BETEJA E MADHE E BOJAXHIUT E CO. FILLON PAS 21 QERSHORIT

Gara për Tiranën ka me vete vëmendjen e plotë të mediave dhe kjo nuk po ndodh veç për shkak të rëndësisë e simbolikës që ka kryeqyteti i Shqipërisë në hartën e qeverisjes lokale, por edhe për shkak të garës konkrete që po luhet në terren. Janë tre kandidatë (Veliaj, Kosova e Bojaxhiu) që, me sjelljen e tyre, po shenjojnë një standard të ri. Nuk është e tëra një meritë e tyre (kjo fushatë në përgjithësi po shenjon një këputje me traditën e konfliktit e të përplasjes së dhunshme; e nuk do mend që do ndodhte kështu, pasi mbjellësi i sherrit është tërhequr mënjanë e nuk është në fushën e lojës), por nga ana tjetër nuk mund të mohohet se janë tre kandidatët që, në mos e kanë sjellë këtë klimë, shkojnë shumë mirë me të.
Ky është lajmi i parë i mirë që lidhet me këtë fushatë. Ka ndonjë lajm tjetër të mirë? Po, lajm tjetër i mirë është prania në garë e një kandidati të tretë, që për herë të parë, edhe pse nuk ka amen-in e partive të mëdha e të nomenklaturës sunduese, po merret në konsideratë e, për rrjedhojë, po krijon sëkëlldi në të dy krahët. Është fjala për Gjergj Bojaxhiun. Sondazhet që bëhen flasin për një lojë të mbyllur pa filluar (Erion Veliaj është shumë pikë përpara, thonë këto sondazhe), por e dhëna tjetër e tyre na thotë se “Bojaxhiu ia ka dalë të imponohet”. Ka njerëz që këtë fakt e lidhin me personazhin, d.m.th. me Bojaxhiun, dhe kjo sigurisht që është e vërtetë në një masë të madhe, por në të njëjtën kohë nuk do mend që kjo mbështetje e sondazheve për të vjen prej marazit që një pjesë e opinionit publik ka me klasën politike e prej nevojës që ka kjo pjesë e opinionit për të qenë e përfaqësuar politikisht, në qeverisjen lokale po se po, por edhe në politikën kombëtare. Mbi të gjitha, në politikën kombëtare.
Ka një numër gjithnjë në rritje shqiptarësh që nuk ndihen të përfaqësuar prej klasës politike në tërësi. Edi Rama, por edhe Lulzim Basha, kanë një charm urban e civil që nuk e kanë pasur të tjerët para tyre, kanë gjithashtu dhe një stil qibar në sjelljen publike, përfaqësojnë ndoshta edhe ndonjë prurje tjetër (nuk të lë indiferent një përpjekje emancipuese e Ramës për të kultivuar një qasje të re të shqiptarëve ndaj legalitetit, për t’i mësuar këta të fundit jo vetëm me idenë e të drejtave që duhet të gëzojnë si qytetarë, por edhe me idenë e detyrimeve që duhet të kenë si shtetas), por sido që të jetë, këta janë pjesë e një klase politike që për motivim në politikë ka pasur sundimin e jo qeverisjen, që për aleatë në terren e nëpër korridore pallatesh të pushtetit ka zgjedhur shpeshherë krimin, që demokracinë nuk e sheh si një gjë të panegociueshme, si një vlerë për t’u mbrojtur e për t’u respektuar, por si një optional, në mos si një bezdi, etj., etj.
Lidhur me këtë të fundit, është mjaft të shikojmë mënyrën se si janë zgjedhur kandidatët për kreun e bashkive në këtë fushatë. Ose tjetër, Rama s’e ka pasur për gjë – kjo tregon qartazi se ç’mendon ai për praktikat demokratike e për rregullat e lojës – ta quajë si të tepërt, e prandaj edhe ta shmangë, një garë 100% të sigurt brenda partisë, në një kohë që një garë të tillë e impononte statuti i partisë, ndërsa Bashës, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, as që mund t’i shtrohen kërkesa për demokraci në parti. Nëse ka një njeri që duhet ta urrejë demokracinë, ky duhet të jetë Basha, i cili ende nuk ka mundur të mësojë se suksesi duhet të vijë pas një gare, dhe i cili ende nuk ka mësuar se në këtë botë garat nuk mund t’i kontrollojë e, për rrjedhojë, garat edhe mund t’i humbasë. E ka rrezik që në të parën garë të vërtetë të tijën, këtë që finalizohet më 21 qershor, të humbasë në mënyrë katastrofike. Siç e ka hak, duhet thënë. Për Ilir Metën është e kotë të flasim, pasi ai, tok me partinë e tij, është një rast jashtë të gjitha manualeve. Thonë – edhe kjo është kundër të gjitha manualeve – se LSI-ja do të shpërblehet me një rritje tjetër në këto zgjedhje.
