Kur politikëbërja thërret në kauzë budallallëkun

Postuar në 09 Dhjetor, 2012 03:53
Bard Camaj

Me aq sa e kam ndjekur këto kohë, kam vënë re se numri i profesionistëve të mirëfilltë të përfshirë në debatin mbi taksimin progresiv, apo heqjes së taksave për biznesin e vogël  (ide këto të artikuluara herëpashere nga lideri i opozitës kohët e fundit), ka qënë çuditërisht i kufizuar. Climax-i i këtij debati u duk sikur u konsumua në avokatinë prej dishepulli të çarmatosur prej çdo argumenti  të Veliajt në studion e Babaramos, i cili taksimin progresiv e konsideronte një ide të mirë, ngaqë edhe Barak Obama mendon kështu, dhe me vërsuljen e peshkaqenëve pro-qeveritarë, të cilët, si gjithë peshkaqenët që e nuhasin hemoragjinë që larg, e klasifikuan nismën në kategorinë e blasfemive marksiste. Ç’ka është e çuditshme në këto debate është ekspertiza profesionale e pjesëmarrësve në to; të krijohet përshtypja që në këtë vend nuk ka ekonomistë apo specialistë të tjerë të fushës që mund të thonë fjalën e tyre në lidhje me këtë çështje, pa thirrur në kauzë Barak Obamën, apo postulatet e Marksit. Në vend të tyre, argumentet e kundërargumentet sillen prej politikanëve tanë të gjithëditur. Është  ky soj politikanësh që na mëson si të shkruajmë e të lexojmë historinë; janë po ata që na këshillojnë nëse duhen rritur pula apo gjela deti; nëse duhen kultivuar arrorë apo ullinj; janë prapë ata që skualifikojnë postulatet makroekonomike si të panevojshme, duke ofruar zgjidhjet e tyre të improvizuara për çdo dilemë të kësaj dynjaje. Dhe këtë gjithëdije të politikanëve tanë tani së fundmi kemi filluar ta eksportojmë edhe jashtë: A nuk ndjeheni  pozitivisht të mikluar kur shihni  kryeministrin tonë duke u dhënë mend evropianëve mbi  mënyrat e mira të qeverisjes?

Dikush mund të më kundërshtojë, duke sugjeruar që idetë, prononcimet e deklaratat e politikëbërësve tanë janë produkt i një procesi intensiv këshillimesh e gjenerimi idesh me teknicienë dhe profesionistë të fushës, përpara se ato të serviren në tryezën e debatit publik. -Sa ngushëlluese do të ishte nëse do të mund të besohej një gjë e tillë! Historia e këtyre njëzet viteve na mëson në fakt sa e pavërtetë është kjo. Sa për ilustrim: Unë e kam të vështirë të besoj , që prapa idesë së “qeverisjes me duar të pastra”, me të cilën Berisha erdhi në pushtet në 2005, qëndonin juristë, ekonomistë apo teknokratë të tjerë që dendur shfrytëzohen në nisma të tilla zulmëmëdha. Në vend të tyre unë shoh ca Zhozef Fushe’ modernë, ca llogaribërës elektoralë e inxhinierë socialë të specializuar në fushën e propagandës e shpëlarjes së truve, të cilët pas çdo ideje populiste fshehin qarin e një rrethi të ngushtë e kriminal interesash (lexoni artikujt e disa gazetave  amerikane në lidhje me këshilltarët elektoralë të Mitt Romney-t, të cilët, kontribuan në ardhjen në pushtet të Berishës në 2005). Po ashtu, unë e kam të vështirë të mendoj që dystopia ku ne jetojmë dhe që e quajmë kryeqytet, të jetë vepër e urbanistëve, arkitektëve apo specialistëve të tjerë të fushës që zakonisht thirren në kauza të tilla rëndësishme; kam arsyet të forta për të besuar, që këtë Tiranë, të betonizuar e në rrokopujë totale siç është, e kemi peshqesh prej interesave përgjithësisht kriminale të ndërtuesve pa skrupuj dhe shpëlarësve profesionistë të pareve të pista, të cilët nuk ndalen as sot e kësaj dite së uzurpuari çdo hapësirë publike, për të ndërtuar gërmadhat e tyre prej betoni.

Që të kuptohemi, nuk është qëllimi i këtij shkrimi që ideja e heqjes së taksimit të biznesit të vogël, apo asaj të taksimit progresiv, të klasifikohet automatikisht në kategorinë e utopisë apo propagandës së pastër elektorale. Diskutime të tilla, hanë debat më të gjerë sesa opinionet apo ekspertizën  individuale të secilit. Megjithatë shqetësimi që duhet evidentuar, është fakti që, në formën me të cilën na janë ofruar, këto ide nuk bëjnë ndryshim nga gjithë diarreja elektorale që ka vërshuar në opinionin publik kohët e fundit, ndër të tjera, edhe në formën e thirrjeve tribale nacionaliste, të cilat qartazi i referohen emocioneve të zgjedhësve, dhe jo arsyes së tyre.Dhe ka  një arsye të fortë përse ky soj politikanësh është i prirur ta transferojë diskutimin mbi tezat e sloganet e tyre elektorale nga logos-i i teknicienëve drejt pathos-it të turmës: Tu premtosh njerëzve  qeverisje me duar të pastra, legalizim pronash, apo siç po premtohet së fundmi, heqjen  e taksave e tatimeve për një masë të gjerë votuesish, ose pasaportizimin patriotik që premton Berisha,  prodhon shastisjen e domosdoshme që ide pa kurrfarë substance të hedhin rrënjë  në kaplloqet e njerëzve, me synimin që më vonë këto ide të konvertohen në tregun e budallallëkut në vota masive, si gjithherë, me kurs të leverdishëm për politikanët tanë.

