Gjasa të mira të Bojaxhiut për “Ne Shqipëria”
Në të tria sondazhet rreth zgjedhjeve të 21 qershorit që ka publikuar IPR-Marketing (kompania italiane që parashikoi me sukses rezultatet e zgjedhjeve në 2009-ën dhe 2013-ën), të befason fakti që 10%-13% e tiranasve janë gati të votojnë për Gjergj Bojaxhiun, pavarsisht se vetëm 1% besojnë se ai do të jetë kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës. Pra, rreth 40 mijë votues shprehen se do votojnë për të, jo se besojnë se do të dalë i pari në garën për Tiranën.
Meqënëse na ndajnë vetëm pak ditë nga 21 qershori, ruajtja e një kuote kaq të lartë në të tria sondazhet (gjatë muajit të fundit) është një tregues se gjasat janë të mira që Bojaxhiu të arrijë pas disa ditësh një rezultat që s’e ka arritur kurrë më parë ndonjë kandidat i pavarur në Tiranë.
Por një rezultat i mirë i mundshëm i Bojaxhiut në 21 qershor nuk do të ketë ndonjë vlerë praktike në 21 qershor. Vlera e tij do të duket pas 21 qershorit, në qoftë se lëvizja “Ne Tirana”, që e mbështet atë, do të shndërrohet në “Ne Shqipëria”.
Mesazhet kryesore të Bojaxhiut në Tiranë në fakt vlejnë edhe për gjithë Shqipërinë. Sipas Bojaxhiut, dy ndër shkaqet kryesore që ne kemi patur qeverisje të keqe në çerek shekullin e fundit kanë qenë klientelizmi dhe patronazhi i partive aktuale.
Bojaxhiu ka denoncuar faktin se klientët e partive u financojnë fushatat atyre dhe kandidatëve që ato përzgjedhin, me synimin që “donacionet” t’u kthehen 50-fish nëpërmjet tenderave, koncensioneve dhe lejeve të ndërtimit, në kurriz të zgjedhësve të thjeshtë.
Gjithashtu, Bojaxhiu ka deklaruar se Shqipërisë nuk i mungojnë teknicienë të aftë e të përkushtuar, por partitë ua japin vendet e punës në administratë militantëve, të cilët prodhojnë vota, sipas sistemit të patronazhit të tipit “ti më sill vota, unë të jap vend pune”
Në qoftë se Bojaxhiu arrin në 21 qershor një rezultat të ngjashëm me atë që ka fotografuar deri më sot IPR-Marketing, mbetet të shihet nëse ai do ta ketë energjinë dhe vendosmërinë që mesazhin për përmirësimin e qeverisjes së Tiranës ta shtrijë në të gjithë Shqipërinë. Sepse sëmundja e klientelizmit dhe e patronazhit partiak nuk është e lokalizuar vetëm në Tiranë. Përkundrazi, është edhe më endemike përtej saj.
Por a është elektorati shqiptar gati për një ndryshim tektonik të sistemit politik? Që kjo të ndodhë, duhet që Bojaxhiu të udhëheqë një lëvizje politike që do të krijonte besimin në elektorat se do të futet në garën për pushtet me synim ndërrimin e sistemit klientelist-patronazhist aktual, dhe jo për të ndarë tortën e pushtetit me të.
Duke analizuar zhvillimet social-ekonomike të çerekshekullit të fundit, duket se terreni për krijimin e një lëvizje të tillë egziston.
Vitet kur, të dalë nga varfëria, shqiptarët mund të pasuroheshin me rrugë të shpejta (të ligjshme e të paligjshme), duket se kanë mbaruar. Pallatet që ndërtoheshin me leje korruptive, e që shiteshin që në themel, nuk ndërtohen më kollaj, për arsyen e thjeshtë se nuk ka më aq kërkesë sa ç’kishte më parë (1/3 e banesave janë të pabanuara, sipas Census 2011).
Hapja e bizneseve të reja nuk është më aq fitimprurëse sa ç’ishte më parë (pra, është pakësuar edhe mundësia e korruptimit të zyrtarëve me një pjesë të fitimeve të shpejta). Trafiqet e paligjshme nuk janë më aq të lehta për t’u realizuar, sepse trysnia e partnerëve ndërkombëtarë është rritur ndjeshëm (legalizimi i narkotikëve është thjesht një ëndërr e Kokëdhimës…).
Dhe së fundi, abuzimi me fondet publike apo punësimin në administratë nuk ka më shumë hapësira, sepse barra e borxhit publik të akumuluar ndër vite është kaq e madhe sa nuk lë shumë mundësi për manovrime.
Në këto kushte, duket se shumica e shqiptarëve nuk shohin ndonjë hapësirë për pasurim të shpejtë nëpërmjet lidhjes me njërën nga partitë aktuale të sistemit (disa shqiptarë, kuptohet, ende shohin). Dhe ndoshta ka ardhur koha që ata të përkrahin një lëvizje të re politike, udhëheqësit e së cilës do ta shohin pushtetin jo si një mjet për të pasuruar veten dhe përkrahësit e tyre, por si mjet për të përmirësuar jetën e votuesve të thjeshtë në përgjithësi.
Por a vërtetohet empirikisht hipoteza e mësipërme? Nga sondazhet e derisotme, po.
Dhe a do të lindë një lëvizje e re politike e tillë pas 21 qershorit ?
Kjo mbetet të shihet. Sidoqoftë, Bojaxhiu apo kushdo që mendon ta marrë nismën për krijimin e saj, duhet të inkurajohet nga fakti se lëvizje të tilla kanë rezultuar të sukseshme në Europë, si në sondazhe edhe në zgjedhje…
Comments
10%, kaq i duhen Gjergjit per