Suksesi i Gjergj Bojaxhiut më 21 qershor pra duhet parë veç në këtë kontekst. E prandaj do ishte gabim të mendohej se “nuk ia vlen t’ia japim votë Gjergjit, ngaqë ai nuk ka asnjë gjasë që të fitojë”. Unë mendoj se arsyetimi duhet bërë i përmbysur: Vota dhënë Gjergjit vlen, edhe pse ky do të humbasë, madje vlen më shumë pikërisht pse ky do humbasë. Bojaxhiu ka dalë në skenë i shtyrë nga një shqetësim qytetar, apo ndoshta nga një ambicie personale, por në rrugë e sipër kjo nismë ka marrë një formë tjetër që i kapërcen këto motivime personale, të cilat nga ana e vet janë të fisme e legjitime. Bojaxhiut e Co. i është bashkuar edhe një numër qytetarësh të fisëm që kanë rikuperuar papritur pasionin për politikën dhe shpresën se mund të jenë të përfaqësuar në politikën kombëtare. Duket se po krijohet bërthama e një lëvizjeje të re të nesërme.
Pyetja më normale që mund të më bëhej në këtë rrethanë do ishte kjo: E çfarë garancish na jep ti zoti gazetar që kjo lëvizje, nëse materializohet pas zgjedhjeve, nuk do të bëhet si të tjerat? Përgjigjja ime është: Asnjë garanci nuk ju jap. Nëse ne vihemi në kërkim të garancive pas çdo nisme, atëherë nuk kemi për të shkuar asgjëkund, atëherë i bie që të jemi mësuar me të keqen, atëherë i bie që garancitë i kërkojmë për të legjitimuar këtë sevda me status quo-në, e prandaj… le ta gëzojmë me shëndet këtë mutsihane, ku po jetojmë! Në këtë mes pra nuk shtrohet çështja e garancive. Në këtë mes kjo që po ndodh duhet parë si një shans. Po s’doli gjë në dritë, nuk kemi humbur gjë. Ne duhet të mësohemi të provojmë. Barazimin në xhep e kemi.
Të kuptohemi, kjo është një logjikë e imja. Në mos, është një dëshirë e imja, por jo për të parë të lindë një parti e tretë. Partinë e tretë e kemi ne, që e paçim sa malet! (e kam fjalën prapë për LSI-në). Nuk është kjo që na duhet pra. Na duhet një Parti e Re. Saktësoj: një Parti e Re. Dhe nëse nisma “Bojaxhiu” e ka një projekt të tillë, do duhej t’i bënin hesapet me këtë nevojë të këtushme. E ç’domethënë Parti e Re, me që ra fjala? Sipas meje, një Parti e Re duhet të synojë jo të vijë në pushtet, e jo të marrë shumicën e votave. Nuk është kjo rruga për ta nxjerrë këtë vend nga bataku, ku është futur. Jo, mjafton një grup parlamentar, pa të cilin nuk krijohet dot një mazhorancë, dhe pas kësaj do të jetë ky grup që mund t’i imponohet mazhorancës me ide të reja, me shembullin e ri, me frymën e re, pa qenë fare në qeveri, madje duke deklaruar apriori se nuk do të jetë në asnjë rrethanë pjesë e qeverisë. Do të jetë thjesht pjesë e mazhorancës qeverisëse.
Por, para se të arrihet deri këtu, duhet thënë se na duhet një Parti që të përfaqësojë politikisht shqiptarët të cilët, për një standard të tyrin etiko-moral, ka kohë që nuk i kanë lejuar vetes të hedhin votën për Partitë e Vjetra, shqiptarët që kanë ditur të respektojnë rregullat e ligjet edhe në këto kohë të rrumpallës së madhe, shqiptarët që provojnë zemërim e turp kur u duhet të paguajnë nën dorë për shërbimet publike që përfitojnë, e që shteti ua garanton (në letër) falas, shqiptarët që dinë ta respektojnë semaforin edhe në orën 4:00 të mëngjesit, kur trafiku është i vdekur, shqiptarët që duan nga qeveria jo favore për vete, por garanci për të gjithë, shqiptarët që administratën publike e duan që të funksionojë, e jo që t’u jepet copa-copa partive si kusht për ngjizjen e një koalicioni, shqiptarët që janë të gatshëm ta japin votën jo në këmbim të premtimeve për një vend pune, por në këmbim të garancive intelektuale, morale e profesionale që ofron njëleadership i caktuar, shqiptarët që nuk kanë mundur të mësohen dot me aleancën e politikës me krimin, shqiptarët që nuk durojnë dot kur shohin që banda rrugaçësh në të gjithë territorin e republikës kanë shtënë në dorë pasuritë publike e, për konsekuencë, kanë ndikim e fuqi për t’iu imponuar policisë, strukturave të sigurisë, institucioneve e qendrave vendimmarrëse, kanë fuqi t’u japin tonin fushatave elektorale e deri të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve. Nuk janë shumë shqiptarë të tillë? Punë e madhe! Nuk duhen shumë. Partia e Re duhet t’i drejtohet pjesës më të shëndetshme të opinionit publik me fjalët: “Ne kemi vullnetin për ta ndryshuar ky vend, por na duhet ndihma juaj; nuk na duhet ndihma e të gjithë elektoratit, as ndihma e bandave që kanë bërë plaçkë me pasurinë e të gjithëve, as ndihma e policisë, as ndihma e gjykatave, as ndihma e mediave tërësisht të korruptuara e të kontrolluara; na duhet thjesht ndihma juaj, vota juaj. Vetëm ne dhe ju mund të bëjmë që të fryjë një erë tjetër këtyre anëve. Ju na jepni votat, ne do t’ju japim shembullin”.
Comments
Edhe pse kam respekt per

