Kushtetuta, nevoja për ndryshim
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1721_kushtetuta-infocip.jpg?itok=5zfz-HjY)
Në varësi të aktualitetit dhe krizave kushtetuese të momentit, vala e debateve mbi nevojën e ndryshimeve në Kushtetutë, këto vite mund të ketë pësuar ulje ose ngritje, por ajo asnjëherë nuk është shuar. Vetë bashkëautori i ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008, kryeministri i sotëm Edi Rama, është shprehur së ato ndryshime ishin të nxituara dhe nuk duheshin bërë.
Gjithsesi, duke nisur që me këto ditë, mediatizimi i problematikave të gjyqësorit dhe nevoja urgjente për reformë të thellë në drejtësi, apo dhe konfliktet mes Presidentit dhe ekzekutivit, e kanë riaktualizuar nevojën e këtyre ndryshimeve. Aq më tepër që edhe statusi i Shqipërisë si vend kandidat i BE-së, shtron nevojën e ndryshimeve ligjore që prekin edhe kushtetutën e Republikës.
Pse duhet ndërhyrë
Ekspertët dhe njohësit e mirë të fushës, po prononcohen gjithnjë e më shumë. Le të shohim së pari një studim kompetent të Institutit për Studime Publike dhe Ligjore, kreu i të cilit, konstitucionalisti Gent Ibrahimi është i bindur se kushtetuta duhet rishikuar. Studimi në fjalë vëren disa momente në të cilat duhet ndërhyrë, dhe ndër to përfshihen edhe kompetencat e Presidentit të Republikës. Pse duhet rishikuar?
“Guri i provës për çdo kushtetutë, dhe argumenti kryesor për nevojën e ndryshimit të saj, është aftësia e kushtetutës për të gjeneruar konstitucionalizëm, thënë ndryshe: Që rregullat themelore për mënyrën e ushtrimit të pushtetit shtetëror, si dhe garancitë kushtetuese për mbrojtje të efektshme të lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve duhet të jenë të funksionale, të parashikueshme dhe të qëndrueshme”, thotë Ibrahimi. Që nga hyrja në fuqi në vitin 1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është rishikuar tre herë. Në rastin e parë, në vitin 2007, u bë zgjatja e afatit të qëndrimit në detyrë për organet e zgjedhura të pushtetit vendor nga 3 në 4 vjet. Në rastin e dytë, në 2008-ën, u konsumuan ndryshimet më të rëndësishme teksa u modifikuan procedura e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, procedura e votëbesimit të qeverisë, dhe afati i qëndrimit në detyrë për Prokurorin e Përgjithshëm. Në rastin e tretë, në vitin 2012, u bë një ndërhyrje e kalibruar për të mundësuar zbutjen e regjimit të imuniteteve të funksionarëve të lartë publikë. Konkretisht, grupi i parë i ndërhyrjeve të reja duhet të lidhet me dështimin e Kushtetutës së 1998-ës për të izoluar sa dhe si duhet institucionet e pavarura nga ndikimi i shumicës politike në parlament dhe qeveri. Krizat sistematike që janë vërtetuar në raportet e parlamentit me Prokurorin e Përgjithshëm, kriza në zgjedhjen e Avokatit të Popullit, vështirësitë e përsëritura në procesin e emërimit të anëtareve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, paqartësitë në lidhje me të drejtën e parlamentit për të ushtruar kontroll përmes komisioneve hetimore dhe kufijtë e natyrshëm të kësaj veprimtarie, janë vetëm disa nga shembujt e shumtë.
Një tjetër drejtim i ndërhyrjeve amenduese justifikohet dhe përcaktohet nga paftësia e parlamentit për të ushtruar një mbikqyrje të vërtetë dhe të efekshme mbi qeverinë. Pothuaj të gjithë përdoruesit, vëzhguesit dhe analistët e sistemit tonë kushtetues, bashkohen në vlerësimin se në gjithë këto vite Kuvendi nuk ka qënë veçse një noter i veprimtarisë së qeverisë duke i mohuar kështu shoqërisë kryerjen e një funksioni jetik në demokraci, mbikqyrja parlamentare. Kësisoj, këshillohet qartësimi i kompetencave hetimore të parlamentit, forcimin e procedurave të tjera parlamentare të kontrollit, ose bi-kameralizmi, pra parlamenti dy dhomësh. Formula e parlamentit dy dhomësh në veçanti bën të mundur që dhoma e lartë e parlamentit, si rezultat i zhvillimit të zgjedhjeve në kohë të ndryshme dhe ndryshimit të pjesshëm të përbërjes së saj, tipikisht të kontrollohet nga forca politike kundërshtare me qeverinë. Për pasojë kontrolli mbi qeverinë bëhet më i natyrshëm.
