Demokracia vrapon si breshka

Postuar në 17 Prill, 2014 12:11
Eduard Zaloshnja

Në një nga fabulat e Ezopit, breshka ia kaloi lepurit në garën mes tyre, sepse vazhdoi të vraponte në mënyrë të ngadaltë, por të pandalur, ndërsa lepuri këmbëshpejtë e nisi me vrull, por bëri pastaj disa ndalesa që e lanë prapa. Ashtu si në këtë fabul, historia ka treguar se demokracitë ia kanë kaluar në garën afatgjatë diktaturave, pavarsisht se këto të fundit kanë patur fillime të vrullshme.

Për shembull, për një diktator është shumë e lehtë të zëvendësojë presidentin, kryeprokurorin e drejtuesit kryesorë të gjykatave, dhe të luftojë pastaj krimin e korrupsionin me njerëzit e vendosur prej tij. Por me kalimin e kohës, e gjithë makineria shtëtërore ngadalësohet dhe punon vetëm në funksion të mbajtjes në pushtet të diktatorit ose të realizimit të ndonjë halucinacioni të tij.

Nga ana tjetër, në një demokraci, janë krijuar mekanizma të tillë kushtetues që sigurojnë një balancë pushtetesh e institucionesh, për të mos lejuar atë që John Adams e quante “tirania e shumicës”. Si rezultat, kreu i pushtetit ekzekutiv nuk mund të ndryshojë kollaj drejtuesit e pushtetit gjyqësor apo të institucioneve të tjera të pavarura, edhe në qoftë se shumica do ta donte këtë gjë. Duhet të kalojë goxha kohë deri sa të kryehet rrotacioni normal i tyre...

Në vitin 1998, Shqipëria u bë me një kushtetutë të krahasueshme me shumë vende të tjera demokratike, për sa i përket garancive të balancimit të pushteteve dhe institucioneve. Qysh prej atëhere, janë kryer dy rrotacione të njëpasnjëshme pushteti ekzekutiv me zgjedhje normale (për herë të parë në historinë 100-vjeçare të shtetit shqiptar), tre rrotacione normale të kryetarit të shtetit, dhe disa rrotacione kushtetuese të drejtuesve të pushtetit gjyqësor.

Pas rrotacionit të pushtetit ekzekutiv nëpërmjet zgjedhjeve të qershorit të vjetshëm, ka një padurim mes fituesve të tyre për të ndryshuar krerët e pushtetit gjyqësor  dhe mundësisht edhe Presidentin e Republikës, i cili mban kyçin për ndryshimin e disa drejtuesve të rëndësishëm institucionesh, si drejtorin e SHISH-it dhe kryeprokurorin. Dhe ky padurim është i shpiegueshëm. Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, që është një kërkesë urgjente si e BE-së (ku duam të antarësohemi), ashtu edhe e votuesve të thjeshtë (kështu më rezulton nga sondazhet që kam zhvilluar unë e të tjerë), nuk mund të jetë eficiente pa një SHISH, prokurori dhe gjyqësor që ndihmon aktivisht në këtë luftë.

Kur eksponentë të pushtetit ekzekutiv ankohen publikisht për këto institucione, përgjigja që marrin në media apo në kafenetë e vendit është: “Keni marrë 1 milion vota, bëjini ndryshimet që duhen për të arritur rezultatet që presim!”. Me fjalë të tjera, u kërkohet atyre një “tirani e shumicës”.

Është e vërtetë se mazhoranca aktuale ka 3/5 e votave në Kuvend, por për të shkarkuar Presidentin e Republikës duhen 2/3 e votave, si dhe miratimi i Gjykatës Kushtetuese për ta vulosur shkarkimin. Është e vërtetë se mazhoranca aktuale i ka votat për ta shkarkuar kryeprokurorin, por duhet firma e Presidentit të Republikës për ta realizuar shkarkimin. Është e vërtetë se kryeministri mund të firmosë për zëvendësimin e drejtorit të SHISH-it, por duhet kundërfirma e Predidentit të Republikës për ta zëvendësuar atë. Dhe firma e tij duhet edhe për zëvendësime të tjera të rëndësishme.

Thënë shkurt, mazhorancës aktuale do t’i duhet të presë edhe tre vjet të tjera, sa të vijë koha për rrotacionin në Presidencën e Republikës. Deri atëhere, ajo duhet të realizojë sa më shumë nga premtimet që janë në dorë të pushtetit ekzekutiv e legjislativ. Dhe në qoftë se do t’i ketë votat e majftueshme për të zgjedhur Predidentin e Republikës në 2017-ën, le të dërgojë në Presidencë një njeri të përkushtuar ndaj luftës kundër krimit e korrupsionit.

Vërtet demokracia vrapon si breshka, por, duke perifrazuar Çërçillin, mund të thuhet se nuk ka ndonjë sistem tjetër që vrapon më shpejt se ajo në afate të gjata... 

Comments

Submitted by Albi (not verified) on

<p>Nuk i je pergjigj pyetjes kryesore o Zalo, pra a duhet qe nje mazhorance (dhe mazhorancat ne Shqiperi jane pushteti i nje njeriu zakonisht, dhe kete here i dy njerezve) te kete ne dore te gjitha pushtetet?</p><p>A eshte ineficenca/burokracia ne vendimmarrje kostoja qe paguajme per tu ruajtur nje lloj limitimi i pushtetit? Struci Muci nuk linte rast te na e kujtonte se sa problematike ishte kjo kur ishte Berisha ne pushtet.&nbsp;</p>

Submitted by RP (not verified) on

<p>demokracia eshte si shahu,qe Edi e do neper shkolla.Jane ca levizje qe ia detyron kundershtarit reagimin,biles nuk ke pse ta heqesh paraprakisht presidentin,se ai do firmose per gjera qe nuk mund ti kundershtoje dot.Qe Nishani eshte kundershtar i qeverisjes eshte nje fakt i paravendosur,por ama edeh ai i ka levizjet te limituara dhe e di mire Nishani.Mbetet qe Edi te mesoje edhe njeçike me shume shah,se fjala vjen,duket qe ushtaret jane vendosur me mire ne fushe sesa figurat.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.