Edhe pse kam respekt per autorin sepse mundohet te jete racional ne shume shkrime, keto idete qe ka dhene ne kete artikull me duken krejt utopike. Nuk u dashka qe kjo parti e re te marre shumicen, - thote autori - vetem te kete nje pakice te mjaftueshme qe te "percaktoje" konfigurimin e shumices. A nuk e kemi LSI-ne?! Dihet tashme se si erdhi dhe cfare mjetesh grupi i LSI-se perdori per tiu imponuar shoqerise shqiptare. Problemi eshte se te gjitha partite e reja qe jane krijuar deri me sot dhe qe priteshin te kene njefare peshe kane dale ose nga PD ose nga PS. Nuk e kam fjalen per partite fantazme. Dhe cfare ka ndodhur me partite e dala nga PS dhe PD? Asgje, me perjashtim te LSI-se. E pse Bojaxhiu dhe kompani qenkan ndryshe...sado i pavarur te hiqet Bojaxhiu, ai eshte nenprodukt i PD-se. Ndaj dhe nuk mund te pritet ndonje permbysje e madhe. Vetem nese Bojaxhiu mbeshtetet nga grupe te fuqishme te cilat do te benin te mundur nje sukses si te LSI. Por perseri nuk do kishim ndonje risi ne politiken shqiptare, thjeshte do shtohej nje simoter e LSI-se por gjasma ne krahun e djathte. Shqiptaret do te vazhdojne te perfaqesohen mjaft mire nga PS dhe PD per shume kohe sepse shoqeria Shqiptare eshte ne formim e siper dhe nuk eshte e gatshme per katharsis. As shoqeria civile dhe intelektualet e pavarur nuk mund ta bejne dot katharsin ne shoqerine shqiptare sepse sado e perparuar te jete shqoeria civile perseri nuk mund te materializoje ide qe su ka ardhur koha. Dhe me besoni, nese nje ideje si ka ardhur koha, sepse cdo ide do kohen e vet, edhe sikur Bill Klinton te vihet ne drejtim te Shqiperise nuk do te mund te sjell ndryshim.

Cfar zgjidhje propozo ti Caji

Cfar zgjidhje propozo ti Caji i Malit ateher?
Te presim derisa situata te zgjidhet vete?!

Kjo eshte llogjike absurde. Njerezit duhet te jene kembngules per te ndryshuar gjerat per me mire jo te flejne mendjen dhe t'presin qe ndryshimi te vije nga qielli. Ne momentin qe perkrah mendesine "ky vend nuk behet me prandaj me mire te tundim zinxhirin", fillon te behesh pjes e problemit dhe jo e zgjidhjes.