Për këtë arsye, unë e shoh të pamundur që ndokush prej plotikëbërësve tanë të jetë i prirur të japë ndonjë argument shtesë në lidhje me arsyet apo mosarsyet e aplikimit të taksës progresive, apo lehtësimit fiskal të biznesit të vogël. Askush prej tyre nuk është  i predispozuar të përgjigjet ndaj pyetjeve të papërshtatshme të këtij lloji: Sa dhe si ndikohet buxheti i shtetit nga aplikimi i taksës progresive, ku do të merren fondet që do mungojnë nëse ato do të mungojnë, apo si do përdoren fondet që do teprojnë, nëse ato do të teprojnë, sa do ndikojë kjo taksë në shpenzimet publike, cili do të jetë efekti i saj në punësim apo parametra të ngjashëm makroekonomikë. Politikanët tanë nuk mund ta shpenzojnë kohën e tyre të çmuar duke iu dhënë dum pyetjeve të tilla. Koha deri në zgjedhje është tepër e shkurtër, dhe askush nuk është i interesuar ta shpenzojë atë duke sjellë argumente për tezat që hidhen ne tregun e politikës. Ka mënyra më efektive për ta mbushur atë deri në zgjedhjet e reja: Duke premtuar çudira sa më të mëdha, sa kohë që gjithnjë do të gjendet ndonjë budalla që t’i besojë, dhe duke i përsëritur ato pa pushim gjersa askush nuk kujtohet ti vërë ato në lupën e ekspertizës.

Në një bisedë me një eksponent të PS-së, në të cilën po i vija në dukje skepticizmin tim në lidhje me aftësinë e kësaj partie për të gjeneruar vota për shkak të mungesës së seriozitetit me të cilin ajo po i përqaset pushtetit, mora njëfarë pohimi që shpjegon deri diku nonchalance-n e saj parazgjedhore, të cilin ia vlen ta ndaj me lexuesin: “Rotacioni politik në Shqipëri, nuk ka ndodhur  kurrë për shkak të votës pro, por për shkak të votës kundër”. Në fakt, ky pohim, është i vërtetuar katërcipërisht, të paktën gjatë historisë postkomuniste të këtij vendi: Në fillim të viteve 90, pakkush ia kish idenë për kë duhej votuar, por ama të gjithë e dinin që ai sistem duhej rrëzuar një orë e më parë, sa nuk i kish shpënë të gjithë në greminë. Në vitin e pafat ‘97, pakkush kish arsye për t’u besuar socialistëve qeverisjen e vendit, në një kohë kur kishin kaluar veç pak vite nga konvertimi i tyre në liberalë e progresistë dhe distancimi prej komunizmit, por ama, një shumicë plebishitare e dinte fort mirë kundër kujt duhej hedhur vota. Dhe historia përsëritet në 2005: Qeverisja e Nanos ishte e vetmja lloj qeverisje, e cila e zhytur deri në fyt në korrupsion, e shëndrroi riciklimin e Berishës në krye të pushtetit, nga një ngjarje të pamundur, në një realitet të hidhur nga i cili s’po marrim guximin të dalim edhe pse kanë kaluar plot 8 vjet të tejmbushura me zullumet  e qeverisjes së tij.

Nëse marrim si kriter sa më sipër, është deri diku e shpjegueshme qetësia proverbiale me të cilën Rama dhe të tijtë po presin zgjedhjet e ardhshme; ata  janë duke pritur me siguri matematikore që vota kundër Sali Berishës të materializohet në një fitore plebishitare në favor të tyre. Ajo që s’kuptohet, gjithsesi, është qetësia që pasoi të shtënat me top me të cilat u shoqëruan idetë fiskale të “kryeministrit” të ardhshëm. Cfarë ndodhi më to? Mos vallë hoqën dorë prej tyre, ngaqë papritmas e kuptuan që ato janë të parealizueshme? Apo befas, vunë re që nismat për heqjen e taksave për biznesin e vogël apo taksimin progresiv janë të pafuqishme për të gjeneruar vota, përballë ideve të pasaportizimit patriotik-folklorik tyryryry të Berishës? Nëse është kjo e fundit, dhe meqë po diskutojmë për ide shastisëse elektorale, kam edhe unë një ide të tillë: Le t’u premtojmë votuesve udhëtime falas vajtje-ardhje për në Hënë; mund të konkurojë në të njëjtin nivel me  idetë e kundërshtarit, dhe do ngjiste jo keq me shumë zgjedhës, ngaqë një pjesë e madhe e tyre e kanë treguar mëse një herë që në zgjedhjet e tyre ata janë, le ta pranojmë, lunatikë të thekur.

