BAROMETËR24 – I pari sondazh periodik në TV-të shqiptare

Postuar në 06 Tetor, 2013 21:39
Eduard Zaloshnja

Televizione të ndryshme shqiptare kanë zhvilluar disa sondazhe paraelektorale, madje edhe sondazhe të ditës së zgjedhjeve (exit polls). Por deri më sot, asnjë televizion shqiptar nuk ka zhvilluar një sondazh periodik opinioni, i cili është një lloj sondazhi që shërben si instrument për të matur luhatjen në vazhdimësi të kuotave në elektorat të politikanëve dhe partive kryesore, si dhe për të zbuluar se ç’mendon elektorati për çështje të nxehta të momentit.

Të tilla sondazhe ka dekada që zhvillohen në botën demokratike (Rrjeti televiziv amerikan CNN-i ka qenë pioneri i zhvillimit të tyre). Në pamundësi të zhvillimit të përmuajshëm të referendumeve, sondazhet periodike, përveç rolit të informimit, kryejnë edhe rolin e një instrumenti trysnie ndaj politikanëve dhe partive kryesore. Sepse kur kuotat e tyre në sondazhe bien, ata marrin mesazhin se duhet ta ndryshojnë trajektoren politike. Një rol të tillë të dyfishtë në Shqipëri do ta luajë së afërmi BAROMETËR24, sondazhi periodik që do të zhvillojë televizioni NEWS24 nën mbikqyrjen time statistikore.

Për të realizuar këtë sondazh, fillimisht po përzgjidhet një kampion prej 1200 votuesish, nëpërmjet telefonatave të bëra në të gjitha qytetet e vendit. Në përzgjedhjen e kampionit, kriter kryesor është përafrimi sa më i saktë i raporteve gjeografike, demografike dhe politike të tij me ato të të gjithë elektoratit urban të Shqipërisë (bazuar në të dhënat e Census 2011 dhe votimin e fundit në çdo qark për tri partitë kryesore dhe për partitë e vogla, të grupuara në parti të mazhorancës dhe opozitës). Në këtë kampion 1200-ësh, do të ketë vetëm votues që kanë marrë pjesë në të paktën njërën nga zgjedhjet e zhvilluara në periudhën 2009-2013.

Rezultatet e fillestare do të prezantohen së afërmi në edicionin e parë të BAROMETËR24. Më pas, i njëjti kampion do të ndiqet gjatë 4 vjetëve, duke u anketuar periodikisht me telefon. Në rast se disa pjestarë të kampionit largohen ose nuk duan më të përgjigjen (ose vdesin), do të zëvendësohen me të intervistuar të ngjashëm politikisht dhe demografikisht në qytetin përkatës.

Në çdo edicion të BAROMETËR24 do të ketë një bateri standarde pyetjesh rreth opinionit të votuesve për politikanët kryesorë, qeverinë, dhe për tri grupet më të mëdha parlamentare. Përveç këtyre pyetjeve standarte, në çdo edicion të BAROMETËR24, do ketë edhe pyetje rreth çështjeve më të nxehta të momentit, për të parë sesi do të jetë i pozicionuar elektorati për çështje të veçanta që debatohen mes mazhorancës dhe opozitës. Sidoqoftë, në asnjë edicion të BAROMETËR24 nuk do të bëhen pyetje rreth orientimit të votës për zgjedhjet e ardhshme, sepse për këtë qëllim, duhet të ndërtohet një kampion i posaçëm në vartësi të zgjedhjeve (lokale apo paralmentare) dhe të zonave zgjedhore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.