Drejt modelit që siguron një Shqipëri pa plehra

Postuar në 20 Maj, 2013 04:25
Lavdosh Ferruni

Shqipëria është pis.  Cipa e trashë e plehrave bëhet gjithnjë e më e trashë. Kur flasim për një Shqipëri pa plehra Qeveria flet për grumbullim plehrash, dërgim në landfill, riciklim, incenerim (djegje) ndërtim landfillesh apo ndërtim impjantesh inceneruaes. Kohët e fundit duke habitur cilindo flet dhe bën import plehrash që ndihmokan për të pastruar Shqipërinë.  Flitet por nuk dihet se c’do bëhet e ku do shkohet. Nuk ka një model të përcaktuar e funksional. Nuk ka para për infrastrukturën e menaxhimit të plehrave. Dhe atje ku gjenden disa para nga grantet si në rastin e ndërtimit të landfillit të Bushatit , paratë mbeten të ngurosura e objekti pa perdorur pasi mungojnë paratë tek bashkitë e komunat për të paguar shërbimin për sistemimin e plehrave në  landfill. Ndodh kështu që plehrat shtresëzohen në ambjent të hapur, duke helmuar token, ujin dhe ajrin gjithnjë e më shumë.  Cili duhet te jete modeli Shqiptar për të zgjidhur problemin gangrenë të plehrave?  Celësi i zgjidhjes reale qëndron tek  bilanci i thjeshte midis kostos per menaxhim të plehrave dhe cmimit per frymë  që duhet paguar për këtë  menaxhimin. Duke qënë se standarti i jetesës në Shqipëri e bën të limituar rritjen e cmimit për frymë për menaxhimin e plehrave mundësia e vetme është në krahun tjetër në reduktimin e kostos së menaxhimit të plehrave. Dhe kjo rrugë është ndjekur deri tani. Për të reduktuar koston qytetarët, subjektet private dhe njësitë vendore i kanë hedhur dhe i hedhin plehrat në ambjent të hapur dhe shpesh kanë aplikuar e aplikojnë  djegjen e tyre të lirë.  Tani ka filluar të kuptohet se kostoja mjedisore me këtë përqasje shumë më keq se primitive (në shoqërinë primitive kishte vetëm mbetje organike të dekompozueshme) është aq e lartë  sa që rivendosja e balancës mund të jetë e pamundur, si rrjedhoj e kostove shtesë të shkaktuara nga ndotja prej plehrave në shëndetin e njeriut dhe ckontaminimin e zonave të tëra në mbarë territorin e vendit. Duke i dhënë fund  njëherë e mirë kësaj përqasje opsioni i vetëm i reduktimit të kostos së menaxhimit të plehrave mbetet të paksohet vetë prodhimi i plehrave, që do të thotë cdo indvid, cdo familje, cdo biznes, cdo njësi administrative shtetërore të paksoj prodhimin e plehrave, duke luftuar me konceptin gjoja modern se sa më shumë rritet mirqënia aq më shumë plehra prodhohen, pra duhet të ndërrohet modeli i konsumit. Duhet të konsumojmë të mira materiale duke minimizuar në vazhdimësi prodhimin e plehrave.

 

Mikro-modeli “Social”

Uji, ushqimi dhe energjia janë të vlefshme pa pagesë për cdo qënie njerëzore nëse ato janë prodhuar sipas ligjeve të natyrës dhe jo ligjeve të fitimit. Duke mos shkuar më tej (në këtë shkrim) me diskutimin e sistemeve mbështetur në ligjet e natyrës apo të fitimit, interpretimin si ceshtje ideologjike apo ceshtje e mbijetesës kolektive, sot, të paktën për ujin po të dalësh jashtë qytetit mund të gjesh akoma ndonjë burim të pa privatizuar e të pa rrethuar ku mund të ndjesh vehten për pak caste se je dhe ti pjesë e natyrës. Rëndom, qyteti po pushtohet nga miliona e miliona bidona plastik për të shitur ujin e më pas miliona bidona plastik përfundojnë hedhur në tokë, në lumë, në det, në oqean për mos tu tretur për dhjetra e qindar vjet, duke cliruar gazra e substanca toksike kudo në ambjent.

