E keqja më e madhe dhe më e vogël
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/5466_1_1544.jpg?itok=SjpS59e3)
Para zgjedhjeve të vitit 2005, maksima “Të pranojmë të keqen më të vogël” përdorej shpesh në mediat dhe kafenetë shqiptare, kur krahasohej qeverisja e atëhershme e Nanos me qeverisjen e pritshme të Berishës. Dhe kjo maksimë sulmohej nga disa opinionistë të pavarur, nga një pozitë morale që s’kishte të sharë. Sipas tyre, edhe kur personat në krye të pushtetit ndërrohen në Shqipëri, simbioza e oligarkëve të biznesit dhe mediave me politikanët e fuqishëm mund të ndryshojë pak në formë, por mbetet e njëjta në substancë. Dhe kjo përbënte të keqen më e madhe për ata opinionistë.
Në fakt, 20 vjetët e fundit ofrojnë mjaftueshëm shembuj lokalë e kombëtarë që i sjellin ujë të bollshëm këtij mulliri të argumentimit. Por historia e zhvillimit të një vendi ofron gjithnjë “por”-a pas argumentimeve të tilla. Kështu, 20 vjetët e fundit na japin edhe shembuj që tregojnë se ndërrimi i personave në krye të pushtetit ka sjellë një hop në zhvillim, pavarësisht se sistemi nuk është ndryshuar rrënjësisht. Kështu, korrupsioni, klientelizmi dhe lidhjet e errëta të biznesit me politikën dhe mediat nuk u zhdukën me ngjitjen e Ilir Metës në postin e kryeministrit, por Shqipëria njohu një rritje ekonomike të admirueshme në ato vite. Dhe ndërkohë, rrugët e reja filluan të shtrihen shumë përtej urës së Limuthit, vendit ku kishin ngecur deri në vitin 2000. Gjithashtu, ardhja e Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës, vërtet nuk e bëri këtë të fundit Kopenhagen, por hapi rrugën për një bum të paparë ekonomik të kryeqytetit. Dhe së fundi, ikja e Nanos dhe ardhja e Berishës në pushtet nuk ishte thjesht vazhdim i status-kousë.
Meqë ardhja e Berishës në pushtet është më aktuale, le të merremi pak më gjatë me të. Së pari, ajo shënoi transferimin e parë paqësor të pushtetit në kushte normale, qysh nga themelimi i shtetit shqiptar. Dhe për një vend që synon të adoptojë sistemin demokratik të qeverisjes, nuk ka gjë më të rëndësishme se sa vetë alfa e sistemit - transferimi paqësor i pushtetit në kushte normale.
Më tej, pavarësisht se simbioza politikë-biznes-media vazhdoi lulëzimin nën hijen e Berishës, gjërat nuk mbetën njëlloj si në kohën kur qeveriste Nano. Kështu, me ardhjen e Berishës në pushtet, edhe pse buxheti i shtetit mbeti në nivelin 28-29 përqind të Produktit të Brendëshëm Bruto , raporti mes investimeve publike dhe shpenzimeve operative u përmirësua. Kështu, gjatë qeverisjes së Nanos, investimet publike mezi arritën të ngjiten deri në nivelin 15% të buxhetit të shtetit, ndërsa gjatë qeverisjes së Berishës, kanë kapur edhe nivelin 33% të buxhetit në vitin 2008, ndërkohë që ende nuk kanë rënë poshtë 20 përqindëshit. Dhe investimet, sado që mund të shpërdorohen gjatë tenderimeve, trupëzohen në objekte që kanë jetë të gjatë. Ndërsa shpenzimet operative treten në xhepat e zyrtarëve, në serbatorët e makinave shtetërore, në impulset e celularëve, etj. etj.
Por, a duhet të kënaqemi me sukseset e pjesshme të Metës, Ramës, e Berishës, ndërkohë që oktapodi politikë-biznes-media ka vazhduar të majmet nën hijen e tyre? Mendja ta do se shumica e shqiptarëve do të dëshironte një sistem puritan politiko-ekonomiko-mediatik, të bazuar në meritokraci dhe ndershmëri (të ngjashëm me të Danimarkës, për shembull). Por e keqja është se historia botërore ka treguar që rruga drejt një sistemi të tillë është shumë e gjatë dhe me shumë kthesa.