Por edhe më domethënës është fakti se për shumë ekspertë, Kushtetuta e 1998-ës nuk ia ka dalë të garantojë përgjegjshmërinë e pushtetit gjyqësor. Ky konstatim, i cili rezonon në një masë të madhe edhe me perceptimin e publikut të gjerë, paracakton një tjetër drejtim të reformës kushtetuese. Një ide për ndryshim do të ishte ndryshimi i raportit të forcave në Këshillin e Lartë të Drejtësisë i cili, në të ardhmen, mund të ketë më shumë përfaqësues të zgjedhur nga Parlamenti duke kufizuar kështu vetëqeverisjen e gjyqësorit. Sipas studimit që mban firmën e Ibrahimit dhe disa konstitucionalistëve të tjerë, nuk ka mëdyshje se duhen rishikuar amendamentet që iu bënë Kushtetutës në prill 2008: Konkretisht, për ndryshimin e formulës aktuale për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në mënyrë që të bëhet i mundur roli bashkues dhe ndërmjetësues i këtij institucioni.
NATO
Vetë realitetet e krijuara si rezultat i procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe i anëtarësimit në NATO, sjellin nevojat e një ndryshimi kushtetues, për inkuadrimin automatik në rendin tonë juridik, të së drejtës së BE-së. Po kështu, përsëri në kuadër të procesit të integrimit, diktohet rishikimi i normës kushtetuese që e lidh të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur me konceptin e shtetësisë, duke parashikuar të drejtën e shtetasve të vendeve anëtare të BE-së për të marrë pjesë si zgjedhës apo kandidatë në zgjedhjet vendore siç parashikohet nga neni 22 i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Europian.
Po kështu anëtarësimi në NATO dikton rishikimin e nenit 12/3 të Kushtetutës, i cili parashikon se “asnjë forcë e huaj ushtarake nuk mund të vendoset dhe as të kalojë në territorin shqiptar, si dhe asnjë forcë ushtarake shqiptare nuk mund të dërgohet jashtë, përveçse me një ligj të miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Kjo dispozitë, e hartuar vite më parë, për situatën e sotme të anëtarësimit nuk është më aktuale dhe për më tepër bie ndesh me situatën konkrete të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Mënyra e duhur
Sado pak apo shumë të ndërhyhet në Kushtetutë, procesi i amendimit duhet të karakterizohet nga po ai solemnitet dhe nivel i përfshirjes si dhe procesi për hartimin e Kushtetutës. Fjala kyçe duhet të jetë gjithëpërfshirja: Jo vetëm e të gjithë spektrit politik brenda dhe jashtë parlamentit, por edhe atë të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit. Por ndërkaq, siç pohon ish kreu i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu në një intervistë së fundi, mazhoranca aktuale është gjendur në kushte shumë të vështira, sepse nga njëra anë duhet të bëjë reforma radikale, të thella, të ndjeshme, në të gjitha fushat e jetës, për shtetin e së drejtës, e nga ana tjetër, reforma sigurisht nuk bëhen pa reformën kushtetuese. Sipas tij, prioriteti numër 1 është paketa e ligjeve për drejtësinë, që duhet të përpunohen urgjent e të harmonizohen me njëra-tjetrën, të pastrohen nga dublimet, nga kontradiktat që kanë. “Drejtësia punon në bazë të një legjislacioni procedural, tashmë të vjetëruar, që u përket viteve ’95. Legjislacioni penal e civil janë prekur, janë amenduar, janë ndryshuar disa herë. Legjislacioni procedural është katandisur në mënyrë të tillë saqë ekzistojnë mendime të ndryshme që nuk harmonizohen me boshtin, me thelbin, me idenë që kishte Kodi fillestar. Shumë ndryshime e kanë bërë Kodin Penal aq problematik, sa është e vështirë të pranosh se Kodi Penal ekzistues është një vepër me një mentalitet të njëjtë, ligjor. Ai është cenuar shumë herë edhe nga Gjykata Kushtetuese. Pra, ka shumë fusha në drejtësi ku duhet ndërhyrë, por në mënyrë të veçantë, te ligjet që kanë të bëjnë me organizimin e funksionimin e drejtësisë”, thotë Abdiu.
Megjithatë, kryefjala dhe më e mira e mundshme do ishte që ndryshimet të kryheshin jo thjesht me pjesëmarrjen e opozitës, por edhe të gjithë palëve të interesuara. Të mos harrojmë se mospërfshirja e opozitës së kohës në procesin e hartimit dhe miratimit të Kushtetutës së 1998 ka përcaktuar qëndrimin e saj refraktar ndaj Kushtetutës në vijimësi. Një shembull pikant është lehtësia me të cilën ajo udhëhoqi (me bashkëpunimn e palës tjetër) amendimet rrënuese të Kushtetutës në 2008-ën. “Do të ishte e udhës që administrimi i marrëdhënieve me publikun gjatë gjithë procesit të diskutimeve dhe hartimit t’i besohej një aktori të jashtëm. Në vitin 1998 kjo detyrë iu besua OSBE-së dhe Organizatës së Juristëve Amerikanë. Një formulë e ngjashme mund të përdoret sërish”, thotë Ibrahimi.
