Luftë eufemizmash dhe njerëz të drobitur

Postuar në 04 Maj, 2013 04:59
Ben Andoni

Ka disa ditë që artikullshkrues të ndryshëm për të treguar qasjen, miqësinë apo urrejtjen me kryetarin socialist, po përdorin në kuptime të ndryshme një lloj eufemizmi të ri: shkulje veshi. Për shumicën syresh, kjo tregon supremacinë ‘e plotë’ të z. Rama. Ndërkohë, pala që e përkrah pjesën demokrate, më saktë, pjesa pas z. Berisha, për të mos rënë poshtë, shtoi një eufemizëm tjetër, ka dalë nga binarët, marrë nga një periodik austriak.

Të dyja ato, më shumë se fakteve që përqasin, duket se i shkojnë shumë realiteteve të vendit, tashmë futur në vështirësi të pamata ekonomike.

Në një vend ku pjesa më e madhe e popullsisë janë të papunë, një masë e madhe e fëmijëve kanë probleme përshtatjeje me shkollën (shumë syresh nuk dinë fare as të lexojnë), e për të mos rreshtuar shqetësimet e tjera të pafundme të mbijetesës, eufemizmat shpesh ‘i largojnë’ krejt ato që rëndojnë mbi njerëzit. Dhe, sapo ngrihet një kazus, militantët (hera-herës veshur edhe me petka intelektualësh), rreshtojnë eufemizmin e radhës, për t’i futur të gjithë çështjet vetëm në hullitë e shefave të mëdhenj të vendit. Kështu, shqiptari i thjeshtë s’ka vend. Adam Michnik, ndoshta mund t’iu vinte në ndihmë këtyre fatkeqëve të lartpërmendur, kur shkroi fjalët: “Bëhu me të dobëtit, për aq kohë sa janë të dobët. Ruaj distancë me ta në momentin që do të ndihen aq të fortë sa t’u diktojnë të tjerëve arsyet e veta”.

Shumëkush që ka ndjekur aktivitetin e partive gjatë këtyre ditëve ka parë qartë se artikulimet për varfërinë skajore, fëmijët, jetimët, mjedisin,  problemet sociale, ku është e zhytur e gjithë shoqëria, mungojnë krejt apo janë të veshura me eufemizma nga më të çuditshmet për t’iu larguar thelbit të gjërave. Berisha harron se ku e ka zhytur vendin, kurse Rama harron se shtet-drejtimi do përkushtim dhe jo retorikë. Në fund, sikur të mos mjaftojnë këto, ia plas si meteor në qiell të pastër ndonjë xhevahir alla znj. Topalli: Do ikni për lesh! Ky eufemizëm i mbyt të gjitha bashkë, që nga shpresa e njerëzve se çfarë do ndodhë me të ardhmen, i lë të mpirë fëmijët që jo rrallë herë merren me zor në aktivitete zakonisht të kryeministrit të vendit, apo ata qyqarët që ndjekin gati të detyruar retorikat e kryetarit të Opozitës.

A mund vallë dikush prej liderve të sqarojë, duke i lënë eufemizmat, çfarë do ndodhë në shtatorin e 2013, kur shteti do ketë qeverinë e re, se me çfarë buxheti do punojë, si do u paguajë borxhet firmave apo si do t’i mbajë buxhetorët dhe pensionistët, paratë e rrogave të të cilëve i siguron sot me borxhet?- siç shprehej një funksionare e Bankës së Shqipërisë.  A mund vallë të thotë kush nga liderët sot se cili do gjykojë drejtësinë në këtë vend, ku gjyqtarët vinë nga shkolla e komunizmit, me Cv të frikshme dhe me përvoja të shëmtuara? A mund të bëhet gjë për monopolet, që e kanë zënë për fyti Shqipërinë dhe për të cilat politika e dy krahëve hesht? Një vargan pyetjesh mbeten pa përgjigje, sepse në vend të këtyre fluturojnë eufemizmat e dy kampeve dhe servilëve mizëri. Sorrat, të gjithë po bëhen shqiponja, sipas një eufemizmi tjetër. Ndaj, njerëzit rrinë të heshtur e vështrojnë edhe pse e dinë se stomaku i tyre dhe i fëmijëve të tyre nuk do mbushet kurrë me premtimet boshe të kësaj fushate. Ky model, që po na afrohet, duket një model pa krye. Ose ky modeli shqiptar, sipas Stringës, një pedagogu të Fakultetit Ekonomik, tregon se edhe mospasja jonë model është një model në vetvete. Më poshtë e sqaron kështu: “Ne duhet të mësohemi se një program i mirë elektoral duhet t’i përgjigjet katër pyetjeve kryesore. Ç’do të bëhet për katër vite? Cilat janë projektet e propozuara për të realizuar premtimet? Cila është kostoja e çdo projekti? Ku do të gjenden paratë për të mbuluar kostot e tyre? Cilat janë kostot dhe përfitimet nga realizimi i programit?” Të gjithë pra, flasin për pyetjen e parë, por aspak për të tjerat. Me dy liderët e vendit, që respektivisht nuk kanë as edhe formimin bazik ekonomik dhe as atë politik, rrethuar me një arradhë të tërë yesman-ësh që i shoqërojnë, problemi shqiptar duket vërtetë i vështirë edhe pas 2013. Ka ndonjë zë të mekur te PD-ja, si ndodhi me Mark Markun që iu kundërvu grupit të vet parlamentar për emërimet e fundit të Nishanit, apo ka ndonjë zë vetmitar brenda PS-së, si Arben Malaj që ngre pak tonin ndaj Ramës, por ndalen sakaq, pasi përndryshe: je i flakur. Në këtë vazhdë, ajo që mbetet është zëri nihilist i një pjese tashmë jo të vogël, që nuk u beson më gënjeshtrave. Por, edhe këtu ia beh eufemizmi i radhës i politikanëve: Zbukurojmë që ta kalojmë. Ndryshimi do sakrificë. Kalimi, sipas tyre, do të thotë që të shikosh ‘qetazi’ sesi vendi po shkon në katastrofë: me bizneset që po pataksen prej uljes të likuiditetit, importeve gjithnjë në rënie, të ardhurave nga tatimet gjithmonë e më poshtë, me rritjen vetëm të shpenzimeve qeveritare dhe kredive të zeza në sistemin bankar. Kjo e bën qeverinë që pa iu dridhur syri, siç thonë rëndom me një tjetër eufemizëm njerëzit e PD-së (pjesa më e madhe të rregulluar me privilegje), ta derdhin presionin për rritje të borxhit publik. Që nëse ata e quajnë mjet për të zbutur efektet e krizës apo stimuluar ekonominë, për ne të tjerët është barrë reale që do e paguajmë të gjithë me breza të tërë. Jashtë kësaj fushate dhe të tjerave paskëtaj.