Kështu, po të gërmosh në arkivat e gazetave amerikane të shekullit 19, do të gjesh skandale shumë të shpeshta korrupsioni të elitës politiko-ekonomike. Vetë pasurimi marramendës i të mbiquajturve “baronë plaçkitës”, si Rokëfeller, Morgan, Stanford, Karnegi, Hopkins, e shumë të tjerë, i pati rrënjët në mbylljen prej politikanëve të njërit sy e të njërit vesh. (Për Rokëfellerin thuhet se ka thënë: “Vetëm mos më pyesni sesi e kam fituar milionin e parë; për të tjerat u tregoj gjithçka”) Ndërsa po ta hedhësh vështrimin më afër në kohë dhe hapësirë - në Italinë fqinje - 65 vjetët e fundit ofrojnë shembuj të panumërt të një oktapodi politikë-biznes-media që majmet në kurriz të publikut, ndërkohë që vendi, ama, vazhdon rrugën e mundimshme të zhvillimit ekonomik (Pavarësisht nga gjithçka, prej vitit 1970 e këtej, kurba e rritjes së PBB-së për frymë në Itali ka ndjekur pothuaj hap pas hapi atë të Gjermanisë).
Duke u kthyer në Shqipëri, rishtrojmë pyetjen nëse simbioza politikë-biznes-media është e keqja më e madhe aktualisht për ne. Unë do të përgjigjesha se është e keqja më e vogël. E keqja më e madhe për Shqipërinë do të jetë në qoftë se zgjedhjet e 2013-ës nuk do të realizojnë transferimin e pushtetit në mënyrë paqësore për të dytën herë radhazi (në mënyrë të ngjashme me ato të 2005-ës), ose në qoftë se Berisha do të mbetet në pushtet falë zgjedhjeve të kontestuara nga opozita dhe komuniteti ndërkombëtar. Kjo e fundit, sepse një palë zgjedhje të kontestuara apo, më keq akoma, të dhunshme, do ta zgjasnin deri në dhimbje tranzicionin tonë drejt demokracisë. Dhe demokracia ka treguar ndër shekuj se, pavarësisht nga ngadalësia e breshkës në purifikimin e sistemit, është mjeti më i mirë për të siguruar zhvillim gradual afatgjatë të një vendi.
Comments
Une si qytetar krejt hallin e
<p>Une si qytetar krejt hallin e kam te media Shoku Zaloshnja.Meqe merr shembull Danimarken,edhe atje shteti sado pak ndofta eshte i korruptuar,por ma merr mendja dhe ashtu duhet te jete,media kurrre nuk eshte e tille.Po kush ka nevoje per median ne Shqiperi shoku Zaloshnja!Besoj se pak kush.Per ç'fare duhet media ne Shqiperi! Zorite qeverine?Aspak.Frymezon opoziten?Edhe me pak.Perpunon dhe ngre opinion?Asfare.Media ne Shqiperi Shoku Zaloshnja eshte kthyer ne FLETE-RRUFETE e dikurshme.Dhe njerezit qe bejne median jane kthyer ne disa agjitprope te rendomte.Don emra!? Ti je nje nga ato,pastaj te vazhdojme me Artan Hoxhen,Mustafa Nanon,Andrea Stefanin,Frrok Çupin,Henri Çilin,Lorenc V.,Totozanin Igli,Krasniqi,Afrim.Apo me te tjere si Top-Kanal,Klan,Vizion-Plus,24 news,Shekulli,Gazeta Shqip,G.Shqiptare,Shqiptarja se lere me 55 e Zerin e Popullit.Ju kujtoni se dini me gadite fjalet e na hiqeni se jeni te perveluarit e vendit.Nga qytetari me i rendomte e deri tek ai me dy pare mend, e dime se jeni sherbetore dhe kurre qytetare te lire sepse jeni ne sherbim.E kur qytetari nuk eshte i lire,qofte edhe gazetar,atehere eshte predikator pallavrash.E bash per kete,qytetaret ne shumice nuk kane nevoje per median.Ka mbete si dicka rutine dhe ves.Ose me thuaj ti se ç'fare ka bere media ne Shqiperi per te miren e qytetareve dhe terhiqem nga te gjitha.Krahasoma me Danimarken pak qe e merr si shembull.</p>
Add new comment