Kam qenë për Euron; tani jam kundër

Postuar në 07 Gusht, 2011 14:04
Hans-Olaf Henkel

Kam qenë partizan i hershëm i monedhës Euro, por tani e kuptoj se angazhimi im në favor të Euros ka qenë gabimi më i madh që kam bërë në jetën time profesionale. Ja se pse:

Së pari, politikanët shkelën të gjitha premtimet e bëra me rastin e Marrëveshjes së Maastricht-it. Jo vetëm u bë gabimi që u lejua Greqia të bëhej pjesë e zonës Euro për motive pastërtisht politike, por edhe u dhunua një rregull fondamental (dhe u dhunua mbi njëqind herë); u dhunua rregulli, sipas të cilit “asnjë vend anëtar nuk do të lejohej të kish një deficit buxhetor vjetor më të madh se sa 3% e GDP-së së vet”. Sanksionet ndëshkuese të parashikuara në rrethana të tejkalimit të 3%-ëshit në fjalë nuk u aplikuan asnjëherë. Për më tepër, ka patur në atë marrëveshje një klauzolë, e cila nuk lejonte asnjë bail-out në favor të ndonjë shteti të veçantë. Edhe kjo klauzolë u injorua. Sapo nisi kriza greke, u miratua aty për aty një bail-out.

Së dyti, ne miratuam një monedhë në versionin teorik “një masë u shkon të gjithëve”, dhe ja ku jemi në versionin praktik, që “e njëjta masë nuk i shkon askujt”. Rrjedhimisht, monedha Euro në vetvete provokoi një numër problemesh, për të cilat politikanët tani po kërkojnë zgjidhje. Politikanët grekë, fjala vjen, duke patur akses te normat e interesit të nivelit të ulët të Gjermanisë, ia futën me top, dhe e bënë borxhin e tyre kapicë. Bankës së Spanjës po i ngrihej para syve ‘the bubble’ në tregun imobiliar, e nuk kish asnjë fuqi të ndërhynte duke ngritur normat e interesit. Ndërsa vendet e jugut të Europës humbën fuqinë e tyre kompetitive, ngaqë ishin të privuara nga mundësia për të zhvlerësuar monedhën e tyre.

Së treti, në vend që ta unifikonte Europën, monedha Euro rriti fërkimet e ndarjet. Ja, shikoni, studentët e Athinës, të papunët e Lisbonës e protestuesit në Madrid nuk është se e kanë thjesht e vetëm me politikat e rigorozitetit financiar që adoptojnë qeveritë e tyre nacionale, por e kanë edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel. Për më tepër, monedha Euro rrit hendekun mes vendeve me euron dhe vendeve pa euron. Bullgaria e Rumania sigurisht që do donin të bëheshin pjesë e Eurozonës, sepse kështu kanë mundësi të marrin mbrojtje e garanci prej Gjermanisë, por Britania e Suedia si zor që ta gjejnë ndjellëse e ta bëjnë të tyren ndonjëherë këtë idenë e monedhës Euro.

*Hans-Olaf Henkel është profesor i Administrimit Ndërkombëtar (International Management) në Universitetin e Mannheim-it. Tok me ish-presidentin e Republikës, Roman Herzog, kanë krijuar një Konvent für Deutschland, qëllimi i së cilës është të përmirësohet procesi i vendim-marrjes brenda sistemit politik gjerman.

Comments

Submitted by Arra Gunge (not verified) on

Ka te drejte Kina qe po i bene presion Amerikes te shohe "hallet" e saja dhe te mbledh pak "kembet",madje hedh nje propozim per krijimin e nje monedhe te perbotshme me rezervat e domosdoshme per te mos krijuar tronditje financiare...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.