Fushata amnezike e Metës

Postuar në 15 Maj, 2013 02:54
Andi Bushati

Sa më shumë kalojnë ditët, aq më komike bëhet fushata e LSI-së. Gjatë prezantimit të kandidatëve të tij në Gjirokastër, Ilir Meta perifrazoi shprehjen e një liberali të djathtë amerikan, ish- presidentit Ronald Regan, sipas të cilit, “qeveria nuk zgjidh problemet, por ajo është vetë problemi”. Përpara ithtarëve të tij, që e brohorisnin pas çdo lloj fraze që nxirrte nga goja, kreu i LSI-së theksoi se këtë shprehje të çerek shekulli më parë, dukej sikur Ronald Regani e ka thënë fiks për qeverinë Berisha. Përshtypja e parë e atyre që e kanë dëgjuar citimin në TV-të e mbrëmjes, sigurisht që do të ketë qenë befasuese. Sepse mendimi automatik që të shkon në mendje është: Po LSI-ja ku ka qenë këto katër vite, a nuk qe edhe ajo pjesë e problemit? Por, asnjë nga ekranet apo gazetat e së nesërmes nuk e ngritën këtë pyetje. I vetmi reagim ndaj saj qe një karikaturë e gjetur e Bujar Kapexhiut në faqen e parë të “MAPO-s”, ku kreu i LSI-së fliste nga tribuna për të pickuar qeverinë dhe një fshatar i hipur mbi gomar i përgjigjej: “Cila qeveri? Ajo që ke qenë zotrote”?

Kjo është në fakt fabula që po ndodh me këtë parti. Shumëkush ka filluar ta marrë me të qeshur duke i shtuar qëndrimeve të saj shprehjen: “e mo Meta si Meta, e bën për politikë, e kritikon Berishën aq sa për t’u dukur në opozitë”. Të tjerë, që kanë prirje të majta, i janë bindur thirrjes së tij për t’ia lënë video-përgjimin, 21 janarin, zgjedhjet e 8 majit, arkeologëve dhe historianëve. Ata e kanë mbyllur këtë kapitull. Ndërsa ata që janë më djathtas, kanë frikë t’i nxjerrin në publik mëkatet e Metës, njësoj si pështymën që mund t’u bjerë mbi fytyrë.

Kështu, në vetëm një muaj rreth asaj që ka bërë LSI-ja është krijuar një amnezi kolektive. Fabula e re e lindur në 1 prill, duket sikur po i mbivendoset realitetit katërvjeçar. Vetë kreu i LSI e ka ushqyer skajshmërisht këtë amnezi. Ai u kujdes që të bënte një ndarje të butë me Berishën, ndërkohë që mund të kish gjetur me dhjetëra shkaqe për t’u ndarë prej tij me konflikt. Por jo, ai doli në fillim të prillit nga zyra e kryeministrit duke e paraqitur këtë si mbarimin normal të një kontrate të suksesshme bashkëpunimi. Kaluan disa javë dhe ai mezi belbëzoi se po e hidhte këtë hap sepse vendi kish nevojë për balancim pushtetesh (të të njëjtit rrëmbim pushtetesh, të cilit i shërbyen katër votat e LSI-së). Pak më pas, kur në parlament u zhvillua seanca nervëshkatërruese e grabitjes së anëtarit të KQZ-së, situata qe dhe më absurde. Konflikti për jetë a vdekje zhvillohej mes PS-së dhe PD-së, aq sa gati u harrua se njeriu, që gjendej në mes të kësaj loje, i përkiste LSI-së. Madje edhe më absurde u duk në këtë rast ndërhyrja e Ilir Metës, i cili foli gjatë kësaj seance si një lloj Fyleje shqiptar, që shqetësohej më shumë për integrimin dhe imazhin e vendit, sesa për detajin e vogël të KQZ-së, që i kishte ngërthyer palët në konflikt. Këtë qëndrim, sikur të qe mbi palët, kreu i LSI-së e ka shfaqur shumë herë gjatë muajit të fundit, kur ka qenë fjala për integrimin europian, për problemet ekonomike, për një parlament që dëgjon zërin e qytetarit etj.

Po, pikërisht në këto qëndrime duket absurditeti dhe karakteri komik i fushatës së LSI-së. Nga njëra anë ajo është futur në zgjedhje sikur të qe në qendër dhe e baraslarguar nga palët, në anën tjetër votat kërkon t’i mbledhë në thesin e të majtës. Mbi të gjitha kjo lloj strategjie e ka bërë fushatën e Metës të pavërtetë, ose në rastin më të mire, atë të vërtetave të thëna përgjysmë.

