Kjo është një maskaradë skuthash

Njeriu që drejtoi ish-SHQUP-in në vitet 2004-2006, Arqile Lici argumenton se përse kalimi i godinës për PD-në, zhduk përfundimisht shpresën dhe kapacitetet e nevojshme që ushtria të ketë një jetë të vetën artistike, siç kanë të gjitha ushtritë e NATO-s.
Zoti Lici keni drejtuar për afro 2 vite e gjysmë Qendrën Kulturore të Forcave të Armatosura(ish-SHQUP-i). Aktualisht ka një debat intensiv publik në lidhje me nismën për t’ia kaluar godinën e Ish-SHQUP-it Partisë Demokratike. Ju si e keni parë këtë që po ndodh?
Këtë që po ndodh unë e quaj punë Skuthash. Përse do thoni ju? Arsyeja është se po të mos kishte qenë raportimi mediatik, ky informacion nuk do të ishte marrë vesh kurrë nga publiku. Kryeministri thotë: “Nuk e shpalla vendimin sepse nuk e kishte dekretuar Presidenti”. Sapo ta shpallte, praktika do i kalonte Bashkisë. Më pas marrim vesh se kjo pronë i ka kaluar Ministrisë së Brendshme. Janë dy të dhëna krejt të ndryshme: Cilën duhet të marrim për të mirëqenë? Unë i besoj variantit që i ka kaluar Ministrisë së Brendshme, sepse ishte më pak e sikletshme për Presidentin. E implikonte më pak kreun e shtetit në aferë. Si ish-ushtarak ai duhej të mbante qëndrim si ish-Presidenti Moisiu por dhe ish-Presidenti Topi. Të gjitha sa thuhen nga kryeministri nuk janë të vërteta. Për hir të së vërtetës duhet thënë që ky institucion dhe në kohën e diktaturës por edhe tani nuk e ka pasur fare primar restorantin që referon Berisha, por si objektiv prioritar ka qenë promovimi i vlerave më të mira të Forcave të Armatosura. Aty në atë godinë, vepër e arkitektit Koço Miho, e shtrirë në një truall prej 10 mijë e 200 metra katrorë, ka ekzistuar Ansambli i Ushtrisë, Estrada e Ushtrisë dhe Botimet Ushtarake. Në vitet 2004-2006, kohë kur drejtoja këtë institucion, ekzistonte një grup i vogël muzikor me 5-6 instrumentistë dhe me 6 këngëtarë. Me këtë grup ne bënim shfaqje në të gjitha qendrat e FA-së që nga Vau i Dejës deri në Sarandë. Pra ku kishte jetë të Forcave të Armatosura atje mbërrinim dhe ne. Doja të sqaroja lexuesit se aty janë dy drejtori: e para, Drejtoria e Qendrës Kulturore, e cila ndodhet në katin e dytë, e dyta është Drejtoria e Ushqimit Social që ndodhet në katin e parë dhe që në zhargon njihet si “Restoranti i SHQUP-it” dhe që punon me vetëfinancim. Gjë që tregon se përderisa mbahet ende në këmbë dhe vazhdon aktivitetin, fitimi nuk i mungon. Ky restorant është i detyruar ti japë qira dhe Qendrës Kulturore. Në këtë qendër ekziston Arkivi i Filmit, që është burim i Arkivit Qendror të FA-së, është studio e Foto-Filmit të FA-së, që dokumenton veprimtarinë më të rëndësishme të ushtrisë, është biblioteka e FA-së me një kapacitet mbi 44 mijë libra, të cilat tani janë mbyllur nëpër thasë dhe nuk dihet se ku janë, 2 sallat në katin e dytë, njëra me 204 vende dhe një skenë dhe tjetra me 50 vende ku mund të kryhen veprimtari të ndryshme në kushtet më të mira të mundshme për vendin tonë. Gjithashtu është holli ku kryhen homazhe për ushtarakët nga grada kolonel e lartë dhe për personalitete të tjera të vendit, për të cilat urdhëron Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Në vitin 2006, kur unë jam larguar nga detyra, ishim gjithsej 42 punonjës, në vitin 2011, u bënë rreth 100 punonjës. Kryeministri thotë që kjo qendër del me humbje, domosdo që do dalë, janë shtuar 60 punonjës atje.
Është godina ajo që fikson vlerat e një teatri apo ansambli ushtrie apo burimet njerëzore? Sepse nëse ushtria jonë, me gjithë degradimin që ka pësuar në dy dekadat e fundit, dëshiron të mbajë edhe ansambël , trupë etj, ku është problemi, që ti mbajë në një tjetër godinë?
