Cirku

Postuar në 10 Tetor, 2013 09:53
Arben I. Kastrati

Miku im Arbën Xhaferi dhe unë, po pinim kafe pasditen e së dielës, tek kafeneja jonë e preferuar. Teksa po bisedonim për sëmundjet, kujtuam spitalin, e spitali na kujtoi cirkun…

Shumë kohë më parë, në qytetin tim (që kishte madhësinë e qytezës, e vazhdon të mbetet kryeqytet), mbretëronte depresion kolektiv, afërsisht si ky i sotmi. Kohë pas kohe apo thënë më mirë, ndër vite, vinte në qytet cirku (nga kushedi se ku) që thyente monotoninë…

Cirku vendosej në oborrin e spitalit të qytetit, e spitali i qytetit ndodhej në periferinë e qytetit të kohës së shkuar. Gjersa punëtorët montonin skenografinë e cirkut, të tjerë punëtorë të cirkut bënin marketingun me ritualet e saj, vendosnin posterët nëpër qytet që dëftonin orarin dhe datat e mbajtjes së shfaqjeve, ndërsa një makinë e madhe me altoparlant gjigant sipër, tekstualisht përshkonte me ngadal cdo rrugë e rrugicë të qytetit, e me zë të lartë sa s’thuhet, që i kumtonte e premtonte qytetarëve se do shikonin, ndjenin e përjetonin MREKULLITE e cirkusantëve (që ishin qenie e vecantë) e që do performonin gjëra të papara ndonjëherë, ndikimi i së cilave do bënte jetët tona të ndërronin…  

I tërë qyteti i deprimuar, zgjohej e bëhej gati të shkonte në cirk të shikonte e shijonte “të paparat” që ofronte trupa e cirkut. Se të gjithë (banorët e kryeqytetit) kishin nevojë të iknin nga realiteti për ca orë, për c’gjë pagonin. Ndërkaq, pacientët e spitalit e besimtarët e mrekullive nga të gjitha lagjet e qytetit, qëndronin gjatë tërë ditës pranë cirkut, deri në ditën kur cirku të ikte. Ata vrojtonin cdo lëvizje të cirkusantëve, cdo veprim, cdo provë, të ushqyerit e kafshëve…se mos zbulonin ndonjë sekret të tyre. (Edhe pse dukeshin si njerëz, cirkusantët ishin qenie e vecantë dhe njeriu i rëndomtë s’kishte aftësitë e tyre).

I tërë qyteti tani më kishte se për c’farë të fliste. Dikush hiperbolizonte aftësitë e akrobatëve, palacove, dreserëve…të tjerët minimizonin aftësitë e atyre që posa i përmenda…kishte dhe të tillë që qëndronin indiferent ndaj aftësive…

Pas ca dite “feste”, cirku ikte nga qyteti, duke lënë pas baltën, mbeturinat e erën që kutërbonte tek vendi ku kishte qëndruar. Në tërë qytetin, posterat e varur (e tani më të grisur), fluturonin nga një kënd tek tjetri. Pastruesit e rrugëve shanin pa ndalë…Që depresioni, sërish t’i kthehej qytetit akoma më i rënduar nga koha para se cirku të kishte ardhur…

Miku im Arbni dhe unë dolëm nga kafeneja. Iu falenderova për pasditen e mrekullueshme që më kishte dhuruar. Të tëra muret e rrugëve, nga kafeneja e deri tek vendi ku jetoj, ishin të mbushura me posterat e pafund të “akrobatëve”, “palacove”, “dreserëve të kafshëve”…të cirqeve të shumta të ardhura në qytet ditë më parë e që vazhdojnë të na dhurojnë “shfaqje të papara ndonjëherë”, se tani konkurrenca mes cirqeve është më e madhe, shfaqjet zgjasnin dhe më shumë, cirkusantët janë më të “avancuar”, numri i banorëve është rritur e …Ca hiperbolizojnë aftësitë e tyre, ca i minimizojnë, ca të tjerë qëndrojnë indiferent ndaj aftësive... Por, një gjë është e sigurt, momentin që do ikin, do marrin me vete edhe “mrekullitë” e tyre të ofruara. Ndërsa, depresioni do na kthehet sërish edhe më i rënduar. Ndërsa posterat e grisur, balta, mbeturinat, era kutërbuese, e shija e keqe, do mbesin brenda nesh edhe gjatë kohë…

Hecja mbi fytyrat e “cirkusantëve” apo thënë më mirë, hecja mbi fytyrat e premtuesve të mrekullive, posterat e të cilëve kishin rënë nga muret e ndërtesave duke bërë zap trotuaret. Sado që kujdesesha të mos i shkilja fytyrat e tyre, ishin të shumtë dhe s’kisha rrugdalje tjetër. Përkundër kujdesit tim të vazhdueshëm se mos shkilja fytyrat e posterave, kujtova bisedën me Arbënin. Për sëmundjet e shumta që na kishin bërë zap…

 

P.S. – Ky shkrim është botuar vite më parë, në prag të zgjedhjeve lokale. Fatkeqësisht, asgjë s’ka ndryshuar përpos faktit që Arbni më nuk rron. Ndërsa cirkusantët mbeten të njëjtit. Fatkeqësisht dhe votuesit…

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.