Fitore e Bashës apo...e Metës?

Postuar në 20 Korrik, 2011 06:11
Eduard Zaloshnja

Pavarësisht rezultatit që konfirmoi Kolegji Zgjedhor për Bashkinë e Tiranës, gara mes Ramës e Bashës përfundoi në një barazim të pastër statistikor – diferenca mes dy kandidatëve, si ajo e 14 majit me 10 vota për Ramën edhe ajo e 8 korrikut me 93 vota për Bashën, është e rendit të tre shifrave pas presjes dhjetore në përqindje. Por edhe i parë si një barazim i pastër statistikor, rezultati i Tiranës do të përbënte një fitore të Bashës për një vëzhgues të sipërfaqshëm të garave elektorale të Tiranës. Kjo, sepse Rama i kishte fituar garat e mëparshme për Bashkinë e Tiranës me diferenca gjigande prej mbi 20 mijë votash.

Por për një vëzhgues më të vëmendshëm të garave elektorale të Tiranës, barazimi statistikor i 14 majit apo 8 korrikut nuk mund të konsiderohet thjesht një fitore e Bashës – ai mund të quhet edhe një fitore politike e Metës, djalit plangprishës të së majtës. Dhe ja përse.

Kur Rama arrinte fitoret e tij me diferenca prej mbi 20 mijë votash, e majta ishte e bashkuar. Kështu, për shembull, në fitoren e 2007 trupëzohej edhe kontributi i rreth 18.600 votave të LSI-së, e cila ishte atëhere në koalicion me PS-në. Dhe të mos harrojmë se LSI-ja kishte marrë po aq vota në Tiranë edhe në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës. Por LSI-ja u nda nga PS-ja në 2009-ën. Dhe në atë vit, koalicioni i udhëhequr nga Rama realizoi një diferencë prej vetëm 15 mijë votash në qytetin e Tiranës, krahasuar me koalicionin e udhëhequr nga Berisha. Ndërkohë, LSI-ja mori rreth 14 mijë vota në kryeqytet.

Dhe tani të vijmë te gara e fundit bashkiake. Para 8 majit, të dy kandidatët kishin secili nga një rezervuar potencial votuesish të barabartë statistikisht mes tyre. Kështu, partitë që mbështesnin Ramën kishin marrë një total prej pothuaj 125 mijë votash në vitin 2009 dhe pothuaj po aq kishin marrë edhe partitë që mbështesnin Bashën. Por ky barazim statistikor e kishte një kleçkë brenda - ndër partitë që mbështesnin Bashën ishte edhe LSI-ja, votuesit e së cilës kishin votuar për 20 vjet rresht kundër Berishës, padronit politik të tij. Për më tepër, një krahasim i rezultateve të 2007-ës me 2009-ën tregonte se LSI-ja, pasi u largua nga koalicioni i udhëhequr prej Ramës, kishte pësuar në Tiranë një rrudhje prej rreth 4.500 votash. Dhe logjika ta donte se kjo rrudhje do të vazhdonte edhe në 8 maj, sidomos prej faktit që Meta ishte tani në koalicion me Berishën, të urryerin e të majtëve, dhe sepse ai ishte një deputet pa imunitet për shkak të video-skandalit me Priftin.

Kjo logjikë u konfirmua nga një sondazh që zhvillova tre javë para 8 majit, sipas të cilit më rezultonte se rreth 5-6 mijë zgjedhës që kishin votuar për LSI-në në 2009-ën do t’ia jepnin votën Ramës e jo Bashës, pavarësisht se LSI-ja e mbështeste fuqimisht këtë të fundit. Ndërkohë, sipas sondazhit, votuesit e partive të vogla jashtë koalicioneve të mëdha të 2009-ës do ta shpërndanin votën në mënyrë proporcionale, votuesit e koalicionit Berisha do t’ia jepnin votën Bashës, dhe votuesit e koalicionit Rama do t’ia jepnin votën këtij të fundit. Si rrjedhojë, gjasat ishin të forta që Rama të fitonte me 10-12 mijë vota diferncë. Kjo sepse, si rezultat i kalimt të 5-6 mijë votave të LSI-së nga Basha te Rama, ky i fundit do të ngjitej nga niveli i 125 mijë votave në 130-131 mijë vota dhe Basha do të zbriste nga niveli i 125 mijë votave në 119-120 mijë vota.

