ARITMETIKA E ÇUDITSHME E DY TË KËQIJAVE

Teza për t’u vënë një kryq të tërëve në fletën e votimit, apo për ta dorëzuar të bardhë atë, në mënyrë që të dalë e pavlefshme, ka filluar të diskutohet në nivel mediatik këto kohë. Kjo tezë është hedhur e hidhet për diskutim, afërmendsh, jo thjesht për të ndikuar në rezultatin elektoral, por edhe si një mundësi nga ana e njërit apo tjetrit për të afishuar apo përforcuar një qëndrim individual lidhur me situatën politike në Shqipëri, e në mënyrë të veçantë me zgjedhjet e datës 23 qershor. Kjo tezë, në dijeninë time, është hedhur për herë të parë nga Shinasi Rama, e më pas është marrë nga Fatos Lubonja (që do të bënte mirë, në respekt të “copy right”-it, t’i referohej “shpikësit të patentës”).
Personalisht, jam kundër këtij qëndrimi, jam me idenë që këtë herë duhet të ndahemi njëherë e mirë me Berishën e me gjithçka që ai ka ndërtuar e përfaqësuar këto dy dekada e gjysmë në politikën shqiptare. Por jam në gjendje, megjithatë, të kuptoj arsyet e atyre që e hedhin këtë tezë për diskutim. Jam në gjendje t’i kuptoj këto arsye, pasi dhe vetë kam herë pas here ndërdyshjet e pasiguritë e mia për “zgjedhjen” që kam bërë. Më shumë se njëherë e kam kapur veten përballë pyetjes: Mos kanë të drejtë këta? Mos vallë rotacioni, kështu si po kërkohet e po gatuhet, do të na rezultojë një pesë me hiç, apo – siç thotë Lubonja në shkrimin e djeshëm te “Panorama” – një zëvendësim i një të keqeje me një të keqe që nesër mund ta tejkalojë të keqen e madhe?
Më ka qëlluar ndonjëherë që, për shkak të natyrës amorale të tezës sime e për shkak të përmbajtjes e të avantazhit moral që bart në vetvete teza e tyre, arsyetimet të më kenë çuar në përfundimin, se “më duket se jam unë që e kam gabim”, por kjo gjendje nuk ka zgjatur shumë. Në të shumtën e kohës kam menduar se ky regjim duhet rrëzuar. Shqetësimet e tjera mbi atë që vjen pas janë të gjitha legjitime, të kuptueshme, të drejta, ndoshta dhe të mençura, por jam me idenë se gjërat duhen marrë me radhë. Teza e Travaglio-s, që përmend Lubonja, sipas së cilës “të jetosh me idenë e zgjedhjes së të keqes më të vogël është një shantazh që s’mbaron kurrë”, mund të jetë thënë vërtet nga gazetari italian, por më duket se përgënjeshtrohet vençe nga qëndrimet publike të Travaglio-s vetë, të cilit po i ikën jeta në një betejë të pafundme kundër të keqes më të madhe, Berlusconi-t. Për më tepër, mua nuk më duket i bartshëm në Shqipëri ky pohim i nxjerrë nga konteksti. E për më tepër akoma, nuk bëhet fjalë për thënien e shekullit.
“Duhet të mbështesim një alternativë tjetër”, thuhet. Kush është kundër kësaj teze? Asnjë njeri me arsye të shëndoshë, por puna është se kjo alternativë duhet të krijohet. Sa kohë që nuk është krijuar, na mbeten dy alternativa. Dhe merret vesh se alternativa e nxjerrjes së pavlefshme të fletës së votimit ka për pasojë, edhe pse jo për qëllim, mbështetjen dhe inkurajimin e regjimit të Berishës. Dhe kështu, Lubonja që është i sigurt se “e keqja më e vogël, me të ardhur në pushtet, bëhet e keqja më e madhe”, do të duhet të na gjejë pastaj ndonjë citim të ndonjë italiani tjetër, ku të thuhet se “e keqja më e madhe, nëse mbahet në pushtet, na bëhet vetvetiu e keqja më e vogël”. E meqë jemi këtu, duhet thënë se kjo puna e citimeve është pa dobi e pa kuptim, kur ato sillen të zhveshura prej kontekstit apo kur sillen si ultima ratio. Një citim është një citim, asgjë më tepër. Ja, po sjell dhe unë një, që sapo e pashë në “Google”, duke kërkuar emrin e Sylos Labinit të Lubonjës. Lubonja e citon Labinin në shkrimin e tij që të ketë thënë se “e keqja më e vogël përgatit një të keqe më të madhe sesa ajo që ti kërkon të evitosh”, ndërsa unë po e citoj Labinin për një qëndrim tjetër: “Nuk ka rëndësi fare e majta apo e djathta; ka rëndësi të shkojmë të votojmë kundër Berlusconi-t; të zhgënjyerit nga e majta që, bash për këtë arsye, nuk duan të votojnë, është mirë ta dinë se kështu fiton Berlusconi; dhe një fitore e këtij të fundit do të ishte një katastrofë për demokracinë”. Labini kundër Labinit? Jo, është Labini kundër Lubonjës.