Me të drejtë ai ankohet sot se Berisha ka uzurpuar të gjitha pushtetet, por ai nuk guxon ta çojë më tej këtë temë. Ai nuk mundet të thotë se ky pushtet i tepërt i duhet për shembull për të kontrolluar gjyqësorin, pikërisht atë gjyqësor që dha verdiktin në procesin farsë të 21 janarit, në procese si ai i video-përgjimit, apo në çështje si ato të Kolegjit Zgjedhor të 8 majit.

Me të drejtë ai i kritikon Berishës batutat për krahasimin e ekonomisë shqiptare me atë gjermane, por kjo është si ta godasësh kryeministrin me pambuk. Sepse të kërkosh të flasësh për sjelljen e kësaj qeverie në kohë krize, nuk mund të lësh pa përmendur privatizimet klienteliste që i kanë dështuar njëri pas tjetrit. Nuk mund të lësh pa përmendur biznesmenët e huaj që nuk investojnë dot pa paguar tek fëmijët e kryeministrit. Nuk mund të lësh pa përmendur klientët që favorizohen për të mos paguar detyrimet marramendëse ndaj shtetit.

Me të drejtë ai e akuzon Berishën se qëndrimi i gjatë në krye të shtetit e ka bërë të humbasë kontaktet me realitetin, por kjo ngjan me një kritikë qesharake, kur përballë ke një politikan që urdhëron vrasje për të mbajtur pushtetin.

Pikërisht për këto, Ilir Meta po sillet sot si një opozitar fallco. Për të gjitha pikat kyçe ku Berishën dhe opozitarët e tij i ndan një hendek i pakapërcyeshëm, ai nuk ka qëndrim.

Dhe problemi i kësaj fabule të rreme, i këtij opozitarizmi me gjasme, nuk është tek morali politik i Ilir Metës. Nuk është as tek shqetësimi i tij për të cituar Reganin apo për të përqeshur rritjen ekonomike të Shqipërisë. Ai është tjetër kund. Eshtë te enigma e pushtetit të nesërm. Sepse nëse më 23 qershor koalicioni ku LSI-ja bën pjesë do të fitojë me një rezultat të ndjeshëm, kjo do të jetë një fitore e arritur me ndihmën e një pjese, që as nuk i ka denoncuar, as nuk i ka quajtur si të tilla mëkatet e qeverisjes Berisha. Ndaj për këtë arsye, ato mund të përsëriten në të njëjtën formë. Ndërsa në të kundërtën, nëse ky rezultat do të jetë i ngushtë, kjo e lejon fare mirë LSI-në të nënshkruajë një kontratë të re suksesi më atë që e kritikoi veç për makijazhin e qeverisjes së mëparshme. Pra, në këtë kuptim, shqetësimi për të zbardhur fushatën pa qëndrime të LSI-së, nuk është një skrupull gazetaresk. Ai është detyrimi që kemi sot për të vizatuar fytyrën e pushtetit të nesërm.

Comments

Submitted by bbb (not verified) on

Shkrim shume i sakte i zotit Bushati. LSI po tall bythen me ate pakice te popullit qe akoma beson se LSI eshte parti e majte dhe gjoja po ben opozite. LSI eshte nje levizje horrash dhe hajdutesh te cilet skane as moral e as ideologji. Eshte nje levizje sipermarrse votash te mashtrimit qe don ti ktheje ne kapital politik. Gjinushi me 2009 ne nje emsion politik ne TV i thosh Metes: ”…ti je levizje, nje here leviz majtas nje here djathtas…beu parti se mbetet levizje…”
Pra desha te them se LSI po luan lojen sikur ben opzote sikunder beri me 2009 qe me pankarta shkriuante BERISHA IK por ne te vertete doli BERISHA RRI. Nuk ka moral qe ish numri dy i qeverise Berisha, ish zvkryeminitri i Berishes, qe kane  vrare 4 te pafajshem, te dali tani si klloun cirku te shaje qeverine(?!) Kete vetem ndonje militant i LSI mund ta haje. Eshte detyra e popullit ta ndeshkoje partin e hajdutve LSI me vote. Le ta degjerojme me vote LSI qe Meta dhe hajdutet e tij te mbeten jo vetem jashte parlamentit por edhe jashte politikes.

Submitted by Klevis (not verified) on

Ronald Reagan nuk ka qene nje liberal por nje konservator.

Megjithate, me qesharake eshte kur Meta thote qe duhet te behet nje rotacion politic.

Ishte gje ne opozite LSI-ja ne 3-4 vitet e fundit?

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.