FYROM midis ‘bombave’ të opozitës dhe ofensivës së pushtetit

Postuar në 08 Shkurt, 2015 16:06
Naser Pajaziti

FYROM po shkon drejt në situate të tensionimit dhe krizës së rëndë politike, pasi lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev paralajmëroi të ashtuquajturat ‘bomba’ kundër pushtetit të kryeministrit Nikola Gruevski. Këto ‘bomba’ që nuk kanë shpërthyer akoma janë një mori dokumentesh, materiale dhe dosje me skandale dhe afera të ndryshme korruptive, kriminale kundër qeverisjes aktuale.
Zaev ka paralajmëruar se ‘bombat’ e tij prekin edhe çështjet ndëretnike, dhe gjithçka ndërlidhet me ngjarjet e viteve të fundit, që kishin nxitur reagime dhe protesta ndëretnike. Zërat janë të ndryshëm, disa media kanë shkruar se dokumentet që disponon opozita maqedonase kanë të bëjnë me rastin “Monstra”, që ka të bëjë me vrasjen e pesë maqedonasve në prill të 2012 në periferi të Shkupit dhe që për këtë akt makabër u dënuan me burgim të përjetshëm 6 shqiptarë. Ky dënim që u cilësua si i montuar në mungesë të provave bindëse nxiti reagime të ashpra dhe protesta masive të shqiptarëve.
Por çfarë në të vërtetë përmbajnë ‘bombat’ e Zaevit !?
Ato nuk i din askush akoma dhe deri tani nuk janë publikuar , as edhe një detaj i tyre.
“Bombat kanë prova të forta për të këqijat dhe dëmet e këtij pushteti. Me publikimin e tyre Gruevski për tre ditë do të bie nga pushteti”, ky është sqarimi i vetëm që jep Zaev, duke lënë gjithçka surprizë dhe misterioze.
Kryeministri Nikola Gruevski është vënë në ofensivë për të demistifikuar paralajmërimet e opozitës maqedonase.
Ofensiva e tij me mekanizmat institucionale ka goditur liderin opozitar Zoran Zaev, duke e akuzuar si spiunë të shërbimeve sekrete dhe bartës të një skenari për grushtet apo puç të organizuar për marrjen e pushtetit përmes formave jodemokratike.
Zaev tani përballet edhe me aktakuzë të ngritur nga Ministria e Brendshme, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e arrestimit të tij.
Thirrjet për të futur prapa grilave, liderin opozitar i kanë shfaqur shumë analistë, ekspertë për çështje juridike dhe shoqata proqeveritare. Tërë kjo betejë e pushtetit po zhvillohet nën petkun e nacionalizmit dhe patriotizmit, ku nuk po kursehen fyerjet e ashpra ndaj Zaevit, duke e konsideruar një ‘tradhtar’ të shërbimeve sekrete. Ofensiva propagandistike e pushtetit ka përfshirë edhe vendin fqinj Greqinë.
Një pjesë e mediave dhe portaleve informative proqeveritare akuzojnë praninë e shërbimit sekret në Maqedoni, dhe infiltrimin e tij përbrenda opozitës maqedonase.
Një nga portalet e afërta të pushtetit “Kurir” ka shkruar se shërbimi sekret grek ka fonde dhe arsye për të angazhuar bashkëpunëtor kundër interesave maqedonase”. Këto akuza po ndodhin në periudhën kur në Athinë po ndodhë ndryshimi i pushtetit dhe strukturave të sigurisë, ndërsa zyra greke në Shkup akoma nuk është deklaruar për këtë valë shkrimesh dhe analizash që thirren dhe akuzojnë institucionet greke të sigurisë.
Nga ana tjetër, është tmerruese se mediat proqeveritare që dominojnë tregun medial po parapërgaditen për të censuruar ‘bombat’ e opozitës.
Një alibi për ta do të jetë vendimi i Prokurorisë Publike, e cila ka vendosur që të mos publikohet asnjë material që ka të bëjë me këtë çështje, pasi që tërë procesi është në hetim dhe se gjatë hetimeve ndalohet publikimi i materialeve. Ky vendim ka nxitur reagime të ashpra nga opozita, por edhe shoqatat e gazetarëve, të cilat kanë theksuar se nuk do të përfillin në asnjë rast paralajmërimin e prokurorisë. Një mesazh të ngjajshëm ka bërë edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila ka kërkuar informim të drejtë dhe të paanshëm lidhur me ‘bombat’ e opozitës.
Sinjalet e bashkësisë ndërkombëtare janë se vendi po futet në një krizë të pakthyeshme që do të cënojë stabilitetin dhe funksionimin e shtetit. Ky mozaik i zhvillimeve ka lënë në plan të dytë prioritetet për anëtarësim në NATO dhe BE, përmes zgjidhjes së kontestit të emrit, dialogun politik dhe projekte të paralajmëruara ekonomike dhe investuese.
Acarimi i situatës mund të paralizojë tërësisht vendin, për shkak të vrimës së madhe të krijuar në buxhetin shtetëror, dhe deficitin e shënuar që në muajt e parë të vitit.
Fundjava apo edhe java e ardhshme do të jetë mejdani kryesor i ballafaqimit të pushtetit dhe opozitës maqedonase. Kjo pritet të ndodhë sepse opozita e udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate Maqedonase pritet të nis me publikimin e materialeve komprometuese me një varg skandalesh dhe aferash kundër pushtetit aktual.
Por ky hap nuk do të lë duarkryq pushtetin e Nikola Gruevskit, i cili gjithashtu mund të sfidojë me hapa dhe supriza të ndryshme që mund të jenë të papara dhe në kundërshtim me rregullat demokratike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.