Sa i takon procesit të diskutimeve dhe hartimit, është e këshillueshme që procesi të mos administrohet drejtpërdrejt nga qeveria, ndonëse asaj do t’i duhet ta mbështesë financiarisht dhe me logjistikë. Krijimi një komisioni të posaçëm parlamentar ku shumica dhe pakica parlamentare të përfaqësohen në mënyrë të barabartë mund të ishte një pikënisje e mirë. Nga ana tjetër procesi do duhet të kalojë në disa etapa duke filluar me një analizë të problematikës së krijuar në zbatimin e Kushtetutës. Më tej do duhet të identifikohen çështjet që do bëhen objekt i reformës kushtetuese. Së treti do të pasojë procesi teknik i studimit të opsioneve dhe formulimit të amendamenteve dhe së fundi procesi vendimmarrës.
Tri mënyrat
Procesi vendimmarrës për ndryshimin e Kushtetutës është i rregulluar në Kushtetutë dhe mund të zhvillohet në 3 mënyra: Mënyra e parë është një proces i pastër parlamentar ku mbështetësit e reformave sigurojnë shumicën kushtetutbërëse prej 93 votash në Kuvend dhe i votojnë amendamentet. Në këtë mënyrë u procedua për ndryshimet e vitit 2008; mënyra e dytë është votimi në Kuvend me të paktën 93 vota dhe hedhja e amendamenteve në referendum nga po ajo shumicë që i miratoi ato (amendamentet) në Kuvend; mënyra e tretë është përsëri votimi në Kuvend me të paktën 93 vota dhe hedhja e amendamenteve në referendum nga një pakicë e së paku një të pestës së 140 deputetëve (28 syresh). Opsioni i dytë ngjan më i preferueshmi sepse është në gjendje të gjenerojë konsensus maksimal dhe gjithëpërfshirje. Edhe sipas teorisë dhe praktikës kushtetuese të shteteve europiane, nëse ndryshimet kushtetuese prekin çështje vitale për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, atëherë referendumi është i nevojshëm.
Presidenti
Roli i presidentit përbën një temë kyçe në diskutimet për ndryshimet e Kushtetutës. Ky rol është ai i republikave klasike parlamentare: Pra, të një presidenti jo qeverisës. Kësisoj, duket e papërshtatshme që ai të jetë më aktiv ose dominant në procese vendimmarrëse politike, të cilat ai kurrësesi nuk mund t’i ushtrojë i vetëm (siç mund të jetë emërimi i ministrave, i ambasadorëve ose i gjyqtarëve dhe prokurorëve). Presidenti ka një pozitë delikate përballë të dy grupeve: Forcave politike, të cilave duhet t’u imponohet në interes të qytetarëve dhe shtetit të së drejtës. Ndaj amendimi i Kushtetutës mund të jetë një mundësi e mirë për të rishikuar disa nga kompetencat që Presidenti i Republikës ushtron me organe të tjera: Për shembull, qenia kryetar i KLD-së dhe gjithashtu kompetenca për të emëruar gjyqtarët, pavarësisht faktit që nuk voton në mbledhje. E njëjta kompetencë vlen dhe për emërimin e prokurorëve, ku në fakt Presidenti nuk është në krye të Këshillit të Prokurorëve. Përderisa kemi një president joqeverisës dhe një gjyqësor të pavarur, a është i nevojshëm drejtimi i KLD nga Presidenti i Republikës? Tjetër: Roli i Presidentit si komandant i Forcave të Armatosura dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit të Mbrojtjes, a është i përputhshëm me një president joqeverisës? Roli vendimtar në emërimin e ambasadorëve të shtetit shqiptar jashtë vendit, a përputhet me rolin e presidentit joqeverisës kur është qeveria ajo që përcakton politikat e brendshme dhe të jashtme të shtetit, sipas programit të saj?
Ja ç’mendojnë disa emra të njohur të jurisprudencës. Konstitucionalisti Luan Omari nënvizon zgjedhjen e Presidentit nga populli, si “pika e parë e ndryshimeve në Kushtetutë”. Kreu i Dhomës së Avokatëve Penalistë, Sajmir Vishaj, ka theksuar që Presidenti i Republikës të mos jetë kreu i KLD. “Presidenti i Republikës nuk duhet të ketë atributin për zgjedhjen dhe emërimin definitiv të gjyqtarëve. Nuk duhet të jetë as pjesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. KLD-ja duhet të jetë një organi i pavarur qoftë nga Presidenca, qoftë edhe nga Parlamenti”. Kësisoj, grupimi që ai përfaqëson kërkon që tek ndryshimet kushtetuese, të kihet parasysh “ligji i KLD, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, si dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës, që nuk mund të bëhet me 71 vota. Zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet vetëm nga një krah politik, duhet të marrë pjesë edhe shoqëria civile”.
