Lavdi zgjedhjeve

Lavdi e pasosur zgjedhjeve që na mbajnë gjalle shpirtin e na largojnë vëmendjen nga 1001 halle të përditshme! (halle me 2 l!)
Rrofshin komisionet zgjedhore komunale rajonale katundare, malësore e qytetare e mbi të gjitha ato partiake!
Rroftë KryeKomisioni KryeQendror i Zgjedhjeve me në krye Kryetaren e saj të radhës syshqiponjë!
Rrofshin numuronjësit e votave përfshirë shumëzuesit dhe zhdukësit e votave që na mbrojnë pastërtinë e votës tradicionale të Lokeve e të Xhixhove, të Mixhave, Dajave e Karadajave që nga koha e Nuhut mbi curr e deri në stërnipërit e stërmbesat e papërlyer që kalërojnë selitë partiake!
Rrofshin minoritetet natyrore dhe artificiale gjuhësore dhe epshore - gozhdë e çmuar Nastradini ku ka mbatur varur përjetësisht demokracia shqiptare në rrugën që na e ndriçon llamba e dynjase ! (SOS - si shkruhet fjala DEMOKRACI – me ç të qelsit apo me q të çenit?)
Rrofshin minipartitë dhe gjithë sektet e ndërsektet fetare – tregues i dashurisë e respektit për vetveten e deri aty ku e vendosim ne vetë kufirin pa çarë kokën për të tjerët!
Rrofshin gjithë partitë e mëdha dhe koalicionet e tyreme gjithë ngarkesën kundërvishtëse të tyre!
Rrofshin renegatët e kryemoralshëm të partive pa dallim morali!
Rroftë tritoli, mjelli ibardhë, bari i të varfërve, kallashi dhe gjithë ata që i menaxhojnë në ndihmë të demokracisë të detyruar (përsëri harrova - si shkruhet fjala DEMOKRACI – me ç të qelsit apo me q të çenit?)
Rrofshin kërcënimet tradicionale për mosnjohjen e zgjedhjeve – gur themeli i katrahurës qeverisëse
Rrofshin thasët e miellit, tufat e pareve, ujësjellesit, asfaltimet, tenderat, konçesionet dhe gjithë përurimet parazgjedhore!
Rrofshin drekat e darkat parazgjedhore dhe mbaszgjedhore që janë simboli i qëndresës dhe i vazhdimësisë kreshnike të popullit tonë pa bisht!
Rrofshin ndërmjetësit (kodoshët) ndërpartiakë, ndërlagjorë, ndërfisnorë e ndërbiznesorë!
Lavdi e përjeteshme zgjedhjeve demokratike, rakitike burim shprese për t'ardhmen e ndritur të popullit tonë krenar nën hijen dronore të shqiponjes me dy krena që zoti ja shtoftë krenat sa t'i dojë koqja e qejfit!
Hossanà - hossanà o zgjedhje - viagra e pashterëshme e popullit shqipfolës rrethepërqark Shqipërisë xhuxhe me tri pëllëmbë shtat e shtatë pëllëmbë vise shqipfolëse të bashkuar fort si zinxhir rëre!
Ah o zgjedhje shqipëtare - ndonse jam i mërguar - afshi juaj këndellës – sa for shpirtin ma ka kapluar!
Kur daullet zgjedhore me sharje e kulturë arrijnë këtu në mua, harroj se jam në Avropë e vij në viset e tua..
..Ku mitingohet dynjaja, ku gërvishten soj soj parrulla, ku asnjë s’jep llogari, ku nuk ngopemi me prralla!
Add new comment