Ina Rama, Kryeprokurorja që nuk “fiton” vetëm armiq
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/8302_1_2760.jpg?itok=APeVMKd9)
E ftuar në emisionin Opinion, të gazetarit Blendi Fevziu, shefja e Prokurorisë së Përgjithshme, Ina Rama iu përgjigj shumë pyetjeve, përgjigjet e të cilave na interesojne të gjithëve. E përfshirë nga një dozë emocioni, që besoj i vinte më shumë nga ndiesia e përgjegjësisë për vetë rëndësinë e çështjeve për të cilat fliste, se sa nga mungesa e përvojës përpara kamerave, Ina Rama bashkë me përgjigjet për punën e institucionit që drejton, dha edhe shpjegimet për veprimet, apo mosveprimet e Prokurorisë së Përgjithshme, duke i dhënë publikut atë këndvështrim të çështjeve, që deri tani i kishte munguar. I kishte munguar, pasi i kishte dëgjuar nga të gjithë aktorët e ngjarjeve, por jo nga ky organ i rëndësishëm i ligjit. E kujdesshme, e përpiktë, profesionale, edhe në ato pyetje që ishin ca si shumë tendencioze, Ina Rama foli për gjithçka, pa iu shmangur asnjërës prej tyre.
Në këtë gjendje të tensionuar të marrëdhënieve drejtësi-politikë, është shumë e rëndësishme që, kur titullari i një institucioni të rëndësishëm si organi më i lartë i akuzës, nuk arrin të gjejë gjuhën e përbashkët me lidershipin politik në vend, por edhe me politikën në përgjithësi, të përpiqet ta gjejë atë me opinionin publik, me qytetarët për të cilët punon.
Në intervistën e saj, Ina Rama dukej pak e interesuar të mirëkuptohej nga politika, por dukej shumë e interesuar të mirëkuptohej nga opinioni i gjerë për veprimet e institucionit që drejton dhe reagimet e saj në këtë kuadër. Dha mendimet e saj duke përdorur një gjuhë profesionale, të cilat megjithëse mund të atakonin njëfarësoj persona të caktuar, apo kritikonin në mënyrë të tërthortë funksionimin e shtetit të së drejtës, nuk gjeje në to asgjë që mund të quhet joprofesionale, apo e tepruar. Jemi mësuar të shohim shpesh në ekranet televizive titullarë, funksionarë, apo ekspertë, që flasin me gjuhën e politikës dhe shfaqin dukshëm varësitë që kanë prej saj, duke harruar detyrën që kanë përpara ligjit dhe shqiptarëve. Ina Rama bëri atë që realisht duhet të bëjë një titullar i atij rangu; foli si profesioniste. La mënjanë faktin që e kanë sharë, e kanë sulmuar, e kanë persekutuar. Ajo nuk foli për ta, nuk iu drejtua atyre; ajo foli për shqiptarët.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se Ina Rama, për shkak të detyrës që kryen, është sot ndoshta personi më nën presion në Shqipëri. Kam përshtypjen se pakkush nga juristët shqiptarë do të dontë të ishte në këto kohë në vendin e saj. Për shkak të çështjeve që detyra e ka detyruar të trajtojë, pakkush nga kolegët e saj e ka zili për pozicionin e rëndësishëm që mban. Pushteti e sulmon në mënyrë permanente me anë të eksponentëve më të rëndësishëm të tij. E quan të motivuar politikisht për hetimet që ka hapur, megjithëse videoja Meta-Prifti në fakt më parë u shfaq në media e më pas i ra në dorë prokurorisë. Hedh baltë mbi figurën e saj, e quan bashkëpunëtore të puçistëve. E shan edhe në mënyrë banale, “lavire bulevardi”. I ndryshon truprojat pa ndonjë arësye të dukshme, çka mund të interpretohet edhe si një tjetër formë presioni, që nëse është vërtet i tillë, është më i frikshmi dhe i turpshmi që mund të mendohet. E thërret të japë llogari përpara një Komisioni Parlamentar, i cili rezultoi se nuk e kishte tagrën e duhur ligjore për të marrë në pyetje një Prokurore të Përgjithshme, etj., etj.
Opozita duket sikur e përkrahu. Dukej, edhe sepse jo thjesht për parim, por sepse rastisi që ajo mbronte ato akuza (të mos harrojmë që tek e fundit prokuroria është “avokate e akuzës”) që opozitës mund t’i rezultonin shumë të vlefshme politikisht. Them dukej sikur e përkrahte, sepse fakti është se sapo opozita pa se të akuzuar zyrtarisht për 21 Janarin ishin tre përfaqësues të lartë të saj, tre deputetë, por në hetim nuk ishin përfshirë ata që opozita i quan përgjegjës dhe urdhërues të katër vrasjeve, Basha e Berisha, u përpoq hapur (përmes liderit të saj, Edi Rama, por jo vetëm) ta vërë nën presion për përfshirjen e tyre nën hetim. Presioni i opozitës ndoshta nuk është aq i ashpër sa i pushtetit, nuk është ndërtuar me kërcënime e sharje banale, por gjithsesi mbetet presion.
Pra meqënëse për shkak të punës së saj Ina Rama vazhdon të “fitojë” armiq, vendosi që përmes emisionit të Fevziut të “rrëfehet” përpara shqiptarëve. T’u bëjë të qartë se është një grua që bën punën e saj në mënyrë profesionale dhe aspak me preferenca të caktuara politike, apo personale. Meqënëse humbi në përpjekjen e saj për të pasur një marrdhënie korrekte me politikën, për shkak se kjo e fundit është mësuar t’i ketë zyrtarët e lartë të drejtësisë e ligjit nën thundrën e saj, Ina Rama u përpoq të fitojë shqiptarët.
Edhe përzgjedhja e emisionit nuk duket e rastësishme. Zgjodhi Opinionin, emision i një televizioni shumë pranë me pushtetin, megjithëse fare mirë mund të zgjidhte një emision tjetër ku do të atakohej shumë më pak. E cili do ishte ai televizion që s’do ta ëndërronte praninë e Kryeprokurores në këtë situatë të nxehtë që po kalon marrdhënia drejtësi-politikë?!
Kur gjykatat janë gjunjëzuar nga politika në mënyrën më të turpshme, një kryeprokurore (duhet theksuar fakti që është femër) vazhdon me këmbëngulje e profesionalizëm të bëjë punën e saj, megjithëse nga kjo punë vazhdon të fitojë vetëm armiq, kjo së paku duhet admiruar.
Ina Rama ndoshta e humbi politikën. Humbi në përjekjen e saj për të pasur një marrdhënie normale, institucionale me të.Por duke lexuar analiza e opinione në media të ndryshme nga analistë e gazetarë të njohur e të panjohur, të cilët me të drejtë u frymëzuan nga ajo intervistë; duke parë e dëgjuar çdo ditë reagime e komente nga qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, të cilët jetesën e fitojnë me djersë e që janë të revoltuar nga abuzimi i zyrtarëve të lartë të shtetit, janë të zhgënjyer deri në neveri nga gjykatat që parimisht duhet të trajtojnë barabar këdo përpara ligjit, një gjë mund të thuhet me siguri: Ina Rama vendosi veten e saj në anën e duhur të historisë dhe fitoi shqiptarët.
Comments
Ja la radhen Ndre Prendit te
<p>Ja la radhen Ndre Prendit te thoje te verteten hapur se zbatoi urdherin e saliut apo nuk qelloi ai me armen e tij por tjeterkush,te rrosh me frike gjysem i vdekur i pakallur,thuaje cope si Muç Nano e je njemijehere i nderuar .</p>
Add new comment