozita akuzon se Rama-Meta duan të fitojnë kohë që të bëjnë “konkurset” e tyre për punonjësit e vet, e vetëm pastaj ta miratojnë ligjin. Deri këtu, të gjithë shqiptarët, përfshirë dhe vetë nëpunësit e kandidatët për të tillë, e kanë të qartë se si ka funksionuar kjo histori: Në rradhë të parë punësohen militantët, të njohurit, miqtë dhe ata që paguajnë; dhe nuk ka paketim ligjor që ta fshehë këtë të vërtetë, e as diplomë universitetesh që të mbulojë formimin profesional të shumë prej rekrutëve. Acarimi i PD-së shumëfishohet për një tjetër motiv: Sepse këtë herë kundërshtarët i kanë votat e duhura për të miratuar gjithçka pa nevojën e votave të opozitës në Kuvend. Prandaj dhe leksiku politik i kryetarit të PD-së Basha dhe aq më shumë kryetarit real të PD-së Berisha, është pasuruar me armë të ftohta e të nxehta, apo me gjeste artesh marciale: Thika, grushta, ngulje etj.
Nga pikëpamje e bazës elektorale, ka një logjikë të fortë në luftën që ka hapur PD-ja. Goditja që kjo parti mori në zgjedhje ishte spektakolare, dhe më e pakta që mund të bëjë selia blu, është të shpallë mbrojtjen e nëpunësve të dëmtuar të administratës, pra të mbështetësve të vet. Ta mpiksë edhe një herë bazën e vet, që shembujt kanë treguar se për pragmatizëm s’e kanë për gjë të ndërrojnë kah; një deputet republikan dhe një kryetar fanatik bashkie në periferi të kryeqytetit, janë shembuj të mjaftueshëm për këtë. Por paralelisht me këtë betejë që dikur do zbehet, e cila gjithashtu mëton t’i tregojë Brukselit se përse qeveria Rama nuk e meriton dafinën e “fitores” së statusit të vendit kandidat, opozita po përgatit një terren tjetër, atë ku mazhoranca dhe krejt vendi rrezikojnë të rrëshqasin vërtet. Dhe rrezikshëm.
Kjo betejë është ekonomia dhe financat. Kryeministri deklaroi publikisht se arka e shtetit është bosh, ndërsa ish qeveritarët e djathtë akuzojnë se i kanë lënë financat shëndoshë si molla, dhe se Rama po përgatitet për të vjedhur. Të bindur se shqiptarët e kanë kujtesën dhjetëminutëshe si të peshkut, demokratët s’mbajnë mend se që në janarin e kaluar nuk paguanin dot rrogat e administratës (ajo për të cilën sot derdhin lot) dhe morën borxh pas borxhi. Se morën para nga Banka qëndrore përmes tre ankandeve të sforcuara të bonove të thesarit para zgjedhjeve; se shitën hidrocentrale funksionale e fitimprurëse për pesë kacidhe; se u mbetën katërqind milionë euro borxh kompanive private të infrastrukturës; e në themel të të gjitha këtyre, se ndryshuan ligjin e tavanit të borxhit në raport me GDP-në, pati nuk mbante më ujë pilafi.
Nëse Rama ka ardhur ose jo në pushtet për të vjedhur, ne këtë nuk e dimë. Por profecitë e Berishës për Papandrej me shokë, kanë realisht një bazë vërtetësie, edhe pse ish kryeministri nuk e thotë përrallën deri në fund. Berisha nuk thotë se çfarë ekonomie trashëgoi Papandreu nga Karamanliu, ama është e vërtetë se faji i mbeti atij, për çka u ndëshkua politikisht dhe moralisht. Ky është dhe rreziku i vërtetë jo më për fatin personal të Ramës, por për vendin dhe gjithë nëpunësit e të papunët e tij civilë, privatë e publikë. Sot që po flasim, ka disa gjeste të kryeministrit, për të cilat shumëkush mund të rrudhë buzët: Ca emërime në poste kyçe ekonomike bien erë, pavarësisht se puna e të emëruarve mund t’i përgënjeshtrojë skeptikët; apo tjetra, unë nuk besoj se Toni Bler po vjen të na këshillojë veresie; apo se krejt rinovimet e kryeministrisë po bëhen falas e të tjera si këto.
Por basti i madh i Ramës (dhe në të kundërt, ëndrra e Berishës) është shmangia e “Papandreut” dhe realizimi asaj që vetë Bler tha pardje: “Do të doja shumë ta shihja këtë vend si pjesë e merituar e vendeve të familjes europiane”. Dhe falë këtyre zgjedhjeve parlamentare, rrethanat e sollën që Ramën mos ta bllokojnë dot numrat e opozitës; vetëm ai mund ta bllokojë vetveten.
revista KLAN
Comments
po ka nje dnryshim te madh me
<p>po ka nje dnryshim te madh me Greqine dhe ne kete pike demokratet thone te verteten: ekonomia eshte akoma ne kembe vetem duhet gjetur menyra per te rindezur motorret. qeveria nuk duket se ka shume ide ne kete pike. serish politikat fiskale mbeten instrumenti kryesor.</p><p>duhet gjetur menyra per te financuar ekonomine dhe kete mund ta beje mire vetem bursa.</p>
Add new comment