Për juristin Sokol Hazizaj, më mirë të rikthehet Kushtetuta e 2008. “Ajo ishte Kushtetutë e saktë. Në tryezën për “Reformën në drejtësi”, u fol për ndryshimin e Kushtetutës, por nuk u tha asnjë fjalë se ku duhet të konsistojnë këto ndryshime. Kushtetuta nuk duhet të ndryshojë për të zgjidhur konfliktin mes Edi Ramës dhe Bujar Nishanit. Kështu nuk mund të bëhet asnjë ndryshim në Kushtetutë. Megjithatë, në kuadër të ndryshimit të Kushtetutës, propozoj që Gjykata e Lartë të bashkohet me Gjykatën Kushtetuese dhe të krijohet Gjykata Supreme”, u shpreh Hazizaj.
Gjithsesi, duket se debatet edhe pse po intensifikohen, mbeten ende në ajër për shkak të bojkotit parlamentar nga ana e PD-së. Ironia është se edhe në procesin e diskutimit dhe miratimit të kushtetutës së 1998-ës, mungoi PD-ja e Berishës, mesa duket nën alergjinë traumatike që i shkaktoi këtij të fundit rrëzimin i projekt-kushtetutës së tij më 1994. Kjo padyshim nuk e pengoi Berishën të përmendte Kushtetutën që vetë e injoroi, si garant të shtetit ligjor e demokracisë etj etj, kur ishte në pushtet. A do të përsëritet ngjarja e vjetër, tashme me protagonistë të rinj?
Duke vjelë të pakënaqurit...
Në të tria mënyrat e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, bie në sy shifra 93 e shumicës së nevojshme parlamentare për të iniciuar ndryshimet. Ditët e fundit po përfliten disa teori rrjedhjesh të votave të opozitës në parlament, drejt mazhorancës. Një devijim që nuk ka ndodhur pak herë, e që me siguri do të ndodhë sërish. Në rastin konkret, deputetë dhe aleatë të PD-së kanë arsye të forta për të qenë të pakënaqur me çadrën e madhe të selisë blu. Bojkoti qesharak parlamentar po merr gjithnjë e më shumë kritika; mosqenia pjesë e jetës kuvendore dhe aktivitetit ligjvënës, ka privuar deputetët edhe nga matja e pulsit real të politikës, apo nga interesimi pranë pushtetit qendror, për problemet specifike të elektoratit të tyre. Kjo ngrirje, sa më shumë vazhdon, aq më shumë përkthehet në rrezik për tkurrje të mëtejshme të vetë PD-së.
Me 84 votat aktuale të mazhorancës qeverisëse, nevojiten edhe 9 vota për të kapur shifrën 93 dhe për të iniciuar ndryshimet. Mediat nuk lënë pa përmendur negociatat e vërteta apo hipotetike të deputetëve të PDIU-së së Shpëtim Idrizit, që tashmë e ka tejkaluar rolin e opozitarit të qeverisë, pas pjesëmarrjen në hartën e re administrative të vendit. Por përveç pesë votave, flitet edhe për lodhjen e deputetit demokristian Nard Ndoka me PD-në, edhe pse sot është në Kuvend si pjesë e listës së kësaj partie për qarkun Shkodër. Si Ndoka, edhe Dashamir Shehi janë shprehur pro ndryshimeve kushtetuese. Por nuk përjashtohen ndërkohë, daljet nga rreshti të deputetëve publikisht kritikë të qëndrimeve aktuale të PD-së, si Mesila Doda. Dhe nëse mbërrihet në këtë pikë, një ose dy “dezertime” të tjera nga PD, do ta zbardhnin pazëllin e ndryshimeve kushtetuese. Gjithnjë, nëse PD nuk ndërron mendje dhe bëhet pjesë aktive e procesit.
"DITA"
Comments
Kjo eshte ne fakt teme qe ja
<p>Kjo eshte ne fakt teme qe ja vlen te komentohet me seriozitet. </p><p>Eshte problemi kryesor i Shqiperise per momentin, perqendrimi i pushtetit ne pak duar po arrin nivele te frikshme. Rama, Berisha dhe pak Meta. Vetem keta kane defacto pushtet ne Shqiperi, te tjeret nuk ekzistojne. Kushtetuta duhet te rihape tregun politik duke kufizuar mandatet dhe duke shperndare pushtet ne sa me shume duar. </p>
Add new comment