Barazia efektive, e vështirë por jo e pamundur

Postuar në 27 Prill, 2012 03:03
Bledar Bashanoviq

Barazia efektive si koncept personifikon një sërë veprimesh, masash apo kushtesh të krijuara, efektet e të cilave tentojnë të sigurojnë ndjenjën dhe gjendjen e të qënit të barabartë tek persona, me pozitë jo të barabartë shoqërore, ekonomike, sociale, etnike, pavarësisht nga gjendja numerike e tyre. Kjo barazi gjendet mbi nivelin e një barazie të  zakonshme. Një barazi e tillë kondicionohet nga niveli i emancipimit të një shoqërie, kushtet historike, zhvillimi ekonomik, komunikimi mediatik, por do të doja të veçoja ndikimin që ka vullneti politik për krijimin e saj. Një vullnet politik në favor të respektit të barazisë efektive të shtetasve automatikisht do të rezultonte në përmirësim të indikatorëve të cilët tregojnë progresin e shoqërisë dhe shtetit në standartet europiane, duke qënë se një barazi e tillë arrihet me arritjen e standarteve të tilla si kushte të barabarta përfaqësimi ne institucionet e shtetit, në strehim, punësim, shërbime sociale dhe mjekësore, drejtësi, strukturat shtetërore etj.

Në Shqipëri perpiqemi shumë për paraqitjen e barazisë.  Të barabartë paraqiten kategori shoqërore si gratë dhe burrat në proceset e sipërpërmendura, nëpër media, politika shtetërore apo nga opinionistë të ndryshëm. Po ashtu, kategorive si grupe të ndryshme etnike u garantohet nga aktet ligjore dhe nënligjore një barazi me shumicën e popullsisë si në trajtim ashtu dhe në përdorimin e të drejtave që u takojnë. Barazi egziston edhe në këndvështrimin e komuniteteve fetare të ndryshme për sa i përket trajtimit ndaj bashkësive të tyre reprezentative. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për grupet e tjera siç janë personat me aftësi të kufizuara, apo ato me prirje të ndryshme seksuale.

Megjithatë një barazi e tillë është e paplotë, shpeshherë krijon kushte për një pabarazi e shkaktuar indirekt. Për sa përket të qënit efektive,  një barazi e tillë po has në pengesa të panumurta, shpeshherë dhe duke përdorur vetë justifikimin e barazisë dhe mosdiskriminimit midis shtetasve.

Mendoj që më shume kjo pabarazi në një shoqëri tranzicioni prek grupet në minorancë numerike, të ndryshme nga pjesa e popullsisë sipas karakteristikave të ndryshme shoqërore, e në veçanti mendoj që objektivisht më të prekurit në këtë grup janë minoritetet  kombëtarë, pra qytetarët me origjinë etnike të ndryshme nga popullsia mazhoritare.

Barazia e minoriteteve me mazhorancën është e garantuar me anë të disa akteve. Në radhë të parë është Kushtetuta e vendit përkufizon në neni 20 te saj “ ushtrimin nga ana e tyre në barazi të plotë me mazhorancën të të gjithë të drejtave  dhe lirive të tyre”. Konventa Kuadër për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare , në nenin 4 të saj përcakton  të drejtën për trajtim të barabartë përballë ligjit dhe nga ligji, dhe kur është e nevojshme ndërmarrjen e masave adekuate, me qëllim arritjen e e barazisë së plotë dhe efektive midis personave që I përkasin mazhorancës. Në fund kjo Konventë përcakton se masat të cilat promovojnë barazinë efektive nuk do të konsiderohen akte diskriminuese, pra ndaj vetë mazhorancës.