10%, kaq i duhen Gjergjit per te patur goje ne 2017 per te thene se votat nuk shkojne dem, se ai dhe levizje e tij mund te nxjerre deputete ne shume qarqe te vendit. Ju duhen dhe disa dite me denoncime te forta, sepse votuesit e tij kete duan.

Me thene te drejten ata qe do
Me thene te drejten ata qe do votojne Gjergjin nuk kane nevoje te informohen me tej ne lidhje me shkeljet apo padrejtesite; ky do jete grumbullimi me cilesor i votes ne vitet e demokracise. E rendesishme, mendoj une, eshte qe Gjergji te shtoje prezencen e zerave te tjere ne parametra qytetare, dhe specialiste te pergatitur e te fisem te fushave te ndryshme ne kete grupim, duke rritur ne kete menyre besimin se edhe pjesa e shendetshme e shoqerise mund te gjeje dalengadale percjelles te interesit te saj ne vendimarrje.
Votat asnjehere nuk shkojne

Votat asnjehere nuk shkojne dem; ato shprehin nje qendrim qofte edhe kur ky qendrim eshte kunder stabilimentit politik. Mbase jo te gjithe ne elektoratin shqiptar e kuptojne kete, por emancimpimi politik vjen nga pjesa me e avancuar dhe jo me regresive e elektoratit.

Anti-klientelizmi nuk perben

Anti-klientelizmi nuk perben program politik. Po ashtu edhe meritokracia. Por te dyja jane te mira per te mbledhur vota dhe per te perfaqsuar nje idealizem te ri, i cili ne fund fare pjell nje parti te re. Rreziku eshte qe kjo parti te jete edhe me klienteliste dhe e sunduar nga lideri se sa partite tradicionale, per kete arsye ne fund programi eshte vendimtar, nese duam ti permirsojme gjerat. Dhe programi bazohet tek interesat. Jo tek interesat e te gjitheve, por te nje pjese te elektoratit.

Gjergji nuk ka rruge tjeter vecse te krijoje nje parti te djathte, te konkuroje PD-ne dhe ti kundervihet PS-se. Sidomos kjo e fundit, pra ndertimi i nje programi konkurues ndaj PS-se, duke vene ne dukje ekzagjerimit stataliste, sipermarrjet e tepruara dhe qe i ngarkojne shtetit shume me teper barre se c'mund te mbaje, munde te jene nje baze e mire per programin.

E perseris, as premtimet per ndershmeri, as refuzimi i politikes si e tille, as premtimi per te vene njerzit me te zote ne krye, duke zevendesuar politikanet me tekniciene dhe asnje premtimi per te qene engjej nuk mjafton. Duhet patjeter te kete nje program konkret politik me propozime dhe qendrime konkrete mbi te gjitha ceshtjet themelore, duke filluar nga prona deri tek ceshtjet me te vecanta dhe me konkrete te drejtesise, arsimit, etj.

ref, ne 21 qershor per

ref, ne 21 qershor per gjergjin behet fjale nese do kape nje kuote 10%. po i kapi, pastaj diskutojme per per programin qe do paraqese ne 2017

Add new comment