Duke konsideruar mosbindjen civile
LIRIA MINIMALE E DOMOSDOSHME: Çfarë mund të bënin dashnorët e pambrojtur në Afghanistan kur i ndëshkuan dy javë më parë, vetëm se ishin të dashuruar pa lejë? Asgjë. Të tjerë të ngjashëm të dënuar me vdekje barbare, dorëzuar për ndëshkim militantëve talebanë nga burra (prindër?) të turpëruar, për thyerje kurore apo ikje me të dashurin, ç’mund të bënin? Asgjë. Ata vetë e ndonjë tjetër mes pakicës që është kundër ligjit Sharia në atë pjesë të botës, i ka duart e lidhura. Mosbindja civile atje nuk do të funksiononte, sido që Arendt, që në fillim të viteve ’70, e konsideron “një dukuri masive në botën e sotme”. Si në Afganistan ashtu edhe në Shqipërinë socialiste, mosbindja civile do të thoshte ta çoje veten (dhe të tjerë pas teje) drejt vdekjes së sigurtë, pa pasur kohë të krijoje një imazh publik rezistence. Do ishte një pesë me hiç tragji-komike. Që akte të mosbindjes civile të kenë efekt e shans që të ndryshojnë gjendjen e një shoqërie, një liri minimale që lejon formësimin e mosbindjes dhe negociimin e saj shoqëror dhe ligjor më pas, është e domosdoshme. Kjo liri minimale nën kornizën e së cilës mosbindësi civil ka mundësi të ndërtojë kauzën e vet, ishte e pranishme për Ghandin si dhe për Martin Luther Kingun e Rosa Parkun. Gjithashtu duhet të ketë një pakënaqësi masive, ngopje të qartë të grupit me gjendjen moralisht dhe praktikisht të papranueshme, e cila gjen pastaj edhe përkrahësit e parë sidomos mes studentëve universitarë a njerëzve të avantguardës. Kështu ndodhi në Indi, kështu ndodhi edhe në Amerikë, sado pa lidhje të duken situatat. A ka Shqipëria sot kushte të tilla ku mosbindja civile të funksiononte: lirinë minimale të domosdoshme dhe një mase njerëzish që mbështesin mosbindjen ose së paku e marrin seriozisht atë? Besoj se, sido që liria e nevojshme për të ndërtuar simbolikisht këtë akt rezistence ekziston, mungojnë më shumë sesa një faktor për ta realizuar atë.
Një tufë grash e vajzash palestineze dhe izraelite para pak ditësh protestonin, ca me rroba banje e ca me tri-katër shtresa veshur, duke u larë në detin garantuar si i lirë nga natyra, por të ndaluar për to nga ligjet e një regjimi që përzien mrekullisht demokracinë dhe totalitarizmin. Gratë nga West Bank, nuk e kanë parë kurrë detin sido që janë aq afër tij… Këto gra, ligje të padrejta nuk i lejojnë të dalin nga West Bank, sepse mund të fshehin bomba nën petkun e errët pranë barqeve të ngrohta. Por mikeshat e tyre izraelite, edhe ato duke shkelur ligjet e një politike absurde nga të dy palët ndërluftuese që urrejnë njëra-tjetrën më shumë sesa duan veten e vet, janë ndër valët e Mesdheut, dorë për dore me palestinezet që, sipas kodit të errët të zonës, janë armike. Mosbindja e tyre civile ka kuptim. Ajo sfidon ligjin e padrejtë bashkë me kulturën dominante të zonës, duke i vënë këto në një karrige publike qendrore ku të gjykohen e rigjykohen nga njerëzit dhe institucionet me qëllim që, në proces, të mund të përmirësohen. Kjo “lojë” presupozon një besim qoftë edhe minimal tek sistemi. Por a e ka kush, çfarëdo agjent i mosbindjes civile, këtë besim minimal tek sistemi ynë në Shqipëri, si i ndryshueshëm nëse provokohej si e sa duhet?
ONTOLOGJI E MOSBINDJES DHE POTENCIALI YNË: Hannah Arendt thotë: “Mosbindja civile ndodh kur një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë bindur ose se kanalet normale të ndryshimit nuk funksionojnë më, ndaj dhe ankesat e tyre nuk i dëgjon më kush, ose, në të kundërt, se qeveria që pret të ndryshojë u ka hipur kaluar e nget me galop mënyra të tilla veprimi, legaliteti dhe konstitucionalizmi i të cilave janë fort të dyshueshëm”. Gati-gati më duket se Arendt kur thoshte këtë, kish parasysh tamam elitat politike shqiptare që në qeverisjet e tyre dorë pas dore këto vjet, kanë përforcuar e përsosur kushtet e domosdoshme që të zgjojnë mosbindjen civile. Por mosbindje civile tek ne nuk ka. Tek ne nuk lëviz asgjë. A nuk jemi të gjithë të etur për ta parë shoqërinë tonë në një rrugë tjetër që s’është kjo e sotmja? A nuk kemi parë vit pas viti se qeveria, institucionet dhe ligji tek ne nuk funksionojnë e s’janë në krahun e njerëzve, se fajtorët nuk ndëshkohen, se hajdutët shpërblehen me poste të larta dhe siguri institucionale, se rregulloret dhe ligjet ndryshohen në mënyrë arbitrare sipas nevojës së kujt ka fuqinë? E prapë mendoj se akte të mosbindjes civile në Shqipëri edhe sot e kësaj dite, do fërshëlleheshin nga analistët si poza ose aventura utopike, do përqesheshin nga të paditurit dhe do injoroheshin nga më të mençurit. Neve nuk na pëlqejnë gjërat me të cilat nuk jemi mësuar, dhe e kemi më kollaj t’i lemë gjërat siç janë (sado keq), sesa të provojmë një gjë të re qoftë edhe eksperimentale. Edhe ky lloj shkurajimi ka rolin e vet në mungesën e formave alternative të rezistencës në Shqipëri.