Po përsëris: Në rrethanat ku po jetojmë, nëse shkojmë në qendrën e votimit për t’u vënë një kryq të tërëve, gjasat janë që nga kjo sjellje me motivim qibar të ketë qar Berisha. Është kështu by default, dhe kam përshtypjen se me këtë deduksion mund të bjerë dakord dhe Fatosi me Shinasiun. I shërben kjo vendit? Në ç’kuptim i shërben? Mos vallë ngaqë kështu do të plasë muti sheshit, e për rrjedhojë do të binden të gjithë se gjërat duhen ndryshuar? Mua personalisht më duket i rrezikshëm ky skenar. Më duket shumë i rrezikshëm. Përveç kësaj, më duket naive të jetosh me idenë se po plasi muti sheshit, do të plasin sheshit dhe energjitë pozitive e konstruktive të shqiptarëve. Këtu po ju kujtoj dy fakte të kronikës së politikës: 1. Pas tragjedisë së Gërdecit, PD-ja ka marrë shumicën e votave në Gërdec; dhe 2. Pas publikimit të videos me Ilir Metën, u rritën votat në mbështetje të këtij të fundit në zgjedhjet lokale të radhës.
Këtu ka plasur muti sheshit edhe në raste të tjera. E ç’të plasur se! Më 21 janar 2011, Berisha dha urdhër të qëllohet me armë mbi turmën e protestuesve, pas kësaj kërkoi ta fshehë këtë gjë, më pas nxori një mjek të thoshte se “të vrarëve u është qëlluar nga afër”, më pas nxori do ministra të thoshin se katër të vrarët ishin vepër e opozitës, pastaj, kur doli e vërteta në shesh, Berisha zuri të fliste për puç, zuri të fyente e kërcënonte hapur kreun e shtetit, të prokurorisë e të opozitës, ngriti një komision hetimor parlamentar, fshehu e fshiu provat e krimit brenda Kryeministrisë, mori në mbrojtje gardistët, e … i nxori më në fund të pafajshëm. Lubonja vetë ka qenë një nga njerëzit më pak të tronditur prej asaj që ndodhi, prej vrasjeve të kryera me gjakftohtësi, por dhe prej guximit e pacipësisë për t’u tallur me të gjithë me lojën që u bë më pas për të justifikuar vrasjet e për të nxjerrë fajtorë ata që u vranë. Madje, sepse kam përshtypjen se Lubonja ka demonstruar pakëz mirëkuptim për qeverinë atëmot. Jo vetëm kaq. Kam përshtypjen edhe se, po t’i kërkosh sot një mendim Lubonjës lidhur me 21 janarin, ka rrezik të mos thotë më shumë sesa fraza që ka thënë Sokol Olldashi, e së cilës i është referuar në një rast në mënyrë gjoja neutrale: Dikush i çoi ata të katër atje për t’u vrarë!!!!
Këtë fakt të fundit e nënvizoj për të thënë se – të më falin lexuesit që po e përmend për të tretën herë këtë frazë “jo shumë elegante” – muti ka plasur sheshit prej kohësh; thjesht janë ca njerëz që nuk duan ta shohin. Por nënvizimin e bëj edhe për t’i shtënë në kokë Lubonjës idenë, se ca përunjësi në shkrimet e tij polemike, sidomos në këto rrethana, nuk i bën keq. Bën mirë që i mban e i mbron qëndrimet e veta, bën mirë që e bën këtë edhe kur janë të gabuara (dhe për mua, qëndrimet publike që ka mbajtur pas vitit 2005 e deri para pak muajsh, kanë qenë dramatikisht të gabuara), por bën mirë t’i lërë mënjanë pozat moraliste e denoncimet e gazetarëve të llogoreve nga pozitat e atij që është jashtë sistemit. Jemi të gjithë, kush më shumë e kush më pak, brenda sistemit, dhe ky fakt nuk mund të fshihet e zhbëhet. Jemi, qoftë dhe për një rregull të lojës, brenda këtij sistemi. Nuk po bëj një autokritikë të stisur, nuk po bëj mazokistin me pahir për të bërë përshtypje, por kështu është prore në demokraci. Kush ka një zë, madje edhe kush ka një votë, është në mënyrën e në masën e caktuar përgjegjës për gjërat që ndodhin. Përsëris: të gjithë jemi brenda sistemit. E gjatë viteve të fundit, Lubonja ka qenë më brenda sistemit se shumë të tjerë. Ka qenë, madje, mú në zemër të sistemit. Të paktën, sipas meje. E prandaj pozat moraliste nuk i kanë hije.
*Botuar në gazetën Shqip
Add new comment