Kush i kontrollon kontrollorët?

Publikimi i përgjimeve të telefonatave të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe zyrtarëve të lartë të partisë së tij, PDK, natyrshëm ka shkaktuar reagime në klasën politike dhe në opinion. Kryesisht, vëmendja ka qenë e përqendruar te përçarjet e brendshme të PDK-së, ku zoti Thaçi apo bashkëbiseduesit e tij shprehin konsiderata jo shumë ledhatuese për kryetarin e parlamentit, Jakup Krasniqin dhe ish-ministrin Fatmir Limaj. Më shumë sesa thjesht thashetheme politike, përgjimet, në thelb, nxjerrin në pah marrëdhëniet e acaruara të Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe kryesisht EULEX-in. Ato nënvijëzojnë kompetencat e dobëta të qeverisë së Kosovës, e cila po tani përpiqet t’i ndalojë veprime të tilla me ligj. Shumëkush në Kosovë do të argumentonte se në kushtet e mungesës së një sistemi juridik funksional dhe të një korrupsioni galopant, EULEX-i është i vetmi organ që mund të mbajë në fre klasën e sotme kosovare. Sidoqoftë, përgjimet nxjerrin në pah çështje themelore të funksionimit demokratik të organeve ligjvënëse në Kosovë.
Përgjimet duket se janë kryer vitin e kaluar dhe ato mbulojnë kryesisht çështje të bisedimeve me Serbinë. Ato e bëjnë të qartë se EULEX-i është në dijeni të çdo aspekti të punës së qeverisë dhe incizimet mund të konsiderohen edhe si një presion ndaj Hashim Thaçit për të bërë më shumë lëshime në bisedimet e fundit në Bruksel me homologun e tij serb. Në këtë aspekt, pak rëndësi ka se kush i botoi ato, me rëndësi është kush urdhëroi kryerjen e tyre dhe pse. Po ashtu, ato ngrenë pyetjen kush i mbikëqyr këto aktivitete dhe si sigurohet ligjshmëria dhe transparenca e veprimeve të tilla nga EULEX-i? Në kushtet e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur dhe kalimit të kompetencave politike tek organet e Kosovës, incizime të tilla nxjerrin në pah një mospërputhje të kompetencave politike dhe ligjvënëse të Kosovës me ato të zbatimit të ligjeve ku rol kryesor luan EULEX-i. Publikimi i incizimeve përgjuese është një rast i mirë për të rishikuar marrëdhëniet Kosovë-EULEX dhe për të ushtruar presion që Brukseli të zvogëlojë kompetencat ekzekutive të EULEX-it, duke filluar nga aftësia e tij për të anuluar vendimet e qeverisë së Kosovës. Pa ndryshuar kjo, çdo përpjekje e qeverisë për t’i prerë krahët EULEX-it duke miratuar projektligje do të kishte vetëm dobi virtuale dhe jo reale.
Në planin e brendshëm, telefonata e Hashim Thaçit me shefin e grupit parlamentar të PDK, Adem Grabovcin, vë në dukje aftësinë tij për të kontrolluar partinë me dorë të hekurt dhe për të manipuluar njerëzit. Në bashkëbisedimin me zotin Grabovci, nuk lihet asnjë dyshim se Hashim Thaçi ka një kontroll të plotë mbi të. Ai e fillon bisedën duke ledhatuar sedrën e zotit Grabovci duke i kujtuar postin e rëndësishëm që mban, por si ai edhe Grabovci janë të qartë se kush është parësor në atë marrëdhënie. Nëpërmjet asaj telefonate Hashim Thaçi i kërkon llogari bashkëbiseduesit për grupin parlamentar dhe udhëtimin e tij të fundit në Bruksel dhe jep udhëzime. Ai më tej nënvizon qëndrimin e vet ndaj Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt, që tashmë konsiderohen si persona non-grata në parti. Për të dy, kryeministri Thaçi përdor epitete përçmuese pa lënë asnjë mëdyshje se çfarë mendon ai për ta. Jakup Krasniqit, Thaçi ia sllavizon emrin në ‘Jakupovski’, duke lënë të kuptohet se tani ai konsiderohet si një person po aq problematik për të sa dhe sllavët. Në këtë mënyrë, me një fjalë të vetme Hashim Thaçi kryen përsosmërisht atë që anglezët e quajnë ‘character assassination’, apo vrasje të karakterit. Ndërsa, për Fatmir Limajn, Thaçi tregohet me pak subtil dhe thjesht e etiketon zagar dhe bandit; zagar sepse ndoshta Limaj ka pasur guximin të veprojë pa dijeninë e Hashimit, dhe bandit sepse perceptohet si i korruptuar. Por nga telefonata lihet të kuptohet se ndërsa Jakup Krasniqin, Thaçi e ka flakur jashtë kampit, Fatmir Limajn ai vetëm sa e nxjerr nga çadra.
Sidoqoftë, vetë publikimi i përçarjeve në PDK nuk çuditi shumëkënd pasi ato ishin diçka e njohur. Risi për opinionin ishte konfirmimi i tyre dhe kryesisht gjuha e përdorur. Shumëkush në artikuj dhe komente të botuara duket i tronditur nga zhargoni i përdorur, ku kryeministri apo edhe figura të tjera politike, bashkëbisedojnë në dialektin e tyre të përditshëm dhe jo në shqipen standarde që shpalosin sa herë janë para aparateve televizive. Kjo duket se e dyfishon zezonën e dëmit të përgjimeve. Kjo për arsyen se prapaskenat politike dhe sharjet prapa krahëve kryhen në dialektin e fshatit, duke krijuar kështu të njëjtin efekt sikur të dëgjonim incizime të Ali Babait me dyzet hajdutët duke bërë intriga hajdutçe. Por nëse skandali i përgjimeve do të arrinte deri këtu, atëherë edhe efekti i tij ndoshta nuk do të zgjaste më shumë se një javë. Hashim Thaçi e bashkëbiseduesit e tij të përgjuar do të shpresonin të ndodhte kështu. Në fund të fundit, të gjithë e dinë, si në Kosovë edhe në Shqipëri, se politikanët ndryshe flasin në publik, e ndryshe privatisht. Çdokush e bën këtë, jo vetëm në shqip. Çudi do të ishte po të ndodhte ndryshe. Edhe divergjencat brenda partive si në Kosovë edhe në Shqipëri, apo gjetkë, janë pjesë e jetës politike. Por përgjimet ngrenë disa çështje më themelore sesa ato të imazhit thjesht politik.
Hashim Thaçi ka treguar se di të kontrollojë partinë e tij, edhe gjuha tepër popullore e përdorur në bashkëbisedimet telefonike mund t’i sjellë më shumë dobi elektorale sesa probleme, sepse në fund të fundit, ai votat i merr nga elektorati me të njëjtin dialekt. Më të vështirë do të ketë të bindë EULEX-in dhe Brukselin që ta trajtojnë si të barabartë dhe të besueshëm. Por publikimi i përgjimeve duhet të shqetësojë edhe eprorët e EULEX-it dhe shefat e tyre politikë në Bruksel, sepse ai vë në fokus çështjen e llogaritshmërisë demokratike të këtij organi. Nëse qeveria e Kosovës, në fund të fundit, është përgjegjëse para popullit për veprimet e saj, po EULEX-i para kujt përgjigjet? Kush i kontrollon kontrollorët në Kosovë?
Add new comment