Shumëkush mund të bëjë me të drejtë pyetjen se çfarë nuk shkon në gjendjen aktuale dhe zbatimin e akteve të cilat duhej të garantonin pikërisht barazinë efektive të shtetasve pa dallim etnie? Le të shohim pak konfigurimin e minoriteteve në Parlament dhe përfaqësimin e tyre në këtë institucion! Pjesëmarrja e minoritarëve është pothuajse rastësore dhe varet nga dëshira e partive më të mëdha parlamentare për ti përfshirë.  Pra nuk ka asgjë të garantuar. Nëse këto parti të drejtuara nga mazhoranca etnike shqiptare  vendosin të reduktojnë apo të mos përfshijnë në listat e tyre dhe kandidatët minoritarë, atëherë barazia efektive është e pamundur. Nga ana tjetër, përfaqësimi i pamjaftueshëm në gjyqësor ka prodhuar pakënaqësi në radhët e minoriteteve, së pari duke krijuar bindjen se gjyqësori është i paarritshëm në çdo instancë të tij për pjesëtarët e pakicave por edhe duke ndjerë me të drejtë se pikërisht ky gjyqësor po sulmon interesat e tyre. Rasti i futjes se nacionalizmit frenetik në Këshillit të Lartë të Drejtësisë me figurën e Nënkryetarit të këtij institucioni, apo kërkesat e gjykatave të disa  rretheve ku jetojnë minoritetet  për anullimin e dispozitave të Ligjit për Gjendjen Civile lidhur me kombësinë e shtetasve, të finalizuara me vendimin absurd të Gjykatës Kushtetuese e cila anullon këto nene, tregojnë tendencat për heqjen edhe të atyre pak dispozitave të cilat garantojnë atë pak barazi egzistuese. Rasti  gjykimit të Kryetarit të Omonia-s së Korçës Naum Disho dhe të rasteve të tjera të sipërpërmendura, duke mos paragjykuar vendimin, tregojnë se përbërja e trupave gjykuese në të gjitha shkallët është tërësisht e etnisë shqiptare. Duke i shtuar dhe problemet e njohura botërisht që ka gjyqësori shqiptar me korrupsionin dhe lidhjet me krimin , mund të konkludojmë se barazia efektive për minoritetet në drejtësi mungon.

Pjesëmarrja në institucionet e tjera që kanë të bëjnë me çështjet që i takojnë minoriteteve është gjithashtu e mangët. Konstatohet mospjesëmarrje në insitucione si Këshilli i Drejtues i Radios dhe Televizionit Shqiptar, Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, Avokatin e Popullit, Komisionerin kundër Diskriminimit, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të gjitha zyrat që merren me problematikat e tyre në Ministrinë e Kulturës, Arsimit apo atë të Jashtme etj. Përveç Komitetit Shtetëror për Minoritetet i cili ka në përbërje nga një anëtar nga çdo minoritetet dhe i cili ka vetëm rol konsultativ, në të gjitha këto institucione, vendimet dhe politikat për minoritetet merren nga pjesëtarë që i takojnë mazhorancës ose të caktuar nga mazhoranca.

Në të vërtetë barazia efektive në trajtimit e minoriteteve ka si domosdoshmëri detajimin dhe shtjellimin nëpërmjet akteve të tjera ligjore dhe nënligjore të Kushtetutës dhe akteve të tjera të adoptuara ndërkombëtare,  të cilat përbëjnë vetëm kornizën e një tabloje ligjore të plotë.  Garanci të plota ligjore nëpëmjet një ligji specifik për minoritetet duhen dhënë në mënyrë që kushtet specifike të trajtimit të minoriteteve të krijohen në frymën e barazisë efektive. Dispozita pozitive apo standarte të ashtuquajturit “ diskriminim pozitiv” të minoriteteve duhet të parashikohen në reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore.   Legjislacioni aktual mbi minoritetet ka nevojë për rishikim, rifreskim dhe përqasje strategjike për të ardhmen në favor të minoriteteve. Por mbi të gjitha, zbatimi i ndërgjegjshëm i tij dhe me vullnetin politik e duhur për arritjen e standarteve europiane të barazisë efektive midis mazhorancës dhe minoriteteve, do të na afronte me Europën por dhe do të kontribuonte në demokratizimin e metëjshëm të shoqërisë shqiptare.

Autori është Anëtar i Komitetit Shtetëror për  Minoritetet, përfaqësues i minoritetit serbo-malazez

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.