Por rezultati i Tiranës tregon se rrjedhja e votave të LSI-së nga Basha tek Rama, në nivel agregat, nuk ndodhi – Rama dhe Basha morën rreth 125 mijë vota secili. Ndërsa në një nivel më të detajuar, kjo rrjedhje edhe u konstatua. Shembulli më i fortë i saj ishin disa qendra votimi në Kombinat, të cilat kishin qenë bastione të forta të LSI-së. Në to Basha mori rreth 1000 vota më pak se sa kishin marrë së bashku në 2009-ën partitë që e mbështesnin atë, ndërkohë që LSI-ja kishte qenë partia më e fortë në ato qendra, me rreth 2000 vota. Por deficitin që i krijoi LSI-ja në Kombinat, Basha e plotësoi në Laprakë (minibashkia 11), ku mori rreth 1000 vota më shumë se sa kishin marrë së bashku në 2009-ën partitë që e mbështesnin atë.

Dhe pyetja 1 milion euroshe është se si arriti LSI-ja që, përkundër gjasave, të transferonte të paktën 14 mijë vota të majta drejt një kandidati të djathtë. Një shpiegim mund të jetë punësimi i LSI-stëve në pjesën e administratës të kontrolluar prej saj. Një tjetër mund të jetë besnikëria e verbër e disa votuesve me origjinë nga Skrapari ndaj udhëheqësit të tyre skraparlli. Dhe një tjetër mund të jetë blerja e votës me para në dorë nga LSI-ja (për këtë shpiegimin e fundit nuk kam prova – po të kisha, do t’i kisha paraqitur në prokurori…)

Por a pati vetë Basha ndonjë meritë për rezultatin e arritur? Duke lënë mënjanë efektin LSI, i cili u analizua më sipër, mund të thuhet se Basha mori vetëm rreth 800 vota më shumë seç kishin marrë partitë e djathta në 2009-ën. Dhe ky avancim mund të shpiegohet me votat që ai mori më tepër në Laprakë (minibashkia 11), krahasuar me votat që kishin marrë së bashku në 2009-ën partitë që e mbështesnin atë. Nga ana e tij, ky avancim në minibashkinë 11 mund të shpiegohet me rritjen më të madhe të listës së votuesve atje, krahasuar me minibashkitë e tjera (rritja e numrit të votuesve në lista nga 2009 në 2011 ishte 5.2% në minibashkinë 11, ndërkohë që në gjithë Tiranën ishte 3.1%).

Sidoqoftë, fakti që Basha mori në total pak a shumë po aq vota sa kishin marrë së bashku në 2009-ën partitë që e mbështesnin atë është një arritje jo e vogël. Por përpara se t’i jepet atij meritë për këtë arritje, duhet theksuar se edhe Rama mori po aq vota sa kishin marrë së bashku në 2009-ën partitë që e mbështesnin atë. Gjë që tregon se elektorati tiranas nuk i trajtoi zgjedhjet e 8 majit si një garë lokale mes dy kandidatëve për administrimin e qytetit – ai thjesht përsëriti garën politike të 2009-ës. Kur gara kishte qenë vërtetë lokale (në vitet 2000, 2003, 2007), pjesmarrja kishte qenë në nivelet 36-39%. Ndërsa në 8 maj, pjesmarrja ishte rreth 51%, po aq sa kishte qenë në 2009-ën. E megjithatë, fushata derë më derë e shtabit elektoral të Bashës për identifikimin dhe inkurajimin e votuesve të tij mund të ketë qenë më kapilarja që është realizuar ndonjëherë në Tiranë. Jo rastësisht, në shumicën e qendrave të votimit të djathta procesi mbaroi para orës 19, ndërkohë që në qendra votimi të majta rradhët e gjata vazhduan edhe pas orës 19.