Ka shanse që mosbindja civile të funksionojë si mobilizuese e masës së plogësht shqiptare që pajtohet nënshtrueshëm me llumin, me krimin, me tërheqjen për hunde? Dua ta besoj këtë, sado pak mbështetje paça në realitet. Para pak vjetësh, kur ura qe e pakalueshme, kalova nga krahu shqiptar në veriun serb të Mitrovicës, dhe takova njerëz të rinj në të dy krahët: isha e bindur se politika e vjetër e Serbisë dhe Kosovës, si dhe mentaliteti i rrënjosur i urrejtjes etnike mund të sfidoheshin qoftë edhe simbolikisht sikur gjimnazistët e të dy krahëve të qytetit të bëheshin njësh e të lëviznin nga njëra anë e Mitrovicës në tjetrën, si një grup i njësuar miqsh që ndërtojnë paqen dhe jo luftën. Çfarë mund t’u bënin 500 apo 1000 gjimnazistëve të përzierë nga të dy palët, sherrxhinjtë e dy krahëve? Dhe sikur kjo të ndodhte një herë në javë e vazhdimisht, do ishin më të vështira retorikat helmuese qeveritare. Shkelja e rregullores për moskalimin e urës në këtë rast as nuk mund të ndëshkohej, dhe ura si simbol veçimi mund të kthehej në kuptimin e vet origjinal.
Kur kryeministri ndërtoi një diskurs dominant masiv të tipit ‘vrasje karakteri’ kundër oponentit të vet socialist “nudist e të përdalë” (që e përdor ende si mashë politike, ekonomike, zgjedhore etj.), mendova se ishte rast i mirë të përdorej një formë e mosbindjes civile masive, që të heshtohej dredhia jodinjitoze e kryeministrit dhe histeria primitive që ajo synonte. Një mënyrë do ishte që një masë e gjerë studentësh universitarë nga gjithë Shqipëria, për dy orë, të formonin një zinxhir nudo të kapur dorë për dore me fytyrë nga deti (andej nga vlerat e kryeministrit treteshin në hiç) në bregun e plazhit të Durrësit dhe plazheve të tjera publike në varësi të zonës së universitetit. Sipas meje një organizim i tillë e zhvlerësonte paqësisht retorikën e fryrë politike duke i treguar kryeministrit se ai po fuqizonte diskurse që dëmtonin kulturën e shqiptarëve për interesa politike personale, ndaj edhe të ardhmen e vendit nuk e kish me vete. Unë nuk kam dyshim se njerëz të rinj do ta kryenin një veprim të tillë dhe do silleshin në mënyrë civile deri në fund, sikur të kishin kanalet e duhura të formësimit të zërit publik. A do e përdorte kryeministri këtë që të padiste dikë që “na prishi rininë tonë”? Patjetër. Por këtu mediat mund të rimerrnin në dorë rolin e harruar të informuesit emancipues dhe të shkatërronin retorikën enkas primordiale.
