Dita K

Postuar në 08 Dhjetor, 2014 10:36
Jasmin Rexhepi

Kosova shënon ditën K. Mund të quhet edhe si KKK, por duhet sqaruar se nuk po flasim për Ku Klux Klan, por po flasim për KKK-në tonë, nocioni i së cilës do të ishte Konfirmimi i Krimit të Kosovës. Të dy janë Kryetarë, njëri i lidhjes, tjetri i partisë, por dytë janë demokratë të Kosovës. Që të dy janë të obsesionuar pas K-së the të zhytur n´K!

 

“Kijameti”, ndoshta është fjala më e madhe e cila përshkruhet me shkronjën K. Si Kosovarë, ndoshta jemi një ndër vendet më të rrethuar me gjëra K, përfshirë këtu edhe Kallashin, Krenarinë tonë Kombëtare (Kosovare). Kujtoj, sot kjo ditë duhet të shënohet edhe si dita K, apo KKK, i njohur si nocion i Ku Klux Klan, një Klan i popullarizuar për shkallën e lartë të racizmit dhe fobisë ndaj atyre që janë ndryshe nga ta. Ky Klan edhe pse besohet se ka miliona anëtarë, nga shumë njerëz konsiderohet edhe si ana e shëmtuar, apo jashtë-qitja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Esencialisht, Ku Klux Klan dhe KKK-ja jonë mund të kenë shumë dallime, por që të dyja jane të djathtë. Po I lëmë Ku Klux Klan, anash për një kohë dhe po kthehemi tek KKK-ja jonë.

 

Pa qenë mirë I informuar rreth marrëveshjes për Krijimin e Koalicionit të Kosovës, vendosa me shkru këtë që ju po e lexoni. Analist nuk jam. Unë po shkruaj çka unë mendoj, e ju dini!

 

Gjëja e parë që më shkoi ndërmend, ishte shkronja K. Për Hashtag (#), nuk mendova, për Hashim po! Pra, K-të jetike… Kosova, Kryeministri, Kryetari, Kryeparlamentari, Kushtetuta, Karriga, Krimi, Korrupsioni, Krimbi, Krunde, Kallashi, pse jo edhe Kim Kardashian?! Këtë të fundit e futa n´këtë listë në vend të Kadri Veselit, jo pse unë kam diçka kundër Kadrisë, por shkaku i estetikes!

 

Sidoqoftë, nënshkrimi i një marrëveshje mes PDK-së dhe LDK-së, për qeverisjen e vendit më së miri do të përshkruhej me KKK, apo Konfirmimi I Krimit të Kosovës! Se këto dy parti janë më meritoret për zhytjen e Kosovës në Krim, amo deri n´fyt, kjo punë nuk do kallauz! Ky fakt nuk e legjitimon AAK-në, me apllausë vetveten, kur dihet se pjesë e qeverisjeve inkriminuese kanë qenë edhe ata. Shifrat nuk I di, por ndoshta për shkak të kohës së kufizuar që kanë pasë, AAK nuk ka mundur të vjedhë aq sa dy partitë simotra, të cilat do të luajnë Koqe me neve edhe për disa vjet!

 

Katastrofik është fakti kurë të gjithë e dijmë se shumica e këtyre njerëzve, nëse jo të gjithë prej tyre, janë thellësisht të involvuar në krim në një mënyrë apo tjetër.Shumica prej tyre kanë edhe dosje të hapura besoj, ndërsa ata që nuk kanë, mund të kenë në një të ardhme relativisht të afërt. Por ne prapë u besojmë, ua shpërndajmë foto e tyre në Facebook, shkumojmë për ta, I qesim nënat, motrat dhe gratë tona mbi makina në fushata zgjedhore edhe pse kjo e ndaluar me ligj, ne e thejmë edhe ligjin kurë është nevoja! Para se me ja nisë me shkru këtë K, pata shumë gjëra ndërmend, kur për një moment thashë “Qatyne analistave n´Kosovë, ka me jau shti dy kamtë me ni qizme”, po tash po e shoh që gabova. Po nejse, po e qes atë cka po e ndi për këtë ditë K-je, e ju ma analizoni!

 

Cdo publikim I organizatave ndërkombetare e renditë Kosovën të fundit në lista, nuk po flas për Krim e Korrupsion, pasi që aty kualifikohemi direkt dhe jemi liderë të padiskutuar, po flas për transparencë, të drejta të njeriut, sistemi të dretjësisë, etj…! Këto publikime, shpesh na duket edhe të padrejta dhe jo reale, por kështu jemi ne! E për tërë këto maskarrallaqe, e fukarallaqe, përgjegjësia shkon tek njerëzit e KKK-së. Kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, janë dy njerëz që gjatë sundimit të perandorive të tyre, janë dëshmuar si dy figura të obsesionuara pas K-së dhe të zhytura n´K. Që të dy janë të dashuruar në Kosovën tonë t´mulisun. Karriga është dicka që këta dy persona janë të lidhur ngushtë në të. Kryeministria është dicka që këta dy persona janë në gjendje të bëjnë cdo-gjë, vetëm e vetëm që ata të jeni uzurpatori i kësaj pozite. Krimi dhe Korrupsioni janë dy lëmi të cilat do të identifikonin këta dy persona më së miri. Po e përsëris, personalisht as njërin as tjetrin nuk e kam parë duke vjedhë, ose duke e vrarë dikë, por të gjithë e dijmë që të dy këta K, janë ndër Kokat e Krimit të Kosovës. Këta janë Krimba të vendit, të cilët e kanë infektuar këtë vend aq thellë, sa që as një spërkatje masive me “Otrov”, apo shartim I tyre, nuk do të bënte pune! E vetmja mënyrë ndoshta do të ishte shkëputja e tyre me rrënjë, dmth. tërheqje totale nga skena politike.

 

Kjo skenë politike e këta K (ju zgjedhni për prapashtesën e K-së), janë njerëzit të cilët e kanë shndërru Kosovën në nje humnerë totale! Jam kundër çdo lloj racizmi, vetëm po e mar si shembull që shkaku I këtyre njerëzve, Kosova sot në Evropë konsiderohet Vrimë e Zezë dhe konsiderohet njësoj me vende si Moldavia, shpresat e të cilëve për bashkim me Evropën janë tërësisht të vdekura! Këta janë njerëzit të cilët edhe sot I detyrojnë qytetarët të ikin në Evropë nëpër lumenj dhe male të Hungarisë. Këta janë njerëzit të cilët ua kanë vjedhë qytetarëve mirëqenien sociale dhe ua kanë ofruar fenë dhe shpresën tek zoti si zgjidhje! Për fe do të flisja më shumë ndonjëherë tjetër, ndërsa sot edhe unë dua ti bashkohem klishesë shoqërore për t´a komentuar marrëveshjen e KKK-së.

 

Ndërsa sa i përket KKK-së së Ku Klux Klan, ndoshta edhe për ta do të flas ndonjëherë, por vetëm ndoshta! Nuk po ndihem kompetent të flas për ta, kurë ne kemi KKK-në tonë, e cila ka nevojë për një tretman serioz nga i tërë populli. Përndryshe, nëse ne lejojmë K-të tanë të bëjnë marrëveshje të llojit të KKK-së, atëherë ditët si kjo e K-së së sodit, mundë të jenë edhe ditë të Kijametit! Unë gojën e cela, ju dini!!

 

(Autori nuk është analist)

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.