Nëse shkon në një kafene në qytet vështirë se del prej saj pa paguar për shishen plastike të ujit, që shkon kryesisht si fitim për kompaninë e “plastifikimit”  të ujit e cila është e lirë të ndos mjedisin me plastikën e saj dhe qytetarët duhet të paguajnë përsëri për pastrim të ndotjes që krijon “plastifikuesi”.

“Social” një lokal modest tek Blloku të surpizon këndshëm me modelin e tij të servirjes së ujit. Nëse ulesh në tavolinë në këtë lokal krahas menusë e cila nuk përmban asortimentin “ujë” dhe cmimin për të, gjen dhe një shishe qelqi të bardhë 1 litroshe plot me ujë të pastër, të mbyllur me tapë të varur në të, dhe ti mund të pish ujë sa të duash pa pritur kamarierin të marr porosinë. Ti ndjehesh si ne natyrë, ti merr falas atë që Natyra të ka falur dhe Natyra të është mirënjohse që nuk e ke goditur e lënduar atë në fytyrë me një shishe plastike. Natyra do ndjehej mirë nëse do të shmangeshin miliona e miliona goditje që ajo merr cdo moment për shkak të etjes për fitim të  “plastifikuesit”.

 

Makro-modeli “socialist”

Në mijra e mijra akuza adresuar sistemit të kaluar të ekonomisë së planifikuar në Shqipëri nuk është dëgjuar ndonjë akuzë që populli të ketë hequr për shkak se kur qytetari ka blerë qumështin, kosin, vajin, ujin mineral, etj i ka blerë këto në shishe qelqi dhe jo plastike dhe që njeherazi duhet kthente ambalazhin bosh ose do paguante një cmim plus të konsiderueshëm nëse nuk kthente ambalazhin bosh për ta ripërdorur. Populli nuk ka hequr keq për shkak se kur shkonte për pazar merrte me vehte një trastë dhe nuk kishte në qarkullim miliarda qese plastike si sot, që kanë shëmtuar territore të tëra, sidomos në akset më turistike të këtij vendi me bukuri mahnitëse.

Por një model të ngjashëm “socialist” e gjen edhe në vënde të zhvilluara kapitaliste. Edhe në këto vende të duhet të kesh trastë me vehte nëse shkon për shopping, ose do të duhet të paguash jo pak për të blerë një qese plastike. Ujë të ofruar në shishe qelqi të riciklur sheh kudo. Për më tepër ujin mund ta pish të rrjedhshëm e të pastër direkt nga cezma.

 

Drejt modelit të ri

Që të kemi një Shqipëri të pastër “sekreti” nuk qëndron tek modeli si do  përpunohen plehrat me riciklim, me landfill me incenerim; në nivel komune, nivel qarku apo nivel rajonal.  Në të gjithë variantet kemi ndotje,  vecse herë ndotet më shumë ajri, herë uji e toka, por gjithnjë kemi ndotje të mjedist.  Sekreti qëndron tek modeli i konsumit.  Na duhet, së pari, një model konsumi që prodhon më pak ndotje. Mikro dhe makro modelet e marrë si shembull më sipër thjesht janë elementë ngacmues për të studjuar e kthyer në realitet  qindra mënyra të konsumit të qëndrueshëm që së bashku do të ndryshojnë  modelin arrogant  të konsumit që zbatojmë sot. Modeli i ri kërkon sw pari politika të reja dhe natyrisht iniciativa nga cdo aktor i shoqërisë. Edhe nëse gjejmë dhe aplikojmë modelin perfekt të konsumit që gjeneron  minimumin e plehrave modeli i menaxhimit të plehrave dhe pastrimi i Shqipërisë është i destinuar të dështoj nëse Shqipëria do vazhdoj të importoj plehra. Fillimi është tek ndalimi, ndalimi i importit të plehrave, së pari.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.