BAROMETËR24: Llogoret elektorale jo aq të thella…

Duke ditur sa i thellë ka qenë polarizimi politik i elektoratit shqiptar në këto dy dekada, prisja që sonda e parë e sondazhit periodik BAROMETËR24 (që e prezantova në NEWS24 - http://respublica.al/opinion/2013/10/16/ctregojne-kuotat-e-rames-bashes-dhe-metes-ne-barometer24-etj ) të pasqyronte një ndarje si me thikë të opinioneve mes dy sinoreve të mëdha elektorale. Meqë përzgjedhja e kampionit, gjeografikisht, demografikisht e politikisht, u bë në mënyrë të tillë që të përfaqsonte sa më saktë hartën elektorale të 23 qershorit, kisha bindjen se në sondën e parë do të shihja një ndarje afërsisht 60%-40% në opinonet për Ramën, Bashën, qeverinë, ekonominë e vendit, situatën e rendit etj. Ndërsa luhatjet nga kjo ndarje prisja t’i shihja në sondat pasardhëse të këtij sondazhi periodik, në të cilin i njëjti kampion do të sondohet çdo muaj rreth të njëjtave opinone.
Por, përkundër pritmërisë sime, qysh në sondën e parë, më rezultoi se llogoret elektorale shqiptare nuk janë aq të thella sa ç’i mendoja. Dhe kjo përmbysje e pritshmërisë më kujtoi fjalët e Andreas Schleicher: “Pa të dhëna, je thjesht një dikush me një hamendje.”
Kështu, të dhënat e sondës së parë të BAROMETËR24-ës më treguan se, vërtet kuota e opinionit pozitiv për Ramën ishte pothuaj e barabartë me kuotën që arriti koalicioni i udhëhequr prej tij në 23 qershor (57% vs. 58%), por kuota e opinonit negativ për të ishte më e ulët se kuota që arriti koalicioni i djathtë në 23 qershor (34% vs. 40%). Gjë që do të thotë se një pjesë e elektoratit të djathtë nuk e sheh Ramën si “armik”.
Ndërkohë vetëm 40% e të anketuarve, ose më pak se treçereku i votuesve të majtë e kanë miratuar “Fushatën e fotove të bodrumeve të institucioneve”, që Rama zhvilloi në dy javët e para të qeverisjes së tij. Gjë që do të thotë se një pjesë e mirë e votuesve të majtë nuk mund të kapërdijnë symbyllazi çdo çalltisje të “Komandantit”.
Një situatë edhe më interesante vihet re tek opinioni i të anketuarve për Bashën. Vërtet kuota e opinionit pozitiv për të është pothuaj e barabartë me kuotën që arriti koalicioni i djathtë në 23 qershor (41% vs. 40%), por kuota e opinonit negativ për Bashën ishte ndjeshëm më e ulët se kuota e koalicionit kundërshtar në 23 qershor (44% vs. 58%). Gjë që do të thotë se një goxha pjesë e elektoratit të majtë nuk e sheh Bashën si “armik”.
Nga ana tjetër, vetëm 21% e të anketuarve janë të bindur se rendi nuk po përmirësohet nën qeverisjen aktuale (60% japin përgjigje pozitive dhe 19% asnjëanëse). Gjë që do të thotë se pothuaj gjysma e elektoratit të djathtë është aq mendjehapur sa të mos e ngjyrosë me të zezë apriori çdo përpjekje të qeverisë aktuale, thjesht pse ajo i përket “kampit armik”.
Duke u futur brenda kampit të majtë, një sheshim i llogoreve vihet re edhe mes dy partive të mëdha qeverisëse, të cilat kanë qenë armike të betuara pothuaj në të gjithë dekadën e fundit. Kështu kuota e opinionit pozitiv për Ramën nuk do të arrinte dot nivelin 57%, nëqoftë se votuesit e LSI-së të anketuar në sondazh nuk do të shprehnin opinion pozitv për të. Nga ana tjetër, kuota e opinionit pozitiv për Metën nuk do të arrinte dot nivelin 44%, nëqoftë se një pjesë e mirë e votuesve të PS-së të anketuar në sondazh nuk do të jepnin opinion pozitv për të.
Këto shenja të sheshimit të llogoreve elektorale, pas 4 vjetëve të luftës tejet të ashpër politike mes palëve, ndoshta sinjalizojnë futjen e demokracisë shqiptare në rrugën e gjatë drejt pjekurisë. Në fund të fundit, ajo e kaloi pragun empirik të fillimit të pjekurisë së një demokracie – arriti të prodhojë dy rrotacione paqësore rradhazi pushteti. Plot pas 101 vjetësh të ekzistencës së shtetit shqiptar…
Comments
Analize, e bukur ne baze te
<p>Analize, e bukur ne baze te shifrave. Po ashtu analiza dhe ndaj Bashes, por harron dicka. NQS se zgjedhjet do beheshin perseri ne momentin qe keni bere sondazhi, del qe Rama perseri fitonte. Pra sa do Basha, pozitiv e ky e ai ashtu e keshtu..del qe perseri rama fiton. Ne demokraci ka rendesi kush Fiton dhe bene qeverin te tjerat ..fjale dhe analiza..:)</p>
i dashur Eduard! po eshte
<p>i dashur Eduard! po eshte logjike qe menjehere pas zgjedhjeve tensionet te ulen ne maksimum dhe te kemi nje periudhe qetesie ose armepushimi. pyetja eshte sa kohe do te zgjase nje gjendje e tille. ciklet kane nje ndikim te padiskutueshem. vetem se nganjehere keto cikle jane me te shkurter dhe heret e tjera ato zgjasin me shume.</p><p>sidoqofte sondazhet dhe te dhenat e tyre mbeten nje mjet i pazevendesueshem. uroj qe ta vazhdosh sa me gjate punen qe ke nisur.</p><p> </p>
Add new comment