Cani imalit,e le shume gabim

Cani imalit,e le shume gabim iden e hedhur.smund te rrish ne vend kur gjerat slevizin. Ti dhe mund te MOS ndihesh i perfaqsuar NGA bojaxhiu,po vota per te eshte nje vote qe ka domethenie kunder partive te medha qe i ke votuar 25vjet,e Kane qeverisur si MOS me keq. Ti i thua Boll me.bojaxhiu mund dhe te na zhgenjej.dhe ne zgjedhjet e tjera sdo mari me voten time.vota ime eshte kerkes per politik ndryshe,.sa te rri ne shtepi e MOS te votoj njeri,si i shgenjyer,un personalisht NGA PS,vete e JAP nje mesazh.e nese ky messazh nuk ngelet vetem, po shumefishohet,dicka kam arritur.sa per bojaxhiu NGA PD,sesht e thene qe mqs shoqeria shqiptare eshte injorante,te gjithe pjestaret e sai te jene te till.

Shqiptaret do te vazhdojne te

Shqiptaret do te vazhdojne te perfaqesohen mjaft mire nga PS dhe PD per shume kohe sepse shoqeria Shqiptare eshte ne formim e siper dhe nuk eshte e gatshme per katharsis. As shoqeria civile dhe intelektualet e pavarur nuk mund ta bejne dot katharsin ne shoqerine shqiptare sepse sado e perparuar te jete shqoeria civile perseri nuk mund te materializoje ide qe su ka ardhur kohe.

Nese Gjergj Bojaxhiu merr 10% te votave ose dicka e perafert ne 21 qershor, shqiptaret do te tregojne ty dhe militanteve te tjere te verber se ne fakt jane gati per ta bere katharsisin.

Ty nderkohe te uroj plakje te mbare ne pritje te shpetimtarit qe do bjere nga qielli.

Shpetimtari qe mund te vije

Shpetimtari qe mund te vije nga qielli eshte vetem nje: EKONOMIA.

Kur te jete rregulluar ekonomia shqiptare deri ne piken qe 200,000 hallexhinj mos tja shesin (me leke apo ne natyre) voten LSI, por ta perdorin si arme kunder keq-qeverisjeve. Por mqs rritja ekonomike nuk mund te bjere dot nga qielli, por do shume, shume mund dhe pune qe te arrihet, uroj nga zemra qe te realizohet perpara se te plakesh ti Albi.

Shqiptaret jane te varfer

Shqiptaret jane te varfer pikerisht se qeverisen ne kete menyre. Qe shqiptaret te pasurohen duhet te ndryshojne menyren e qeverisjes, perndryshe ata varfanjaket qe shesin voten per buken e gojes nuk kane ku ti gjejne te ardhurat e tyre.

Prandaj eshte e rendesishme te mos votohen me dy partite dhe sateliti LSI.

"Shqiptaret do te vazhdojne

"Shqiptaret do te vazhdojne te perfaqesohen mjaft mire nga PS dhe PD per shume kohe sepse shoqeria Shqiptare eshte ne formim e siper dhe nuk eshte e gatshme per katharsis. As shoqeria civile dhe intelektualet e pavarur nuk mund ta bejne dot katharsin ne shoqerine shqiptare sepse sado e perparuar te jete shqoeria civile perseri nuk mund te materializoje ide qe su ka ardhur koha"

Tani qe jemi gjithologe ne Shqipot si puna e ketji qe thote se " nuk jane gati per katharsis shqipot " e di qe jemi, por me vjen inat nga mungesa elementare e argumentimit. Zotni i panderum, kur hedh hipoteza te ketilla duhet ti kesh mprehur mire duart, te kesh bere kerkime e survejime analiza te dhenash te cilat konfirmojne teorine tende. Po hedh dhe un ne teori tashti. Sipas nje studimi hollandezet jane nder me te gjatet ne Europe bazuar ne seleksionimin natyral. Dmth te shkurtet thjesht nuk arrinin te gjenin partner e te krijojne pasardhes krahasuar me te gjatet. Un tani po them se, nese i qendrojme teorise qe po percjell ti, seleksionimi natyral albanez do te na beje qe te na perfaqesojne servilet, antagonistet, te fortet e pse jo kriminelet. Ec flejme gjume pra.

Add new comment