Gorbaçov: Jelcin ishte i etur për lavdi (II)

Postuar në 28 Gusht, 2011 13:40
Spiegel International

SPIEGEL: Kundër vullnetit të partisë. Por ju nuk ishit aq kritikues asokohe.

Gorbaçov: Partia Komuniste Sovjetike ishte një makineri gjigande. Në një farë pike, ingranazhet filluan të ngecin. Ajo ishte shtytësja e perestrojkës, por pastaj u kthye në pengesën e saj më të madhe. Unë kuptova që asgjë nuk kishte për të funksionuar pa reforma të thella politike. Pasi pësuam një humbje në zgjedhjet e para demokratike, estabilishmenti bashkoi forcat dhe më sulmoi haptas në një mbledhje të kryesisë së partisë. Kjo ishte kur shpalla dorëheqjen time dhe lashë sallën plenare.

SPIEGEL: Por kjo ishte në Prill të 1991-shit, tetë muaj përpara fundit të Bashkimit Sovjetik. Gjithashtu ju u rikthyet. Ju e lejuat veten edhe një herë t’jua mbushnin mendjen, në vend që të përdornit momentin për ta çuar partinë e vjetër me gjithë plaçka në shtëpi.

Gorbaçov: Po, u ktheva pas 3 orësh. Ndërkohë, nja 90 shokë kishin bërë gati një listë për partinë e re Gorbaçov, gjë që do të krijonte përçarje. Unë u antarësova në Partinë Komuniste në moshën 19, kur isha ende në shkollë. Im atë kishte qënë në front dhe gjyshi ishte komunist i vjetër -- dhe më takonte mua të dilja nga radha? Sot e di që ashtu duhet të kisha vepruar. Por njeriu që po ju qëndron përballë nuk është burrë shteti, por një njeri komplet normal. Një dikush me ndërgjegje, dhe kjo ndërgjegje më torturonte vazhdimisht.

SPIEGEL: Akuza tjetër është që ju nuk kishit aftësi sa duhet për të kuptuar natyrën njerëzore. Shumë shokë të cilët ju i ngritët lart, ju tradhëtuan më vonë. Kjo sigurisht, është e vështirë për t’u mohuar.

Gorbaçov: Ja ku nise prapë! Po, e bëra [Vladimir] Krushkovin drejtues të KGB-së, dhe ai më vonë organizoi një goditje ndaj meje. Por ku tjetër mund të kërkoja një drejtues të shërbimit sekret? Krushkovi kishte punuar nën Andropovin për 20 vjet, dhe unë njihesha mirë me Andropovin. Sigurisht që prej atij e mora, por nuk e njihja mirë sa duhet.

SPIEGEL: [Boris] Jelcin, i cili, si president i Rusisë, ju përzuri më vonë nga posti, ishte dikush që ju e njihnit mirë.

Gorbaçov: Dakort, hajde flasim për Jelcinin. Në fakt e njihja pak. Edhe si drejtuesi zonal i Sverdlovskut …

SPIEGEL: … që quhet sot Ekaterinburg …

Gorbaçov: … ai kishte qysh atëherë vërtet shumë vetëbesim. Kur menduam ta sillnim në nivelin kombëtar të partisë, shumë na këshilluam të mos e bënim. Më vonë ai u zgjodh drejtues partie në Moskë. Unë e mbështeta. Ai ishte energjik, dhe m’u desh një kohë e gjatë për të kuptuar gabimin tim. Ai ishte tej mase i budallepsur nga fuqia, kryelartë dhe i etur për lavdi, një njeri dominues. Ai gjithmonë besonte që po e nënvlerësonin, dhe ndihej i fyer gjatë gjithë kohës. Atë duhet ta kishim hequr qafe duke e bërë ambasador në ndonjë vend të humbur, ku të kishte mundësi të tymoste llullën i qetë.

SPIEGEL: Çështja e tretë: Ju jeni kritikuar për nënvlerësimin kriminal që i keni bërë çështjes kombëtare...

Gorbaçov: Kjo nuk është e vërtetë. Unë jetoja në një shtet ku njerëzit flisnin 225 gjuhë dhe dialekte, dhe ku çdo fé ekzistonte. Unë jam rritur në Kaukaz, dhe i dija mirë problemet.

SPIEGEL: Vërtet nuk e dinit që ushtria i ndaloi me dhunë lëvizjet për pavarësi në Tbilis dhe Vilnius?

Gorbaçov: Po, e di, këtë akuzë ma kanë bërë miliona herë. Por në të vërtetë gjithçka po ndodhte pas shpinës sime. Sigurisht, kjo ngre pyetjen: Çfarë lloj sekretari i përgjithshëm qenke ti nëse nuk dije asgjë për këto? Kjo është një akuzë më serioze. Marrim Vilniusin për shembull. Në 12 Janar të 1991-shit, pasi përleshjet mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të pavarësisë kishin arritur kulmin, Këshilli Federal u mblodh. Ata nisën një delegacion në Vilnius për të gjetur një zgjidhje politike. Por një natë para se ata të arrinin, pati përleshje dhe u vranë njerëz. Duket qartë sot që ka pasur forca në KGB që nuk donin një zgjidhje politike. Një situatë e ngjashme ishte edhe në Tbilis.

SPIEGEL: Udhëheqja juaj është lëkundur mes ashpërsisë dhe pavendosmërisë.

Gorbaçov: Thuhej që ashpërsia kineze ishte e papranueshme, ndërsa të mos qëlloje quhej shenjë dobësie. Që të dyja janë idiotësi. Dialogu duhet kërkuar deri në fund.

SPIEGEL: Përse nuk përdorët metodën kineze me perestrojkën tuaj: udhëheqje e fortë komuniste, por reforma ekonomike kapitaliste?

Gorbaçov: Çdo shtet është ndryshe. Kina është një shëmbull i mirë, por reformat duhen zhvilluar në mënyra të ndryshme.

SPIEGEL: Ka një teori që e përsërisni shpesh, por që ne nuk mund ta kuptojmë, që Bashkimi Sovjetik mund të ishte shpëtuar edhe pas goditjes.

Gorbaçov: Dhe ishte e mundur. Puna ishte që ishim vonë për të filluar reformimin. Disa donin një federatë, por shumica e republikave donin një shtet të bashkuar me veçori të një konfederate. Atëherë propozova një referendum. Kur votuam për propozimin, Jelcini gjithë inat përplasi grushtin mbi tavolinë. Ai ishte kundër, sigurisht. Ai shpalli hapur që nuk mund të punonte me Gorbaçovin dhe do t'i duhej të ndante rrugët me të. Pastaj erdhi referendumi dhe njerëzit më mbështetën..

SPIEGEL: Gjashtëdhjetë e gjashtë përqind.

Gorbaçov: Kjo tregon që bashkimi u shkatërrua kundër vullnetit të njerëzve, dhe u bë haptas -- me pjesmarrjen e udhëheqjes ruse nga njëra anë, dhe atë të puçistëve nga ana tjetër.

 

-vijon nesër-

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.