Flirt me totalitarizmin

Kam mundur të vë re që shumë njerëz kur kanë parë për herë të parë filmin “Matrix”, kanë pasur një eksperiencë thuajse të njëjtë, duke pyetur veten: “Po sikur të jemi duke jetuar vërtet në një Matrix?”. Efekti i një vepre të fortë artistike. Nuk besoj se dikë e kanë gërryer dyshime të ngjashme pasi ka lexuar “Kurbanin”, ose “Enver Hoxhën” e Fevziut. Në mënyrë të ngjashme, gjatë këtyre viteve, mua më kthehen vazhdimisht në mendje dy libra: “1984” i Orwell-it dhe “Brave New World” i Huxley-t. (opa, iku gjysma e lexuesve që tani).
Të dy librat që te ne kanë ardhur shumë vonë, vetëm pas ’90, analizojnë kontrollin politik dhe pushtetin përmes autoritarizmit, dhe kanë ndikuar gjerësisht në mënyrën sesi u perceptua kjo në perëndim në shekullin e XX. Thuhet se H. Klinton, kur e kanë pyetur për librat e vet të preferuar, ka cituar pikërisht këta të dy. Ne shqiptarët jemi në flirt të vazhdueshëm me autoritarizmin, dhe është e lehtë të identifikoj brenda historisë dhe të tashmes sonë elementë të 2 botëve, oruelliane dhe hakslejane.
2 botët
Të dy librat flasin për një botë ku individët prodhohen në fabrika, një botë pa liri e pa individualitet, ku individët zhduken ose dërgohen në ishuj. Për ata që kanë lexuar vetëm njërin prej librave, mund t’ua përshkruaj të dy shkurtimisht.
“1984”-a e Orwellit e shkruar që më 1949, është për mua një ndër librat më të mirë që kam lexuar, ndoshta edhe pse analiza që i bën sistemit stalinist që e kemi jetuar është e mprehtë, thelbi i saj është paranoja dhe vëzhgimi. Në botën e “1984”-s, qytetarët nuk kanë privatësi, nga televizorët ata monitorohen vazhdimisht nga shefi i madh i Partisë, që quhet Vëllai i Madh. Seksi është i ndaluar, përveçse për riprodhim, madje shkencëtarët po punojnë për të zhdukur orgazmën, që të sigurojë devocionin e plotë ndaj partisë. Familja është një vend spiunimi i vazhdueshëm tek partia, dhe e vërteta rishkruhet non-stop.
Në krahasim me diktaturën negative të Orwellit (bazuar mbi frikën), Huxley ndërton një diktaturë pozitive (bazuar mbi kënaqësinë). “Brave New World” është një vend ku qytetarët jetojnë të qetë, në një botë konsumiste ku shkenca e teknologjia janë vënë në shërbim të maksimizuar kënaqësitë dhe për të minimizuar kohën që njeriu rri vetëm. Seksi promovohet, por vetëm për kënaqësi, si një aktivitet social, kurrsesi për riprodhim, slogani i shoqërisë është “gjithsecili, i përket gjithsecilit”. Ideja e familjes konsiderohet “pornografike”, fëmijët rriten që të vegjël në kasta. Askush nuk e njeh mamën e vet.
Me aq sa di, janë pjesë kurrikulumesh në perëndim dhe miliona nxënës vihen para detyrës për t’i krahasuar të dy librat. Por, letërsia krahasuese, nuk është qëllimi im dhe për më tepër, ky nuk është një punim shkencor. Është thjesht një dëshirë për t’i rivizituar të dy librat përmes një përvoje shqiptare. Aq më tepër pasi ke jetuar enverizmin dhe berishizmin. Të dy librat janë si një sanduiç ideologjik për njeriun. Cili skenar është më i mundshëm?
Mes Orwell-it dhe Huxley-t
Ka shumë studime krahasuese e libra mbi këta dy libra, dhe shumica bien dakord që bota hakslejane “fitoi” mbi atë oruelliane (Fukuyama është ndër ata që thotë se parashikimet politike të “1984”-s nuk u vërtetuan). Unë mendoj që të dyja botët qëndrojnë si qen pas dere, gati për të kafshuar. Personalisht më ngjan që, nëse enverizmi do të kishte mjete të avancuara teknologjike, “1984”-n do e kishim përjetuar të plotë. Totalitarizmi, mua më vjen më shumë si një totalitet mbi mendjen e individit. Arma e tij më e fortë ëshët zhdukja e së vërtetës - duke e ndryshuar (Orwell) ose duke e harruar (Huxley).
Zhdukja e së vërtetës
Të ardhur nga një përvojë spiunimi, ku burri spiunonte gruan para partisë, e ku paranoja e sistemit realizohej përmes fushatash spastrimi në fusha të ndryshme, sjellja jonë qytetare e politike mbart shumë elementë oruellianë. Zhdukja e armiqve të popullit deri dhe nga fotografitë e nga historia, arriti një përsosmëri të frikshme.