Më lejoni t’iu bëj një vërejtje, nuk mund të them që ushtria ka degraduar, por mund të them se në pjesë të caktuara të saj është dëmtuar seriozisht. Siç është dhe rasti i QKFA-së. Qeverisja që shkoi mburret për futjen në NATO dhe të vetmen godinë që kanë FA-të kërkon ta eleminojë dhe thotë që nga ai restorant do t’i çoj në një restorant tjetër. Pra dhe atë që vjen në ndihmë të ushtarakëve që nuk kanë shtëpi, kërkon ta shkatërrojë, këtu unë bashkohem me ju.
Zoti Lici, ju përmendni faktin që ushtria jonë është në NATO. Por është e vetmja ushtri e NATO-s që nuk ka asnjë tank apo avion në përdorim. Ju duket normale që një ushtri që disponon vetëm pushkë, pavarësisht se është në NATO, ankohet vetëm qendra kulturore dhe jo për elementë më bazikë për një ushtri?
Për detaje të këtyre çështjeve pyesni ekspertët ushtarakë, unë flas për pjesën artistike në ushtri, që është një pjesë civile artistike e integruar brenda FA-së.
Zoti Lici, mënyra se si po kalon për transferim kjo pronë është shumë e beftë dhe shumë e ngutur. Këtu biem dakord të gjithë. Por kemi parë shumë pak argumente se përse kjo pronë është më e vlefshme në përdorim të ushtrisë. Mund të dimë se çfarë humbet ushtria nga heqja e kësaj prone, humbje të cilën nuk ia rikuperon dot një tjetër godinë?
Më pëlqen pyetje juaj. Për këtë dua të informoj lexuesit, këtu bëhen edhe dasma edhe homazhe. Por principiale janë aktivitetet artistike të cilat janë kryer për periudhën 2 vite e gjysmë që unë kam drejtuar. Janë vënë në skenë me aktorë të Teatrit Kombëtar dy shfaqje, “Kulla e Fildishtë” dhe “Dashnori” të vëna në skenë nga regjisori Erion Kame. Mbi 10 shfaqje. Janë prodhuar dokumentarë për FA-të për misionet e saj në Afganistan, në Irak në Bosnje, të cilat duhet të jenë të arkivuara aty. Dokumentari për 1 vjetorin e kompozitorit të madh Kujtim Laro është shfaqur disa herë nga TVSH-ja. Janë bërë promovime librash që nga Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Pëllumb Kulla etj. Vetëm në vitin 2005, kanë qenë 10 ditë me aktivitete nga më të bukurat që organizoi Këshilli i Evropës. Çdo mbrëmje shfaqej një film nga një vend i KE-së. Janë zhvilluar disa aktivitete nga Ambasadat Amerikane e Italiane për të cilat kam marrë dhe një vlerësim nga të dyja. Në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës shfaqnim ditën e martë, filmin italian që nga klasikët neo-realizmi dhe filmat më të fundit. Kur bëhej festivali i filmit shqiptar, salla e madhe vihej në dispozicion të tyre. Spektakli “Gjeniu i Vogël”, këtu në këtë sallë fillonte. Pra, rendita disa veprimtari artistike të kryera në këtë institucion, për t’iu thënë lexuesve se ajo godinë përfaqëson një kapacitet të rëndësishëm për veprimtari artistike ushtarake dhe jo vetëm. Kapacitete, që godina që do t’i kalohet ushtarakëve në këmbim nuk i përmban, pasi godina e re që kërkojnë të transferojnë, ka vetëm një restorant dhe dhoma për fjetje.
Praktikisht shuhet jeta artistike e ushtrisë i bie apo jo?
Mund ta themi me plot gojën këtë. Shkatërrohet infrastruktura më e rëndësishme e kulturës ushtarake në Shqipëri. Katër vjet më parë protestonte një trupë Bullgare pse nuk mori çmimin e parë. Ajo trupë ishte trupa e Ushtrisë Bullgare. Vende ish-lindore si Bullgaria dhe Rumania kanë qendra kulturore të ushtrisë luksoze dhe tepër dinjitoze. Gjithçka vizionohet përpara se të transmetohet në ato skena. Ndërsa ne të vetmen qendër të fisme që kemi e duam ta kthejmë në zyra partie.
Dakord, por Bullgaria dhe Rumania, përpara se të kenë këto qendra kaq luksoze, janë kujdesur që ushtrinë ta kenë me tanke dhe avionë, pastaj dhe me qendra kulturore apo jo?
Unë po flas vetëm për atë që kam profesion dhe që di të bëj. Dua të ri-përsëris, se pavarësisht kontekstit që mund të përfaqësojë sot gjendja e ushtrisë, ky veprim duhet ndalur. Duhet ndalur urgjentisht. Nuk mund të ketë alibi për të bërë dëmin e radhës duke përdorur si justifikim dëmet e së kaluarës.
Marrë nga Dita
Add new comment