PREJ KUJT E PËR TË NDRYSHUAR ÇFARË: Aktet më sipër nuk janë marsiane, dhe them se mund të kryheshin dhe duhet të mbeteshin jashtë kornizave politike: në rastin e Kosovës, pa prekur çështjen e pavarësisë por thjesht si thirrje për lidhje normale njerëzore mes fqinjësh; dhe në Shqipëri, pa marrë nën mbrojtje kryetarin e socialistëve, por një qytetar që abuzohet shëmtuar publikisht me armë që të rinjtë i shohin si prehistorike dhe imorale. Por kush do ta organizonte këtë formë mosbindjeje? Shoqëria civile që punon me fushata të paguara nga jashtë? Të rinjtë vetë që ndoshta kanë potencial e ndërgjegje, por jo traditë organizimi? Apo njerëzit poshtë, që për të siguruar bukën për nesër, nuk shohin të keqe në pjesëmarrjen e vogël në krimin e madh organizuar nga lart? Protestat tona në shumicën e rasteve fryhen nga një parti apo tjetra, shoqëria civile merr frymë si pacient i orëve të fundit me emfyzemë, klasa intelektuale, edhe në ekzistoftë, është e paaftë të prijë dhe sidomos të sakrifikojë, ndonjë organizatë që krijohet nga poshtë a individ që kërkon të ngjallë pikërisht arteret tona të pashëndetshme publike, ose u bashkohet dy partive kontrolluese ose nis e merret me kombëtarizimin e toponimeve tona shekullore thuajse prej tyre na vjen e keqja. Çfarë mund të bëhet në Shqipëri për të dalë nga ky qerthull? Si mund të shkundet e motivohet populli nën hashish? Si mund të protestohet, duke ruajtur njëkohësisht njerëzit nga plumbat që mbrojnë pushtetin tiranik të Tiranës? Besoj se mosbindja civile e ka një shans në këtë mes. Ndoshta ardhur nga studentët, ndoshta nga njerëz të mençur të të gjitha moshave. Gërdeci nuk prodhoi asnjë fajtor të vërtetë. Pamë njeri më pas të protestonte kundër vazhdimësisë së Ilir Metës? Jo, përkundrazi i dhamë më shumë vota pasi u panë publikisht dallaveret e tij kriminale. Mos na ngacmoni! Është e ëmbël vdekja në gjumë.
Qindra intelektualë e artistë kinezë kalojnë më shumë ditë të vitit në burg sesa jashtë, për shkak të mosbindjes dhe protestës qoftë edhe individuale. Sa herë i janë shkatërruar punët dhe studiot Ai Weiwei-t nëpër Kinë, por ai çdo muaj shpik një formë të re rezistence. Kinezë të rinj papushim rrezikojnë duke protestuar individualisht ose të organizuar në mënyrë shumë imagjinative kundër rregullimeve të Internetit dhe gënjeshtrave politike të qeverisë kineze. Tek ne, ligjet shkruhen më bukur sesa në Kinë. Tonat janë shembullore në formën e vet të shkruar, sepse i kemi shkruar tamam si na i kanë diktuar nga lart më të mirët fare; në Shqipëri mosbindja civile nuk duhet të kishte për qëllim ndryshimin e ligjit me një më të mirë, siç ndodh shpesh me mosbindësit civilë në botë më demokratike se e jona. Atje mosbindësi civil e vë veten në dispozicion të ligjit “të keq” që sapo e ka thyer, që nëpërmjet rikonsiderimit në gjyq me rastin e gjykimit të mosbindjes civile, ky i fundit të zhvlerësohet e t’i lerë vendin një ligji më të mirë. Por problemi ynë që kemi ligje të bukura, është që ato ligje nuk funksionojnë, por manipulohen dhe shkelen, e bëhen të pavlefshme. Kujtoni ndalimin e duhanit në ambientet e mbyllura publike, sa për të cikur një dështim krenar (por jo më të madhin) të mënyrës sesi ne bëjmë sikur i institucionalizojmë, e pastaj, sapo i kemi vënë në piedestal, i pështyjmë vlerat.
Ndaj mosbindja civile tek ne nuk duhet ndërtuar kundër ligjit vetë, por kundër mosfunksionimit të tij, si dhe kundër rregulluesve (apo çrregulluesve) realë të kulturës sonë që hesht dhe përulet kur politikanët mashtrojnë dhe zhvasin. Kanë armë tjetër veç mosbindjes civile, ata që kanë sens e ndjenjë njerëzore, në hapësira ku të gjitha partitë, qeveritë, kryeministrat, presidentët, administratorët dhe thuajse kushdo në zinxhirin e fuqisë e sheh shtetin dhe ligjin si një makinë personale që ekziston dhe mundtë ndryshohet arbitrarisht veç për t’u siguruar atyre më shumë fuqi, më shumë para e jetëgjatësi? Ndërsa mileti ndjek teatrin absurd gojëhapur, si të mos kish lidhje me të. Format alternative të rezistencës tek ne mund të mos synojnë ndryshimin e ligjit apo rregullave të shkruara, por ato sigurisht që janë ftesa më interaktive sot për reflektim kritik ndaj moszbatimit të tyre, gjendjes dhe kulturës sonë si gjol i qelbur, dhe bëmave të padenja të elitës sonë politike. Dhe, në fund të fundit, gjithçka do ishte më mirë sesa shprehja “Shqiptarët s’bëhen!”.
Comments
Një shkrimë i goditur dhe
Një shkrimë i goditur dhe shumë idrejtë përshëndetje por të ndolli kjo në ralle të parë duhet rinia të zgjohetë duhet të largohen nga skemat partiake dhe të kërkojë vërtetë një demokraci të vërtetë fuksionale sa për popullin e varfër nukë kamë ndonjë shpresë se mundë të ndryshojë së afërmi /kafshatë që nukë kapërdiet është mjerimi/prandajë do vonohetë ndërgjegjësimi sa më shpejtë ta kuptojë rinia se duhet të lozë një rolë vendimtarë për ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare
Add new comment