Kurthi i Lazaratit apo Shteti në grackë?!
Qetësia e rremë 1-vjeçare e Lazaratit u prish dhe si pasojë e saj një oficer i forcave speciale mbeti i vrarë ndërsa u plagosën dy të tjerë. E pra, prej thuajse një viti, Lazarati, ky fshat shumë i përfolur për vite të tëra se kishte dalë nga kontrolli i shtetit, në fakt patrullohej orë e çast nga forcat e policisë. E me gjithë krehjet e mundshme të bërë kohë pas kohe, në fshat vazhdonte të kishte armë zjarri të tipit “kallashnikov”, mitraloza, madje dhe snajperë. A është rezultat ky i një pune profesionale nga ana e forcave të rendit dhe e strukturave të tjera të Antiterrorit e Shërbimit Informativ? T’i lemë mënjanë pyetjet.
“RENEA” është futur në kurth dhe mbi efektivët e saj është qëlluar. Ky është konkluzioni më afër të vërtetës që ka dalë deri më tani. Vetë burime të sigurta nga policia janë shprehur për “Respublika” se kishin mbërritur të dhënat se nga një grup hakmarrësish po përgatitej një kurth. Ky informacion kishte kaluar edhe më sipër, por duket se nuk u mor në konsideratën e duhur. Me shumë gjasë, ky grup terrorist, apo “grupi i zjarrit” siç quhet ndryshe, kishin kohë që e planifikonin një hakmarrje të tillë, por për ta vënë në zbatim, shfrytëzuan çastet kur policia ishte përqendruar më së shumti te kutitë e votimit dhe ishte e angazhuar në mbylljen e procesit zgjedhor. Të mërkurën në orën 02:30 pas mesnate, plani u vu në zbatim në Lazarat. Fillimisht qëllohet me kallashnikovë dhe mitralozë me qitje të shkurtra. Kjo bëri që një postbllok policor i FNSH-së së Gjirokastrës të çorientohej dhe duke mos pasur mbështetje të plotë, por dhe fakti që ishte natë, u tërhoqën më poshtë pozicioneve që mbanin.
Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës kërkoi përforcime si dhe përfshirjen e forcave speciale të RENEA-s në aksionin për neutralizimin e situatës. Por me sa duket autorët ishin një hap përpara. Kishin përgatitur gjithçka dhe duhej të nxisnin efektivët e rendit që të futeshin në thellësi të Lazaratit. Nga ora 05:30 e mëngjesit të së mërkurës, deri rreth orës 09:00, efektivët e FNSH-së së Gjirokastrës avancuan disi në fshat. Por ardhja e efektivëve të RENEA-s mendohej se do ua bënte më të lehtë punën.
Agjentët e RENEA-s arrestuan Xhulio Malo, 17-vjeçar, në mjetin e të cilit u gjend një arsenal i konsiderueshëm armësh. Ata kërkuan përforcime. Në aksion u vunë menjëherë gjashtë pjesëtarët e tjerë të forcave RENEA, që udhëtonin në një furgon me siglat e policisë, por i pa blinduar. Kjo ndoshta e ndërlikon më shumë çështjen. Një furgon jo i blinduar i forcave speciale në mesin e një aksioni zjarri?! A duhet ngritur dhe kjo pikëpyetje. Besoj se po. Nga skicat e përgatitura prej ekspertëve të policisë, dyshohet se sapo automjeti jo i blinduar, por me një skuadër të forcave speciale, mori një kthesë të fortë, detyrimisht ndaloi shpejtësinë. Pikërisht këtu erdhi një e shtënë e vetme, ndërsa plumbi merr në kokë drejtpërdrejt efektivin Ibrahim Basha. Po e lemë me kaq ngjarjen, sepse këtu ishte dhe pika më e mundshme kritike.
Të paktën 45 persona u shoqëruan në polici pas kësaj ngjarje. Lazarati sërish doli në skenë me një strukturë të frikshme krimi. “Shteti” këtë herë nuk ishte në Tiranë duke përgatitur planin operacional, ai ishte aty, në mesin e fshatit dhe në pikat më dominuese të tij; mbante nën kontroll hyrjet dhe daljet. Por “grupi i zjarrit” veproi njëlloj sikur ata të mos ishin fare aty. Pra, “grupi i zjarrit” nuk paska pasur frikë nga Shteti. Dhe ishte Shteti ai që ra në grackë. Vetë aksioni i policisë tregoi një zinxhir dobësish, të cilat u këputën sa herë që snajperi i “grupit të zjarrit” merrte në shënjestër një prej efektivët të forcave speciale.
l.veizi
Add new comment