Në kohën e berishizmit, u miksua ky version me atë hakslejan të “harrimit” të historisë. Kjo u bë përmes shumëfishimit të versioneve të pafundme të historisë, duke lëvizur datat në mënyrë të dhunshme, duke holluar e përdhunuar institucionet dhe integritetin e individëve, duke i bërë të gjithë të pabesueshëm. Dhe mbi të gjitha – soma – droga jonë është media, manipuluesi më i madh dhe i pandëshkueshëm i së vërtetës.
E vërteta, po zhduket përmes asaj që Huxley e quan “man's almost infinite appetite for distractions”, shumë facebook, shumë youtube, shumë Big Brother televiziv, pa folur për hashashin e freskët dhe pornografinë falas, çka i bën individët më pak të interesuar për të zhvilluar ndjeshmëri politike – dhe nuk flas për militantë ose për votues – flas për qenie të pavarura e me gjykim të shëndetshëm politik. Unë sot njoh të rinj që nuk e dinë çfarë ka bërë Enveri, dhe nuk janë në gjendje të gjykojnë politikisht Berishën. Unë shoh gjithnjë e më pak individë, e gjithnjë e më shumë konsumatorë hakslejanë të kënaqësive.
Asgjësimi i individit
Individin, Orwelli e zhduku duke ia eleminuar të tëra kënaqësitë, pak a shumë si në kohë të Enverit. Huxley, duke ia dhënë kënaqësitë, aq sa individët të mos kenë nevojë as të mendojnë më. Shkoni vizitoni Folie-n një darkë. Do shihni të rinj që rrinë me orë të tëra duke parë celularët. Ne praktikisht, jemi të rrethuar nga shqiptarë që kanë frikë të rrinë vetëm. Nivelet e konsumizmit nisin që fëmijë: Ka 13 vjeçarë që u vjen turp të shkojnë në shkollë se nuk kanë I-phone. Uluni e flisni me një të ri të zakonshëm, dhe do shihni që ka pavarësinë e të menduarit të një 7 vjeçari.
Jo më kot, në “Brave New World”, fëmijët ndahen në kasta që të vegjël. Alfat, Betat, Epsilonët... Si kastat tona, me bazë kryesisht pasurinë dhe prejardhjen. Interneti, ky pyll i madh i përgjuar është vendi ku ne kujtojmë se fshihemi, por qeveritë na përgjojnë në çdo gjë që shkruajmë, në çdo sajt që vizitojmë, në çdo ‘like’ e foto. Ju kujtoni se humoret elektorale në FB ishin frymëzime spontane?? Jo, dikush jua vinte me program përpara.
Asgjësimi i individit, ka të bëjë me individë që mendojnë të pavarur e mund të vënë në dyshim kolonat e autoritarizmit. Enveri i rraste burgjeve, si tek “1984”-a. Sot, i darovisin me poste. I çojnë nëpër ambasada, si në ishujt ku Huxley dërgon ata që nuk “përputhen” me sistemin.
Për të ardhur te qentë.
Qen’t
Unë e dashuroj 2 minutëshin e urrejtjes tek “1984”-a. Tradhëtari, qoftë ky Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, apo Shehu ngjallnin pështyma neverie e sharje kur shfaqeshin në TV. E njëjta frymë vazhdon edhe sot, kur Berisha për disa e Rama për disa të tjerë del në TV. Procesi i transferimit të urrejtjes (dhe dashurisë) nga Nano te Rama, i ngjan shumë funksionimit të botës orwelliane. Armiku është armik, pavarësisht nga fytyra. Ndërsa apatia e një sërë njerëzish ndaj atij/atyre që na qeverisin, është tipike hakslejane.
Në të dy librat, ekzistojnë botët e nëndheshme, botët e poshtme të populluara me nën-specie, me njerëz të lënë të lirë, dhe të mjerë njëkohësisht. ‘Prolet’ e Orwell-it mbahen nën kontroll me birrë të lirë, pornografi dhe madje dhe me një lotari kombëtare. Por, ata nuk janë qenie politike. Askush nuk i pyet. Si qen.
Demokracia-sanduiç mes dy botëve
Demokracia, duket se nuk është si ajo tufa e dhive që na ushqen pa qenë nevoja të lodhemi. Pak kush e kuptoi që demokracia, qenka shumë më e brishtë, e abuzueshme dhe kërkon shumë punë për ta mbajtur në këmbë. Në momentin që nuk ia hedh sytë, dikush po e mjel për veten e vet. Ndaj, popuj të përgjumur e jo-vigjilentë si i yni janë pretë e mundshme të atyre që me të marrë pushtetin, kanë tendencë të na çojnë drejt njërit skenar a tjetrit.
Gjëja që më mundon në të dy librat, është fakti që në fund, të dy individët e humbasin luftën me pushtetin. Njeriu i egër John var veten në fund të “Brave New World”, ndërsa “1984”-a ka një fund cinik, Winston përfundimisht i nënshtrohet pushtetit, madje mëson ta dojë atë si pjesë të tijën, dhe fjalia e fundit e librit është “I Love Big Brother”.
Sipas Neil Postmanit, ajo çfarë Orwell-i i trembej ishin ata që do të na ndalonin librat. Frika e Huxley-t, ishte se mund të vijë momenti kur nuk ka arsye për të ndaluar një libër, sepse askush nuk do të lexojë një libër.
Revista Klan*
Comments
E perkryer!