Për lexuesit opozitarë, në analizën e mësipërme mund të duket se mungojnë disa argumentë të shumëpërmendur kohët e fundit. Ndër më të dëgjuarit është ai i rritjes artificiale të listave së zgjedhësve në rendin e mijra vetëve. Në fakt, opozita ka paraqitur disa fakte për manipulimin e listave të zgjedhësve nëpërmjet regjistrimit në gjendjen civile me adresa fiktive. Por në nivel agregat, rritja e numrit të zgjedhësve në Tiranë ishte vetëm 3.1% krahasuar me 2009-ën, ndërkohë që në pjesën tjetër të Shqipërisë ishte 3.3%. Dhe e njëjta rritje e listës së zgjedhësve u vërejt edhe në 2009-ën, krahasuar me 2007-ën. Ndërsa rritja jo e zakontë prej 5.2% në minibashkinë 11 (e përmendur më sipër) mund të shpiegohet me popullimin e një grupi të madh pallatesh të reja në zonën nga Kthesa e Kamzës deri në Kodër Kamëz, si dhe me ritmin më të madh të rritjes natyrale të popullsisë në lagjet me të ardhur nga krahinat veriore.

Një argument tjetër që përmendet nga opozitarët është ai i mbajtjes së kartave të identitetit kundrejt pagesës, në mënyrë që votues të identifikuar si opozitarë të mos votonin në 8 maj. E vetmja provë për ekzistencën e këtij fenomeni të përfolur vjen nga Durrësi, ku policia kapi dikë në flagrancë duke dhënë 20.000 lekë, për t’i mbajtur kartën e identiteti një votuesi. Ndërsa tabelat e rezultatit të Tiranës tregojnë se ka indicie që kjo manovër e paligjshme të jetë zbatuar në disa qendra votimi në Allias, Selitë dhe te Bregu i Lumit. Në këto qendra, Basha mori pak a shumë po aq vota sa kishin marrë së bashku në 2009-ën partitë që e mbështesnin atë, ndërkohë që pjesmarrja e votuesve të majtë u ul me 20-30%. Në qoftë se shkaku i uljes së pjesmarrjes së votuesve të majtë në këto qendra votimi ka qenë vërtet manovra e sipërpërmendur, i bie që efekti i saj total të ketë qenë rreth 1 mijë vota më pak për Ramën.

Së fundi, është argumentuar nga opozitarët se punonjsit e administratës janë kërcënuar me pushim nga puna në qoftë se nuk do të votonin për Bashën. Ky kërcënim edhe mund të ketë funksionuar në disa raste, por logjika ta do se punonjësit e administratës janë aq të sofistikuar sa ta gjenin mënyrën për ta ruajtur fshehtësinë e votës së tyre. Ndërkohë, komisionerët socialistë në qendrat e votimit të Tiranës nuk raportuan për ndonjë rast kur dikush ishte munduar ta fotografonte votën e tij me celular (si provë ndaj punëdhënësit kërcënues).

Duke bërë një përmbledhje, mund të thuhet se devotshmëria e Arben Ristanit, Tomë Ndrecës dhe Sashenka Jonuzit nuk do të kishte patur ndonjë vlerë për Berishën, po të mos kishte transferuar Meta votat e tij të majta drejt Bashës (Ristani & company nuk mundën, për shembull, ta ndryshonin rezultatin në Durrës, ku votat e LSI-së nuk u transferuan tek Xhaferri). Gjithashtu, ato pak vota të majta që mori Hysni Milloshi nuk do të kishin patur asnjë efekt në qoftë se Rama, ashtu siç pritej, do ta kishte kafshuar fort elektoratin LSI-st. Ndërkohë, edhe manovrat e përmenduara pak më sipër nuk do të kishin patur ndonjë efekt të madh, po të mos kishte transferuar Meta votat e tij të majta drejt Bashës. Dhe ndoshta kjo do të jetë edhe arsyeja pse gjyqi i Metës për video-skandalin do të mbyllet me pafajsinë e tij…

Comments

Submitted by alban (not verified) on

Z. Zaloshnja! Nuk ka fituar as Basha dhe as Meta! Zgjedhjet per kryetarin e bashkise se Tiranes, i ka fituar Arv i ziu!
Persa i perket atyre dy koqeve te tjere, nukia vlen te flitet fare per ta.

Me nderime, Albani

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.