Dhe, në këto ditë maji, kur njerëzit mund të shikonin sindikatat që t’i shkallmonin nga vendi punëdhënësit dhe aktorët e tjerë, shqiptarët të shastisur ia kalojnë me fanfara dhe në pikniqe hareje. Po me sa duket, e tillë është shoqëria jonë, vend ku i ashtuquajturi punëmarrës dhe ai punëdhënës e shtyjnë duke pushuar dhe pirë! E tek e fundit çfarë të duhet, mund të thotë një cinik! Kriteret e marrjes në punë kanë qenë dhe mbështeten te nepotizmi. Pasi, askush nuk e kap dot për veshi Ramën dhe Berishën. E qeveria e sotme dhe ajo që mbase do vijë e ndryshuar, nuk munden t’i bëjnë dot më gjë të keqes, që e mban fytazi Shqipërinë. Të paktën, njëherë të vetme, t’i linin dhe të kalonin në eufemizmin e thjeshtë që të dilnin pak nga binarët e hamendësisë.

“Mos mendo asnjëherë se zotëron gjithë të vërtetën, i thoshte i ati Michnik-ut, intelektualit të njohur polak; përherë përpiqu të shohësh botën me sytë e kundërshtarit, ulu në karrigen e tij, shih me syzet e tij, mbath këpucët e tij...”.Në këtë rast, kundërshtari i këtyre politikanëve mbetet shqiptari i thjeshtë: Uluni dhe shikoni njëherë se ku i keni katandisur njerëzit dhe do të shikoni qartë imazhin eufemik të bishës në pasqyrën përballë vetes.

GSH

Comments

Submitted by anon (not verified) on

Kam parasysh Don Kishotin e Mances dhe Sanco Pancon dhe udhetimin e tyre raskapites, dhe me cyti analiza e mesiperme per t'i betre nje pyetje vetes;

Ne kete aventure kush lodhet me shume, ai qe eshte i kaleruar apo ai si kembesor ?!

Kush e ka fuqine per te mposhtu mullinjte e eres i kaleruarai apo kembesori ?!

E pse duhet ti barazojme ne nje beteje te pritshme kur dhe parzmoret e mjetet e luftes nuk i kane te barabarta i kaleruarai me kembesorin ?!

Atehere, shqiptarit te thjeshte i bie qe te vendose per te zbritur te kaleruarin e te hip ne kal kembesorin, qe e pakta e te paktave ta provoje si Don, sepse Don Kishotin e provuam tete vjet dhe nga betejat e tij fitimtare kemi zene vendin e pare ne bote, ndaj me mire te jemi krahas me komshinjte nen drejtim e Sances.

Kjo nuk eshte e keqja me e madhe apo me e vogel, por kjo eshte zgjedhja mes dy personave qe kane guximin e trimerine per tu ndeshur ne nje beteje mullinjsh ere kur nuk fryn aspak ere.

Nevojitet te hyjme ne binare demokratike se nga binaret kemi dale sepse nuk kemi binare te shtruar per te udhetuar, por vetem bla-bla deri ne zenith.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.