E perkryer!

dikush qe mendon akoma ne nje

dikush qe mendon akoma ne nje vend ku te gjithe vegjetojne

Kush ka mend le te lexoj!

Kush ka mend le te lexoj! Respekte per keto shkrime qe shkruhen e botohen

Eshte si nje mini-reklame

Eshte si nje mini-reklame per jetet qe na kerkojne te bejme...

Pra, Coloreto (qe me ne fund ra, edhe ai...!) na kujton se nuk ka rruge tjeter: ose, ose...!

Kur ne te vertete, edhe pse pyetemi me "ose, ose..." gjithnje ka nje "edhe..."!

Pra, po bej ta bej te diskutueshem, edhe Koloreton e kendshem!

Me vjen mire qe ke cekur kete

Me vjen mire qe ke cekur kete pjesen e socializimit, Kolo. Me kujtohet qe kur degjoja Radio Club FM mengjeseve per ne pune , kjo tema e njerezve qe jane ne nje klub dhe nuk socializon, athere me bente te qeshja se mendoja se Kolo e bente per batute. Shkoj ne nje klub rroku dhe shef njerez qe pijne cigare me nje fytyre sikur jane ne varrim dhe s'ka muzike allegro qe te thone "ca ben" tavolines ne krah; ose njerez qe shikojne fb ne celular, tamam ne "moshen" e internetit edhe ne klub. Apo per pjesen qe kjo rini e ka te shkruajtur "po vdes per seks" dhe bejne sikur nuk iu intereson, se si duket kane lexuar Huxley-in seriozisht! Ne kohen e "xhaxhit" ku gocat dhe cunat hanin buke me vaj dhe me sheqer, socializimi ishte me natyral sesa sot..ne dhjemokraci! Cudi! bravo Kolo qe i solle si shembuj keta libra mbi te gjitha!

Ka nje opinion te vete

Ka nje opinion te vete G.Orwell ne librin e tij"Rruga per Wigan Pier"mbi dy libra te quajtur utopike,"The Sleeper Awakes"(Rizgjimi i te fjeturit) te H.G.Wells dhe "Brave New World"te A.Huxley.Orwell i quan te dy romane te nje Utopie pesimiste,nje specie parajse ku realizohen endrrat e individit"progresiv",pasi Orwell ishte socialist i bindur dhe kunder hegjemonise se makinerive.Ketu bashkohet mendimi i Orwell me ate te Marxit,ky i fundit ka lene nje thenie lapidare:"Plotesimi i shume gjerave te nevojshme krijon njerez te panevojshem".Opinioni i Orwell eshte shume i gjate,biles vlereson se romani i Wells eshte shume me superior se ai i Huxley,ndonese kritika qendron se Wells ishte mbeshtetes i progresit,qe nuk mund te shkruante kunder"progresit",ndersa Huxley i ben nje karikature kesaj utopie.Kisha shkruar pardje,me duket,nje replike ne kete shkrim,por paska humbur rruges.Sidoqofte,"1984" duket qe po verifikohet ne kampin e kundert,ate kamp qe Orwell e kishte frike me shume se totalitarizmin sovjetik,ne fashizem.Se çfare eshte fashizmi nuk eshte e lehte te shpjegohet,por qe ushtron tendenca te kete nen kontroll gjithshka,kjo tashme eshte evidente dhe s'ka dyshim qe shoqeria njerezore eshte kollaj e kontrollueshme.Qofte sepse teknologjia e ben te mundur,qofte sepse metoda te shumta manipuluese kane arritur te minojne kontaktet njerezore dhe inisiativat e perbashketa.

Add new comment