Comments

Submitted by Modus Operandi (not verified) on

“Rotacioni politik në Shqipëri, nuk ka ndodhur  kurrë për shkak të votës pro, por për shkak të votës kundër”

E vërtetë! Ndaj zotërinjtë e uritur të opozitës, medoemos, presin rotacionin.

Por, mendoj se, ndryshe nga herët e tjera, kësaj here rotacioni nuk do të jetë edhe aq i pastër. Në kuptimin që PSja, sikundër PDja me LSInë, mund të mos ta arrijë maxhorancën qeverisëse e vetme. Mbase do t’i duhet një koalicion me LSInë, ose më mirë të them se kjo e fundit do të detyrohet të bëj koalicion me PSnë për të mbijetuar, ose me ndonjë parti tjetër si AKZja apo FRDja.

Unë personalisht, do të votoj(a) për FRDnë. Sikundër (besoj) do të bëjnë të gjithë të djathtët (e vërtetë apo të detyruar) që nuk do të votojnë PDnë.

Përse? Sepse të gjithë ata që kanë njëçik tru (edhe pa rrudha!) në rradake e dinë se këta që qeverisin sot, duhet të largohen. Kjo është aksioma e parë e një njeriu që llogjikon. Specifika e 2013 duhet (sipas meje: do ) të jetë që PSja apo kushdo që do të kryesojë në zgjedhje të mos jetë pa kapistër. Të ketë ndonjë ëngjëll që kujdeset për ndërgjegjen e qeverisë së ardhshme. Por jo ëngjëll vetëm të keq (siç na doli LSIja), me një ëngjëll të mirë siç duket të jetë FRDja.

Natyrisht, jam dakord me ato ç’ke shkruar.

Submitted by Iluministi (not verified) on

Bard, formalisht duket se po ofroni nje kendshikim origjinal, duke bashkuar ide skajore. Ka interes nje qasje e tille, mban gjalle kurreshtjen sa per t'i shkuar ne fund shkrimit -  por jo me shume. Madje nuk nxitesh as t'i kthehesh, pasi jane gjera qe te tjeret i kane shtrydhur me pare. Nese akuzoni se argumenti per heqjen e takses se BV eshte vetem presidenti Obama, atehere ia vlen qe te na mbushni mendjen per te kunderten. Nese mendoni se opozita po pret e qete perseritjen e ciklit te votes kunder, kjo, me se paku tregon se nuk po kuptoni aspak nga sa thuhet ne shtjellimin e ideve te programit te saj. A nuk kuptoni se jane te mjaftueshem argumentet qe jane dhene rreth takses se sheshte ne nje vend qe mezi ia del te mbaje frymen gjalle? Cfare mund te thuhet per vleresimin e arsimit, kur opozita stigmatizon cdo politike, plan veprimi apo arritje ne kete setor dhe ofron zgjidhjet e saj? Cfare mund te thuhet me shume deri tani se sa "do te revizionojme te gjithe sistemet e vleresimit te cilese (te brendshem dhe te jashtem) per të shkulur sistemin e karton-diplomave ne funksion te nje sistemi qe ndihmon zhvillimin e kompetencave profesionale? Si mund te operacionalizosh nje strategji per ringjalljen e bilancit energjitik, kur qeveria fsheh me fanatizem cdo te dhene reale per kete sektor? Perpara se te merrni pozicionin, do duhet te njihni te gjithe argementet dhe strategjite qe PS ka publikuar ne tryezat e saj me specialiste te fushes. Ju kujtoj p.sh., se ne takimin me perfaqesuesit e arsimit te larte publik - ne kundshtim me çdo logjike elektorale, kryetari i saj nuk kurseu asnje e asgje, gjate shtjellimit qe i beri strategjise per ringjalljen e ketij nernsektori te sistemit arsimor. Nuk di nese e keni ndjekur. Boten e vlereson siç e mendon vetëm budallai. Beni mire ta kujtoni here pas here kete.

Submitted by Bard Camaj (not verified) on

E vleresoj kritiken tuaj; megjithate, ne nje pjese te shkrimit e kam bere te qarte qe nuk eshte ne objektivin e tij  kritika e nismes fiskale te Rames. Une kam kritikuar perqasjen qe po i behet kesaj nisme, duke mos angazhuar ne debat profesionistet, por demagoget, dhe duke e lene ne plan te dyte kete ide, duke mos marre parasysh qe perqasja fiskale eshte ajo qe , nder te tjera, vendos suksesin apo deshtimin e nje qeverije( nese marrim per te mireqene argumentin qe Rama kerkon te qeverise, dhe jo vetem te marre pushtetin). Eshte nje zgjedhje e veshtire qe lideret duhen ta bejne ne fillim te çdo fushate elektorale: do te ecim me argumente, apo me demagogji. Me ç'po shoh, jo vetem Rama, por gjithe klasa politike e ka bere zgjedhjen e vet.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.